Shfletimi si vizitorë është i kufizuar

AutoBiografi

LIRI BELISHOVA dhe rrëfimi për të bijën, DRITA ÇOMO

“Kur u arrestova unë, vajza ime ishte 2 vjeç e gjysëm. Gjithë jeta e saj kaloi nëpër persekutimet e diktaturës komuniste, për të cilën kish luftuar nëna dhe babai i saj. Kjo ishte tragjedia e saj, kjo ishte tragjedia jonë.. Kjo vajzë ishte shumë e bukur, e gjatë, por edhe shumë e zgjuar, e talentuar. Ka lënë shumë vjersha e një ditar që e dëshmon këtë gjë. Në radhë të parë ishte shumë e mirë.
Njerzit që e kanë njohur, shkolla ku mësoi, mësuesit, spitali ku u shtrua kur ishte e sëmurë, të gjithë thonë se ajo ishte një ëngjëll tokësor. Ajo kish vetëm një të metë; ishte vajza e Liri Belishoves dhe Maqo Comos.. Fati i saj ishte përcaktuar nga diktatura. Ky fat kish vetëm një ngjyrë, të zezë, prandaj edhe jetën e bëri të zezë.
Sëmundja e saj u zbulua kur ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme, pra kur ishte 18 vjeçe. Vuante nga një sëmundje e pashërueshme që vazhdoi 5 vjet. D.m.th. pjesën më të bukur të rinisë, e kaloi nën kërcënimin e vdekjes.
Gjatë këtyre 5 vjetëve, u shtrua 10 herë në spital. E shtronin, e kur përmirësohej e dërgonin në shtëpi të vazhdonte kurën me ilaçe. Jeta e saj kish vetëm dy pika referimi;vajtje- ardhje, përsëri vajtje e përsëri ardhje. Spitali u bë shtëpia e saj. Nuk mund të ankohem se mjekët dhe personeli nuk e trajtuan mirë. Megjithëse ajo ishte e mbyllur, nuk tregonte, nuk ankohej, nuk donte të më dëshpëronte. Më ka mbetur peng një gjë, e cila pasqyrohet edhe në ditarin e saj.
Ky ditar është një dokument. Mjekimet shpesh i ndërronin, emrat e ilaçeve nuk më kujtohen, ka kaluar shumë kohë, një prej tyre ishte i mirë, po ja ndërprisnin se nuk kish, e ja vazhdonin me një ilaç tjetër nga prodhimet e vjetra që nuk kish ato veti kuruese. Kur unë e pyeta mjekun pse?- ai më tha: nuk ka valutë. Të them të drejtën, edhe sot e kësaj dite, më dridhet gjithë trupi, sepse ilaçi ndofta nuk do ta shpëtonte, po do i kish zgjatur jetën.
Gjatë kohës që vajza qëndronte në spital, jo vetëm që nuk qëndroja me të, por me shumë lutje, më kanë lejuar vetëm dy herë ta shoh gjatë 5 vjetëve. Këto dy herë kan qenë si rezultat i këmbënguljes sime, për të biseduar me mjekët. Mendoja se vajzës nuk mund t’i thonë të vërtetën, kurse mua, po. Ajo që në të vërtet është mizore, kur vajza u sëmur rëndë, ishin ditët e fundit të saj. Unë kisha marrë leje të bisedoja në telefon. E mora në telefon e më doli një shoqe e saj. Ajo më tha, Drita nuk ka mundësi të vijë se është në shtrat e sëmurë! Në atë kohë u ndodh pranë mjeku që e kuronte, një mjek shumë fisnik, Nini Theodhosi. Ai e mori telefonin e më tha, dëgjo nëna e Dritës. Vajza po të vdes! Kërko leje e hajde ta shohësh për herë të fundit.
Atëhere me letra e telegrame ç’nuk bëra. Kaluan disa ditë dhe më erdhi leja për ta takuar vajzën në spital. Erdhi gazi i degës me dy roje, o zot, ç`do bëja unë?! Shkova me djalin, Petritin, për të parë vajzën. Kur hyra në dhomë, dhoma kish 6 krevate. Të gjitha ishin bosh. Vajza më tha: Mami, i ka në hequr, se do vije ti! Çfarë do bëja unë, nëna e mjerë që po i vdiste vajza? Unë ndenja rreth një orë me vajzën, e gjatë gjithë kohës duhet ti njomja buzët se i thaheshin, duhet ti vija oksigjenin se kur lëviste i largohej tubi i oksigjenit. Ajo u përpoq të më jepte mua kurajo. Mami, mos u dëshpëro, se kjo gruaja që ka qënë pranë meje, ka marë 16 herë oksigjen e akoma rron. Vajza ime nuk rrojti. Pas tre ditësh vdiq. Kur mbaroi takimi e dola në korridor, u thash oficerëve të sigurimt që më shoqëronin. Ju lutem më lini të rri pranë vajzës, se ju e dëgjuat vetë mjekun. Me dhimbje, mjekët ma thanë troç, vajza juaj ka shumë-shumë disa ditë jetë, për të mos thënë disa orë. Varet nga organizmi. Punonjsi i sigurimit qeshi e më tha në mënyrë të prerë:
“Hajde, mjaft ndënje se po erësohet. Duhet të ikim. Ka shtet këtu, ka infermierë, ilaçe e gjithçka tjetër, do ti bëhen të gjitha.”
