Arrestimi i ish-ministrit peruan

BoOoMBaStiCk

Il Silenzio
V.I.P
To view this content we will need your consent to set third party cookies.
For more detailed information, see our cookies page.



Mediat peruane shkruajnë se është arrestuar në Shqipëri nga Interpol Tirana për llogari të SHBA-ve Manuel Augusto Blacker Miller ish-ministri i Jashtem i ish-Presidentit Fuxhimori, i përfshirë në një grusht shteti në vitin 1992.

Gazetat e vëndit amerikano-latin nuk citojnë burimin e këtij lajmi, por vetëm arrestimin duke e veshur me mister këtë ngjarje. Misteri i këtij lajmi shtohet akoma më shumë, pasi burime zyrtare nga Ministria Brendshme i thanë Top-Channel se lajmi nuk është i vërtetë dhe se Interpol Tirana s’ka arrestuar ndonjë person me këtë emër.

Sakaq deputeti socialist Erjon Braçe në faqen e tij në Facebook akuzon direkt kryeministrin Berisha së është përfshirë në mbrojtjen e ish-ministrit të jashtëm të Perusë. Madje sipas Braçes kryeministri Berisha e ka strehuar, e ka mbrojtur, e ka pritur e ka mbështetur dhe i ka ngritur dy biznese dy hapa larg selisë së qeverisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Për deputetin Braçe mohimi arrestimit të Miller në vendin tonë, lidhet pikërisht me mbrojtjen e drejtëpërdrejtë që gëzon ky person nga kryeministri Sali Berisha. Erjon Braçe në Facebook shkruan se ka prova që faktojnë lidhjet e Manuel Augusto Blacker Miller me qeverinë shqiptare.

“Më 28 Korrik 2012 , ish-ministri i Jashtëm i Perusë, i kërkuar nga Interpoli ka krijuar në Tiranë kompaninë e tij Apollonia Investments, ku Miller zotëron 80% të aksioneve”.
Po sipas deputetit socialist fusha e investimit të Manuel Augusto Blacker Miller lidhet me ngritjen e një impianti për djegien e mbetjeve në hyrje të qytetit të Fierit, të prezantuar në Qeverinë e Sali Berishës, Ministrinë e Mjedisit, Bashkinë e Fierit.

Braçe më tej sqaron se impianti ka kapacitetin e një përbindeshi dhe do të furnizohet nga importi i plehrave, por ndërtimi i impiantit është penguar nga rezistenca e këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak të Fierit dhe nga deputetët socialistë në atë qark.

Sipas Braçes, ish-ministri peruan, të pakten deri në fund të vitit që shkoi, ka qenë në Shqipëri.

Reagon Kryeministria: Shpifje!

Pas deklarimeve të deputetit Braçe reagoi këshilltarja e kryeministrit, zonja Suzana Guxholli e cila thotë se mediat e kontrolluara nga Edi Rama dhe ndonjë shpifës i paguar prej tij, mashtrojnë opinionin publik lidhur me arrestimin nga Policia e Tiranës të Manuel Augusto Blacker Miller, ish-minister i Jashtëm i Perusë i kërkuar nga Interpoli.

Kompania në fjalë në mënyrën më këmbëngulëse dhe të përsëritur është rekomanduar nga Kryetari socialist i Bashkisë së Fierit zoti Baftjar Zeqo jo me një, por me disa letra drejtuar kryeministrit, por dhe me mesazhe sms, thotë zonja Guxholli.

Më tej ajo sqaron se nëpërmjet letrave dhe mesazheve këmbëngulëse të vazhdueshme Kryetari socialist i Bashkisë së Fierit Baftjar Zeqo i kërkon kryeministrit mbështetje për projektin e kësaj kompanie.

