Blushi: Europa, në krizë për shkak të Kishës dhe partive

Eseja e deputetit të PS për Europën e sotme: “Shumë njerëz po kthehen prej aty, nuk kanë më punë, nuk kanë më shpresë”.

Këto janë kohë të vështira për të jetuar në Europë. Nëse nuk do ishte historia, Europa do dukej si një vend pa të ardhme. Sepse, përveç historisë, Europa po humb dy shpikjet e veta të mëdha: demokracinë dhe kishën. Në kohë më të vjetra, Europa ishte fuqia më e madhe në botë, pastaj u bë më e pasura, pastaj më e drejta, ndërsa tani nuk është më asnjëra nga të tria. Ka disa vende që janë më të fuqishme se ajo, ka shumë shtete më të pasura dhe jo pak shoqëri më të lira, më të hapura dhe më demokratike. Europa nuk ka më monopolin e asgjëje. Ndoshta të kulturës. Vazhdon të mbetet një nga dy qendrat e mëdha të kulturës në botë dhe, për sa kohë që arrin ta mbrojë këtë cilësi, pa dyshim që mbetet një vend i arsyeshëm për t’u vizituar, gjë që nuk mjafton për të qenë e denjë për t’u jetuar.
Për shumë europianë sot kjo është çështja: a jetohet mirë në Europë? Ka vende ku jetohet më mirë, ku ka më shumë diell, ka më shumë punë dhe ku qeveritë marrin vendime të drejta edhe pa ndihmën e zgjedhjeve. Ka pra shumë vende më me pak kokëçarje se Europa. Duke punuar më pak, paguhesh më shumë dhe shijon edhe më shumë. Vende të tilla po shtohen me shpejtësi nga Azia, në Afrikë dhe pa dyshim në Amerikën Latine. Aty është më ngrohtë, taksat janë më të ulëta, sigurimet janë më të lira, qeveritë janë më elastike, kisha është më e parëndësishme.
Në të kundërt, Europa është në krizë. Pak a shumë problemet e saj janë të njohura. Vendet e punës po pakësohen, diferenca mes jugut dhe veriut të kontinentit po shtohet, kontrolli i Gjermanisë mbi pjesët e tjera të Bashkimit Europian po ekzagjerohet, cilësia e demokracisë po kushtëzohet, rëndësia e kishës po relativizohet. Por jo vetëm kaq. Europa nuk eksploron më siç ndodhte dikur, çka është shfaqja më e mjerueshme e dobësisë së saj. Ajo ka zbuluar shumicën e tokave dhe deteve që njohim sot. Kjo u dha europianëve pasuri, prona dhe pushtet. Ata eksportuan mënyrën e tyre të jetesës kudo ku shkuan. U dhanë popujve të tjerë shpikjet e tyre më të mëdha: institucionet, zgjedhjet dhe kishën. Por tani ky eksport ka ndalur. Europa nuk eksploron më, sepse nuk ka teknologjinë e duhur. Asnjë nga misionet që shkojnë sot në hapësirë nuk ka targë europiane. Zbulimet e pritshme jashtë planetit, që do të thotë pasuri të reja, toka, lëndë të para dhe minerale, do të gëzohen nga të tjerët. Dhe si të gjithë ata që kanë frikë të rriten kur plaken, ajo po heziton të zgjerohet me territore dhe me popuj të feve të tjera, si turqit, shqiptarët, boshnjakët, duke i vënë vetes të paktën tre kufij që ka frikë t’i kapërcejë.
Në perëndim ka Amerikën dhe shumë vende që duan t’i ngjajnë asaj dhe prandaj dështojnë, në lindje ka Rusinë bashkë me shumë vende që kanë dashur t’i ngjajnë kësaj dhe prandaj kanë dështuar; ndërsa në jug ka varfërinë, bashkë me shumë vende që duan të dalin prej saj. Këto vende duan t’i ngjajnë Europës sot dhe prandaj po dështojnë, përfshi edhe ne. Në fakt, asnjëri prej këtyre vendeve nuk ka më Europën si model për të dalë nga problemet që ka sot. Ne perëndim të gjithë duan të bëhen si Amerika, në lindje nuk ka rrugë tjetër veçse të sillesh si Rusia, në jugun e afërt çdo rrugë për në Europë kalon nga Turqia. Me këto modele Europa nuk do të bashkohet. Ka frikë nga të tria. Amerika e frikëson me lirinë e vet, Rusia me brutalitetin e vet, Turqia dhe vende të ngjashme si ajo me historinë e vet. Amerika i largohet, Rusia nuk lëviz, Turqia dhe të ngjashmit e saj i afrohen.
