Bukuria nuk quhet elegancë

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Ajo që nuk është sinonim vetëm i formave perfekte dhe trupit për pasarelë. Kënaqësia dhe misteri që fshihet edhe pas një femre që nuk ha gjithë ditën ushqime vegjetale. Dhe ka ca kile më shumë

Ato janë me fat, janë në modë, mund të krahasohen me përmasat e një manekini dhe të zbrazin pa frikë raftet e dyqaneve pa njohur sikletin e kopsave që nuk mbërthehen, e pantallonave që me shumë luftë të arrijnë të futen deri afër vitheve, e bluzave që gati sa nuk pëlcasin. ثshtë fjala për femrat e dobëta. Që i bëjnë ato më pak të dobëtat t’u qajë shpirti për më pak kile, por që edhe pse nuk kanë privilegjin e të dukurit si një kukull vitrine, nuk mund të mohohet se e shijojnë jetën më shumë!!! Arsyet?

Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Bristolit në një kampion prej 4000 femrash që përfshin moshën nga 60 në 79 vjeç, femrat e dobëta jetojnë më shumë se ato të shëndoshat. Duket se këmbët e holla, përveç të qenit simbol i elegancës dhe sharmit, janë edhe fryt i një ushqyerjeje të mirë që në moshë të vogël dhe reduktojnë mundësitë për të pësuar një infarkt në moshë të rritur.

Ja, edhe kjo duhej për t’i bërë femrat elegante të ndihen në qendër të universit dhe të syrit mashkullor. Meshkuj që preferojnë në kenë pranë bukuri standarde për t’u ndier të plotësuar. Meshkuj që kanë nevojë për të ndjekur me përpikmëri tendencat e modës për t’u ndier të realizuar dhe nuk që arrijnë të perceptojnë vlerat e bukurisë dhe të të qenit ndryshe, e të qenit unike, për të pasur në krah një femër vërtet të veçantë .

Partneret e fotbollistëve janë të gjitha të dobëta, me linja të përsosura dhe kanë si profesion të qenit velinë. Femrat e mbushura duket kanë dalë jashtë loje. Kanë pasur periudhën e shkëlqimit në të shkuarën, por tani që kur femra model është ajo më e thata dhe më e trishtuara, për ato të shëndoshat ky s’mund të ishte veçse momenti më i errët i ekzistencës së tyre.

Por diçka po ndryshon. Së fundmi, një topolake (60 kile për 1,64 gjatësi, me përmasa 90-75-110) simpatike, pesëmbëdhjetëvjeçare ruse, Aliona Pisklova, falë një shakaje të një mikut të saj, rrezikoi të merrte pjesë në finalen e Miss Universit, pa qenë fare në dijeni. Ja që çudia ndodhi. Në Rusi, në seleksionimet online për konkursin, Aliona ishte më e votuara prej konkurrenteve. Vetëm mosha e saj (ishte vetëm 15 vjeç) u dha mundësinë organizatorëve të terrorizuar që ta skualifikonin nga konkursi, duke e zëvendësuar me një bukuroshe hollake. Heroina Aliona Pisklova u kthye në simbol për të gjitha femrat që nuk ndihen Barbi.

Ndoshta nuk mjafton të jesh e dobët për të qenë e lumtur. Nuk mjaftojnë ca përmasa prej trupi perfekt për t’u ndier e plotësuar. Të dobëtat, me ca përjashtime të vogla, nuk hanë kurrë, nuk i shijojnë kënaqësitë e shijes. Divet e momentit, për të qenë mishërim i vërtetë i modës, vdesin nga uria, edhe pse shtiren si të lumtura: Gwynet Paltrow thotë se ushqimi i saj i preferuar është orizi, Liz Harley nuk jeton pa gjashtë 6 gota lëng lakre në ditë, kurse Demi Moore ha vetëm ushqime të papjekura dhe vegjetale. Cilado që të jetë arsyeja që i shtyn, t’i shohësh duke ngrënë do të ishte vërtet e trishtueshme: një sallatë, një frut, ujë natyral, asnjë pikë verë dhe para një ëmbëlsire fytyra e tyre do të shtrembërohej me pamje të terrorizuar neverie. Mendoni se çfarë tmerri do të ishte t’i kishe të ftuara për darkë.

