Armë për Gedafin, New York Times ‘përplaset’ me ministrin Imami..

Love

βeℓℓe â๓e
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, deklaroi dje se Shqipëria nuk i ka shitur arme Libisë së drejtuar nga Gedafi, por vetëm në tregjet e lejuara dhe jashtë embargos ndërkombëtare. Gjatë analizës së fundvitit, Imami tha se shitja e armëve ka ecur me ritme shumë të mira, por shkrimet e gazetave dhe zhurma mediatike në përgjithësi ka dëmtuar këtë proces. “Në fillim të vitit u hap problemi i Libisë. Në fakt ushtria shqiptare, Ministria e Mbrojtjes nuk ka shitur asnjë armë në Libi. Ne gjithçka që kemi shitur e kemi pasqyruar në mënyrë transparente në Agjencinë e Kontrollit që është për këtë çështje (AKSHE), raport i cili botohet nga OKB-ja. Në fakt zhurma e bërë këtu brenda për këtë çështje ndikoi negativisht në shitje. Në qoftë se gjatë vitit të kaluar ne kemi shitur rreth 4 mijë ton municione, këtë vit jemi më pak se 2500 ton”,- tha Imami.

1-300x268.jpg


Por në mars të këtij viti ministri Imami ka thënë të kundërtën. I thërritur në Komisionin Parlamentar të Sigurisë ai është përfshirë në një debat të ashpër me përfaqësueist e opozitës, të cilët e kanë akuzuar se rreth 150 mijë predha janë rimbushur në Malin e Zi me barut iranian dhe i janë shitur Gedafit. Deputetët e Partisë Socialiste akuzuan qeverinë se ka kryer tregti të paligjshme armësh me vende, të cilat janë në embargo dhe për lidhje me sekserin Damir Fazlliç, një emër ky i përfolur pas tragjedisë së Gërdecit. Por ministri i Mbrojtjes u shpreh se Shqipëria nuk ka shkelur ligjet ndërkombëtare dhe se çdo kontratë e nënshkruar ka qenë në përputhje të plotë me ligjet dhe transparente. Sipas tij, nuk është bërë asnjë tregti e paligjshme me vende që mbështesin terrorizmin dhe se gjithçka ka kaluar përmes Autoritetit të kontrollit shtetëror të eksporteve.

atwar-chivers-qaddafi-arms-3-blog480-300x199.jpg


“Fakti që ne ju kërkuam sqarime ka të bëjë me atë që ne kemi dyshime të forta që baruti i importuar nga Serbia dhe Irani është përdorur për të rimbushur predhat, të cilat janë importuar në Mal të Zi, por që në fakt nuk kanë shkuar atje. Ato kanë përfunduar në portet e Libisë. Ju keni një agjenci në Durrës, e cila kontrollon të gjitha lëvizjet jo vetëm brenda territorit tonë, por në tërë Mesdheun. Duam të dimë dhe të na sqaroni se në çfarë destinacioni ka përfunduar anija, e cila ka pasur në bordin e saj 150 mijë predha mortajë”, – ishte akuza e deputetit Gjoni. “Ajo që ju thashë, zoti Gjoni, lidhet me faktin se jo gjithçka që thuhet në media. Libia nuk ka qenë nën embargo dhe nuk ka pasur as një arsye për të bërë tregti të paligjshme dhe këtu nuk flas vetëm për periudhën time. Kontratat që ne kemi janë të gjitha këtu, të cilat raportohen dhe për çdo “end-user” dhe për çdo kompani ndërmjetëse “SHIU”, “SHISH” dhe ‘AKSHE”-ja dhe shërbimet tona të tjera konsultohen edhe me shërbimet partnere. Ministria e Mbrojtjes nuk i ka shitur armë dhe municione një vendi nën embargo, nuk i ka shitur armë dhe municione një vendi terrorist apo që e mbështet”,- ishte përgjigjja e Imamit.

