Berat, pi helm për të shpëtuar shtëpinë nga ruspat e bashkisë

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P


Gruaja gëlltiti kokrrat e helmit në sy të ndërtimorëve



Pi helm në sy të policëve bashkiakë, për të shpëtuar banesën nga fadromat. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje paradite në lagjen periferike Uznovë të qytetit të Beratit. Një grua 37-vjeçare ka tentuar të vetëvritet, pasi përfaqësuesit e Inspektoratit Ndërtimor dhe policët bashkiakë nuk i kanë dëgjuar kërkesat e saj për të mos e prishur banesën pa leje ku jetonte me burrin dhe tre fëmijët.

Ndërhyrja e Inspektoratit Ndërtimor në lagjen Uznovë ka hasur në rezistencën e banorëve, të cilët janë konfliktuar me drejtuesit e këtij operacioni. Megjithatë, të mbështetur edhe nga forcat e policisë bashkiake, ndërtimorët kanë arritur të shembin disa nga objektet pa leje që pengojnë zbatimin e një projekti për rehabilitimin e rrugëve të brendshme të lagjes. Por situata është acaruar së tepërmi kur fadromat kanë mbërritur përpara shtëpisë së Edmond Hoxhës. Kryefamiljari dhe bashkëshortja e tij Adriana kanë ngulur këmbë se shtëpia e tyre nuk ishte e paligjshme dhe nuk duhej prishur. Ata u kanë treguar drejtuesve të operacionit dokumentet e shtëpisë, por pas debateve të shumta, ndërtimorët kanë vendosur të mos tërhiqen dhe kanë afruar fadromën për të shembur ndërtesën ku banon familja Hoxha. Në këto momente, 37-vjeçarja Adriana Hoxha, në sy të ndërtimorëve dhe policëve të bashkisë ka gëlltitur disa tableta, që dyshohet se ishin fostoksinë. Pas pak minutash ajo është shembur përdhe pa ndjenja dhe ulërimat e vajzave të saj kanë bërë që operacioni për prishjen e banesës të ndalet. Gruaja është dërguar menjëherë në spital, ku mjekët e kanë vënë në terapi intensive, në përpjekje për t‘i shpëtuar jetën.

Ndërkohë, nga Inspektorati Ndërtimor pranë Bashkisë Berat bëjnë të ditur se operacioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në lagjen Uznovë do të vijojë, pavarësisht ngjarjes që ndodhi. Drejtuesit e inspektoratit thonë se kishin njoftuar disa ditë më parë banorët e zonës për këtë aksion që nisi dje në mëngjes, e megjithatë ata kanë kundërshtuar me forcë.

Kreu i policisë bashkiake, Sokrat Gode, pohon për gazetën se të gjitha veprimet janë bërë konform ligjit dhe vendimeve të marra nga Këshilli Bashkiak i Beratit për zbatimin e një projekti që synon rehabilitimin e rrugëve dytësore. Gode thekson se janë më shumë se 160 ndërtime e ndërhyrje pa leje, të cilat do të prishen dhe kjo është vetëm faza e parë e këtij operacioni. Sipas tij, Inspektorati i Ndërtimit pranë Bashkisë Berat, i shoqëruar nga policia bashkiake do të vijojë operacionin që po përgatit terrenin për rehabilitimin dhe sistemimit e rrugëve në brendësi të lagjeve. Edhe shtëpia e Edmond Hoxhës ishte në listën e ndërtesave që duhen prishur për t‘i hapur rrugë projektit për zgjerimin e rrugëve në lagjen periferike Uznovë.

Ky është rasti i dytë kur operacionet e ndërtimorëve kanë sjellë pasoja të rënda, madje deri në vdekjen e qytetarëve. Rasti i parë ka qenë në prishjen e ndërtimeve pa leje në lagjen Goricë, ku gjatë debateve me policët e bashkisë, një burrë 64-vjeçar u godit nga ataku kardiak dhe humbi jetën.



Pretendimi


"E kemi shtëpinë me letra"


Bashkëshorti i Adrianës, Edmond Hoxha, tregon se i disponon të gjitha letrat e banesës dhe se është tronditur kur ka parë fadromat në afërsi të mureve të shtëpisë së tij. I tronditur është gjendur te pragu i derës dhe së bashku me gruan e fëmijët e është munduar të shpjegohet me drejtuesit e këtij operacioni. Bashkëshorti i 37-vjeçares së helmuar ka treguar me kujdes të gjitha letrat që disponon, por nuk ka gjetur mendimin e përbashkët me këta të fundit. Edmond Hoxha kërkon që instancat përkatëse të ndërhyjnë dhe ta zgjidhin këtë konflikt midis tij dhe shtetit.


*shqip*
 
Back
Top