Botohet romani "Atentatorja" i shkrimtarit Yasmina Khadra nga Bota Shqiptare

ATENTATORJA nga Yasmina Khadra
Tel-Aviv. Një tronditje shpërthimi, tym e më pas lajme të cunguara që vijnë për të plagosur, të vdekur, terroristë...Brenda mureve të spitalit, doktori Amin Xhafari, kirurg izraelit me prejardhje arabe ka një filozofi të saktë: të kthente pacientët nga paradhoma e gjyqit të fundmë. Spitali për shumëçka është veçse një ndërtesë, për të është kurorë triumfi ndaj sfidës që i kishte vënë vetes të linte pas të shkuarën, fisin e tij, konfliktin e përgjakur dhe militantët që betoheshin në emër të Perëndisë. I ishte dashur të duronte edhe përbuzje para se të bëhej një kirurg i njohur. Sirenat e ambulancave, barela të përgjakura, njerëz të gjymtuar e të tjerë që e tërheqin prej jake në kërkim të një ngushëllimi. Amin përpiqet sa mundet t’i rrëmbejë nga duart vdekjes mjaft nga ata njerëz që u ndodhën rastësisht në lokalin ku ndodhi sulmi kamikaz. Mes tyre edhe fëmijë. Për orë të tëra Amin përgjak duart në trupat e thërrmuar nga shpërthimi. Kjo mund të ishte një natë e zakonshme pune, nëse një zile telefoni në orën 3 pas mesnate nuk do të kishte tringëlluar vrullshëm. Shtëpia e tij, një vilë në zonën e pasur ku jetonte i lumtur me gruan, Sihemin, ishte një tjetër tempull paqeje për të. E nisur për një udhëtim treditor te gjyshja e saj, bashkëshortja e tij duhet të mbërrinte po atë natë, po nuk ndodhi. Miku i tij komisar, me tonin e rëndë të zërit diçka paralajmëronte. Amin kthehet në spital. Përvesh krahët në pritje të një operacioni urgjent të radhës. Mendja e tij nuk rrokte përtej së përditshmes. Në fakt, destinacioni i tij ishte morgu. Viktima që duhet të identifikonte, gruaja e tij. Për oficerët e policisë, kamikazja e aktit terrorist. Gjithçka e thënë më sipër mund të ngjajë me një nga kronikat e shumta që televizionet e mëdha botërore raportojnë në kohë reale nga vendi i konfliktit. Histori që përsëriten e përsëriten...Në fakt, janë faqet e para të romanit “Atentatorja” të shkrimtarit algjerian, Yasmina Khadra, (Mohammed Moulessehoul), botuar në 2005, i ardhur së fundmi në shqip nën përkthimin e Adrian Belos nga “Bota Shqiptare”. Pas “Dallëndyshet e Kabulit”, është romani i dytë në shqip. Bota arabe është një grishje e vazhdueshme për Jasmina Khadrën, ish-ushtarakun algjerian të fshehur pas pseudonimit të një gruaje për t’i shpëtuar censurës. E po ashtu konfliktet e mëdha. Khadra shkëputet nga kronikat televizive duke ndjekur rrugëtimin, gati psikologjik të personazhit të tij. Amin Xhafari, i fyer deri në palcë nga mosdija, mosnjohja e asaj që i kishte qëndruar në krahë për 15 vjet, i inatosur kundrejt atyre që e kishin çuar drejt së pakthyeshmes Sihemin, kërkon me çdo kusht të zbulojë. Për të ishte e paimagjinueshme që e gjithë kjo të kryhej në emër të kauzës. Aq më tepër që ai të mos dinte gjë, madje as të mos kishte pikasur. Khadra e vë personazhin e tij në një rrugëtim në të shkuarën ku takohet me sheikë e imamë, ku ndesh kundërshtime, ku e rrahin, ku provon biruca dhe shkelmime, ku predikimet dëgjohen me zë të lartë. Në atë botë, braktisur prej tij vite më parë, gruaja e tij është dëshmore e njëherazi shenjtore. Ai, një i marrë që e ka harruar poshtërimin, vuajtjen dhe Atdheun. Monologët e vazhdueshëm përpiqen të përcjellin çfarë mund të ndodhë në atë botë gjysmë të mistershme të atyre