Arratisja e vrasësit, zbulohet makina

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
Policia gjen furgonin e braktisur me të cilin u arratis nga vendi i ngjarjes Bashkim Qefalia, autori i vrasjes së një personi dhe plagosjes së dy të tjerëve dy ditë më parë në afërsi të Doganës së Tiranës.Automjeti me të cilin autori është larguar nga rrethrrotullimi i Doganës, ku kreu vrasjen është gjetur i braktisur në afërsi të ish-uzinës “Dinamo”. Mjeti është gjetur aty nga policia, e cila fiksoi disa gjurmë gjaku në makinë. Bashkim Qefalia, i dyshuari kryesor i vrasjes së 26-vjeçarit Artan Allushi nga Zall-Herri, së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij, kanë fshehur në disa rrugica më shkurre fugonin që përdorën për t’u arratisur pas krimit. Burimet nga policia thanë për gazetën “Panorama” se në automjet janë gjetur njolla gjaku, çka hedh dyshime se autori i vrasjes mund të jetë plagosur gjatë përleshjes që ndodhi me palën kundërshtare para vrasjes. Bashkim Qefalia, 39 vjeç, dyshohet se mund të ketë marrë plagë të rënda në kokë, gjatë goditjes me shkopinj bejsbolli, para se të kryente vrasjen e Artan Allushit dhe plagosjen e Kujtim e Nertil Allushit.
HETIMET
Oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë tentuar disa herë, që të marrin në pyetje të plagosurit që ndodhen në Spitalin Ushtarak. Megjithatë, të mbijetuarit kanë refuzuar të japin sqarime rreth ngjarjes. Të vetmet dëshmi që kanë ndihmuar policinë për të ngritur pistat e hetimit, kanë qenë deklarimet e dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, në momentin kur ka ndodhur përleshja. Debati me zë të lartë mes viktimës, të plagosurve dhe autorëve të ngjarjes, sipas dëshmitarëve bënte fjalë për një konflikt familjar. Në këtë pistë po hetojnë edhe oficerët e policisë së Tiranës, që po merren me zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur të dielën. Policia tha se ka shoqëruar disa të afërm të së dyja palëve, të cilët kanë qenë në dijeni të konfliktit mes fiseve Allushi dhe Qefalia. Në bazë të deklarimeve të tyre, mësohet se Bashkim Qefalia kishte ngacmuar kushërirën e viktimës, Artan Allushit, vajzën e Kujtim Allushit, i cili gjithashtu mbeti i plagosur nga ngjarja e dy ditëve më parë. Sipas policisë ky ka qenë shkaku që mes tyre ka nisur debati mesditën e së djelës, teksa ata kanë qenë duke udhëtuar paralelisht me makina në drejtim të Kamzës. Fillimisht debati ka nisur në distancë mes Allushit dhe Qefalisë, teksa makinat kanë qenë në lëvizje. Më pas të dyja palët kanë zbritur nga makinat dhe kanë filluar të fyejnë dhe të kërcënojnë njëri-tjetrin, duke vazhduar me grushte dhe shkopinj bejsbolli. Nga goditjet ka mbetur i plagosur Bashkim Qefalia, i cili më pas ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të viktimave.
AUTORET
Sipas dëshmitarëve kanë qenë tre persona, të cilët kanë marrë pjesë në vrasjen e së dielës. Njëri nga ata, Bashkim Qefalia, është personi që ka shkrepur armën, ndërsa dy të tjerët e kanë ndihmuar. Menjëherë pasi kanë kryer krimin, të tre të dyshuarit kanë hipur në fugonin, i cili bënte linjën Kamëz-Zogu i Zi dhe janë larguar në drejtim të Babrrusë. Policia ka gjetur të braktisur automjetin e tyre, në afërsi të ish-uzinës Dinamo, ndërkohë që ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve.


Vëllai i autorit: Qe grindje çasti,Bashkimi e viktimat e dinë më mirë

TIRANE - Banesa e Bashkim Qefalisë, të dyshuarit si autori i vrasjes së Artan Allushit, dje ishte tejmbushur nga njerëzit. Në katin e dytë të banesës ishin mbledhur të gjithë burrat e fisit, të cilët diskutonin ngjarjen. Pas trokitjes së gazetarëve në portën e banesës së tyre, ata u treguan të rezervuar duke pretenduar se nga ato pak gjëra që kishin mësuar rreth krimit që tronditi kryeqytetit, dinin që gjithçka kishte qenë një grindje e çastit. “Mund të ketë qenë grindje çasti, por ne nuk dimë gjë për këtë. Të vetmit që e dinë janë Bashkimi dhe dy të plagosurit. Kaq sa po iu themi i kemi dëgjuar nga mediat dhe policia. Ne nuk kemi asnjë informacion më tepër, apo të marrë në rrugë të tjera”, -pohoi Astriti, vëllai i të dyshuarit si autor i ngjarjes. Familjarët e tij nuk preferuan të jepnin shpjegime rreth ngjarjes, të cilën e quajtën fatkeqësi, ndërkohë që ato momente në banesën e tij vinin njerëz për vizitë. Po kështu ata nuk dhanë informacione nëse ndonjë prej tyre kishte komunikuar me Bashkimin pas krimit apo jo, për më tepër që dihet se ai ka qenë i plagosur si pasojë e grindjes me tre anëtarët e fisit Allushi. Ende nuk dihet nëse Qefalia është drejtuar në ndonjë spital për të marrë mjekime, si pasojë e dhunës apo është mjekuar vetë. Ajo që dihet është fakti se ai ka marrë dëmtime të rënda në kokë si pasojë e goditjes me mjete të forta. Ndërsa familjarë të tjerë, të cilët u treguan më të rezervuar vendosën të mos flitnin asgjë në lidhje me ngjarjen duke pretenduar se bezdiseshin nga prania e medias, duke ndaluar çdo lloj komunikimi të anëtarëve të familjes me përfaqësuesit e mediave. Por edhe pas shpjegimeve të gazetarëve për arsyet e vizitës në banesën e tyre, familjarët e Bashkimit pohuan se nuk preferonin të prononcoheshin. Banesa e familjes Qefalia ndodhej në Kodër-Babrru, jo shumë larg rrugës kryesore të fshatit. E ndërtuar vitet e fundit ajo nuk kishte mundur të përfundohej. Kati i parë kishte mbetur vetëm me kolonat e betonta, po kështu dhe papafingoja. I vetmi kat që ishte rregulluar disi ishte kati i dytë ku jetonin familja e Bashkim Qefalisë. Familjarët pohuan dje se nuk kanë informacione për vendndodhjen e tij, ndërsa policia e ka shpallur në kërkim
*panorama*
 
Back
Top