Shfletimi si vizitorë është i kufizuar

Basha: Sheshi Skënderbej do rishikojmë projektin

eGo0sTyle

System Engineer
42620.jpg



TIRANE-Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha në emisionin “Pesë pyetjet nga Babaramo” në “News 24” shprehet se, nëse do zgjidhet kryebashkiak, do ta rishikojë projektin e nisur nga Rama për sheshin “Skënderbej” nëse gjithçka është kryer në bazë të ligjit. Basha thekson se prioritet i punës së tij nuk është prishja e “Piramidës”.
Tri herë ka fituar zoti Rama ndaj protagonistëve. Pse vendosët t’i futeni kësaj sfide?
Gara për Tiranën, ku janë qytetarët që vendosin, nuk ka të bëjë me kundërshtarin, ka të bëjë me mundësitë e mia se si do të kontribuoj për qytetin tim. Ofertat, projektet e mia priten e diskutohen nga qytetarët, aftësia ime pra, e ekipit tim, e qytetarëve për të parë është ndërprerë prej katër vitesh; ky është thelbi i fushatës sime, që do të vazhdojë edhe pas 8 majit. Si rezultat i konfliktit politik, punët e Tiranës prej katër vitesh kanë mbetur në vendnumëro. Prandaj kam dalë të qëndroj 24 orë në punë për t’u marrë me punët e Tiranës.
Keni bërë disa premtime që s’janë me ‘këmbë në tokë’, që nuk i përkasin pushtetit lokal, si ujësjellësi p.sh...
Këtu qëndron paradoksi, sepse Bashkia nuk është konceptuar si hallkë më afër qytetarëve, por gjithë kësaj kohe ka gjetur fajtorë, pra ka hequr përgjegjësitë nga vetja. Ka treguar një gisht imagjinar duke fajësuar e hequr përgjegjësi. Kam premtuar jo vetëm këtë, pra marrjen e përgjegjësisë për ujësjellësin dhe kanalizimet, që ajo ka refuzuar prej kohësh, por unë kam folur edhe për përgjegjësi kryesore kapitale, si punësimi, mundësia e punësimit. Instrumentet e Bashkisë së Tiranës me 600 mijë veta janë të shumta. Qytetaria është bashkëjetesë, pra unë do sjell një bashki që ka sy më shumë dhe zemër të dëgjojë qytetarin.
Po premtoni gjëra që nuk i ka bërë qeveria. Keni premtuar kthim pronash, por e ka qeveria atë, ka një ent të sajin që merret me këtë çështje...
Nuk është ashtu, qeveria ka përgjegjësitë e veta. Unë kam folur se do zgjidh problemin e pronave, edhe hipotekimin. Do bashkëpunoj me të gjitha institucionet e tjera dhe qendrore, por do të ketë një mjet presioni të qytetarëve ndaj moszgjidhjes së problemeve. Bashkia duhet të jetë instrumenti më i fuqishëm i zgjidhjes së problemeve të qytetarëve. Nuk do të merremi me beteja politike të kota, por do merremi me problemet e qytetarëve që nga prona, infrastruktura etj.
Legalizimet, Bashkia i ka çuar që në 2006-ën, e ka kryer punën e saj. E ka ALUIZNI...?
Nuk është ashtu. Ligji i legalizimeve është kontestuar nga zoti Rama. Ai ka penguar njësitë vendore të drejtuara nga socialistët, duke i politizuar ato, ndaj dhe parlamenti ndryshoi dhe ligjin. Kam vërejtjet e mia për ngadalësimin e këtij procesi. Sot i them që procesi i legalizimit është i pakthyeshëm, edhe pse u them qytetarëve të Tiranës se prona e tyre është e paprekshme. Bashkia ndaj është, që të kryejë këtë proces të pakthyeshëm të legalizimit, e jo t’i vërë shkopinj në rrota.
