Argumentet e Kosovës

Kresha

A pretty face can never trick me
Hyseni: "Kosova është e përkushtuar ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe për parimet e demokracisë ..."

"Kosova është e përkushtuar ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe për parimet e demokracisë, sekularizmit, multi-etnicitetit dhe jo-diskriminimit", ka thënë ministri i jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, në paraqitjen e tij në GJND.

Ministri i punëve të jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, në paraqitjen e tij para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, fillimisht ka folur për pozitën në të cilën gjendet Kosova sot, për të ofruar, siç ka thënë, substancë të rëndësishme për këtë proces.

Në këtë kuadër, Hyseni ka përmendur Kushtetutën e Kosovës, duke e cilësuar atë si një "Kushtetutë moderne, e cila reflekton standardet më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave".

Hyseni ka përmendur edhe "ligjet e miratuara që mbulojnë fusha të rëndësishme të parashikuara në Planin Ahtisaari, sikurse është decentralizimi i qeverisjes lokale, mbrojtja e të drejtave të pakicave, dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare".

"Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Serbisë, dhe në të vërtetë përkundër presionit serb, serbët e Kosovës gjithnjë e më tepër po marrin pjesë në ndërtimin e institucioneve në Kosovë. Pajtimi ndërmjet të gjitha komuniteteve tona ka qenë prioriteti kryesor i institucioneve të Republikës së Kosovës", ka thënë Hyseni. Ai ka folur edhe për zgjedhjet vendore të 15 nëntorit, duke u thirrë në vlerësimet e misioneve vëzhguese, të cilat këtë proces e kanë cilësuar si të lirë, të drejtë dhe demokratike.

"Bashkësia ndërkombëtare ka luajtur një rol vital në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë, dhe në ofrimin e shpresës dhe perspektivës për popullin e Kosovës", ka thënë ministri i jashtëm kosovar, duke nënvizuar këtu edhe anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

"Ne sot jemi në paqe, por sikur e dini, ka qenë një kohë kur gjendja në Kosovë ishte ndryshe. Kjo është dokumentuar mirë, përfshirë në vendimin e shkurtit të këtij viti të Tribunalit për ish-Jugosllavinë në rastin Milutinović. Ne nuk mund dhe nuk duhet të harrojmë krimet kundër njerëzimit dhe terrorin që është ushtruar mbi popullin e Kosovës; gjëra të këtilla nuk duhet të përsëriten asnjëherë", ka thënë ministri Hyseni, duke shprehur edhe përkushtimin dhe vendosmërinë për të shikuar drejt së ardhmes.

"Ne po ashtu shikojmë kah dita kur do të mund të zëmë vendin tonë si Anëtar i Kombeve të Bashkuara. Zotimet e shprehura në Deklaratën tonë të Pavarësisë dhe në Kushtetutën tonë, demonstrojnë vullnetin tonë për të marrë përgjegjësitë e këtij anëtarësimi", ka vënë në pah Hyseni.

Duke folur ndërkaq për kërkesat e Serbisë për negociata të mëtejshme për çështjen e statusit, ai i ka cilësuar ato si të pamundshme dhe të padobishme.

"ثshtë e paimagjinueshme që ne të pranojmë thirrjen e Serbisë për të kthyer orën mbrapa- për të zhvilluar negociata të mëtejshme, rreth asaj se a do ta pranojë apo jo Serbia Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo do të ishte tepër destabilizuese, dhe madje mund të prodhojë konflikt të ri në rajon", ka tërhequr vërejtjen ministri i jashtëm, për të nënvizuar se "pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kështu do të mbetet, jo vetëm për hir të Kosovës, por edhe për hir të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme rajonale, për të cilën pavarësia e Kosovës ka kontribuar aq shumë".

Ai ia ka rikujtuar Gjykatës edhe faktin se më 2005, "ka pasur një pajtueshmëri të gjerë brenda bashkësisë ndërkombëtare se status quo-ja në Kosovë ishte e paqëndrueshme".

"Edhe pse për të gjetur një zgjidhje, ishte lëvizur çdo gur, populli i Kosovës duhej të ecte përpara. Mungesa e qartësisë për statusin e stagnonte ekonominë tonë, dekurajonte investimet ndërkombëtare dhe nuk na e lejonte qasjen për huamarrje në institucionet ndërkombëtare financiare", tha Hyseni.

Pas dy dekadash izolimi, lufte dhe pasigurie politike, ka thënë ai, ishim të rraskapitur.

"Ata të cilët sot thërrasin për ripërtëritje të negociatave janë qoftë të pavetëdijshëm për situatën dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për të gjetur konsensus ose, edhe më keq, kërkojnë aktivisht që të destabilizojnë rajonin", ka thënë ministri kosovar.

Duke folur për vetë Deklaratën e Pavarësisë, të cilën Hyseni e cilësoi si "manifestim dhe realizim të vullnetit politik të popullit të Kosovës", ministri i jashtëm tha se nëpërmjet saj, "Kosova është e përkushtuar ndaj të drejtës ndërkombëtare" dhe "për parimet e demokracisë, sekularizmit, multi-etnicitetit dhe jo-diskriminimit".

Në mbyllje të paraqitjes, ai tha se "pavarësisht vështirësive të së kaluarës, dhe vuajtjeve nëpër të cilat kaloi populli i Kosovës, ne ende dëshirojmë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë". /radioevropaelire/
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top