Europa rri në vend. اdo lëvizje e frikëson. Kjo i rrit dyshimet e atyre që mund të investojnë në Europë: edhe në të ardhmen ajo do të mbetet një popullsi më e varfër se Amerika, shumë më e plakur se Afrika dhe ndoshta më pak e arsimuar se Azia. Njëqind vjet më vonë parashikohet të ketë humbur gati një të tretën e popullsisë. Nga ata që nuk do jenë shumica do vdesin, por një pjesë do kenë emigruar. Duke qenë një popullsi e plakur, investimi kryesor që bëjnë sot europianët janë pensionet e tyre. Njerëzit punojnë për të pasur spitale më të mira, ilaçe më të lira dhe një pleqëri të gjatë dhe të shëndetshme. Në një kuptim, Europa mendon më shumë për pleqërinë. Prandaj mbetet një vend i mirë për t’u plakur, por jo për të lindur dhe ky është problemi.
Po pse nuk lëviz Europa. Sepse dy institucionet mbi të cilat është ngritur fuqia e saj historike, janë në krizë historike. Kisha dhe partitë. Krisjet e tyre janë si krisjet e një guaske. Plasaritjet e guaskës duken më shumë se plagët e krijesës që ka brenda. Dhe që krijesa të ndryshojë, goditjet e para i merr guaska. Kisha dhe partitë janë guaskat që kanë mbrojtur krishterimin dhe demokracinë. Asnjëra prej tyre nuk ka lindur në Europë. As krishterimi dhe as demokracia. Ato kanë lindur në Lindje. Ndërsa guaskat e tyre janë formuar në Europë si një nevojë për t’i mbrojtur.
Po le të vijmë te Kisha. Pyetja duhet apo nuk duhet kisha, është sot më e fortë se kurrë. Papa që dha dorëheqjen e ka bërë këtë pyetje me mijëra herë, derisa iku pa gjetur një përgjigje. Dhe ndoshta prandaj iku. Në fakt, pyetja më e drejtë në këtë rast do ishte: për çfarë duhet kisha? A ka ndihmuar dot ajo që jeta e njeriut të zgjatet siç ka bërë mjekësia? Jo. Sepse kisha është marrë gjithë jetën me jetën pas vdekjes. A ka ndihmuar kisha që shoqëritë të jenë më të hapura dhe njerëzit më të barabartë? Jo. Sepse kisha edhe sot ndihmon me zell që të përjashtohen nga shoqëria homo****ualët, gratë dhe ata që duan të jetojnë pa familje. Kisha është homocentriste. U jep përparësi burrave ndaj grave. Më e vërtetë do ishte të thuhej se u jep përparësi burrave dhe jo atyre që duan burrat. Vazhdojmë. A e ka ndihmuar kisha njerëzimin të luftojë varfërinë, urinë dhe etjen? Jo, sepse megjithëse keq dhe me shumë vonesa, këtë detyrë e kanë bërë shtetet. A ka ndihmuar kisha që njerëzimi të lëvizë më shpejt, të komunikojë më shumë dhe të zbulojë territore të reja? Jo, sepse historikisht shkencëtarët janë sulmuar nga kisha. Sikur njerëzimi t’i ishte bindur kishës, ndoshta sot nuk dinim asgjë për kozmosin, nuk do i njihnim qelizat që përbëjnë trupin e njeriut, nuk do kishim celularë, avionë, mikroskopë, teleskopë dhe popullsia e botës do shtohej në proporcion të barabartë me aktet ****uale, për sa kohë që abortet dhe prezervativët mbeten armiqtë më të mëdhenj të kishës. Atëherë për çfarë duhet kisha në kushtet kur nuk po e ndihmon, por përkundrazi po e vonon evolucionin e njerëzimit? Europa nuk e di dhe ende nuk po e gjen. Të rinjve u thotë gjithnjë e më pak, ndërkohë që të vjetrit po pakësohen. Ekonomistët më dashamirës do ta nxirrnin një institucion jo rentabël, historianët do ta klasifikonin si një muze, ndërsa fëmijët si një legjendë.