atwar-chivers-libya-weapons-tmagSF-200x300.jpg


Skema shtetërore për shitjen e municioneve

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka paraqitur disa muaj më parë në komisionin e Sigurisë Kombëtare të dhënat e shitjes së armëve dhe municioneve nga shteti shqiptar ku bien në sy transaksione me disa shtete në konflikt si Libia, Jemeni apo Burundi. Mes tyre ndodhen edhe të dhënat për kontratën me Efraim Diverolin ku shteti shqiptar i shiti 200 mijë fishekë kinezë sikur të ishin prodhuar në Hungari.

atwar-chivers-qaddafi-arms-blog480-300x199.jpg


Të dhënat e ministrisë tregojnë se në gjashtë muajt e parë të vitit 2009 ne kemi zhvilluar tregti intensive me Malin e Zi ku kemi shitur mitraloz të rëndë trekëmbësh. Në të njëjtën periudhë kohore Shqipëria i ka shitur armë Republikës së Burundit dhe Jemenit. Në Republikën e Burundit ne kemi dërguar fishekë “12.7 mm” blind-shpues dhe blind-djegës. Në Jemen kemi dërguar fishekë “12.7 mm” dhe predha mortaje. Po në këtë dokument pranohet edhe çështja e predhave që janë rimbushur në Malin e Zi dhe më pas janë dërguar në Libi. Më datë 28 dhjetor 009 ne kemi firmosur kontratën për shitjen 150 mijë copë predha mortaje “82 mm”. Këto predha janë të prodhuara në vitet 80’- 85’ dhe 86’-90’. Informacionet e mëtejshme tregojnë se duke u cilësuar si të vjetruara, ato janë zbrazur nga baruti i vjetër shqiptar dhe janë rimbushur, këtë herë me barut serb dhe iranian. Më pas predhat i janë rishitur Libisë nga Mali i Zi. Duke qenë se teknikisht nuk është e njëjta predhë (i është ndërruar baruti), kontrata “end user” me Malin e Zi nuk ishte më në fuqi. Kjo skemë ka funksionuar edhe në vitin 2010 ku Malit të Zi i janë shitur sërish predha mortaje. Në vitin 2010 ne kemi shitur sërish predha mortaje dhe fishekë në Jemen duke përdorur Malin e Zi si vend transiti.

Ushtria nxjerr gjithçka në shitje

Krahas demontimit të armëve, Ministria e Mbrojtjes ka vendosur që të nxjerrë në shitje pajisje të ndryshme ushtarake, të cilat sipas gjykimit të tyre, nuk i shërbejnë më punonjësve të kësaj ministrie. Detajet e kësaj nisme janë bërë të ditur dje nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili gjatë analizës vjetore të punës së kryer nga institucioni që drejton, sqaroi se “viti 2011 ka qenë themelorë për identifikimin, grumbullimin dhe përcaktimin e procedurave për heqjen e të gjitha materialeve të tepërta, të cilat janë një pengesë e madhe”. Për të bërë një inventar të sendeve që zotërohen nga kjo ministri, Bordi për Trajtimin e Pajisjeve dhe Materialeve të Tepërta ka listuar të gjithë ato materiale që nuk i shërbejnë Forcave të Armatosura dhe ka filluar evadimi i tyre. Jo të gjitha materialet e evidentuara të tepërta do të shiten, një pjesë do të asgjësohen dhe një pjesë do të konservohen në magazina të përqendruara. Nga ana tjetër, ministri Imami siguroi se “2012-ta është 100-vjetori i themelimit së Forcave të Armatosura dhe si i tillë ai do të jetë një vit model në të gjitha drejtimet.

“Ky vit do të shënojë edhe heqjen përfundimtare të të gjitha materialeve që janë tepër nevojave të Forcave të Armatosura. Gjatë 2011-ës është përvijuar një reformë e plotë legjislative, ndërsa gjatë vitit 2012 do ta përfundojmë këtë reformë me të gjitha aktet e nevojshme ligjore dhe nënligjore, ku do të përfshihen gradat, karriera e ushtarakëve, ligji për autoritetet e komandimit, riorganizimi i përfaqësive dhe të atasheve tanë ushtarakë jashtë vendit dhe fusha të tjera që mbulojnë legjislacionet në fuqi dhe që varen nga Ministria e Mbrojtjes”, – tha ministri i Mbrojtjes. Ai ka paralajmëruar një reformë gradash në Forcat e Armatosura duke ndryshuar edhe mënyrën se si bëjnë karrierë ushtarakët. Skema e plotë e reformës së gradave në ushtri do të bëhet publike në fillim të vitit të ardhshëm. Në listën e gjatë së pajisjeve ushtarake që do të shiten nga Ministria e Mbrojtjes përfshihen edhe mjete si Avionët Mig 17, 19, 21, helikopterët, tanket, anijet dhe nëndetëset.

