Autostrada e kombit: Bashkim kombëtar, apo bashkim i skandaleve, korrupsionit dhe mje

Bjeshka

Antarë
Autostrada e kombit: Bashkim kombëtar, apo bashkim i skandaleve, korrupsionit dhe mjerimit?

“Nëse ndonjëherë populli bëhet i pavëmendshëm ndaj punëve publike, unë dhe ti, Kongresi dhe kuvendet, gjykatësit dhe guvernatorët, të gjithë duhet të bëhemi ujq” -- Thomas Jefferson.


Autostrada Durrës-Kukës-Morinë, ndryshe filloj të quhet “Autostrada e Kombit”, pasi ajo lidh Shqipërinë dhe Kosovën me një rrugë tokësore më të mirë. I kontraktuari i ndërtimit të kësaj autostrade ishte konzorciumi amerikano-turk Bechtel&Enka. Punimet kishin filluar në nëntor të vitit 2006. Hapja ose lëshimi në përdorim i autostradës u bë në maj 2009, me përurimin zyrtar nga kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, dhe ai i Kosovës Hashim Thaçi në mes të tunelit të Kalimashit. Gjesti simbolik i përurimit të “bashkimit kombëtar” (duke i harruar trojet tjera të banuar me shqiptarë) në zgafelle, nuk duket i hijshëm.
Pas pesë muajve ose më 5 nëntor 2009, pasuan shembjet e mëdha me gjatësi prej 80 metrash në po atë tunel ku ishin takuar e përqafuar përmallshëm Berisha dhe Thaçi. Ata që e shfrytëzuan rastin e hapjes së tunelit si “bashkim kombëtar”, tani ishte dashur ta shpallin “ndarjen kombëtare” madje edhe me një pjesë të Shqipërisë. Njëherë u tha se tuneli nuk do të rihapet deri në mars 2010, por duket se kjo nuk do të ndodh deri në verë.
Qeveria e Shqipërisë në vend se ta penalizoj kryesin e punimeve Bechtel&Enka, shfrytëzonte rastin edhe vetë të bëjë mashtrime financiare në autostradën e “kombit” në prag të zgjedhjeve parlamentare në qershor 2009. Një prej rasteve të zbuluara (ka edhe shumë të pazbuluara) është ai i devijimit të trasesë për 1,5km (në vend të ndërtimit të urës që merrte më shumë kohë) me kosto prej 5 milionë euro (€), me të vetmin qëllim: që ta përshpejtoj përurimin e autostradës në prag të zgjedhjeve për qëllime politike.
Kostoja e çdo projekti zakonisht dihet në fillim. Në rastin e Bechtel&Enka kjo do të dihet pas realizimit të projektit, dhe atë do ta përcaktoj vetë kryerësi i punimeve.
Tani jemi në pozitë të volitshme të shohim para se të filloj së zbatuari loja e lojtarit të njëjtë (Bechtel&Enka) me një zotëri ose gjyqtar tjetër (Qeveria e Kosovës) se çka janë duke bërë; a po planifikojnë skandale të ngjashme sikur në Shqipëri, apo diçka më shumë? Ajo që është duke i interesuar shumë publikut, është vendimi i papritur formal ose propozimi për ndryshimin e trasesë së autostradës Vermicë-Merdare.


Versioni zyrtar i miratuar dhe propozimi për devijim të trasesë

“Qeveria që vjedh Pjetrin për të paguar Palin, gjithmonë mund të llogarisë në mbështetjen e Palit” -- George Bernard Shaw.