Po ndërsa kisha ecën ngadalë drejt relativitetit të vet, partitë vrapojnë. Kisha po bëhet e panevojshme, ndërsa partitë të padobishme. Partitë në Europë lindën si nevojë për të kundërshtuar. Për t’u dhënë popujve një mjet për të ndryshuar atë që nuk i pëlqen. Por partitë europiane, qysh nga lindja nuk kanë qenë kurrë më pak të pavotuara dhe ka fakte për të besuar se me një shpejtësi që ato nuk e arrijnë dot po bëhen të padobishme. Asnjë parti në Europë nuk qeveris dot vetëm. As në Gjermani, as në Itali as në Angli. Më dëshpërues është fakti se ato nuk kanë asnjë zgjidhje të shpejtë dhe të besueshme për raportin e shtetit me pasurinë, për mbrojtjen e natyrës, për barazinë, për papunësinë, për lirinë dhe emancipimin e shoqërive. Prandaj votohen gjithnjë e më pak. Ndoshta rasti i Beppe Grillo-s është vetëm fillimi i një epoke pa parti. Teknologjia e komunikimit nuk e bën të domosdoshme të votosh një grup njerëzish që ndajnë një projekt dhe një strukturë, çka përbën thelbin e partive që njohim deri sot. Një njeri mund të zgjidhet pa dalë fare në TV, pa mbajtur asnjë fjalim, pa bërë asnjë debat, pa takuar asnjë zgjedhës. Në fund fare, parlamentet nuk janë më të ndara me grupe partish, por institucione ku ka njerëz të ndryshëm që marrin vendime të paparashikueshme dhe të pashpallura në varësi të rasteve dhe jo të platformave të njohura dhe të votuara. Shtetet mund të funksionojnë pa nevojën e partive.
Kush e imagjinon Europën pa kisha dhe pa parti? Nëse kjo ndodh nuk është fatale, por natyrisht është një faze e ndërmjetme drejt një shoqërie të bazuar mbi struktura dhe ide të tjera nga këto që njohim. Dhe kjo fazë e ndërmjetme që po jetojmë dhe që duket sikur sa ka nisur, quhet krizë. Por në fakt nuk është sepse pasojat e saj nuk do prodhojnë luftë, epidemi, shkatërrim dhe varfëri masive. Ajo mund të prodhojë hutim, depresion, pasiguri si çdo kalim nga një gjë e njohur në një të panjohur. Sepse në fund të fundit është një kalim. ثshtë një lloj pashke politike.
Kjo fazë e ndërmjetme nuk mund të jetë pa pasoja për vende si Shqipëria, të cilat e kanë reduktuar qëllimin e ekzistencës së tyre vetëm në një gjë: si të bëhen si Europa. Por kur shqiptarët nisën të shkojmë në Europë përpara 20 vitesh, Europa nuk ishte ajo që është sot. Ishte më e fortë, më e pasur, më e vendosur. Dielli i saj shkëlqente më shumë mbi botë dhe na ngrohte më shumë. Gati një e treta e shqiptarëve, një milion, ikën drejt kësaj drite. Tani Europa po kalon në hije sepse, si çdo diell, edhe ajo lëviz. Shumë njerëz po kthehen prej aty. Nuk kanë më punë. Nuk kanë më shpresë. اka na bën të ngadalësojmë lëvizjen drejt saj, siç edhe kemi bërë. Por edhe të mendohemi. A po arrijmë atje ku ishim nisur, apo diku tjetër?

BEN BLUSHI/panorama


p.s. eshte analize afetare, ju lutem mos filloni te kapeni me njeri tjetrin :P,,,
 
Titulli: Blushi: Europa, në krizë për shkak të Kishës dhe partive

Posi jo...kur ske ci ben gomarit i bie samarit :P
Vec i partive :d
 
Titulli: Blushi: Europa, në krizë për shkak të Kishës dhe partive

Po ore Blushi po tani ja gjete zgjithjen ti se ku qendroka problemi europes lool
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 46.7%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 13.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 20.0%
  • Larg

    Votat: 3 20.0%
Back
Top