Kemi për të hequr edhe 38 mijë tonë municione

Shqipëria ka edhe 38 mijë ton municione të vjetra për të demontuar gjatë dy viteve të ardhshme. Gjatë analizës vjetore të punës së Ministrisë së Mbrojtjes, Ministri Arben Imami deklaroi se gjatë viteve të fundit janë eliminuar shtatë depo armatimi të cilat sipas tij kanë ulur shpenzimet e ministrisë për ruajtjen e tyre. “Mbeten për tu demontuar edhe 38 mijë ton municione të tepërta, që janë parashikuar të asgjësohen në dy vitet e ardhshme”, deklaroi Imami. “Prej pothuajse tre vitesh, ne jemi në garë me standardet që i përcaktuam vetvetes për demontimin e municioneve të tepërta. Nëse gjatë vitit 2010 arritëm të demontojmë 20.653 ton municione, ose rreth 3.2 herë më shumë se në vitin 2009, gjatë vitit 2011 janë demontuar 26.500 ton, çka përbën një shenjë garancie për realizimin e objektivit për ta mbyllur brenda vitit 2013 çështjen e demontimit të municioneve të tepërta”, tha Imami. Sipas Ministrit të Mbrojtjes, rrezikshmëria për popullsinë civile është zero pasi depot në afërsi të zonave të banuara nuk ekzistojnë. Për ministrin asgjësimi i municioneve në poligone të hapura, ka qenë brenda të gjitha normave të sigurisë dhe garantoi përfundimin e këtij procesi brenda vitit të ardhshëm. Ministri ka dhënë dy data të ndryshme për mbylljen e procesit të demontimit të armëve, vitin 2012 dhe vitin 2013.

Por shifra të tjera jepen nga anëtarët e Komisionit Parlamentar të Sigurisë. Aktualisht, Shqipëria sipas deklaratave në Komisionin e Sigurisë ka demontuar 50 mijë ton municione.


NYT: Arka më armë nga Shqipëria, të maskuara si “pjesë traktori”

Gazetari i njohur i Nju Jork Tajms, Christopher John Chivers, që ka raportuar skandalin e shitjes së armëve shqiptare në Afganistan, ka shkruar në mars të këtij viti, për armët shqiptare për Gaddafin. Në shkrim thuhet se armët shqiptare të mbledhura me shumicë nga ish-regjimi para 90-s, sot nxjerrin fitime të mëdha në pazarin ndërkombëtar të armëve e ndërkohë qeveria shqiptare jo vetëm është përfshirë direkt në këto trafiqe nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, por vendi ynë gjithashtu ka vënë emrin e tij në dispozicion të trafikantëve të armëve nga Europa Lindore, veçanërisht Serbia. Lehtësues i kësaj tregtie ka qenë MEICO. Armët janë shitur shpesh përmes një sekseri serb, i kërkuar për trafik ndërkombëtar armësh. Gazetari amerikan shkruan se është e lehtë të kuptosh se çfarë reputacioni ka MEICO sa i përket korrupsionit dhe trafiqeve, duke përmendur shkrimin e tij për trafikun e armëve në Afganistan. Ndaj këtij shkrimi kryeministri i Shqipërisë pati reaguar duke e quajtur gazetën “Nju Jork Tajms” letër higjienike. NYT citon edhe dy investigime të gazetës “Shekulli”.
Më poshtë, shkrimi i plotë i C.J.Chivers.