Për autostradën Vermicë-Merdare është kryer studimi ideor (fizibilitetit) nga BPI-Consult GmbH, dhe në bazë të tij Kuvendi i Kosovës ka miratuar trasenë e cila duhet të shtrihet nëpër këto komuna: Prizren-Suharekë-Shtime-Lipjan-F. Kosovë-Prishtinë-Obiliq-Podujevë. BPI-Consult e ka dhënë gjatësinë e përgjithshme të autostradës prej 116,746 km. Në bazë të kësaj Ministria e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit (MTPT), llogariti se ndërtimi i autostradës kushton 660 milionë €, me një çmim mesatar 5.58 milionë € për kilometër (km).
Menjëherë pasi u bë përzgjedhja e Bechtel&Enka, MTPT-ja doli me qëndrimin se ky konsorcium është paraqitur me dy propozime; njërin për trasenë e miratuar, ku fillimisht kishte kërkuar 600 milionë €, dhe tjetrin për devijimin e trasesë nëpër komunën e Malishevës duke lënë anash komunën e Shtimes dhe të Lipjanit. Për të dytën, Bechtel&Enka kërkoj 500 milionë €. Duke iu referuar deklarimeve të ministrit Limaj, devijimi i trasesë nëpër Malishevë (shumica e qytetarëve thonë “nëpër arat e Fatmir Limajt dhe farefisit të tij”) do t’i kursejë deri në 500 milionë €. Nëse është kështu, i bie që ne do të ishim në gjendje ta ndërtojmë autostradën me 100 milionë €!
Mirëpo, gjërat qëndrojnë ndryshe. MTPT-ja formalisht është pajtuar me konsorciumin që çmimi i këtij devijimi dhe ndërtimi i autostradës në tërësi (tani më të shkurtë se në trasenë e miratuar) të jetë afër 800 milionë €, ose me çmimin mesatar prej 7,5-8 milionë € për km. Dyfishimin e çmimit mesatar për km duke iu shmangur tuneleve të parapara në trasenë e miratuar, ministri Limaj e cilëson si “kursim” në trasenë e shpikur. Ky lloj jo serioziteti nuk guxon të përsëritet në matematikë për sa kohë të ekzistojnë shenjat “<” (më e vogël) dhe “>” (më e madhe) kur shikojmë numrat. Kështu për çdo km planifikohen të shmangen ose fitohen (në këtë rast të vidhen) nga 2 deri në 2,5 milionë €!
Ministri Limaj në një debat në Klan TV me datën 04.02.2010, në emisionin “Zona e Debatit”, është shprehur: “Ka ardh një propozim nga kompania [Bechtel&Enka – v.j.] për devijimin e trasesë, dhe i është dhënë drita e gjelbër Qeverisë për ta marrë në shqyrtim”. Kjo nuk qëndron. Ministri Limaj e ka ndërsyer konzorciumin të paraqitet me propozime të kundërligjshme për llogari të tij dhe miqve të tij, dhe këtë po synon ta përcjellë për miratim në Kuvendin e Kosovës. Kuvendi e ka kryer punën e vet në bazë të studimit, i cili studim më së miri e ka vlerësuar se cila është traseja më dobiprurëse në aspektin ekonomik dhe gjeostrategjik për Kosovën, dhe lidhjen e saj me korridoret X-të dhe VIII-të.
Sipas disa thashethemeve, në një mbledhje në Malishevë vitin e kaluar, ministri Limaj kinse paska grushtuar tavolinën me nervozë duke thënë: “N’koftë Fatmir Lima gjallë, ka me pru autostradën për Malishevë”. Shumica prej jush mund të bindeni se ajo që kinse ka thënë ministri, nuk ka të bëjë me “kinse” por me një të vërtetë, sepse veprimet e tij të tanishme, mund ta vërtetojnë “propozimin” e Bechtel&Enka për devijimin e autostradës pikërisht nëpër Malishevë. Ne as nuk duam t’i besojmë këtij versioni, e as të merremi me të. Por, duam t’iu sugjerojmë se kompania, i kontraktuari ose shërbyesi nuk mundet dhe nuk guxon të paraqitet me propozime të veta dhe të vendos së kah duhet t’i bie autostrada. Ai (konsorciumi) është vetëm punë kryes.

