Bakteriet ne stomak

Violetta

>> KS- AL. etnike <<
Bakteriet ne stomak

Studimi në fjalë i grupit të kërkuesve ka dekoduar sekuencën e ADN-së që ka të bëjë me ato gjene, të cilët në fakt janë të shumtë që mbulojnë ekzistencën e një numri jashtëzakonisht të madh bakteresh që ndodhen në stomakun e njeriut. Në bazë të këtij zbulimi është bërë e qartë se në këtë mjedis jetojnë rreth 1000 specie të ndryshme mikrobesh. Studimi i baktereve të zorrëve është i vështirë në radhë të parë, sepse një numër i madh i tyre nuk rriten në mjedise jashtë zorrëve, pra jashtë habitatit të tyre natyror, që është edhe arsyeja përse shkencëtarët besojnë se studimi i tyre hedh dritë në një aspekt thuajse të panjohur dhe të shumëdebatuar të biologjisë njerëzore.


Sipas studimeve, në zorrët e një individi të shëndetshëm ndodhen rreth 100 trilionë qeliza mikrobike, rreth 10 herë më shumë se në tërë trupin. E megjithatë, në lidhje me ekzistencën dhe funksionin e tyre dihet ende shumë pak. Sipas një prej profesorëve më të famshëm të fushës, që është edhe drejtuesi i grupit të punës, ende nuk ka një njohuri të plotë dhe të saktë në lidhje me funksionimin e zorrëve, sepse bëhet fjalë për një ekosistem shumë të komplikuar, që është thelbësor për mirëqenien dhe shëndetin tonë. Madje, sipas tij, ende nuk dihet dhe mënyra e tretjes së ushqimit. "Ajo që ne kemi bërë është copëzimi i të gjitha gjeneve. Bëhet fjalë për një përpjekje shumë të madhe dhe të mundimshme, sepse është fragmentizimi më i madh që u është bërë gjeneve deri më sot, thotë mjeku. Shkencëtarët morën mostra fekalesh nga 124 europianë dhe analizuan ADN-në që përmbanin ato, duke përdorur makineri shumë të fuqishme gjenetike që mund të deshifronin shumë shpejt dhe saktësisht të gjitha "letrat" gjenetike të ADN-së. Ata përdorën teknika të tilla si ajo e metagjenomiksi, që tenton të fragmentojë çdo copëz të ADN-së pa izoluar më parë çdo lloj bakteri. Përmes këtij fragmentimi bëhet i mundur përcaktimi i numrit të përafërt të të gjitha specieve bakteriale në zonën e zorrëve. Nga të gjitha gjenet në zorrët e njeriut, rreth 99% e tyre janë bakteriale.

Zona e barkut është "shtëpia" e koleksionit më të madh të mikrobeve që ndodhen në organizmin tonë. Dendësia e baktereve në pjesën e sipërme të barkut, ku depozitohet edhe numri më i madh i baktereve, është më e larta e njohur në të gjitha llojet e ndryshme të ekosistemeve që ekzistojnë. Ajo çka përbën një surprizë të vërtetë të studimit është se bakteret e zorrëve janë shumë të lidhura me mirëqenien dhe shëndetin tonë. Studimi ka qenë i përmasave masive për vetë faktin se kërkonte kontrollin dhe supervizimin e një numri jashtëzakonisht të madh bakteresh, disa prej të cilave nuk ishin studiuar kurrë më parë, pra që ishin krejtësisht të panjohura. Si përfundim, pas një studimi të tillë të hollësishëm dhe gjithëpërfshirës, është krijuar një hartë e plotë e gjithë gjeneve të florës bakteriale në zorrët tona. Ne zbuluam 1000 specie bakteresh dhe tashmë ndodhemi përballë një enigme shumë më të madhe se në fillim të studimit: nuk dimë se cili është funksioni i një numri kaq të madh bakteresh në zorrët tona.

Një tjetër zbulim është fakti se flora bakteriale është shumë e ngjashme mes individëve të ndryshëm. Më parë mendonim se çdo individ ka një individualitet më të madh bakterial, por tashmë e dimë se ne, qeniet njerëzore, jemi shumë më të ngjashme me njëra-tjetrën nga sa mendonim më parë. Për sa u përket zorrëve të njeriut, ato janë sterile deri në lindjen e tij. Pra, gjatë fazës embrionale dhe periudhës kur fetusi është i zhvilluar në përfundim të shtatzënisë, gjithçka është krejtësisht sterile. Gjatë vitit të parë të jetës, forma e stomakut ndryshon në mënyrë shumë të shpejtë dhe radikale. Fillimisht në të shtohet përditë numri i baktereve dhe më pas në bashkëpunim me organizmin ato sjellin ndryshimet e njëpasnjëshme në funksionimin e zorrëve dhe të gjitha organeve të zonës së barkut. Nga ajo që dihet deri më sot, pikërisht ky bashkëpunim që nis në muajt e parë të jetës është shumë i rëndësishëm kryesisht për sa i përket tretjes së ushqimit. Madje ka mjekë që mendojnë se disa baktere të veçanta mund të ndihmojnë edhe në vetë parandalimin e disa sëmundjeve të caktuara të njeriut. Harta e sapokrijuar shërben për të dalluar dhe për të kuptuar ndryshueshmërinë e shëndetit në individë të ndryshëm. Kjo ka bërë që shpesh të parandalohen sëmundje që mendohet se mund të kishte një individ në varësi të llojit të florës së tij bakteriale. Kështu, njerëz me disa lloj bakteresh të caktuara kanë një prirje për sëmundje kronike stomaku si ulcera, apo gastrite.

Zbulimi i fundit i kësaj harte do të përbëjë një ndihmë të madhe në fushën e parandalimit të sëmundjeve përmes ekzaminimeve të parakohshme dhe shmangies së faktorëve që ndikojnë në acarimin e situatës stomakore. Bëhet fjalë për variantin e parë të një materiali që sigurisht do të përmirësohet me kalimin e kohës dhe do të dalë në një formë më të mirë dhe të plotë. Ai ka bërë bashkë të gjitha pjesët e veçanta të njohura deri më tani dhe ka krijuar për herë të parë një tërësi unike. Për momentin, mjekët po përpiqen që të deshifrojnë dhe të marrin sa më shumë informacion nga një hartë e tillë. Më pas do të krahasohen individët e shëndetshëm me ata të sëmurë me sëmundje kronike stomaku apo me obezitet.

Zorrët e njeriut janë një ekosistem i vetëm, edhe pse shumë kompleks. Ai studiohet vetëm përmes metodës dhe teknologjisë së metagjenomiksit. Një teknologji e tillë shumë e përparuar shërben në fakt edhe për studimin e gjithë ekosistemeve të tjerë të komplikuar që ndodhen edhe jashtë trupit njerëzor. Kështu, biologët e marinës studiojnë mostrat e ujit të detit në të njëjtën mënyrë, përmes një mënyre që ka të bëjë me zbërthimin e së pazbërthyeshmes, të copëzave më të vogla e më të papërfillshme që përbëjnë lëndët.
 
Back
Top