Po dalin në dritë pazaret e armëve të Gedafit

Nga Chris J. CHIVERS

New York Times / Mars 2011


Me krerët e shtetit të lidhur ngushtë me tregtinë e armëve të nëndheshme, Kolonel Muammar el-Gaddafi ka qënë prej kohësh një rast i veçantë studimi. Xhepat e tij të thellë me të ardhurat nga nafta janë kombinuar me ambiciet e tij për të qënë ndërmjetës rajonal. Ka spikatur me rolin e tij herë të dukshëm e herë jo, si përkrahës i lëvizjeve nacionaliste diku tjetër. Këto rrethana e kanë bërë një figurë të shquar në lojën e tij (si hije) të vazhdueshme.

chris-j-chivers-1008-lg-230x300.jpg


Hidhini një sy fotografisë së këtij shkrimi. Ajo tregon arka që kanë shenjën “Pjesë traktori”. E dini çfarë? Nuk ka diçka të tillë brënda. Pjesë traktori, jo njëherë.. Vetëm nëse ju e konsideroni një eksploziv “Katyusha 107 mm” si pjesë traktori. Shikoni edhe pjesën tjetër të printuar: “GSPLAJ”. Kjo është për “Xhamahirinë e Madhe Socialiste Popullore Arabe të Libisë”, (Great Socialist People’s Libyan Arab Jamahiriya) emri zyrtar i Libisë nën sundimin e kolonel Gedafi-t. Kjo foto tregon municione të konfiskuara në Kongo në vitin 2007, në posedimin e një grupi rebel, lideri i të cilëve është nën hetim për krime lufte.

Gjatë viteve, shumë armë kanë rrjedhur brenda dhe jashtë Libisë së Kolonel Gaddafit, ndonjëherë në mënyrë të hapur dhe ndonjëherë me anë të dredhive. Qeveria e tij ka ndihmuar Idi Amin për luftën dhe represionin në Ugandë, dhe ka iu dërguar armë edhe luftëtarëve në Palestinë, Irlandë, etj. Kur është konveniente, bëhet edhe klient i Kremlinit, madje futet në tregtinë e armëve me rregullat sovjetike të Moskës bashkë me klikën e ish KGB-së të cilët drejtojnë sot Rusinë. Por Kremlini e ka të vështirë të jetë i vetëm në ushqimin e tubacionit libian të armëve. Ndaj qeveria e Gedafit ka blerë gjerësisht armë edhe nga Kina dhe nga ish-satelitët socialistë.

Do t’ju rikthehemi “pjesëve të traktorit” në fund të këtij artikulli. Por më parë le të hedhim një sy në artikullin e gazetës “Shekulli” në Tiranë, Shqipëri, e cila në 27 shkurt publikoi një grup akuzash të reja në lidhje me lëvizjet e paligjshme të armëve në Libi. Detajet lidhin dërgesën vitin e kaluar të një anije mallrash e cila mbante mortaja 82-mm, të marra nga depot e Qeverisë Shqiptare dhe të dërguara në portin Ras Lanuf, ku luftimet midis rebelëve libianë dhe lojalistëve të Gedafit kanë qënë nën proces prej ditësh.

Artikulli i Shekullit është një shkrim investigues nga një reporter nga Tirana i cili shpesh ka mbuluar tregtinë e armëve, Gjergji Thanasi. Artikulli ofron një pamje të pastër të asaj që shihet si bashkëpunim shqiptar me kontrabandistë të njohur armësh për të lëvizur municionet e tepërta të qeverisë në drejtim të ushtrisë së Libisë. Marrëveshja është stukturuar në mënyrë shumë kurioze, sepse në vitin 2010 Libia nuk ka qenë nën sanksione ndërkombëtare për tregtinë e armëve. Artikulli mëton të jenë lëshuar çertifikata të rreme dhe se marrëveshja është mbledhur pjesë- pjesë nën udhëheqjen e Sllobodan Tesiç, një trafikant armësh serb i cili është subjekt i një ndalimi nga Kombet e Bashkuara si ndihmës i ish- Presidentit të Liberisë Charls Taylor, i cili tani përballet me një gjyq për krime lufte në Hagë. Lexuesit që kanë ndjekur në mënyrë të vazhdueshme zbulimet e ثikileaks, mund të kujtojnë lehtë se z.Tesiç ishte subjekt i 2009-s, dhe përshkruhej për përdorimin e tij të dukshëm në krye të një kompanie për lëvizjen e armëve për në Jemen.

