eGo0sTyle
System Engineer
Krerët e politikës shqiptare janë mbledhur bashkë, por vetëm në një ceremoni që u zhvillua dje në përvjetorin e 235-të të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Personalitete të shumta të jetës shqiptarë morën pjesë në festimet e Ambasadës Amerikane, ku nuk munguan të merrnin pjesë kryeministri Sali Berisha, kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, kreu i opozitës, Edi Rama, apo dhe ish-kryeministri Fatos Nano. Të mbledhur bashkë, krerët e politikës kanë qenë po një vit më parë në të njëjtën ceremoni. Por, pavarësisht se në një ambient, ka munguar shkëmbimi i duarve mes palëve. Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori Arvizu deklaroi se 4 korriku, festa e pavarësisë, është dita e zbulimit të vlerave amerikane. Arvizu tha më tej se shqiptarët janë një popull që e duan shumë vendin e tyre, duke vlerësuar kështu edhe kontributin që kanë dhënë në rajon. Ai garantoi se SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin Shqipërinë. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë mbështetëse e patundur e Shqipërisë. Ju vazhdoni të ndërtoni një Shqipëri të drejtë, vazhdoni të krijoni Shqipërinë e shpresave, atje ku ëndrrat bëhen realitet. Kam dëshirë të shpreh vlerësimin për ata persona që kanë bërë të mundur këtë ceremoni të shkëlqyer”, tha Arvizu. Në ceremoni nuk mungonin as personalitete si ish-presidenti Alfred Moisiu, kreu i LSI-së, Ilir Meta etj.
Masat e sigurisë
Festa e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës u bë nën masa të rrepta sigurie. Përpara Galerisë së Arteve në Tiranë u organizua ceremonia, por rrotull saj ishte një “mur” i tërë policësh. Njëkohësisht edhe trafiku u ndalua në këtë zonë. Këto masa sigurie vijuan deri në largimin e çdo të ftuari.
Panorama.