Buxheti Shteteror: Berisha fryn shifrat

Loyalty

Anëtar i Nderuar
Deklarata e Kryeministrit çorienton Financat. Zv/ministri Shehu: Buxheti i ardhshëm, 4.2 miliardë USD. Kreu i qeverisë: Janë 5.2


Në jo pak raste, deklaratat e Kryeministrit Berisha në lidhje me buxhetin kanë vendosur në pozitë të vështirë Ministrinë e Financave. Madje, për të mos ia prishur kreut të qeverisë, ministria është detyruar të rishikojë nga e para parametrat e buxhetit, në mënyrë që t‘i shkojë për shtat qëndrimit politik të Kryeministrit. Por ndryshe nga herët e kaluara, kur shifrat e të dyja palëve (Kryeministër-Ministri e Financave) nuk kishin diferencë të madhe, kësaj here gjërat janë ngatërruar pak. Nuk bëhet fjalë për 50 milionë dollarë, si rasti i gjelit të fundvitit për pensionistët apo 120 milionë dollarë, reduktim taksash për biznesin, por për plot 1 miliard dollarë (afro 82 miliardë lekë), që Kryeministri deklaroi më tepër sesa në fakt është projektbuxheti i shtetit 2009. Shifra zyrtare e paraqitur nga Ministria e Financave rezulton 385 miliardë lekë ose rreth 4,2 miliardë dollarë, ndërsa Kryeministri Berisha deklaroi dy ditë më parë një buxhet që prek shifrën e 5.2 miliardë dollarëve, ose rreth 490 miliardë lekë. Në këtë situatë, Ministria e Financave sqaron se e gjithë e vërteta lidhet me llogaritjen e kursit të këmbimit, duke e marrë atë në kohë të ndryshme, por që në fakt "fryu" artificialisht buxhetin e shtetit 2009.

E vërteta

E gjithë loja vërtitet për 1 miliard dollarë më shumë, i cili merr vlera edhe më të mëdha në një kohë kur ky vit konsiderohet i fundit për qeverisjen aktuale deri në realizimin e zgjedhjeve parlamentare. Një ditë para se Kryeministri të deklaronte shifrat e buxhetit, që në total preknin vlerën e 5.2 miliardë dollarëve, zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, në një prononcim për "Shqip" tha se buxheti i shtetit për 2009-ën do të jetë diku te 380 miliardë lekë, ose rreth 4.2 miliardë lekë (me kursin aktual të dollarit). Madje Shehu tha se buxheti do të mbërrijë në mesin e muajit shtator për miratim në qeveri, pasi çdo veprim me të është pothuajse i përfunduar. Kur nuk kishin kaluar as 24 orë nga citimi i kësaj shifre, Kryeministri Berisha, ndoshta i ndikuar nga nisja e fushatës elektorale, llogarit një buxhet që shkonte rreth 1 miliard dollarë më tepër nga sa kanë parashikuar Financat, autoriteti përgjegjës për hartimin e shpenzimeve në vend. "Dua të theksoj se ky buxhet, krahasuar me buxhetin e fundit të qeverisë socialiste, rritet me dyfishin. Të ardhurat në këtë buxhet, pa llogaritur privatizimet, arrijnë në 340 miliardë lekë. Buxheti në tërësi arrin në vlerën 5.2 miliardë dollarë. Krahasuar me këtë qeveri dhe jo me dy vjet më parë, por me muajin shtator 2007, buxheti i këtij viti do të jetë 1 miliard dollarë më shumë. Ndërsa buxhetit i vitit 2008 ishte 4.2 miliardë dollarë, buxheti i vitit 2009 është 5.2 miliardë dollarë. Fakti që këtë vit në buxhet do të jenë 1 miliard dollarë më shumë se vitin që kaloi përbën një lajm shumë të mirë", u shpreh Kryeministri dy ditë më parë në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive. Një pjesë e këtij buxheti, sipas Kryeministrit, mendohet se do të shkojë për rritje pagash dhe pensionesh, duke nisur që nga 1 maji, pra një muaj para fushatës elektorale. Një veprim i pastër politik, pasi kjo rritje prek të paktën 800 mijë persona, në një moment kur duhet vendosur për votën pro apo kundër qeverisë. Por lidhur me këtë pikë, vet Shehu sqaron se nuk do të ketë rritje të shpenzimeve, sikundër pretendohet, për fushatë elektorale. "Fushata ka nisur që tani dhe nuk pritet ndonjë manovër e re për rritje shpenzimesh vitin që vjen. Këtë fakt e konfirmon dhe deficiti buxhetor, i cili nga 5.2 për qind që është aktualisht, për 2009-ën do të zbresë në 4 për qind", tregon zëvendësministri i Financave për gazetën. Deri në këtë pikë nuk kuptohet qartë politika që do të ndiqet në lidhje me shpenzimet buxhetore për 2009-ën, pasi dhe aktorët e fushatës nuk e kanë ndarë ende mendjen se çfarë do të bëhet me këtë buxhet: të përfundojë rruga Durrës-Kukës apo të rriten pagat dhe pensionet në një masë që bie ndesh me politikat makroekonomike. Përfundimi i njërës prej tyre mund të japë efekte paraprake tek elektorati, kurse faturën financiare do ta paguajë ajo forcë politike që (ri)vjen në krye të pushtetit. Për momentin, Berisha ka zgjedhur të dytën, pra rritjen e pagave dhe pensioneve, edhe pse dikujt në qeveri mund t‘i duket ide e gabuar. "Ky është buxheti i rritjes më të madhe të rrogave dhe pensioneve. Sërish iu kujtoj të mos harroni datën 1 maj, si dita e rritjes së rrogave dhe pensioneve", iu drejtua Kryeministri anëtarëve të qeverisë.