Marrëveshja shqiptare skicuar në “Shekulli” sugjeron se qeveria e kolonelit Gedafi dhe z.Tesiç, me ndihmë nga “kioska e armëve” e Ministrisë Shqiptare të Mbrojtjes, MEICO, kurdisën lëvizjen e municioneve të tepërta të bllokut lindor në Libi. Raporti shton viza në reputacionin e MEICO-s për korrupsion e kontrabandë armësh me stoqet e mëdha të armëve të ngelura nga dekada të tëra të luftës së ftohtë të Shqipërisë, një ish shtet-bunker. Raporti nga Shqipëria përshkruan edhe mënyrat me të cilat armët nga stoku i luftës së ftohtë lëvizin drejt Libisë.

I kthehemi përsëri imazhit në krye të artikullit. Kjo fotografi, dërguar tek ne nga Peter Danssaert, një studiues që mbulon transferimin e armëve drejt Afrikës dhe Europës Lindore (transferime për Shërbimet Ndërkombëtare të Paqes), tregon armë pas mbërritjes në Libi. Shikoni në foton më poshtë, shoqëruese e përmbajtjes së asaj arke.

Kjo arkë dhe shumë të tjera si kjo, janë gjetur në 2007 mes arsenalit të çmontuar të Jean-Pierre Bemba në Gbadolite në Kongo. Z.Bemba është lideri i Lëvizjes për Lirimin e Kongos, ose thënë ndryshe MLC. Sot, MLC-ja është një parti politike, por gjatë Luftës së Dytë të Kongos ka qenë grup rebelësh.

Fotografi të tjera tregojnë edhe municione të tjera në të njëjtin arsenal, përfshirë këtu edhe imazhin e arkës më poshtë, që mban markën L.A.R, (Republika Libane Arabe), emri që i është dhënë Libisë nga 1969 deri në 1977. Brënda këtyre arkave gjenden mortaja të shpërthimit të madh 60mm të ardhura nga ish-Jugosllavia. Ato mbajnë pulla që nga 1974, dhe mesa duket kanë kaluar, (kjo varet nga sesi dikush e sheh botën), si një shkëmbim nga revolucionari tek revolucionari apo nga tirani tek tirani, nga Josip Broz Tito i Jugosllavisë tek Gedafi i Libisë dhe pastaj në një tjetër Luftë Afrikane. Sot, z.Bemba milicia e të cilit ka marrë në kujdestari këto municione, përballet me një gjyq për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, gjykim ky që vjen si rrjedhojë e akuzave të ngritura kundër tij në Republikën Qëndrore Afrikane në 2002 dhe 2003. Këto ishin disa nga mjetet e tregtisë së tij.


Kush është Christopher John Chivers

Christopher John Chivers është një gazetar amerikan, i cili shkruan për “The Neë York Times”. Në maj të vitit 2007 ai u emërua shefi i byrosë së Moskës. Në vitin 2009 fitoi çmimin më të rëndësishëm të gazetarisë, Pulitzer. Libri i tij historik, “Arma”, u botua në vitin 2010.

Chivers ndoqi universitetin e Arteve dhe Shkencës në Cornell, duke u shquar edhe si lojtar futbolli amerikan. Pas diplomimit në vitin 1987, Chivers shërbeu si oficer këmbësorie në Marinën amerikane deri në vitin 1994. Ai ka kryer edhe studime ushtarake dhe ka shërbyer në luftën e parë të Gjirit Persik.

Më pas Chivers është diplomuar në Shkollën e gazetarisë në Universitetin e Columbias. Chivers ka raportuar nga Afganistani, Izraeli, Iraku dhe të gjitha ish-republikat sovjetike. Chivers njihet nga “The Neë York Times” si një nga dhjetë gazetarët më të mirë të dekadës.
Burimi: Shekulli
 
Back
Top