që sot në mbarë botën etiketohen terrorist. Një çështje ekzistenciale, kthyer së fundmi jo vetëm në lajmin e parë, por edhe një fenomen psikologjik që studiohet nga “punëtorët e mendjes”. Ndonëse në deklarimet e tyre publike, ka filozofë që mendojnë se letërsia nuk ka ç’të tregojë për terrorizmin, Khadra pohon të kundërtën. “Me mundësitë e mia kërkoj të jem një ndërgjegje kritike e një realiteti që duhet të ishte në qendrën e vëmendjes e jo të shndërrohet në eksperiencë. Në këtë pikëpamje, letërsinë e konceptoj si një shtysë. Letërsia ka qenë për mua arma kryesore e revoltës ndaj institucionit të ushtrisë, në të cilin unë nuk isha një qenie njerëzore, por një vegël që vepronte në bazë të rregullave. Të luftimit. Pa menduar. A mundet në intelektual të vendoset në të njëjtat kushte e të reagojë në të njëjtën mënyrë?”. Po pse zgjodhi të flasë për një kamikaze, e cila është veçse një figurë e njohur përmes të tretëve? Khadra pohon se për të është një sfidë letrare. “Nuk arrija të gjeja idenë e duhur për ta trajtuar: një konflikt individual, por jashtë klisheve të përplasjes arabo-izraelite dhe fjalimeve ideologjike. Unë që i vogël e kam ndjekur vazhdimisht çështjen palestineze, e cila ishte shumë e ndjeshme te ne. Kam ndjekur kalvarin e një populli të poshtëruar, nga regjimi arab, nga vetë qeveritarët e tij. Pikërisht mbi temën e poshtërimit e ndërtova romanin”, ka treguar Khadra. Amini pëson vazhdimisht tronditje të personalitetit, në rrugëtimin e kthimit në popullin që kishte lënë pas ai gjen njerëz që i besojnë fort kauzës së tyre dhe ngërdheshen përpara arritjesh të rreme si ato të kirurgut që kanë përballë. Fjalët e vendosura në gojën e Adelit, nipit të tij që përligj vetëvrasjen e Sihemit janë njëkohësisht edhe një filozofi besimi: “E vetmja mënyrë për t’u shpaguar ishte të përqafonte radhët e kauzës. ثshtë rrugëtim i natyrshëm kur vjen nga një popull që vuan. Nuk ka lumturi pa dinjitet dhe asnjë ëndërr nuk është e mundur aty ku mungon liria”. I kthyer në rruginat e pemëtores së dikurshme të stërgjyshit të tij, aty ku takimi me vdekjen ishte më i pranishëm se kurrë, Amin kupton disa pamundësi të njeriut: thirrja e gjakut mbetet. “Të tjerë kushërinj, ungj, nipa, mbesa dhe të afërm presin me durim radhën të më takojnë. Asnjë nuk më mban mëri që kam qëndruar larg pa u kthyer për një kohë të gjatë. Të gjithë janë të kënaqur që më shikojnë sërish...Të gjithë më falin se i kam harruar për vite të tëra, që kam pëlqyer ndërtesat shumëkatëshe farfuritëse ndaj kodrave tërë pluhur, bulevardet e mëdha ndaj shtigjeve të dhive, shkëlqimin e rremë ndaj gjërave të thjeshta të jetës”. Mjafton të shohë teksa një buldozer “varros” nën gërmadhat e shtëpisë së vogël gjithë historinë e paraardhësve të tij që të fillojë të gjejë qetësi në ndërgjegje. Në fakt Amin do të mbeste përgjithmonë atyre rrugicave. Nuk mundi kurrë të kthehej më në vilën e tij të bukur e të shijonte karrierën e kirurgut. E ndien mishin t’i shpërbëhet në fije në përpjeke për të ndaluar një tjetër akt vetëvrasës, atë të mbesës. Ai i mbyll sytë me imazhin e një fëmije që rend dhe me zërin e atit që i kumbon: Mund të të marrin gjithçka; gjënë që ke, vitet e tua më të bukura, tërë gëzimet e tërë meritat e tua, deri në këmishën e fundit që të ka mbetur, por do të mbeten prore ëndrrat e tua për të krijuar rishtas botën që të kanë rrëmbyer”.