(Pa)arsyeshmëria ekonomike e devijimit të trasesë

Përpos mungesës së arsyeshmërisë për devijimin e trasesë shkaku i “kursimit”, ministri Limaj dhe zëvendësi i tij Grabovci deklarojnë me iluzione pa u referuar në asnjë plan konkret, përfitimet ekonomike që do t’i sjellë autostrada. Meqenëse zonat ku po synohet të devijohet autostrada janë kryesisht rurale dhe në to nuk është planifikuar ndonjë investim i madh, atëherë është shumë e qartë se nga devijimi do të përfitojnë kryesisht vetëm automjetet që qarkullojnë poshtë e lartë. Asnjë biznes i madh nuk është planifikuar të vendoset në Arllat ose Bajë të Malishevës (vendlindja e ministrit Limaj), dhe asnjë investitor i madh nuk është konfirmuar se ka plan për investime atje. Ajo që po synon të bëjë MTPT-ja me devijimin e trasesë, është se po i lufton investimet e mëdha të planifikuara dhe miratuar në rajonin e komunës së Lipjanit.
Përveç kësaj, orientimi zhvillimor i komunës së Lipjanit, është shumë i justifikueshëm edhe me tri fakte të pamohueshme: 1) Lipjani tanimë është zonë e Kryeqytetit në zhvillimin 10-15 vjeçar; 2) Ky regjion ka dy resurse shumë atraktive turistike por ende të panjohura për investitorët dhe turistët e huaj, si Parku kombëtarë Blinaja dhe Shpella e Gadimes; dhe 3) Në Lipjan, përkatësisht në "Rrethrrotullimin" e tij, lidhet drejtimi për kyçje me Maqedoninë dhe Preshevën, respektivisht korridori i X-të dhe i VIII-të. Me këtë hedhen poshtë të gjitha thashethemet e MTPT-së dhe kujtdo që përpiqen të na bindin se devijimi i trasesë për Malishevë, Gjakovë, apo Ferizaj kursen kaq miliona € dhe mund të ndërtohet edhe me 5 €.
Prandaj, këto janë edhe më shumë arsye pse gjermanët janë orientuar në përcaktimin e aresyeshmërisë ekonomiko-strategjike te kësaj traseje. Kjo pra është nyja kryesore e përfitimit ekonomik numër një dhe më të madh të autostradës.

Financimi i autostradës

Ne e cilësojmë këtë si problem i dorës së dytë në krahasim me të papriturat që po synon t’i imponoj MTPT-ja, e të cilat, nëse vazhdojnë, e rrezikojnë ndërtimin e autostradës, ose ta përcjellin problemet më të mëdha se në Shqipëri. Thuhet se (qëndrimi zyrtar i MTPT-së dhe Qeverisë së Kosovës) “Autostrada do të financohet me kredi të buta”. Ato për Kosovën nuk janë aq të buta duke e ditur rënien e normave të kamatës (jashtë Kosovës) gjatë krizës financiare. Financimi me pagesë ose taksa të automjeteve nuk duket zgjidhje pasi i bie që qytetarëve dy herë t’u merren para – nga buxheti i shtetit për ndërtimin e autostradës, e më vonë pas ndërtimit të saj me futjen e taksave në shfrytëzimin e autostradës.
Një propozim që e jepin ekspertët e ndryshëm, është se Kosova ndoshta nuk ka nevojë të hyjë borxh për ndërtimin e autostradës, por mund të shfrytëzoj fondet e ndryshme të saj si Trustin e Pensioneve, Fondin e Privatizimit që arrijnë shumën 800 milionë €. Kjo nuk është zgjidhje. Këto fonde janë krijuar dhe kanë arritur në vlerën e tanishme për një kohë të gjatë, prandaj nëse investohen përnjëherë apo pjesë-pjesë, duhet të mendojmë si do të kthehen mjetet e tyre. Autostrada nuk është sektor që gjeneron të ardhura (më përjashtim kur shfrytëzohet me pagesë, në Shqipëri është pa pagesë). Prandaj, mjetet për kthimin e atyre fondeve duhet të vijnë nga sektorët tjerë të ekonomisë. Kthimi do ishte i mundur nëse traseja e autostradës nuk ndryshohet. Nga Banja dhe Arllati i Malishevës kthimi i mjeteve për ndërtimin e autostradës nuk ka gjasa të ndodhë përjetë.
Financimi i autostradës duhet të bëhet me kredi ndërkombëtare. Edhe shtete tjera të zhvilluara si Sllovenia, Kroacia i ndërtojnë autostradat me kredi ndërkombëtare. Ato kanë borxhe të mëdha për infrastrukturën rrugore dhe krahas kthimit të pjesshëm vazhdojnë të zhyten edhe më shumë në borxhe. Kështu ndodh nëse me kredi punohen punë të mira dhe të arsyeshme, pavarësisht çmimin. Por kjo nuk ka gjasa të ndodh për autostradën Vermicë – Merdare nëse bëhet devijimi për Malishevë.
Secili segment i arsyeshëm i shoqërisë kosovare, politik, jopolitik, afarist, OJQ, ekspertë, intelektualë, medie, dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, duhet të ngritët në mbrojtjen e arsyeshmërisë, sepse është në pyetje një projekt shumë i madh që do të ndikoj në secilin për shumë vite me radhë. Ndryshe, nuk do ta kemi përkrahjen e institucioneve financiare ndërkombëtare në ndërtimin e autostradës, nëse vazhdojmë të tregohemi shumë joserioz me devijime të autostradës sipas tekeve individuale, grupore, klanore dhe të farefisit.

© Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike (INEPRA)
(ky shkrim është ekstrakt nga punimi hulumtues për diskutimin e politikave prej 20 faqesh i INEPRA-s me Nr. ESP025/10, H54, 08 shkurt 2010.
Komentet mund t’i dërgoni në adresën: [email protected]
 
Titulli: Autostrada e kombit: Bashkim kombëtar, apo bashkim i skandaleve, korrupsioni

Autostrada, nënshkruhet marrëveshja me 'Bechtel&Enka'

Qeveria e Kosovës nënshkroi sot kontratën me konzorciumin amerikano-turk "Bechtel & Enka" për realizimin e projektit të autostradës Morinë - Merdarë. Për realizimin e këtij projekti u tha se do të nevojiten rreth 700 milionë euro.
Në emër të Qeverisë nënshkroi ministri i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, kurse në emër të konzorciumit "Bechtel & Enka", Majkëll Adams dhe Sinan Tara.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe kryeministri Hashim Thaçi dhe ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Turqisë.
Kryeministri Thaçi e cilësoi këtë si një moment historik të realizimit të ëndrrës së Kosovës.
"Ky është një moment historik për shtetin tonë. Pra, po realizohet ëndrra e qytetarëve të Kosovës. ثshtë projekti më i madh në historinë e deritashme të vendit tonë. Ky projekt i ndërtimit të autostradës Vërmicë - Prizren - Prishtinë - Merdarë i ndihmon qytetarët, duke u krijuar mundësi të reja të lëvizjes së lirë, e integron shtetin e Kosovës fuqishëm në rajon", tha Thaçi.
Realizimi i këtij projekti u përshëndet edhe nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell. Ai tha se pajtohej me bashkëfolësit e tjerë se nënshkrimi i marrëveshjes për projektin e kësaj autostrade, paraqet moment historik për Kosovën, që ia hap dyert asaj drejt zhvillimit ekonomik.
"Ky projekt do ta shpie Kosovën më afër tregjeve botërore dhe, në rend të parë, më afër detit", tha Dell, duke shpresuar se në të ardhmen lidhja rrugore do të shtrihet edhe tej kufirit me fqinjin verior, Serbinë.
"Mendoj po ashtu se është i rëndësishëm si një simbol i rritjes, forcimit dhe shtimit të kapacitetit të shtetit të pavarur të Kosovës", tha Dell.
Ndërkaq, në emër të kompanisë "Bechtel", Majkëll Adams, tha se "Bechtel" dhe partneri i tij "Enka" kanë përvojë të madhe në realizimin e projekteve të ngjashme në vende të Evropës.
"Presim me padurim të bashkëpunojmë me Qeverinë në zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës dhe të ekonomisë së saj" tha Adams.
Përzgjedhja e konzorciumit "Bechtel & Enka", sipas ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, ishte zgjidhja më e mirë. Ai tha se me këtë autostradë, Kosova po lidhet me Evropën dhe po bëhet një faktor edhe më i rëndësishëm i rajonit.
"Ne po ndërtojmë korridorin, ku do të kryqëzohet e sotmja jonë me të ardhmen më të mirë. Me ndërtimin e kësaj autostrade, Kosova do të bëhet më tërheqëse për investitorët e huaj, do të na ofrojë dalje në det, nga do të qarkullojnë njerëzit dhe mallrat nga Kosova në Evropë dhe nga Evropa në Kosovë", tha Limaj.
Mjetet për realizimin e këtij projekti, që llogariten deri në 700 milionë euro, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, do të sigurohen nga buxheti i Kosovës, donatorët dhe, në rast nevoje, edhe nga marrja e kredive.
Thaçi po ashtu tha se shumë shpejt do të pasojë edhe dhënia me koncesion e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, privatizimi i PTK-së dhe ndërtimi i Termocentralit "Kosova e Re". Realizimi i këtyre projekteve, sipas kryeministrit Thaçi, është prioritet i Qeverisë së Kosovës

Shekulli
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top