Keni premtuar Tiranën e 100 mijë studentëve. A ka Tirana një mundësi të tillë, pasi është vend ballkanik? Mos po stimuloni universitete ‘piramidë’ për diploma false?
Absolutisht jo. Do u jap mundësi universiteteve publike që të ndërtojnë kampuset shumë të përfolura e që kanë mbetur në letër për shkak të mosdhënies së lejes nga Bashkia e Tiranës. Me anë të kartës së studentëve do u japim atyre të drejta, transport publik falas, ofrim me shërbime të përgjysmuara në muze, opera etj, etj. Bashkia do luajë rol qendror në fazën e përgatitjes së tregut të punës. Kemi njerëz të kualifikuar që nuk kanë punë dhe biznese të kualifikuara që kërkojnë njerëz për punë. Nuk duhet të ketë punësim te daja, se halla e njeh këtë. Ne do të marrim të plotë kartotekën e studentëve në vit të tretë e të katërt, që do të marrin database dhe informacionin do ta japim në të dy krahët, si te biznesi ashtu dhe tek studentët. Do punojmë fort për punësimin; këtë e kam shpallur si prioriteti numër një. Janë rreth 6.800 të rinj që futen çdo vit në tregun e punës. Tirana po kthehet në moçal ekonomik, kjo duhet të marrë fund.
Këtë e bën Ministria e Punës...
Absolutisht jo, qeveria bën politika punësimi. Bashkia ka rolin e vet. Kryebashkiaku duhet të bëjë gjithçka për të thithur vende pune. Vetëm në Tiranë u duk si diçka e huaj kur unë e përmenda për herë të parë këtë gjë. U tha se Bashkia s’ka punë me punësimin.
Janë 85 taksa vendore. Qytetari paguan tri taksa. Nga janë këto?
Janë 85 taksa e tarifa vendore. Tarifa për importin e leshit. Katër mijë lekë është kostoja e një fotokopjeje të një letre A4. Bashkia merr taksa për gjelbërim, e gjelbërim nuk ka. Merr taksë për pastrimin, e pastrim nuk ka. Biznesi e paguan trefish një taksë të tillë ose dhe më shumë. Për mbetjet në tregje e tek uzina ‘Dinamo’, tregu te ‘Partizani’ biznesi paguan nga xhepi i tyre, pasi Bashkia nuk i pastron. 40 mijë lekë të vjetra paguan një biznes për transportin urban për punonjësit e tij. Nëse menaxhohen, bëhet fjalë për 2.8 miliardë lekë, pra janë mbi 4 mijë vende pune.
Punonjësit e Bashkisë thonë se janë 5% e barrës fiskale, 95% e merr qeveria qendrore?
Unë po flas për ato para që merr Bashkia, por nuk e di se si shpenzohen. Po flas për para që biznesi i nxjerr nga xhepi dhe nuk shkojnë për shërbime dhe vijnë si faturë për çmime të larta në treg. Jam i vendosur të ul taksat si masë ekstreme për të realizuar punësimin. Ky është hap që do të ndërmerret brenda 31 majit. Do fillojmë pas taksave me infrastrukturën. Vetëm me Unazën e madhe do të tërheqim 5.800 vende të reja pune. Kjo do të ulë koston e prodhimit dhe të shërbimit në Tiranë. Sot nuk ka një mjedis miqësor për biznesin, as vendas dhe jo më të huaj. Më thoni një investim të huaj. Propozimi im është se kush punëson në katër vitet e ardhshme mbi 50 punëtorë, nuk do të ketë taksë. Objektivi minimal është thithja e 1 miliard eurove investime. Tirana thith 3.5-3.6 milionë euro.
Kërkoni 10 GPD të vendit nga kjo?
Nga përmirësimi i klimës së biznesit, nga thithja e investimeve të huaja. Shumica e qytetarëve nuk e kanë të hipotekuar banesën, janë 700 milionë euro kapital nga mos-hipotekimi.
