Argumentet dhe metodat e politikes ekspansioniste serbe per ta sunduar Kosoven

script

Antar Aktiv
Politika ekspansioniste serbe ndaj trojeve shqiptare ka rrënjët e thella, madje qysh në kontaktet e parë të ndërsjellë në fund të shekullit 12, kur sundimtari serb Stefan Nemanja më 1180 fitoi betejën afër Lipjanit kundër Bizantit të dobësuar, dhe depërtoi në një pjesë të vogël të Kosovës. Deri atëherë serbët nuk përmenden fare në këto vise si popullsi. Pas Nemanjës, biri i tij Dushani arriti ta pushtojë Shqipërinë, Greqinë dhe një pjesë të vogël të Bullgarisë. Por Beogradi nuk ka qenë në kuadër të ‘’perandorisë’’ të tij, e cila megjithatë, qe jetëshkurtër. Pas vdekjes së Dushanit më 1355, Serbia u shpartallua në zhupani e principata të vogla, të cilat jetonin më tepër si vasale të fqinjëve të ndryshëm të tyre. Madje, edhe ‘’heroi i madh serb’’, Marko Kraleviqi u bë vasal i dëgjueshëm, bile u vra në luftë kundër serbëve në anën e turqve. (Istorija Jugoslavije, Beograd, 1972, f. 93).

Megjithatë, politika ekspansioniste serbomadhe pretendon sot ta mbajë Kosovën koloni të vetën, duke marrë si argumente për këtë qëllim të kaluarën e largët, argumentet mesjetare historike, madje shpeshherë të trilluara, të falsifikuara dhe të përshtatura kësaj politike. Ndër këto ‘’argumente’’, kryesorë janë pretendimet se Kosova është ‘’djepi i shtetësisë dhe i kulturës serbe’’ dhe se disa manastire, kisha mesjetare ortodokse ‘’serbe’’, dëshmojnë për prezencën dhe kulturën serbe në mesjetën e hershme në Kosovë, të cilën sot serbët e konsiderojnë si ‘’zemër dhe Jerusalem’’ të tyre. Ata edhe toponimet gjeografike dhe homonimet i cilësojnë si argumente për të mbështetur pretendimet e tyre zaptuese. Si argument historik për këtë qëllim, politika, shkenca e kisha serbe e marrin vitin 1690, përkatësisht mbarimin e luftës austro-turke, kur gjoja shqiptarët paskan filluar t’i pushtojnë këto ‘’vise serbe’’. Por faktet historike dëshmojnë krejtësisht të kundërtën dhe vërtetojnë realitetin se shqiptarët janë popull autokton, kurse serbët janë ardhacakë, okupatorë të trojeve etnikisht dhe historikisht shqiptare. Pretendimet serbe për ta sunduar Kosovën mbështeten shumë në sundimin e tyre të kësaj treve shqiptare në mesjetën e hershme. Faktet historike dëshmojnë se Serbia e asaj kohe nuk ka qenë shtet i lirë, por kryesisht vasal, kështu që deri më 1867 edhe në Beograd ka qenë garnizoni i okupatorit shekullor turk. Madje, edhe ‘’Nemanjiqët ishin vasalë të Bullgarisë ose të Bizantit, pas vdekjes së Nemanjes’’. (Enciklopedijski leksikon, Istorija, Beograd, 1970, f. 463).

Metodat e politikës zaptuese serbe janë të shumta dhe të ndryshme, që nga propaganda e masat e ndryshme të presionit ekonomik, politik e psikologjik, deri te gjenocidi masiv ndaj popullsisë shqiptare, me qëllim të pastrimit etnik të Kosovës dhe të trojeve tjera shqiptare. Në shërbim të kësaj politike serbomadhe kanë qenë dhe janë shumë aktive shkenca dhe Kisha ortodokse serbe.

