Armik

Aver

.
V.I.P
Nga Edison Ypi

S’ishte fjalë, s’ishte cilësim. Ishte kuçedër e kudondodhur që kafshonte, gjarpër që rrëshqiste e helmonte, hije që hynte e dilte, fantazëm që s’dukej dhe s’kapej por të çonte në internim, burgosje, litar, pushkatim.

I qetë pranë dritares duke vështruar socializmin që ndërtohej dhe Shqipërinë që shkatërrohej, ose i tërbuar duke çjerrë fytyrën nën jorgan para se të zinte gjumi a duke përplasur kokën pas muri në ndonjë skutë ku s’të shihte kush, mund të lodheshe me vite e vite t’ja jepje një kuptim asaj murtaje vrastare. Ishte e pamundur. Sa më hollë ta mendoje, aq më tepër trashej mjegulla, aq më thellë ngecje nëpër labirinte, dhe ç’ishte më e keqja, të tilla meditime pakngapak bënin armik.

Cilësimin llahtarisës të pakonkurrueshëm me asnjë makabritet verbal, ekuivalent me vuajtjen e pafundme, burgosjen ose vdekjen, dukej sikur e kishin shpikur dhe sanksionuar mes kafshimesh reciproke pesqintë djaj mbledhur kokëmëkokë në një shpellë për pesqint vjet rrjesht.

Halli ishte se nuk mund ta dije nëse armik ishe apo armik s’ishe.

Ishte diçka që mendja nuk e rrokte.

Arsyet për të qënë dhe për të mos qënë, ishin sa zero aq dhe të panumurta.

Kishte zyra ku zagarët shkonin thoshin se filani apo fisteku është armik, nuk ja do të mirën klasës puntore, duhet futur në burg, dhe dëshira e zagarëve plotësohej menjëherë pa asnjë mëdyshje, pa asnjë verifikim. Por s’kishte asnjë zyrë, a të paktën komitet, ku të veje të pyesje; Shoku Jani, j’u lutem më thoni, jam apo s’jam armik ?

Nëse do bëje gabimin që në mungesë të shokut Jani dhe zyrës së tij të pyesje ndonjë shok a mik tëndin, bije nga shiu në breshër dhe nga breshëri në kercunj. Shoku a miku që deri në atë çast të ishin dukur çuna të mirë, ishin më zi se shoku Jani. Në vendin ku falë vigjilencës popullore armiqtë ishin të gjithë në burg, si mund të dyshoje tek vetja në ishe a s’ishe armik ? Këtu duhet ndalur. Kjo ha diskutim. Këtu ka një problem. Nga frika se po e provokoje, shoku a miku ngrinte jakën e xhaketës a të palltos, merrte frymë thellë, dhe ikte vrap të spiunonte për mungesë vigjilence ndaj vetes, dhe kishe marrë fund si armik me lakra në kokë.

Gjatë dilemës rrënqethëse nëse ishe a s’ishe, një herë të dukej se nuk kishe arësye të ishe, dhe qetsoheshe, të dukej sikur gëlltitje një aspirinë dhe pas pak do ndjeheshe më mirë. Por pas një çasti të kapnin përsëri të dridhurat. Të dukej se nuk kishe asnjë arsye të mos ishe, dhe të kapte një ankth që s’ta hiqte dot asnjë farmaci.

Ishe pra i dënuar të mos e dije nëse ishe apo nuk ishe armik.

Por për të vazhduar të gjalloje deridiku i orientuar duhej gjithsesi ta dije njëfarsoj nëse ishe apo s’ishe.

Dukej sikur në këto kushte e vetmja gjë që mund të bëje për ta shmangur dilemën sfilitëse të të qënit apo mosqënit armik, ishte të tkurreshe e tkurreshe pafund derisa, jo të mos ekzistoje, ç’ësht’ ajo fjalë, të vazhdoje të ekzistoje për të mirën e popullit dhe të partisë, por jo më i madh se sa një pikë pa përmasa.