ثshtë në dorë të qeverisë, Bashkia ia ka çuar dosjen...
Nuk është ashtu, Bashkia mund të bashkëpunojë me qeverinë. Bashkia në vetvete mund të veprojë. Për çdo person që është i pahipotekuar, marr përsipër brenda 6 muajve, brenda datës 10-15 nëntor do të ketë shtëpinë e hipotekuar.
Si e keni planin?
Skuadra ime ka një plan të qartë. Ka plane të veçanta se si do veprohet për rastet e konfliktit gjyqësor të pronës, ku është parashikuar ndryshimi ligjor. Bashkia e Tiranës nuk do bëhet rrogoz, por sot është malinje me kërkesat e qytetarëve. Këto do të marrin fund njëherë e mirë. Nuk do të ketë më procedura që zgjatin pa fund. Bashkia do të jetë miqësore ndaj çdokujt që hap 10 apo 100 mijë vende pune. Duhet bërë dhe do bëhet Unaza e madhe se ul koston e biznesit. E njëjta gjë edhe me tramvajin. Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit bashkiak do të jetë për investimet e brendshme. Brenda katër viteve nuk do të ketë asnjë rrugë të paasfaltuar, me kanalizime dhe ujësjellës, pra një rrjet kapilar të plotë.
Kundërshtari thotë se ju nuk duhet të kishit kandiduar për shkak të 21 janarit, duhet të ishit përballuar me drejtësinë...
Kundërshtari ka zgjedhur të mos vijojë me gjuhën alternativave, por me gjuhën negative. I gjithë mesazhi i zotit Rama është negativ. Ky është mesazhi më i keq që nga 1992-shi, ku duket një fushatë thellësisht negative dhe kjo nuk i kontribuon aspak vizionit për Tiranën. Ka qenë pikërisht kjo politika e tensionit, e përbaltjes së kundërshtarit që ka mbajtur peng zhvillimin e Tiranës. Axhenda e Tiranës është politizuar pikërisht nga kjo gjuhë. Rama ka qenë atentatori i parë i këshillit bashkiak, nuk ka pranuar as për Unazën e madhe, bashkëpunimin e ka refuzuar. Ka mungesë në bilance, nuk ka çfarë të tregojë për këto katër vite.
21 janari është një ngjarje në hetim që po e zbardh drejtësia, e cila ka ndihmën e organeve më kompetente të botës. Dua t’ju kujtoj se ICITAP e PAMECA gjetën në raportet paraprake se policia ka vepruar sipas ligjit. Procesin e humbjes së katër qytetarëve duhet të kemi shumë kujdes që ta politizojmë, se kjo do të thotë përdorim. Kërkojnë të përfitojnë mbi viktimat. Kemi ekspertët më të mirë që duhet të zbardhin për rrethanat, ngjarjet dhe përgjegjësit.
Përgjegjësi politike, pse nuk dhatë dorëheqje moralisht?
Kam vepruar në bazë të Kushtetutës që jam betuar, kam mbrojtur institucionet kushtetuese.
Kush i dha urdhër Gardës të qëllonte në 21 janar?
As ministri e askush tjetër nuk i jep urdhër Gardës. Kjo është një fabul e atyre që duan ta përdorin. Nuk është çështja këtu, por është se pala kundërshtare kërkon ta rikthejë çdo gjë në politike dhe me përbaltje.
Policia kriminale a gjeti thika me helm, pistoleta?
Ka një hetim, lëreni drejtësinë të bëjë punën e saj. Të heqim dorë nga këto gjëra.
Blerja e apartamentit ka krijuar shumë polemika. E keni deklaruar si të shitur, e në deklaratën e pasurisë në 2007-ën e keni deklaruar si të shitur, duke përfituar 200 mijë euro, ndërkohë që këtë akt e keni bërë në 2008...