Lashtësia e popullit serb në Kosovë, siç e pretendon politika serbe, nuk ka kurrfarë mbështetje shkencore. Para së gjithash, dihet fare mirë se shteti serb nuk është krijua në trevën e Kosovës, (as në qytetin e sotëm Rashkë, siç mund të mendohet, i cili ndodhet në Serbi afër Kosovës), por shumë më larg në Rashkë, siç quhej atëherë Serbia. ‘’Në shekullin 10 formacionet e tyre (serbe) të para kompakte ishin Rashka (Rascia) në luginën e Ibrit në perëndim të Moravës, dhe Zeta, që i përgjigjet në vija të trasha Malit të Zi të sotëm’’. ( Prof. Alen Dyselje, (Tuluz – Francë), A e kanë pushtuar shqiptarët Kosovën?, revista ‘’Kosova’’, nr.8, Prishtinë,2000, f.51). Nemanja depërtoi në një pjesë të vogël të Kosovës, ku në atë kohë nuk ka patur serbë. Madje, siç shkruan shkencëtari francez, Michel Aubin, vendosja në një territor të caktuar i pushtetit politik e ekonomik, nuk përcakton përkatësinë etnike të popullsisë së nënshtruar. ‘’Kështu, despoti i vogël ‘’serb’’ i Seresit në Greqinë Veriore, mund të sundonte nga 1355 deri më 1371 një popullsi, pjesa më e madhe e së cilës ishte greke.’’ (Michel Aubin, Du mithe serbe au nationalisme albanais, ‘’Le monde’’, 5-6 pril, Paris, 1981,). Prandaj pushteti i Nemanjiqëve serbë, dhe i të tjerëve, në Kosovë nuk garanton përkatësinë etnike serbe, as kulturën serbe të popullsisë së saj. Por edhe sikur të ishte formuar shteti serb në Kosovë, përkatësisht në Dardaninë ilire, nuk do të ishte rast i parë i qëndrimit dhe kurorëzimit të sundimtarit në trevën e huaj të okupuar. Edhe sundimtarët sllovenë, p.sh., në kohët e lashta, kurorëzoheshin në Gosposvetsko Polje, e cila tash është diku thellë në Austri, ose kurorëzimi i car Dushanit serb në Shkup në Dardani, larg Serbisë etj. Shkencëtarët që janë marrë me problematikën e lashtësisë së popullsisë në Kosovë (Dardani) thonë le të supozojmë se serbët paskanë qenë shumicë në Kosovë në shekullin 13, siç pretendojnë ata. ‘’Atëherë shtrohet pyetja – kush banonte në këtë rajon më parë? Gjithkush e di se sllavët janë popull indoevropian që ka ardhur më vonë në Evropë… Është e pamohueshme se të paktën që nga shekulli i III para epokës sonë aty kanë lindur dhe janë zhvilluar shumë formacione politike ilire që kaluan pak nga pak nga stadi fisnor në mbretëri të vogla të vërteta, si dardanët, penezët, poenët…Ilirët janë, pa asnjë dyshim, stërgjyshërit e drejtpërdrejtë të shqiptarëve…Historia na mëson se serbët janë, sa i përket Kosovës, pushtues të ardhur shumë vonë…Duhet menduar se një pjesë e mirë e elementit shqiptar kosovar i ka rrënjët e tij në popullsinë e vjetër ilire-shqiptare që mbisundonte aty që prej antikitetit.’’. (Michel Aubin, Du mithe…, f.2; G. Ostrogorski, Serska oblast posle Dushanove smrti, Beograd, 1965; S. Novakoviq, Srpske oblasti X i XI veka; Skënder Anamali – Muzafer Korkuti, Ilirët dhe gjeneza shqiptare, Tiranë 1971, etj.). Historiani i njohur çek, Konstantin Jireçeku, në vepren e tij ‘’Historia e serbëve’’ shkruan: ‘’Në mesjetën e hershme shqiptarët kanë humbur shumë tokë nga serbët, por megjithatë ata nuk janë popull që vdes…Në mesjetë shqiptarët kanë qenë popullsi e vjetër e krishterë, me kulturë të lartë qytetare’’.(K. Jireçek, Istorija Srba, Beograd, 1952,f.86).