Por edhe pika pa përmasa s’ishte zgjidhje. Se sa më i mbyllur e i heshtur të ishe aq më tepër dyshime ngjallje. Për punë armiqësore, qëndrim armiqësor, të damkosnin dhe të burgosnin edhe po të mos thoje asnjë fjalë, mos ta hapje gojën kurrë, madje si misterioz apo i pazbërthyeshëm, më tepër në këto raste.

Ndërkohë gjalloje, dhe armik mund të ishe, por nuk e dije, po ashtu, si frikacak ekstrem, armik mund të mos ishe por kujtoje se ishe. S’kishte asnjë rëndësi si të dukej vetja ty. E rëndësishme ishte nëse, për arësye nga më të ndryshmet, dikujt i tekej ta thoshte a të mos e thoshte, të damkoste apo të mos damkoste si armik.

Mund t’i shtrëngoje dhëmbët dhe nofullat sa t’i thyeje, nuk i shpëtoje dot dyshimit që u rrinte mbi krye çdo çast të gjithëve.

Askush nuk e dinte se çfarë duhet të bënte ose të mos bënte që të mos ishte dhe të mos dyshohej se ishe.

Askush nuk e dinte gjithashtu se çfarë kishte bërë a çfarë s’kishte bërë, që ishte.

اfarë të bëjë, ose të mos bëje, para kësaj dileme ?

Të ishe por të fshiheshe, ishte e pamundur, të gjenin në brimë të miut.

Të mos ishe dhe të thoshe s’jam, s’e hanin atë kokërr caraci.

Në të dyja rastet dhe të gjitha nënrastet, pas etiketimit që ishte gjëja më e kollajtë, vinin të hidhnin hekurat. Si “armik i ndreqshëm” drejt e në internim ose burg. Si “armik i pandreqshëm” me pushkatim ose litar.

Kur mund të ishe ? as këtë s’e gjeje dot.

Të kishe qënë në një kohë të kaluar pa e ditur as vetë, ishte e mundur, por e pabesueshme.

Mund të ishe në të tashmen, por nuk gjeje dot arsyen, dhe rrije me gjak të ngrirë me sot me nesër kur po vinë të më ngrenë.

Mund të mos kishe qënë në të kaluarën, e as në të tashmen, s’do të thoshte se s’do të ishe në të ardhmen, se ku i dihej, rrugët e armikut janë më të pafundme se rrugët e Zotit.

Të gjithë ishin, dhe askush nuk ishte.

Askush nuk ishte e megjithatë të gjithë ishin.

Lodhjet për ta gjetur me mendje pse vallë e kërkonin me kaq ngulm armikun, të fusnin në bodrumin paradoksal; Duan të kenë sa më tepër armiq.

Këshilla e ndonjërit; Hë mo dhe ti ç’e vret mendjen kot, rri urtë, qepe gojën, ule kokën, puno, dhe je në rregull, s’ishte zgjidhje. Të shumtit që përfundonin prapa hekurave ishin pikërisht ata që qepnin gojën.

Vërsuleshin me më tepër vrull ta gjenin armikun atje ku s’ishte se atje ku ishte. Dukej e çuditshme por ishte e arsyeshme përderisa ku ishte ishte dhe s’kishe ç’i bëje, ndërsa atje ku s’ishte, mund të dukej sikur s’ishte, por ishte dhe fshihej.

Kur s’e gjenin dot as atje ku ishte as atje ku s’ishte, jo rrallë i vërsuleshin njëri-tjetrit.

Jeta rrezëllinte, plani tejkalohej, suksest s’numuroheshin, ushtria stërvitej, kufitarët vigjëlonin, spiunat spiunonin, proletarët korrnin fitore, ata që ishin në burg riedukoheshin, armiqtë shtoheshin.

“Armik” ishte një oqean i pafund dallgët e të cilit përplaseshin të gjitha në një vend, në burg.

botasot.info
 
Back
Top