Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka befasur çdokënd këtë mesditë duke deklaruar se është gati të japë dorëheqjen pas miratimit të reformës në drejtësi.
“Të gjithë duhet të sakrifikojmë për këtë gjë. Për t’i hequr kujtdo merakun, duke shpresuar në patriotizmin e të gjithëve, miratimi i reformës është i domosdoshëm dhe duke e parë që mosbesimi është kaq shqetësues dhe kaq i lodhshëm, jam i bindur që zgjidhja është ndërtimi i një qeverie ekspertësh. Unë jam gati të jap dorëheqjen pas miratimit të reformës”, tha ai.
Meta foli me tone kritike për sjelljen e personazheve politike në vend në lidhje me reformën në drejtësi.
Sipas Metës, nuk është koha të mbyllen brenda në një dhomë Basha dhe Rama, por të pestë, Meta, Basha, Rama, Lu dhe Vlahutin për të gjetur një zgjidhje dhe të miratohet sa më shpejt reforma në drejtësi.
“Nuk bëhet reformë duke thënë ‘do shkosh ti në burg’. Reforma dhe konsensusi, atë që do Uashingtoni, Brukseli dhe qytetarët shqiptarët bëhet duke thënë ‘unë do shkoj në burg’, nëse kam shkelur ligjin. Vetëm duke folur kështu ne mund t’i japim vendit një Kushtetutë të re. Reforma nuk bëhet për zgjedhjet e radhës, por për 30 vitet që vijnë në këtë vend. Unë mbështes fuqimisht deklaratën e zonjës Nuland për të arritur konsensusin, mbështesim edhe propozimin hibrid por konsensusi është i domosdoshëm që të arrihet”, theksoi kreu i Kuvendit Ilir Meta.
opinion.al