Vlerësime për romanin “Atentatorja” dhe shkrimtarin Yasmina Khadra


“Human në mënyrë të mrekullueshme... Atentatorja e merr pjesën më të madhe të forcës së saj në daljen nga binarët e romanit, dhe lëshimin në fushën e krijimit politik. اdo ide e shprehur, çdo veprim që ndodh është i ngulitur thellë në karakterin, kompleksitetin, paqëndrueshmërinë dhe elementet kontradiktore të natyrës njerëzore.”
– Chicago Tribune

“Si një tregim, njëherësh i dhimbjes së thellë dhe zhgënjimit, Atentatorja është gjithashtu një meditim mbi vlerën e jetës.”

– USA Today

“Ngulitës dhe emocionues... Përshkrime grafike të tmerreve në përballjet e përgjakshme, si dhe të brutalitetit që mbizotëron në sakrificat e kryera për ‘kauzën”.
– The Washington Times

“Trimëror ... Atentatorja është në kulmin e tij kur Khadra eksploron me shtigjet dhe kthesat e reja që merr mendja e torturuar e Xhafarit, teksa hyn brenda shpirtit të tij... Kadra pikturon shkëlqyeshëm karakterin e një njeriu të copëtuar nga ekstremizmi dhe tronditja ekstreme sociale.”

– The Washinton Post Book World
“Romani është një bombë e vogël... Yasmina Khadra ushtron kontroll të plotë mbi tregimin e tij. Analiza psikologjike e personazheve të tij është e paarritshme... Atentatorja, romani i tij më i mirë, është diçka e detyrueshme për t’u lexuar”.
– Paris Match

“Origjinal dhe në kohën e duhur”.
– The Seattle Times

“Kadra është një shkrimtar i talentuar me dhuntinë e krijimit të personazheve figurative evokuese”.
– The Miami Herald

“I thellë dhe përfshirës... Khadra na zhvendos me shkathtësi dhe mprehtësi përmes fazave të ndryshme të kundërpërgjigjes së Xhafarit”.
– New Statesman

“Me aftësi përshkruan tensionet dhe diferencat midis kushteve të jetesës së arabëve dhe izraelitëve në Izrael”.

– The Wall Street Journal

“I fuqishëm dhe tërheqës... Atentatorja është një histori detektivësh por pa detektivë, i mbushur me dhimbjen e egër që ka goditur botën islamike”.
– Booklist


YASMINA KHADRA
Yasmina Khadra, është pseudonimi i shkrimtarit Mohammed Moulessehoul, lindur në Saharanë algjeriane në vitin 1955.
Pseudonimin femëror e mbajti për të shmangur kontrollin e dorëshkrimeve të tij nga censorët ushtarakë ndërsa ishte ende duke shërbyer si oficer në ushtrinë algjeriane. ثshtë i njohur dhe i vlerësuar në mbarë botën ku romanet e tij janë botuar në 36 vende dhe përkthyer në 33 gjuhë.
ثshtë fitues i mjaft çmimeve letrare në Francë, Amerikë etj. Atentatorja është volumi i dytë i një trilogjie kushtuar dialogut të shurdhët ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit dhe vazhdon me Sirenat e Bagdadit.
Jeton në Francë.
Romani Atentatorja ka marrë çmimin e librarëve 2006, اmimin Tropikët 2006, اmimin e Madh të lexueseve Aspekt Gruaje, çmimin letrar të gjimnazistëve dhe punëtorëve nxënës të Burgonjës si dhe çmimin e lexuesve të Telegramit. Sot, ky roman është duke u përshtatur për ekranin e madh në Shtetet e Bashkuara.
Fituesi i çmimit Nobel J. M. Coetzee e vlerëson shkrimtarin Yasmina Khadra si një nga romancierët më të mirë bashkëkohorë.


Shtëpia botuese BOTA SHQIPTARE
YASMINA KHADRA
Atentatorja
Roman
E përktheu: Adrian Belo
Nr. faqe: 288
ISBN 978-99956-11-88-0
اmimi 800 lekë
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top