Teza serbe se shqiptarët kanë zbritur në Kosovë më 1690 është trillim e asgjë tjetër. Këtë e vërtetojnë edhe vetë dokumentet serbe. Shqiptarët në Kosovë përmenden edhe në dokumente (krisobula) kishtare-shtetërore serbe në kohën e sundimit të Nemanjiqëve në shekullin 14, sidomos fshatrat rreth Prizrenit, dhe në Drenicë madje, fshati Ujmir figuron po me këtë emër, e jo si Dobravoda, siç i thonë tash serbët. Gjithashtu, me zhbërjen e shtetit të car Dushanit, pas betejës së Maricës më 1371, dokumentet raguziane dhe osmane dëshmojnë se Prizrenin, Pejën dhe krejt Rrafshin e Dukagjinit e zotëruan kryezotërinjtë shqiptarë Ballshajt, Kastriotët e Dukagjinët. Janë të shumtë dokumentet historike për prezencën masive të shqiptarëve në Kosovë e në Maqedoni në mesjetë, bile edhe për pjesëmarrjen e tyre në betejën e Kosovës më 1389 kundër turqve. Por po përmendim vetëm edhe disa të dhëna nga defteri i regjistrimit të popullsisë më 1455, kur shqiptarët ishin të pranishëm në mënyrë masive në viset lindore të pllajës së Kosovës. Defterët osmane dëshmojnë se edhe në anën e Pejës (në Dukagjin) më 1485 thuaj se e gjithë “popullsia ishte shqiptare’’. Sipas defterëve turke të 1571 dhe 1591, po kjo gjendje etnike ka qenë edhe në territorin e Altun-ilisë (Reka e Keqe), si edhe në mbarë sanxhakun e Dukagjinit. Të dhëna të ngjashme sjell edhe defteri i sanxhakut të Vushtrrisë të viteve 1566-1574. Është me interes të theksohet se nga këto deftere turke shihet se ‘’gjysma e banorëve të mëhallës së shqiptarëve në Janjevë nuk kishin antroponimi (emra) shqip edhe pse cilësoheshin shqiptarë (arbanas), por mbanin emra ortodoksë sllavë, ose emra të përzier shqiptaro-sllavë’’.( Selami Pulaha, Popullsia shqiptare gjatë shekujve XV-XVI, Tiranë, 1984; Defteri i regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës më 1485, I-II, Tiranë, 1874). Kjo anomali rrjedh nga presioni i madh i patrikanës së Pejës, e cila ka pasur autorizime të mëdha nga sulltani për “të sunduar” të gjithë të krishterët në këto vise, pra edhe shqiptarët të besimit katolik në Janjevë. Udhëpërshkruesi i njohur turk, Evlia Çelebiu shkruante në vjetët 60 të shekullit 17, se në Vushtrri ‘’nuk dinin të flisnin boshnjakisht, por flasin shqip dhe turqisht. Albanologu i njohur, Th. Ippen shkruan se gjatë shekullit 17 shumicën e banorëve të Mitrovicës e përbëjnë shqiptarët. Edhe vetë patriku i Pejës, Arsenije Çarnojeviq, shkruante në një letër të dërguar perandorit austriak në Vjenë më 27 qershor 1698 se në Kosovë dhe në viset e skajshme të saj, banojnë shqiptarët e ‘’rashjanët’’ (serbët). Kronisti francez i shekullit 14, F. Dë Mezier, dëshmon se beteja e Kosovës (1389) u zhvilluar në trevën e Shqipërisë. Udhëpërshkruesi francez i shekullit 15, B.dë la Broker, shkruante se Kosova ndodhet në Shqipëri. Në dokumentacionet austriakë, italianë dhe osmanë, Prishtina, Peja etj. ndodhën në Shqipëri, kurse Prizrenin e shënojnë si kryeqytet të Shqipërisë. (Jahja Drançolli, Kosova dhe shqiptarët në shekullin 15-17, ‘’Kosova’’ – revistë historike- politike, nr.8, Prishtinë, 2000, f.59-64). Fjala është për popullsinë shqiptare të viseve të përmendura, pra për Shqipërinë Etnike, meqenëse Shqipëria si shtet i pavarur politik në atë kohë ende nuk ekzistonte.
 