Por duket se edhe publiciteti po ndryshon drejtim: një shoqëri e njohur, prodhuese sapunësh dhe produktesh kozmetike, pasi zbuloi me anë të një sondazhi që ndoshta meshkujt preferojnë femrat me linja më të mbushura, vendosi të përdorë si imazh për fushatën e saj të fundit publicitare -që kushtoi më shumë se 4 milionë euro- femra të vërteta, pa asnjë eksperiencë në fushën e modës. Duke marrë duartrokitje edhe nga publiku femëror, kjo shoqëri tregoi se bukuria më shumë sesa elegancë, është sharm, tërheqje, inteligjencë dhe aftësi.

Femrat e mbushura, ato që kanë vendosur të shijojnë ekzistencën e tyre në këtë botë, janë simpatike, kanë humor dhe i buzëqeshin vetes dhe jetës. I plotësojnë kënaqësitë e vetes dhe ndoshta këtej e tutje do t’i shijojnë më shumë. E duket se meshkujt janë kthyer të çmojnë rrumbullakësinë dhe kilet e tepërta, sepse në fund të fundit tuli përfaqëson një vend më shumë për të vendosur duart. E pra, femrat e kolme janë të buta dhe “komode”. Ndryshe nga ato shumë perfektet, që shpesh bëhen të lodhshme dhe të mërzitshme me frikën e tyre se mos kanë shtuar papritur ndonjë gram më shumë. Një femër e bëshme shpesh ka një mister pas vetes, fsheh diçka, një vuajtje të brendshme, një botë sekrete, ndoshta një boshllëk... që nuk pret tjetër veçse të mbushet. Dhe çfarë kënaqësi është të zëvendësosh me praninë tënde atë boshllëk. Sa për të filluar, mjafton ta ftosh për darkë për të parë me kënaqësi që nuk e ka për gjë që të zbrazë një pjatë, të pijë shumë gota me verë dhe të hajë ëmbëlsira me çokollatë.
FEMRAT E DOVIT AZ TADY

E duket se këtyre parametrave nuk po u qëndrojnë larg as meshkujt shqiptarë. Me gjithë preferencat e tyre për femrat belholla që popullojnë videoklipet dhe skenat e spektakleve, nuk ngurrojnë aspak të kenë të preferuarat e tyre edhe ato që u shënon peshorja goxha kile më shumë se normalja

Ishte ndër të parat Ingrid Gjoni që guxoi të shfaqej faqeve të revistave me ca foto rozë, ku nuk ngurronte të ekspozonte të zhveshur trupin me përmasa prej modeleje. Nuk kishte rrugë tjetër veçse të gjendej e selektuar nga publiku pikërisht sepse ishte simpatike, se pozonte e zhveshur dhe se ishte ndër të parat që guxoi. Dhe një trup i tillë nuk kishte se si të kalonte pa u vënë re nga shumica e publikut, që vazhdonin ta fërshëllenin edhe kur shfaqej skenave të spektaklit duke kënduar me veshje të gjatësive shumë të kursyera, që i nxirrnin në pah këmbët kilometrike dhe belin e hollë, aq sa shumëkush nuk ngurroi ta klasifikonte në listën e vajzave që dinë veçse të pozojnë dhe kaq. U desh që ajo të shfaqej pastaj në një tjetër dimension të sajin, në këngë, por që gjithsesi ishte e vështirë t’i qëndronte larg imazhit prej vajze që pozon. Nuk kaloi shumë dhe Ingridi gjithmonë e më tepër po lakohej sidomos nga thashethemet e mediave, se kishte filluar të shëndoshej, se po u qëndronte gjithmonë e më larg veshjeve provokuese, se kishte humbur trupin prej modeleje dhe kjo filloi të bënte shumë përshtypje, aq sa edhe të mund të mendohej se Ingridi do të braktiste ekranin përgjithmonë, sepse e kishte humbur tashmë atë që e bënte aq të preferuar, trupin prej modeleje. Por ja që Ingridi nuk vonoi të tregonte që do dilte në ekran që çke me të, që nuk i bëhej vonë për kilet e tepërta, e madje të tregonte edhe se kështu mund të ishte edhe më shumë seksi, se nuk kishte ndër mend të ishte veçse një vajzë që mbush kopertinat me poza provokuese, por se mbi të gjitha mund të ishte një këngëtare e mirë. Dhe mendja e lehtë i doli edhe më për mirë, përderisa një dalje e saj në ekran vazhdon sërish të shkaktojë përshpëritje dhe trupi i saj, edhe pse me disa kile tepër dhe jo më me veshjeve provokuese, mund të jetë sërish i bukur.