“Zoti Zeqo thekson në letrat dhe mesazhet e tij se ka mëse dy vjet që bashkëpunon në mënyrë të suksesshme me këtë kompani për realizimin e projektit të saj në qytetin e Fierit. Në këtë kuadër, pas kërkesës së drejtuar kryeministrit nga zoti Baftjar Zeqo dhe përfaqësues të kësaj kompanie, përfaqësues të saj janë pritur në takim nga këshilltarja e kryeministrit për çështjet ekonomike, Suzana Guxholli, rregull ky i pandryshuar në të gjitha kërkesat e autoriteteve vendore apo kompanive të biznesit, të cilët më pas drejtohen në institucionet përgjegjëse sipas fushave të projekteve”, thuhet në reagimin e Kryeministrisë.

Braçe reagon sërish

Deputeti socialist Erjon Braçe ka reaguar pas deklaratës së Kryeministrisë në lidhej me lajmin për arrestimin e ish-ministrit të Jashtëm peruan.

Sërish në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Braçe thotë se deklarata e lëshuar nga qeveria vërteton se ish-zyrtari peruan ndodhet në Shqipëri dhe në gjendje të lirë.

"Më duhet t'i përgjigjem Sali Berishës lidhur me skandalin e ish-Ministrit të Jashtëm të Perusë, i kërkuar nga Interpoli. Kryeministër, sapo ju degjova të pohoni: Së pari, ish-Ministri i Jashtëm i Perusë ndodhet në Shqipëri, i lirë dhe së dyti: ish-Ministri i Jashtëm i Perusë është pritur në Kryeministri nga zonja Guxholli për një projekt biznesi. Kryeministër a mund t’i dëshmoni shqiptarëve se si një ish-ministër i kërkuar nga Interpoli hyn në Selinë e Qeverisë dhe madje pritet aty në një takim zyrtar biznesi?! Madje të marrë mbështetje aty për biznesin e tij. Si mundet?”, shkruan Braçe.

Deputeti socialist thotë se ai, deputeti i Fierit, Albert Caci, nënkryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi dhe deputeti Besnik Bare me mbështetjen e plotë të pjesës tjetër të Partisë Socialiste, kanë 4 muaj që e hetojnë këtë çështje.

Braçe shton se pikërisht për shkak të këtyre dyshimeve, socialistët bllokuan projektin për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve.

“Kryeminister ai e ka regjistruar biznesin fill pasi t’i miratove ligjin për importin e plehërave e pasi ai hyri në fuqi”, deklaron deputeti Braçe.

Policia: S’e kemi arrestuar. S’është i kërkuar ndërkombëtar

Edhe Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me lajmin për arrestimin e ish-ministrit peruan, Blacker Miller. Në një deklaratë për shtyp, Policia e Shtetit sqaron se nuk ka arrestuar shtetasin Augusto Blacker Miller. Uniformat blu shtojnë se ky person nuk rezulton në listën e personave të kërkuar ndërkombëtarisht.

Sqarimi i Bashkisë së Fierit

Me anë të një deklarate për shtyp Bashkia e Fierit sqaron se kompania “Apollonia Investments”, drejtuar nga shtetasi Manuel Augusto Blacker Miller, regjistruar në Shqipëri, është paraqitur tri muaj më parë në Bashkinë Fier me ekstrakt të QKR për një projekt mbi ndërtimin e një impianti të përpunimit të mbetjeve urbane.

Ky projekt iu prezantua ekzekutivit dhe Këshillit të Bashkisë dhe gjatë kohës që vazhdonin negociatat, Bashkia Fier e rekomandoi kompaninë në fjalë që të pajisej me lejen e qeverisë shqiptare, ashtu sikurse ligji e parashikon.

“Bëjmë me dije se projekti që i është paraqitur ekzekutivit të Bashkisë Fier është paraqitur po ashtu edhe në ministritë përkatëse si dhe kryeministri. Bashkia Fier, si një ndër njësitë vendore me transparencë të plotë me qytetarin dhe në kërkim të investimeve serioze për qytetin ka mirëpritur të gjitha kompanitë e interesuara për të investuar në Fier”, thuhet në komunikatën e Bashkisë së Fierit. /TCH
 
Back
Top