Berisha: Po i rezistojmë krizës

eGo0sTyle

System Engineer
ne-mbledghje-grupi-300x192.jpg

Pas miratimit në qeveri, kryeministri Sali Berisha ka prezantuar shkurtimet në buxhet përpara deputetëve të Grupit Parlamentar.Në fjalën e tij në pjesën e parë të mbledhjes, kreu i Ekzekutivit tha se shkurtimi i shpenzimeve është diçka normale në këtë periudhë. Sipas tij, pavarësisht kësaj situate, rritja e rrogave dhe pensioneve do të vazhdojë. “Natyrisht, shkurtime në shpenzime do të bëhen, dhe kjo është normale. Të mos harrojmë se vitin e kaluar rrogat dhe pensionet u rritën pa u ndjerë fare vetëm duke shkurtuar shpenzimet që bëmë me veturat, ku një shofer dhe një makinë na kushtonte 19 mijë dollarë. Ato para i kthyem në rroga dhe pensione. Edhe këtë vit do të bëjmë shkurtime në shpenzimet e administratës. Sigurisht, do të mendojmë për rrogat dhe pensionet”, u shpreh Kryeministri.
Kritikat për opozitën
Para deputetëve demokratë, kreu i qeverisë sulmoi opozitën, e cila, sipas tij, e krahasoi situatën në Greqi me atë në Shqipëri. Berisha tha se “është për të ardhur keq që këtë e bën opozita, e cila ka pasur me dhjetëra zyrtarë në financa, ekonomi dhe sektorë të tjerë. Por, e theksoj edhe njëherë, opozita e miliarderëve është opozitë me defekt. ثshtë me defekt pasi komunikimi me realitetin është gjëja më e vështirë për të. Nuk mund ta prekin, nuk mund ta ndiejnë, nuk mund ta shohin, nuk mund ta përjetojnë. Se në qoftë se ndjek realitetin, nuk mund të dalësh kundër e të shpallësh vepër kriminale rritjen e rrogave dhe pensioneve në një kohë kur sado janë rritur, të gjithë e meritojnë t’i kenë më të larta se kaq dhe kjo për punën, për mundin, për djersën, për kontributin, për përkushtimin që kanë dëshmuar”.
Shifrat e buxhetit
Pavarësisht këtyre ndryshimeve në buxhet, sipas Berishës, borxhi do të vazhdojë të qëndrojë në kufijtë e 59.7%. Duke filluar nga 15 korriku, pensionistët e fshatit do të kenë një rritje të pensionit me shtatë për qind, ndërsa ata në qytet me katër për qind. Përsa u përket pagave, ato do të kenë një rritje nga katër deri në gjashtë për qind. “Sot pensionistët shqiptarë kanë konstatuar se kjo parti, maxhoranca dhe aleatët e saj, kanë një ndjeshmëri të madhe ndaj halleve, derteve, vuajtjeve dhe dhembjeve të tyre të përditshme. Jashtë çdo lloj politizimi, sot kjo është maxhoranca e vetme në Europë që në një hark kohor gjashtëvjeçar ka rritur me 115–120 për qind pensionet e ulëta; dy vjet më parë ka vendosur pensionin e plotë në qytet mbi 100 dollarë dhe ka mbidyfishuar ndihmën ekonomike”, u shpreh kreu i qeverisë. Sipas Berishës, rritja e pagave dhe pensioneve vjen prej dyfishimit të të ardhurave nga taksat dhe tatimet. “Në katër vite, të ardhurat buxhetore nga taksat dhe tatimet pothuajse u dyfishuan. Nga 97 miliardë lekë, ato arritën në 188 miliardë lekë në vitin 2009 dhe tani e kanë tejkaluar shumë më tepër atë nivel. Në gjashtë vite eksportet e vendit trefishohen dhe kjo jo se ne kemi pasur ndonjë shpërthim madhor gazi apo nafte, çka mund ta sillte këtë trefishim, por kemi reforma të thella e të ndershme ekonomike, të cilat kanë bërë që ekonomia shqiptare të funksionojë”, u shpreh më tej Kryeministri. Sipas tij, “investimet e huaja janë në rritje dhe po rriten ndjeshëm. Sipas të gjitha statistikave, papunësia po bie. Sistemi bankar funksionon me një rritje dyshifrore të kursimeve dhe rritje shumë të rëndësishme të kreditit. Pra, të gjitha këto janë dëshmi të një modeli që i rezistoi krizës më të egër”.
7 për qind
Sipas variantit të miratuar të shtunën në mbledhjen e qeverisë, pensionet në fshat do të rriten me shtatë për qind, ndërsa ato në qytet me katër për qind. Një rritje prej 4-6 përqindësh do të ketë edhe për rrogat.
Berisha: Deputetët, në bazë për programin
Kreu i qeverisë u kërkoi deputetëve në mbledhjen e Grupit të dalin në bazë për të komunikuar me qytetarët mbi programin e qeverisë. “Ju, zotërinj deputetë, shkoni te zgjedhësi juaj, i të gjitha bindjeve politike, flisni me të, jepini llogari për zbatimin e programit tonë, por njëkohësisht dhe me dinjitet, sepse kemi mbajtur premtimet tona. Kemi mbajtur dhe mbajmë premtimet. Dua t’ju them se kuadri makroekonomik i këtij viti do të jetë shumë i mirë”, u shpreh Berisha.

Panorama.
 
Back
Top