E ndërsa Ingridit iu desh jo pak për të treguar se edhe me forma të rrumbullakosura mund të ngelej joshëse, këngëtarja tetovare Big Mama nuk pati nevojë fare të griste ndonjë imazh të dikurshëm prej trupi të hollë. Ajo u shfaq që në fillim ashtu siç ishte: e shëndoshë. Sigurisht që herët e para ishte e pamundur të shmangej ndonjë pasthirrmë e tipit: uau, por që nuk vonoi shumë të fashitej. Vajza që u shfaq në Top Fest, atëherë vetëm 19 vjeçe, nuk kishte në plan të tërhiqej nga kënga vetëm sepse nuk kishte këmbë të folla apo forma të hatashme. Ajo dinte të këndonte dhe iu imponua publikut ashtu siç ishte, aspak seksi, aspak provokuese, por me frizura të çmendura, aksesorë të mëdhenj dhe ndonjë ngjyrë flokësh të superdukshme, dhe që do të bënte gjithsesi përshtypje. Jo vetëm se dinte të këndonte mirë – dhe kjo u përligj me çmim që në daljen e saj të parë përballë publikut shqiptar- dhe përpos të tjerave, kur merret mikrofonin në dorë për të folur, nuk ishte si shumë vajza të bukura që e kanë të vështirë të vendosin kryefjalën aty ku duhet. Ca batuta të lezetshme, një tip prej moskokëçarëseje, s’mund të bënte tjetër veçse të dëshmonte se e ashtuquajtura Big Mama ishte edhe “big interesting”, përderisa në shfaqjet e mëvonshme publiku nuk do të gozhdohej para ekranit për t’u çuditur më format e saj aspak prej missi belkëputur.

Ashtu siç do të mbetej i shokuar nga një këngëtare që në ndonjë radio nuk do të kishte shkaktuar kurrë bujën që shkaktoi kur u shfaq në ekran. Edhe pse provoi të ishte e dëgjuar nga publiku, Genta Ismaili mbeti jo pak kohë në hije dhe do të vazhdonte të mbetej akoma nëse nuk do të shoqëronte këngët e saj me videoklip dhe atëherë zëri i saj do të bënte dhe më shumë përshtypje. Sepse dredhjet dhe spërdredhjet do të bënin punën e tyre. Sigurisht ajo nuk ishte e shëndoshë, por dhe e dobët jo. Në hiret e saj dallohet qartë mungesa e linjave të holla dhe trupit elegant. Por sigurisht që nuk mund t’u shpëtonte përkufizimeve të tipit: seksi, e hatashme, joshëse. Sepse trupi i saj si nga mesi e lart si nga mesi e poshtë është i bollshëm. E megjithatë, shfaqja e saj në ekran, kërcimet dhe tundjet provokuese e kanë bërë punën e tyre, përderisa shumëkush –sidomos meshkujt- nuk mund të rrinë pa e kundruar deri në fund të këngës. Madje Genta nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nëpër evente të ndryshme muzikore në skenat shqiptare ku ka rrëmbyer dy herë çmimin e parë. E ç’rëndësi ka se nuk është aq e hollë sa duhet për të pasur një trup perfekt?

E ndërsa shumica e vajzave të ekranit u nënshtrohen dietave të forta për të arritur format perfekte, për Eranda Libohovën nuk ka funksionuar aspak kështu. Ka mbajtur edhe ajo dieta, por jo për t’u dobësuar. I duheshin me çdo kusht edhe disa kile. Ndonjë vajze mund t’i duket e çuditshme mbajtja e dietave për t’u shëndoshur, sepse për to kjo është gjëja më e thjeshtë, por për Erandën nuk ka qenë e dhe aq. I është dashur të pijë vitamina dhe të hajë ushqim të bollshëm, t’u qëndrojë larg dyerve të palestrave derisa më në fund arriti formën e dëshiruar, që i dha jo pak lezet. Format e mbushura, xhinset e ngjitura pas trupit dhe bluzat gjithmonë e më të hapura filluan të tregonin se Eranda Libohovës shëndeti i solli një sukses të papritur. Tashmë zërit të veçantë dhe këngëve të kthyera gjithmonë në hite, iu shtua edhe një trup i bukur, që ndonëse aspak i dobët, e bën të duket seksi.

Ndoshta preferencat po ndryshojnë. Kilet po tregojnë se jo gjithmonë janë të padëshiruara. Ndonjëherë mund të sjellin atë që një trup i hollë nuk mund ta sjellë kurrë.
Revista Jeta
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top