Buxheti i krizës dhe kriza e buxhetit

ida angel

:)
V.I.P
Siç e kemi paralajmëruar shumë kohë më parë, ekonomia shqiptare është goditur nga recesioni, e manifestuar në tkurrjen e aktivitetit të biznesit, në rënien e konsumit, pakësimin e importeve, uljen e remitancave dhe thellimin e deficitit buxhetor. Kësaj goditjeje fare evidente i është shtuar edhe pesha negative e keqmenaxhimit të ekonomisë e të financave publike.

Me gjithë kujdesin e vazhdueshëm e të imponuar të Ministrive dhe të Institutit të Statistikës për t'i sheqerosur shifrat, nuk mund të fshihet dot fakti që, në fund të 6- mujorit të parë të këtij viti, shumë prej treguesve janë dukshëm të përkeqësuar në krahasim me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar. Pakësimi i të ardhurave nga tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, tatimi mbi biznesin e vogël, pagesa e sigurimeve shoqërore etj. janë tregues të qartë të krizës së bizneseve. Të ardhurat nga taksat doganore janë rreth 10% më të ulëta, duke dëshmuar një qarkullim më të pakët të mallrave për shkak të uljes së konsumit nga individët dhe nga vetë biznesi. Tkurrja e aktivitetit ekonomik ka sjellë rritjen e numrit të të papunëve duke kapur shifrën më të lartë që prej fillimit të vitit 2007. Në fund të marsit të këtij viti, shifra zyrtare e papunësisë u raportua 13.83% krahasuar me 12.68%, që ishte në fund të vitit 2009. Kjo dëshmohet edhe nga rritja e shpenzimeve për pagesën e papunësisë në 6-mujorin e parë me rreth 26% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri absolut i të punësuarve, gjithashtu, raportohet të jetë ulur me rreth 75 mijë vetë.

Qeveria nuk ishte e aftë ta parandalojë këtë përkeqësim të treguesve. Në vend të masave inkurajuese për biznesin dhe lehtësuese për individët, veçanërisht për familjet e varfra, ajo i kushtoi kujdes manipulimit të treguesve dhe propagandës së vjetruar se Shqipëria është një lloj fanari ndriçues për të gjitha vendet, jo vetëm në Europë. Ndërkohë që, në realitet, gjithnjë bazuar në shifrat zyrtare, ne zëmë vendin e fundit në Europë për të ardhurat për frymë. Qeveria lobon se ka ulur taksat ndërkohë që vazhdon rritja e shfrenuar e tarifave: ndonëse aktiviteti i shërbimeve është tkurrur, të ardhurat nga tarifat e shërbimeve janë rritur me 43% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Qeveria lobon se po rrit pagat dhe pensionet, ndërkohë që ka ulur në mënyrë drastike e të fshehtë masën e ndihmës ekonomike mesatare nga 3899 lekë që ishte në fund të vitit 2009 në 3690 lekë në fund të marsit 2010.

Shprehje e qartë e krizës është edhe rishikimi i buxhetit. Ky nuk është një rishikim i thjeshtë për shkak të një lapsusi në parashikimin e treguesve ekonomike. Ky nuk bëhet as për të mbuluar rritjen e pagave dhe pensioneve, sepse në realitet ky ishte vetëm një indeksim i detyruar dhe fare i pamjaftueshëm i tyre. Ky është një buxhet krize dhe nuk mund të fshihet dot pas argumentesh të sajuara e aspak profesionale, që fyejnë specialistët dhe publikun e gjerë.
Të paraqesësh si arritje këto shkurtime nuk është thjesht demagogji. Kjo është një mendësi që duhet të na shqetësojë të gjithëve, përtej bindjeve politike. Sepse dëshmon që menaxhuesit e financave publike vazhdojnë të mos kuptojnë se ç'po ndodh me ekonominë në Shqipëri e përreth dhe nuk duan t'ia dinë për përkeqësimin e gjendjes ekonomike të familjeve dhe thellimin e varfërisë. Mjafton ta kthejmë kujtesën pak mbrapa, ne vitet e trazuara të piramidave, për të kuptuar pasojat e kësaj mendësie.

Këto shkurtime janë tepër të vonuara për të qenë efecientë dhe parashtrohen sot, pas përpjekjeve të dështuara për të rritur artificialisht të ardhurat , duke filluar me riklasifikimin e biznesit të vogël, rritjen e tarifave të disa shërbimeve baze, taksimin e rëndë të shitblerjes së banesave, etj. Deficiti nuk u kompensua dot as me tentativën për hedhjen në bursë të eurobondeve e as me thithjen e kapitalit vendas në dëm të sipërmarrësve privatë. Sigurisht, edhe pretendimet e ditëve të fundit nga funksionarët e lartë se qeveria do të siguroj 3.1 miliard euro në formën e kredive të buta janë të pavërteta. Nëse do të që vërtetë kështu, qeveria do ta kishte financuar deficitin buxhetor me këto kredi pa pasur nevojë të bej shkurtime. E përballur me rënien e të ardhurave absolute dhe dështimin në financim, alternativa e vetme për qeverinë ishte shkurtimi i buxhetit.

Keqmenaxhimi dhe mungesa e theksuar e profesionalizmit karakterizuan serish procesin e shkurtimit të shpenzimeve. Shkurtimet janë bërë kuturu, aty ku buxheti ka qenë më i madh ose aty ku zotërinjtë ministra janë politikisht më pak të mbështetur. Për modele bashkëkohore llogaritjeje, të bazuara në metoda ekonometrike e kritere efecientë, as që mund të mendohet. Dhe rezultati nuk ka si të jetë ndryshe: bujqësisë, sektorit më të pazhvilluar që lidhet me gjysmën e forcës së punës, i shkurtohet në mënyrë drastike rreth një e treta e fondeve dhe askush nuk jep dot përgjigje për pasojat e këtij shkurtimi. Masa e shkurtimit në këtë sektor rezulton rreth tri herë më e lartë se masa mesatare e shkurtimit të shpenzimeve të të gjitha institucioneve. Nuk ka asnjë dyshim që ekonomia shqiptare është në krizë. E keqja më e madhe është se me këtë nivel menaxhimi nuk mund të parashikohet kohëzgjatja dhe përmasa e pasojave .

Shekulli online
 
Back
Top