Nuk është e vërtetë, është një trillim. Një trillim si pasaporta amerikane. Referojuni ILDKP-së, e cila jo vetëm ka verifikuar të plota pasuritë e mia, madje ka çuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe ekspertë në Holandë për verifikim. Deklarata e tyre flet vetë. Ajo është përgjigja më e mirë për këtë trillim, që është përbaltja për kundërshtarin. Apartamenti është blerë me kredi. ثshtë shitur apartamenti, u shit pas punës sime në OKB. Më pas e blemë. Pse e blemë? E blemë se renta është më e lirë. Na binte 600 euro në muaj të paguanin. Ndërsa me rentë paguanim 1.200 euro. Për këtë e blemë. E shitëm, dhe me paratë e blerjes u pagua kredia.
Noteri thotë se u gabua. Nuk e patë ju këtë si jurist?
Bëhet fakt për një akt noterial të 2001-it, kur thuhet pasaporta amerikane, jo shqiptare. Pasaporta diplomatike është praktikë standarde. Mund të pyesni çdo ish-ministër të Jashtëm. Ka një rregullore të MPJ-së për pasaportat diplomatike. E rëndësishme është që unë kam vetëm një pasaportë, edhe ajo është biometrike. Më vjen keq për përbaltjen, kur kemi të bëjmë me gënjeshtra të tilla që bien si kala prej rërë. Nuk e kam për sot, e kam për përqasjen e re që unë dua të ofroj për kontributin e ri. اfarë fitoi kundërshtari politik me këto akuza që u rrëzuan, asgjë. Po qytetari? Asgjë. Nëse kjo energji do ishte përdorur pozitivisht për projekte për Tiranën, do të kishim të fituar.
Për rrugën Durrës-Kukës, s’keni dhënë përgjigje?
Drejtësia e dha përgjigjen e merituar. Drejtësia tha se gjithçka ishte në kundërshtim me ligjin e Kushtetutën. E morën përgjigjen në vitin 2009 ata që më sulmuan.
Folët si intelektual i pavarur. Berisha thotë se ‘Piramida’ do prishet. Tani, do prishet apo jo?
U drejtohem drejtpërdrejt dhe kundërshtarëve të mi politikë që përbaltjen ta shndërrojmë në energji për alternativa dhe projekte. Të marrë fund politika e përbaltjes, nuk ka të fituar këtu, ka vetëm të humbur.
Piramida ishte truk elektoral?
Jo. Interesim im kryesor është bashkëpunimi me qeverinë. Për Unazën e madhe etj. Unë them se interesat e qytetit janë të parat dhe në interesa të tilla, unë them se absolutisht nuk e kam fare si prioritet të parë prishjen e ‘Piramidës’. Nuk është ‘Piramida’ problem im. Natyrisht duhet të kemi një parlament dinjitoz, por prishja apo mosprishja nuk është problemi im. Nuk jam për prishjen e ‘Piramidës’ domosdoshmërisht, qytetarët nuk duhet të gdhihen, do prishet ose jo ajo, por Tirana të ketë parlamentin e vet.
Jeni për një parlament të ndërtohet në periferi?
Ta diskutojmë. S’kam projekt, qeveria është mysafire në qytetin tonë. Ne do të respektojmë interesat afatgjata të Tiranës për sa kohë unë do të jem kryetar i Bashkisë. Parlamentin kemi nevojë, por unë dua të filloj me Unazën e madhe. Të kthej kapitalin.
Kundërshtari juaj flet për një park tjetër të madh te ‘Stacioni i Trenit’. Ju keni thënë park autobusësh?
Kundërshtari im përsërit projekte të para katër apo 7 vjetëve. Kjo flet për paaftësinë apo pamundësinë. Unë kam thënë se do ta kalojmë me referendum këtë plan. Plani urbanistik rregullues do ta vendosin të gjithë qytetarët e Tiranës.
