Atdheu në Las Vegas

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
img.php
Luljeta Lleshanaku​



Një prezantim i shkëlqyer i Shqipërisë dhe poezisë së Luljeta Lleshanakut në Universitetin e Las Vegasit. Poetja: “Direkt ose jo, secili nga ne është një produkt individual po aq sa edhe social dhe politik. Eshtë e pamundur të mos dallosh një kornizë social- politike, nëpërmjet një morie elementësh, mentalitetit dhe filozofisë që sugjerojnë poezitë.”

Para disa ditësh, në një nga sallat e mbledhjeve të Universitetit të Las Vegasit, u organizua prezantimi i poezisë së Luljeta Lleshanakut.
Salla ishte mbushur në mënyrë të pazakontë nga dhjetëra profesorë të UNLV-së, kritikë arti, njerëz të apasionuar pas poezisë, aktorë, etj. Ishin të pranishëm edhe disa shqiptarë me banim në Las Vegas që kishin ardhur të shoqëronin bashkatdhetaren e tyre.
Luljeta Lleshanaku është aktualisht duke punuar në Black Mountains Institute, në Universitetin e Nevadës, si pjesë e programit “Diana L. Bennett Felloë” me një bursë që ky Institut ofron për tre shkrimtarë të njohur dhe intelektualë me reputacion publik. Autore e disa vëllimeve poetike që kanë bërë emër në Shqipëri dhe jashtë saj, e pranishme në antologji të poezisë moderne shqipe në gjuhë të huaj, si edhe në disa antologji të poezisë botërore, autore e disa eseve të mrekullueshme të botuara në revista e gazeta prestigjioze të botës, Luljeta Lleshanaku u prit me kureshtje dhe interesim të veçantë, në UNLV. Këtu në SHBA ajo është prezantuar me një vëllim poetik “Fresco” si edhe me botime në një numër revistash amerikane, si psh. “Grand Street”, “Iowa Review”, “Quaterly West”, “Pool”, “New letters” etj.
Fjalën e rastit e mbajti Presidentja e Institutit Black Mountain Dr. Carol Harter, e cila e prezantoi Lleshanakun si një poete impresionuese, me mendim të thellë e finesë të mrekullueshme, si edhe autore të eseve letrare me interes të veçantë. Pas saj e kishte radhën Luljeta. Për mëse një orë ajo e mbajti sallën pezull me poezinë e saj befasuese, plot mendim të thellë dhe figura të pasura emocionale, tejet njerëzore.

Sapo e mori fjalën, ajo i bëri të njohur auditorit se i ishte kërkuar të jepte vetëm një lexim i cili do të zgjaste një orë, por ajo e kishte konceptuar prezantimin e saj si një kombinim të poezive me pamje dhe me muzikë nga atdheu i saj Shqipëria. Kështu, tha ajo, “nëpërmjet temperamentit të vendit nga ku unë vij, ju do të kuptoni më mirë poezitë e mia ose përmes poezive të mia do të kuptoni më mirë vendin tim.”
E mençur, me një anglishte të zhdërvjellët dhe me një humor të lehtë, Luljeta e drejton këtë orë krejt natyrshëm duke e orientuar lexuesin në zemër të poezive të saj. Studente të degës së teatrit, të udhëhequr nga pedagogu i tyre, aktori i mirënjohur, i skenës dhe ekranit, Michael Tylo (kujto interpretimet e tij në filmat e mirënjohur edhe në ekranin shqiptar, “Zorro”, “The Bold and the Beautiful”, “The young and the Restless” etj.), recituan poezi nga vëllimi “Fresco” botuar në Amerikë dhe poezi nga më të fundit të autores, nga vëllimi “Fëmijët e natyrës”.
Të përkthyera në anglisht, me pjesëmarrjen aktive të saj, poezitë e Lleshanakut tingëllojnë të mrekullueshme.Sytë e saj jeshilë e të mëdhenj marrin shprehje të ndryshme gjatë recitimit të poezive. Ata errësohen kur i bëjnë pyetje për të kaluarën e saj. Më kujtohet një thënie e kritikut amerikan të poezisë, Eliot Weinberger, për Luljeta LLeshanakun si “…një poete e re e cila duket sikur ka njëqind vjet që shkruan në një gjuhë që shkruhet vetëm prej njëqind vjetësh; një poete liriko-erotike në rrënojat e shtetit…Luljeta Lleshanaku është e vërtetë, dhe po kaq e paparashikueshme si një oaz pas një mali në Hënë.”
Poezitë që u lexuan i përkasin një tematike tejet të larmishme. Dhe ashtu siç thotë kritiku i mirënjohur Peter Constandine: “Një nga elementet që e dallon poezinë e Luljeta Lleshanakut nga të tjerat është mungesa e ndonjë komenti politik apo social. Larmia e pashoq e tematiks së poezisë së saj, që shmang reagimet sempliste ndaj të kaluarës së tmerrshme dhe të tashmes dhe të ardhmes së pasigurt, ndoshta përbën një nga cilësitë që iu siguron veprave të saj një vend ndër klasikët bashkëkohorë të letërsisë botërore. Ajo ju flet intimisht lexuesve, gjë që përbën tiparin dallues të poetëve të vërtetë, të aftë të tejkalojnë çdo kohë e kulturë.”
Dhe pikërisht, një nga pyetjet që iu drejtua poetes nga audienca kishte të bënte me faktin nëse e konsideronte ajo veten poete politike apo jo. “Direkt ose jo, secili nga ne është një produkt individual po aq sa edhe social dhe politik. Eshtë e pamundur të mos dallosh një kornizë social- politike, nëpërmjet një morie elementësh, mentalitetit dhe filozofisë që sugjerojnë poezitë. Vetëm se nganjëherë kjo është më e prekshme dhe nganjëherë jo.”
Luljeta e moderoi me shume kujdes gjithë këtë performancë, duke krijuar një lidhje logjike të natyrshme midis poezisë, relievit të bukur shqiptar dhe muzikës duke krijuar një sfond shumë interesant rreth poezise se saj. Unë kam fatin të jem ulur në sallë pranë studiuesit të njohur amerikan Dr. R. Baird Shuman. Ai ndjek me vëmendje të veçantë gjithçka, përpin çdo varg, çdo fjalë dhe në përfundim shprehet: “Ishte një aktivitet i jashtëzakonshëm dhe një prezantim i shkëlqyer i poezisë së Luljeta LLeshanakut.”

Minutat ikin pa u ndier dhe ora tashmë ka kaluar. Flasin profesorë të ndryshëm, poetë (të më falë lexuesit që nuk i di emrat e tyre) dhe të gjithë vijnë në një emërues të përbashkët: “Luljeta Lleshanaku na flet të gjithëve me një botë të pasur shpirtërore dhe një talent të spikatur. Poezia e saj është befasuese dhe të mbetet në mendje.”
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 25.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 12.5%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 6.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 18.8%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 12.5%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 25.0%
Back
Top