Bilderberg
Anëtar i ri
Bollano, një vit burg dhe 500 mijë lekë gjobë
Vlorë, shpallet pretenca e prokurorisë
Bollano rrezikon burgun. Prokuroria e Vlorës ka kërkuar 12 muaj heqje lire dhe 500 mijë lekë gjobë për kryetarin e Bashkisë së Himarës, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Vlorë, shpallet pretenca e prokurorisë
Seanca e radhës, ku u dha pretenca e prokurorisë, është zhvilluar dje në mëngjes, në Gjykatën e Vlorës. Edhe kësaj radhe, i pandehuri nuk ka qenë i pranishëm, por është përfaqësuar nga avokati Petraq Curri.
Në pretencën e dhënë dje, prokurori Sokol Malaj, i cili është edhe kreu i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Vlorës, kërkoi deklarimin fajtor të Vasillaq Bollanos për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me një vit heqje lirie dhe pagimin e një gjobe prej 500 mijë lekësh.
Sipas Malajt, Bollano është fajtor për shpërdorim detyre pas veprimit të urdhëruar prej tij në heqjen e tabelave në aksin rrugor Llogora-Qeparo, me qëllim zëvendësimin e tyre me tabela në gjuhën greke.
Sipas tij, pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe analizimit të provave të vëna në dispozicion gjykatës nga organi i akuzës faktohet se Bollano ka vepruar në kundërshtim me ligjin, duke konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Në leximin e pretencës, prokurori i çështjes, Sokol Malaj, ka thënë:
"Vasil Bollano ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me veprime aktive dhe duket qartë se i pandehuri Bollano ka nxjerrë dy urdhra të paligjshëm, me anë të të cilave ngarkonte Policinë Bashkiake të Himarës për çmontimin e sinjalistikës rrugore në aksin rrugor Llogora-Qeparo".
Përfaqësuesi i akuzës shtoi se: "Urdhëresat e Vasil Bollanos janë në kundërshtim me Kodin Rrugor, të miratuar në ligjin 8378, datë 22.7.1998, si dhe me rregulloren e zbatimit të Kodit Rrugor, V.K.M. numër 153, datë 7.4.2000. Në bazë të nenit 2 të Kodit Rrugor, Malaj u shpreh se janë të përcaktuara dhe të klasifikuara rrugët: germa "A", rrugët janë ndarë në shtetërore, pra që përfaqësojnë drejtimet kryesore të trafikut kombëtar dhe që lidhin kryeqendrat e rretheve dhe germa "D", rrugë zonale, që janë të gjitha rrugët brenda territorit të komunës apo bashkisë që nuk përfshihen në grupet A dhe B.
Nga inspektimi i nenit 2 del qartë se rruga Llogora-Qeparo është rrugë kombëtare shtetërore, e njohur me emërtimin SH 8 dhe njihet si e tillë me V.K.M. numër 405, datë 1.1.1996. Pra në nenin 6 të Kodit Rrugor përcaktohet qartë se urdhëresat për rrugët dhe autostradat shtetërore shpallen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
Nga analiza e mësipërme del qartë se Vasil Bollano, me veprimet e tij aktive, ka nxjerrë dy urdhra të paligjshëm për çmontimin e sinjalistikës rrugore, duke i sjellë shtetit një dëm prej 1813781 lekësh, si dhe çorientimin e qytetarëve.
I pandehuri Vasil Bollano, me veprimet e tij kriminale, ka konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe deklarohet fajtor".
Pasi ka sqaruar gjithë bazën ligjore mbi të cilën është mbështetur akuza, prokurori i çështjes i ka kërkuar trupit gjykues të shohë rrezikshmërinë e kësaj vepre penale, si dhe pasojat e rënda ekonomike dhe dëmet që i janë shkaktuar shtetit dhe shtetasve.
"Në mbështetje të nenit 3781 të Kodit Penal, si dhe nenit 248,
deklaroj fajtor të pandehurin Vasil Bollano për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me një vit burg si dhe 500 mijë lekë gjobë. Vuajta e dënimit në burg të zakonshëm", u shpreh Malaj.
Pasi u dha pretenca e prokurorit, gjykata vendosi të zhvillojë seancën e radhës për datën 24 mars. Në këtë seancë, pala e akuzuar do të mundohet të rrëzojë pretendimet e prokurorisë dhe më pas trupi gjykues do të tërhiqet për të marrë vendimin.
link. Gazeta Shqip