Janosch Delcker
Farahnaz S. nuk i mbeti zgjidhje tjetër veçse t’ua dorëzojë telefonin e hapur. Kur S. në maj të vitit 2019 e paraqiti kërkesën për azil në Gjermani, me vete kishte çertifikatën e martesës dhe dokumente të tjera, për të dëshmuar se vjen nga Afganistani. Por S. nuk kishte pasaportë – e një prej gjërave të para, të cilat e pyeti nëpunësi ishte telefoni i saj.“Nuk mbaj mend më nëse ua kam dhënë të zhbllokuar apo ma kërkuan fjalëkalimin tim”, thotë S., emri i së cilës u ndryshua me kërkesë të avokatit të saj. “Por ata kishin qasje në gjithçka.” Pas 44 minutash, S. e mori telefonin përsëri. Autoritetet kishin kontrolluar me një softuer të dhënat e saj për origjinën. Pak më vonë, nëpunësi kërkoi rezultatet. Ndërsa një muaj më vonë, aplikimi i S. u refuzua.
Kërkimet dhe kontrollimet e tilla të celularëve janë bërë ndërkohë një praktikë e zakonshme në procedurat e azilit në Gjermani. Por të paktën në rastin e Farahnaz S. kontrolli i celularit ishte i paligjshëm, thonë gjykatësit në Berlin.
Gjykata Administrative e Berlinit vendosi të martën se Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) nuk kishte të drejtë të kërkonte qasje në të dhënat e telefonit celular në këtë fazë të aplikimit. Në të njëjtën kohë, BAMF shkeli ligjin duke ruajtur informacione të panevojshme, thotë gjyqtari.
Vendimi i parë…
Që nga viti 2017, autoritetet gjermane janë lejuar të vlerësojnë të dhënat e telefonit celular të refugjatëve, në rastet kur ata nuk mund të konfirmojnë identitetin e tyre me një pasaportë të vlefshme ose me një kartë identiteti. Por azilkërkuesit kanë paditur autoritetet në tre raste të ndara. Kontrollet, sipas tyre, janë joefektive dhe të dyshimta për sa i përket ligjit për mbrojtjen e të dhënave.Seanca dëgjimore të martën, në të cilën ishte e pranishme edhe DW, ishte seanca e parë në këto procese. E vendimi mund të ketë një ndikim në mënyrën se si Gjermania përdor teknologjinë për të përpunuar kërkesat e azilit në të ardhmen. “Vendimi tregon se e gjithë praktika e BAMF për të lexuar të dhëna të telefonit celular është e paligjshme”, thotë Lea Beckmann, avokate në organizatën joqeveritare të Berlinit Shoqata për të Drejtën e Lirisë (GFF).
Ky mund të jetë një shembull për procedura të tjera. Gjykimi mund të ketë efekte indirekte në ankesat e vazhdueshme tek Autoriteti Mbikëqyrës i Mbrojtjes së të Dhënave, tha Beckmann. Në shkurt, GFF dhe një refugjat nga Siria i kërkuan Komisionerit Federal për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Lirinë e Informacionit, Ulrich Kelber, për të rishikuar praktikën e kontrollit të telefonave. Ndryshe nga Gjykata Administrative e Berlinit, autoriteti i Kelberit do të kishte fuqinë për të ndaluar BAMF ta bënte këtë. Një vendim për këtë mund të merret në dy javët e ardhshme.
Cenimi i të dhënave?
Në të gjithë botën, agjencitë e migracionit po përdorin gjithnjë e më shumë teknologjinë për të analizuar pajisjet e azilkërkuesve dhe profilet në rrjetet sociale. Por nuk është rastësi që për këtë çështje ka rezistencë ligjore në Gjermani – në një vend që, pas përvojës së dy shteteve autoritare në shekullin e 20-të, është bërë pionier global në mbrojtjen e të dhënave.
Avokati i Farahnaz S. Matthias Lehnert tha se vendimi dërgon një sinjal të fortë se BAMF nuk duhet të ketë qasje të pakontrollueshme dhe të ruajë të dhënat e azilkërkuesit, “diçka që do të ishte e paimagjinueshme për [qytetarët] gjermanë”. Ai mendon se ky proces mund të rezultojë me një varg procesesh tjera, të cilat mund ta detyrojnë BAMF-in që të ndryshojë praktikën e tanishme. Por palët kanë të drejtë ankimi dhe beteja për (pa)ligjshmërinë e përdorimit të celularëve të azilkërkuesve është fare në fillim.
/Liberale