Shehu:

Institucionet i kanë sjellë kërkesat e tyre me projekte brenda afatit të vendosur në ligjin e buxhetit. Me një përllogaritje të përafërt mund të them se buxheti i vitit 2009 do të jetë mbi 380 miliardë lekë ose rreth 4 miliardë dollarë, në një kohë kur buxheti 2008 ishte rreth 370 miliardë lekë.


Berisha:

Buxheti në tërësi arrin në vlerën 5.2 miliardë dollarë. Krahasuar me këtë qeveri dhe jo me dy vjet më parë, por me muajin shtator 2007, buxheti i këtij viti do të jetë 1 miliard dollarë më shumë. Ndërsa buxhetit i vitit 2008 ishte 4.2 miliardë dollarë, buxheti i vitit 2009 është 5.2 miliardë dollarë



Loja me kursin e këmbimit

"Kryeministri e ka llogaritur vlerën e buxhetit 2009 me kursin e dollarit të vitit që shkoi, i cili përkon me periudhën kur u hartua buxheti 2008. Nuk ka asgjë të keqe, thjesht ka marrë një kurs këmbimi për dy periudha të ndryshme, për t‘i bërë sa më të sakta krahasimet", ishte shpjegimi i bërë nga zyrtarë të Ministrisë së Financave. Nëse për momentin, ministria justifikon deklaratat e kreut të qeverisë, do të jetë po ky institucion që do të marrë përsipër mbulimin e 1 miliard dollarëve, të përfshira nga Berisha në buxhetin e vitit elektoral 2009. Loja me shifrat, duke e llogaritur me kursin e këmbimit, është e kahershme dhe aplikohet zakonisht kur deklarohet për rritje pensionesh.


LSI-Xhufi

Berisha u fshehu shifrat shqiptarëve


Lëvizja Socialiste për Integrim i bëri dje oponencën shifrave të deklaruara nga Kryeministri. Zëvendëskryetari Pëllumb Xhufi vlerësoi se shifra prej 1 miliard dollarësh rritje në krahasim me buxhetin e vitit 2008, është në realitet një 0 e madhe, në rast se llogaritet shkalla e rritjes së inflacionit. "Zhvleftësimi i dollarit, rritja e borxhit të jashtëm e të brendshëm, shpenzimet e paparashikueshme, siç janë ato që lidhen me financimin e rrugës Durrës-Kukës, pa projekt e pa preventiv", sqaroi Xhufi. Ai shtoi se Kryeministri pretendon se buxheti i ri prej 5.2 miliardë dollarësh bazohet në rritjen e të ardhurave dhe nuk thotë të vërtetën. Sepse, sipas LSI-së, shifra prej 1 miliard dollarësh që ai pretendon të jetë një suficit në të ardhurat e këtij viti, nuk vjen absolutisht nga rritja e prodhimit. "Nuk vjen nga performanca në luftën kundër korrupsionit, kundër evazionit fiskal, apo në luftën kundër ekonomisë informale, apo nga ulja e shpenzimeve", nënvizoi ai. Xhufi këmbënguli se, nëse të ardhurat janë rritur me ndonjë kacidhe, kjo ka ardhur si rezultat i një politike represive të organeve tatimore e doganore mbi bizneset, nga gjobat arbitrare e abuzive, nga rritja e çmimeve të referencës. LSI-ja argumenton se me deklaratat e tij për buxhetin e vitit 2009, Kryeministri paralajmëron dështime e pasiguri të reja, ne dëshirojmë t‘i kujtojmë atij dështimet e njohura e të certifikuara të tij.



PDS

Qeveria, demagogji me rritjen e pagave


Partia Demokracia Sociale denoncoi dje demagogjinë e radhës të Kryeministrit Berisha, i cili premtoi se më 1 maj 2009 do të rriste rrogat dhe pensionet. Për PDS, premtimi i Berishës nuk përbën gjë tjetër veçse një manovër të pastër elektorale, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Sekretari politik, Artur Duçkallari, vlerësoi se loja e Berishës me shifrat e rritjes së pagave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike për PDS është një abuzim dhe spekulim me 800000 familje buxhetore vetëm një muaj larg datës së zgjedhjeve. "Ne vlerësojmë se premtimet për rritje pagash, pasi ka realizuar spastrimet në masë në administratë, synojnë t‘u hedhin hi syve shqiptarëve dhe të kënaqë vetëm militantët e tij politikë, një vit larg zgjedhjeve parlamentare", vlerësoi ai.
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 6 46.2%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 15.4%
  • Bora e parë

    Votat: 3 23.1%
  • Larg

    Votat: 2 15.4%
Back
Top