Ju do zhvendoseni me klientët tuaj në periferi?
Po, klientët e mi do të jenë qytetarët e Tiranës.
Si do krijoni vende pune prej 100 mijë kur do bëni moratorium për lejet e ndërtimit?
Ta shpjegoj. Tirana policentrike do të thotë zhvillim, investime në infrastrukturë. Do të ketë sheshe publike, parqe të gjelbra.
Si do bëhet kjo?
Ka një transferim të së drejtës së zhvillimit. Do të ketë zhvillim për rrugë, për zgjerim rruge. Qendre sociale dhe multifunksionale për rininë dhe banesa. اdo pronë e pronarit do të marrë vlerën e vet brenda këtij zhvillimi.
Ajo që ka munguar është fondi i munguar nga qeveria?
Nuk është ashtu. Në Tiranë janë hedhur miliona fonde. Por janë shfrytëzuar për interesa.
Sa do të jetë fatura juaj e investimeve?
1 miliard e 40 milionë euro do të jetë fatura e investimeve të mia në Tiranë.
Sa është buxheti i Bashkisë?
Aktualisht është 280 milionë euro.
I bie që t’i katërfishoni?
Jo, këtu na duhen dhe fondet e qeverisjes qendrore. Bashkia ka kapacitete të madhe huamarrëse. Gjenerimi për tërheqjen shkon deri në 200 milionë euro kredi. Transparente, jo si sot që miqtë e kryetarit të mos paguajnë miliona dollarë fatura.
Projekti i parë i madh për ju cili do të jetë?
Gjatë gjashtëmujorit, tenderin për Unazën e madhe dhe tramvajin. Kanalizim i ujërave të zeza, ujësjellësi, kredia është gati.
Jua ka premtuar këto fonde Berisha?
Janë 770 milionë euro fonde në partneritet me qeverinë. Po, unë jam ulur me zotin Berisha dhe kam biseduar.
Përse nuk ia dha zotit Rama këto fonde?
E ke shumë gabim. Kanalizimet, kredinë e kam negociuar vetë. Atë qendrën e dini kush e ka negociuar?
Cilën qendër? Mbaj mend të paktën në Kuvajt ka qenë zoti Rama...
Unë e kam negociuar me kryeministrin e Kuvajtit në Tiranë, kam qenë ministër i Jashtëm. Te bar “Piazza” kam negociuar me kryeministrin e Kuvajtit, është një fakt pak i njohur, por unë e kam negociuar.
Atë mund ta kenë takuar të gjithë aty...
Jo, kam qenë unë, kanë qenë dëshmitarë edhe anëtarë të tjerë të kabinetit. Pasi kemi negociuar kam marrë në telefon kryeministrin, sepse ai ka qenë jashtë në Gjermani më duket dhe kam negociuar unë për një vlerë 4 milionë dollarë. Nuk është vepra madhore që e bën kandidati tjetër, por është një projekt që e bëmë me kredi. Bashkia ka ecur vetë me projektin.
Ju do ta ndryshoni projektin e sheshit?
Për sa i përket projektit të sheshit, për sa i përket çdo zhvillimi tjetër të deritanishëm, unë do t’i rri ligjit dhe vetëm ligjit.
Që do të thotë?
Prioritet për mua është të mos harxhoj asnjë energji, asnjë lek të qytetarit me çështje që nuk janë prioritare për qytetin. Do të shikojmë çfarë thotë ligji për këtë rast, si është vepruar në raport me ligjin dhe sigurisht perspektiva afatgjatë e zhvillimit. Kam mendimet e mia për projektin, por nuk do të vë mendimet e mia, qëndrimin tim personal, do qëndroj në rrugën e një vendimmarrjeje të arsyeshme, si të jetë më e mira për qytetin e Tiranës.
 

Konkursi Letërsisë

  • Endacaku

    Votat: 3 33.3%
  • Ky qytet i trisht.

    Votat: 2 22.2%
  • Ndjenjë

    Votat: 1 11.1%
  • Pas gjurmëve të shiut

    Votat: 3 33.3%
Back
Top