Bamirësit dhe filantropët e kohëve moderne

AnGeLiC

VIP
V.I.P
asasasas-680x365_c.jpg

Nga Kozeta Kurti



Midis nesh gjenden plot… nga ata të vërtetët, të cilët japin mbështetjen e tyre në përmirësimin e cilësisë së jetës së një individi a një komuniteti, e bëjnë pa tamtame, pa u ndierë, por për të mirën e qetësisë së shpirtit të tyre. Kryesisht janë ata që nuk vishen e mbahen bukur, nuk kullojnë nga kurimi i imazhit të tyre, sepse çdo ditë janë duke vrapuar në kërkim të sukseseve të punës e biznesit të tyre. Qarkullojnë mijëra euro në muaj, por nuk ndihen, sepse e dinë sa herë kanë thyer qafën në më shumë se gjysmë shekulli për të ardhur deri këtu.

Janë “heronjtë” e heshtur që kanë investuar në shkolla, në rrugë të pakalueshme fshatrash, në qendra shëndetësore, të cilat janë të gjitha detyrime për investime publike, që si shpërblim marrin buzëqeshjen e atyre njerëzve që me infrastrukturë të re marrin frymë më lirisht. Kam njohur shumë prej tyre, edhe për shkak se kam monitoruar dhe moderuar dy herë një event mbi filantropinë në Shqipëri dhe kam pasur fatin t’i prek nga afër. Për ata flitet pak, ose aspak, sepse ata nuk dinë ose nuk duan ta marketojnë veprimtarinë e tyre.

Ndërkohë, ndeshemi me një tjetër kategori bamirësish, që u pëlqen të quhen filantropë, të cilët, së pari, as nuk e kanë idenë e dallimit midis të dyjave. Sigurisht fija ndarëse midis tyre është shumë e hollë, për aq kohë sa të dyja i shërbejnë një qëllimi të mirë, por një kamion i mbushur me ushqime në një kohë katastrofe natyrore a lufte është një gjest bamirësie, i cili përmirëson kushtet e mbijetesës afatshkurtër, por jo cilësinë e jetesës në një periudhë afatgjatë. Dhe megjithatë, aty nuk mungon kamera, droni, krani, për t’i dhënë jehonë sa më shumë njeriut bujar me zemër të madhe që u zgjati kafshatën disa gojëve të paushqyera sot. Dhe t’i lëmë këto teoritë që shpërndarja nxit edhe të tjerët; jo sepse nuk e bën, por se nxitja nuk ka nevojë për regji. Mjafton një identifikim rasti, një njoftim në mediat sociale dhe kush e ndjen, e bën, pa qenë e nevojshme të nxitet nga brilantina e balukeve të bosit apo xhaketa e tij e shndritshme.

Ju përdorni fëmijët për të fshehur vrazhdësinë që keni gjatë gjithë kohës tjetër të vitit kur nuk bëni bamirësi; doni të pastroni imazhin tuaj duke treguar se nuk jeni vetëm ata që të merrni shpirtin, që skllavëroni punonjësit tuaj në kushte mizerje të punës, që nuk i paguani, që nuk i motivoni, por jeni edhe ata që blini lodra për fëmijët pa familje, organizoni evente për gratë viktima të dhunës e prostitucionit etj. etj.

Nuk ka nevojë të dilni jashtë për të bërë bamirësi. Mund ta kryeni edhe aty brenda rrethit tuaj; hidhni një sy se mbase keni një gjysh, a xhaxha, a teze, a hallë apo shok që ka nevojë për ju. Sa e bëni duke iu bashkuar rasteve të mediatizuara, duke thënë se edhe ju keni vënë një gur në krijimin e këtij standardi (që s’është çudi që nesër ta përktheni në vëmendje për votë), bëjeni për njerëzit tuaj, ata që keni më afër. Do të ndiheni shpirtërisht më mirë.

Po ç’dreqin po them edhe unë? Si nuk e kuptoj natyrën ambicioze e egoiste të natyrës njerëzore? Në këtë vend marrin iniciativa programe të ndryshme të stacioneve televizive dhe në fund, kur arrihet një farë suksesi, nxitojnë të thonë: falë nesh ky pacient ka karrocë për personat me nevoja të veçanta në lëvizje; ky qytetar falë nesh do ziejë makarona edhe dhjetë vakte më shumë; ne ishim të parët që folëm për rastin në fjalë; kamera jonë fokusoi e para sytë e vogëlushit që u dëshirua për të shkuar në shkollë etj…

Ju lutem më thoni, cili është qëllimi final i një veprimtarie bamirësie a filantropie? Të tregojë se kush bëri çfarë apo të tregojë se cilët morën çfarë, pavarësisht burimit? Të ndihmosh njerëzit në nevojë, është një mënyrë për të shprehur përulësinë, dashurinë, mirësinë dhe mirënjohjen për gjithçka na është dhënë në jetë.

Kur lexoj për shembull se Matt Damon ndihmon në sigurimin e ujit të pastër të vendeve në zhvillim apo mbështet fushatën “One” për luftën kundër SIDA-s më vijnë në mend VIP-at tanë që edhe gjellën e drekës nuk e paguajnë, por e bëjnë me “klering”, reklamë në Instagram, më vjen të qesh, pastaj të qaj dhe të pyes: اfarë vendi është ky që ngaqë s’të pëlqen ai që je bën të pamundurën të krijosh një njeri tjetër brenda teje, ama shumë të shëmtuar e qesharak, në raport me atë të parin që s’e pranon dot? Sa turp! /Blitz.al/
 
Back
Top