Banka presion qeverisë: Rishikoni shpenzimet

Зngjεll

___________
Banka presion qeverisë: Rishikoni shpenzimet
Nga: Fabiola اela

Banka e Shqipërisë i ka rekomanduar sërish qeverisë që të rishikojë edhe një herë shpenzimet e planifikuara. Si pasojë e krizës globale rritja ekonomike e vendit për këtë vit do të tkurret. Ndërkohë raporti më i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se bankat e nivelit të dytë kanë shtrënguar ndjeshëm dhënien e kredive.

Shpenzimet

Qeveria duhet të rishikojë sërish shpenzimet e planifikuara, pasi kriza ekonomike globale po ndikon në uljen e të ardhurave në buxhet. Një situatë kjo që do të krijojë probleme në financimin e deficitit buxhetor. “Gjatë tremujorit të parë, ky deficit buxhetor është financuar kryesisht nga të ardhurat e privatizimit. Shtrëngimi i kushteve të likuiditetit në sistemin bankar është reflektuar në hezitimin e bankave për financimin e nevojave të qeverisë për fonde dhe rritjen e kostos të këtij financimi. Në kushtet e rreziqeve të mundshme fiskale në horizontin afatshkurtër, shtrëngimi i kushteve të financimit krijon vështirësi në financimin e deficitit buxhetor të planifikuar. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë gjykon si të domosdoshëm rishikimin e shpenzimeve të planifikuara, duke bërë korrigjimet e duhura sipas prioriteteve”, thuhet në raportin më të fundit të Bankës së Shqipërisë.

Kreditimi

Bankat kanë forcuar kriteret për marrjen e një kredie. Të dhënat më të fundit tregojnë se ritmi i rritjes së kredisë ka pësuar rënie. “Si pasojë e uljes së likuiditetit të sistemit bankar, ritmet vjetore të zgjerimit të aktivitetit kreditues janë pakësuar ndjeshëm gjatë dy muajve të parë të vitit 2009. E pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, norma vjetore e rritjes së portofolit të kredisë u ngadalësua më tej, duke arritur në 29 për qind në muajin shkurt”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Por një situatë e tillë mund të ketë pasoja në aktivitetin ekonomik në vend. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë është duke furnizuar me likuiditetin e nevojshëm sistemin bankar dhe duke punuar me të për kontrollin e elementeve të kredisë që nuk kanë lidhje me koston, por që ndikojnë ecurinë e saj.

Rritja ekonomike

Kriza globale financiare do të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike të vendit. Një paralajmërim i tillë është dhënë nga vetë ndërkombëtarët. Por fill pas tyre edhe Banka e Shqipërisë në raportin e saj më të fundit vëren se kriza ndërkombëtare do të ndikojë në ngadalësimin e rritjes ekonomike në vend. “Zhvillimet ekonomike në nivel botëror pritet të japin ndikimin e tyre edhe në ecurinë ekonomike në vend. Ekonomia shqiptare është integruar në tregjet financiare evropiane, ndërkohë që shkëmbimet tregtare me vendet e Eurozonës zënë një peshë të konsiderueshme në prodhimin e përgjithshëm. Ndikimi potencial i krizës ekonomike botërore pritet të materializohet në një rritje ekonomike më të ngadaltë të vendit gjatë vitit 2009”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë ecuria aktuale në fushën e çmimeve si edhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë për inflacionin, sinjalizojnë frenim të presioneve inflacioniste gjatë periudhës në vazhdim.
 
Back
Top