Të lutem i thash unë, duhet ti njom buzët, duhet ti vë oksigjenin, e pastaj nuk e di, në ato momente të tmershme se si më erdhi në mëndje e i thash. E njoh Nexhmije Hoxhën, gjatë gjithë luftës kemi qënë bashkë Pas luftës, përsëri bashkë kemi punuar. Ajo është nënë e nuk mund të mos më kuptojë. Të lutem i telefononi asaj se mua po më vdes vajza, e duhet të jem pranë saj!
O sa larg e mbake ti! Akoma mendon si antare e Byrosë Politike? Thuaj faleminderit që të lejuam për të parë vajzën për herë të fundit.
Nuk e di, duhet të jem lëkundur, se veten e ndjeva sikur po bija. Dhe një nga ato infermieret mori kurajo dhe erdhi e më mbajti, se do kisha rënë për tokë. Ajo më shoqëroi tek makina.
Si vdiq Drita, vajza ime!?
Natën vonë, kur shoqet e saj flinin, e pranë saj nuk kish infermiere, Dritës i qe larguar tubi i oksigjenit. Kushedi! Ajo përpëlitej në krevat me vdekjen. Kjo gjë zgjoi shoqet e dhomës. Njëra prej tyre ja vuri tubin e oksigjenit, e ajo tha vetëm këto fjalë: “Më falni se ju shqetësova!” Ra në koma e vdiq. Dha shpirt përfundimisht në orën 7 të mëngjesit. Këto mi thanë shoqet e dhomës, po dhe djali që dashuronte. Atë e lajmëruan e shkoi menjëherë pranë saj. Banonte në Fier. Ishte njeriu i vetëm që i qëndroi pranë deri në çastet e fundit të jetës. Ai na bëri telegram për vdekjen e saj. “Drita mbaroi!” E mora këtë telegram kur isha në postë e përpiqesha të lidhesha në telefon me spitalin. Ishte e pamundur të bisedoja me spitalin në një central të vogël provincial si ai i Cërrikut. Në atë kohë s’kish telefona celularë. Ndërkohë që po përpiqesha të lidhesha me telefon, më japin telegramin. Akoma më e vështirë ishte vajtja në Tiranë për të marë kufomën e vajzës e pastaj organizimi i cermonisë së varimit. A do na jepnin leje apo jo! A do na jepnin një makinë apo jo! Në se po, kur do na i jepnin? Që nga mëngjesi, e deri në orën 13 të drekës, mezi na u dha leja. Atëhere erdhi leja nga Tirana. Më në fund, u nisëm për të marë kufomën e vajzës. Kur u kthyem në Cërrik, e ndjenim se njerzit na shikonin nga dritaret me drita të mbyllura. Njerzit e sigurimit të shtetit, me qëllim na shpunë natën në shtëpi. Megjithëatë, gjithë Cërriku e ka qarë atë vajzë! Aman në cermoninë e varimit, askush nuk guxoi të vijë. Në varrim isha unë, djali, nëna, dy vëllezërit e mi dhe një kunat,- 6 vetë. Më vonë, kur na takonin njerëzit e qytetit në rrugë apo në ndonjë vend që nuk binte në sy, na thoshin: “Na fal që s’të erdhëm në varim. Ne jemi njerëz, dhe e kuptojmë dhimbjen tuaj, po ti e di vet si janë këto punë!
Ju nuk mund ta përfytyroni dot se çfarë egërsie kish në atë kohë! Ju nuk mund ta merrni me mend se sa e fortë ishte lufta e klasave! Fushata kundër armiqve të partisë e të popullit, siç quheshim ne, ishte e madhe, në shtyp, në radio,në gazeta, në broshura e buletine, çdo orë, ditë për ditë. Në diktaturë, nuk mund të bëhet fjalë për marrëdhënie njerëzore.
Huazuar nga: BETI NJUMA dhe Biblioteka e Librave të Harruar


120331222_3445071472239333_7431319881210892439_n.jpg
 
Tek ne u vra e bukura ne çdo forme te saj.

Respekt respekt dhe vetem respekt per kete ZONJE!
 

Konkursi Letërsisë

  • Aeroporti i Zaventemit

    Votat: 6 54.5%
  • Të harrova, sepse të dua

    Votat: 5 45.5%
  • Vetëm …

    Votat: 4 36.4%

Theme Editor

Settings Colors

  • Mobile users cannot use these functions.

    Select View Mode

    Switch between full screen and narrow screen modes.

    Grid View

    Easily review content and get an organized view with grid mode.

    Image Grid Mode

    Display your content in an organized and visually rich way with background images.

    Sidebar Close

    Create a larger workspace by hiding the sidebar.

    Fixed Sidebar

    Ensure constant access and easily manage your content by pinning the sidebar.

    Box view

    You can add a box-style frame to the sides of your theme or remove the existing frame. Valid for resolutions over 1300px.

    Radius Control

    Customize the look however you like by turning the radius effect on or off.

  • Choose your color

    Choose the color that reflects your style and ensure aesthetic harmony.

Back