Kreu i qeverisë, Sali Berisha, zhvilloi pasditen e sotme një takim me sipërmarrës të zonës së Kombinatit në Tiranë. Në fjalën e tij, Berisha e vuri theksin tek politikat që nxitin biznesit, rritjen e punësimit dhe të prodhimit.
Ai u ndal në programet e dy partive kryesorë në vend, duke thënë se ofrohen dy modele krejt të kundërt. “Sot dy modele po përballen sot me njëri-tjetrin, modeli i taksës së ulët dhe modeli i taksës së lartë progresive.
Taksa progresive do të thotë më pak para për investitorin dhe për sipërmarrësin, ç’ka do shoqërohet me më pak të ardhura, me shkurtimin e vendeve të punës.
Përpjekja për të rritur taksat, është përpjekja për të rrënuar ekonominë shqiptare”, tha kreu i qeverisë. Më tej ai foli për ato që i cilësoi si arritjet e qeverisë. Berisha tha se Shqipëria ka njohur një rritje të ndjeshme ekonomike vitet e fundit.
Kreu i qeverisë shtoi se janë hequr taksat për makineritë, në mënyrë që biznesi të gjenerojë më shumë të ardhura. Ai premtoi se në vitet që vijnë, parashikohen investime gjigande, si dhe një rritje e ndjeshme e investimeve të huaja.
/Shekulli Online/Përgatiti: E.D/