Vetëm këto të dhëna mjaftojnë për ta demantuar tezën e gabuar serbe për mohimin e saj të prezencës shqiptare në Kosovë para luftës austro-turke më 1690. Madje, fakti se në këtë luftë kanë marrë pjesë si vullnetarë më se 15 mijë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Sanxhaku i Jenipazarit, të udhëhequr nga arqipeshkvi i Shkupit, letrari i njohur shqiptar, Pjetër Bogdani. Në këtë luftë ka marr pjesë edhe një numër i vogël serbësh, të udhëhequr nga patriku serb i Pejës, Arsenije Çarnojeviq. Historiografia dhe Kisha ortodokse serbe, kanë trilluar ‘’dyndjen e madhe’’ të serbëve nga Kosova pas vitit 1690, nën udhëheqjën e patrikut Çarnojeviq. Mirëpo, kjo përpjekje e tyre ka vetëm qëllim politik , për të treguar gjoja autoktoninë e serbëve dhe “kolonizimin” e shqiptarëve në Kosovë. Ky trillim i tyre është demaskuar nga argumentet historike, madje në kohën e fundit edhe nga historiani anglez Noel Malkolm, i cili me argumente arkivore tregon të vërtetën, se kurrfarë dyndje të tillë nuk ka papsur. Kuptohet se individët, para së gjithash udhëheqësit e vullnetarëve me familjet e tyre, janë strehuar para invadimit të ushtrisë turke. Shumë shqiptarë janë strehuar në viset malore të Shqipërisë, ndërsa një numër i vogël kanë shkuar, bashkë me serbët në veri. Shqiptarët janë vendosur në Sllavoni në fshatrat Hrtkovci, Nikinci, Jarak etj. Patriku ka ikur me përcjellësit e tij dhe me disa kuaj të ngarkuar, në drejtim të Sanxhakut, po në Serbi e kanë plaçkitur serbët, siç thonë historianët. Kur janë krijuar kushtet, kur ka kaluar rreziku, shumë familje shqiptare të strehuara në Malësi, janë kthyer në trojet e tyre në Kosovë e në Maqedoni, të cilat kanë qenë shtrënguar t’i braktisin më 1690 dhe në raste të tjera të ngjashme. Këtë e kanë konstatuar edhe punonjësit shkencorë të Institutit të Kulturës Popullore të Tiranës, të cilët janë marrë me studimin e jetës së popullsisë në Malësi, ku mbahet mend shumë mirë tradita brez pas brezi shekuj me radhë, e cila dëshmon se shumica e këtyre banorëve prejardhjen e kanë nga Kosova dhe Maqedonia, ku të parët e tyre janë kthyer kur kanë qenë kushtet e volitshme.

Kishat ortodokse mesjetare që gjendën sot në Kosovë (Graçanica afër Prishtinës, Levishka në Prizren, Patrikana në Pejë, dhe kisha e Deviqit në Drenicë), nuk janë dëshmi e kulturës serbe, sepse ato janë ndërtuar para ardhjes së tyre në këto treva, kurse më vonë, kishën e Deçanit e ka projektuar dhe e ka mbikëqyrur zbatimin e projektit prifti katolik shqiptar frati Vita Kuçi nga Kotorri. Këtë e sqaron mirë edhe shkencëtari serb, Pero Slijepçeviq, i cili ka botuar më 1934 në një revistë shkencore studimin e tij mbi manastirët (kishat) e vjetër ortodoksë, ku thotë se këto kisha nuk janë vepër e atyre sundimtarëve serbë, emrin e të cilëve e kanë ato, sepse në atë kohë ‘’Serbët nuk kanë pasur kurrfarë tradite të vetën në ndërtimtari, as në pikturim……Nemanjiqët kanë ndërtuar (financuar) edhe larg kufijve të shtetit serb, me qëllim të afirmimit të dinastisë së tyre….Monumentët shpirtërorë të tyre, janë para së gjithash përmendore dhe gurë kufitarë të fitoreve. Manastirë të tillë kanë financuar edhe në Jerusalem, në Stambol, në Greqi’’ etj. (Pero Slijepçeviq, Stare srpske zaduzhbine, ‘’Ogledi’’, faqe 92-122, Beograd 1934).

Në kohën e Nemanjiqve, pushteti dhe Kisha ortodokse serbe kanë uzurpuar shumë kisha të katolikëve. ‘’Monumentet kryesore të kultit të krishterë në Kosovë, të cilat sot konsiderohen kisha apo manastire ortodokse serbe, në shumicën e rasteve janë ndërtuar, rindërtuar, apo meremetuar mbi themelet e monumenteve të moçme të periudhës romake e bizantine’’. (Dr. Jahja Drançolli, Monumentet e kultit katolik në Kosovë, ‘’Koha Ditore’’, Prishtinë, 14 prill 2001). Me zgjerimin e kufijve drejt jugut, është përfshirë një numër i madh i manastirëve të vjetër. Në atë kohë edhe ‘’Shqiptari Progon Zguri, ‘’heterijarh i madh’’ i oborrit (mbretëror) bizantin, ka përtërirë më 1295 kishën e Zonjës Bekuar në Ohër’’.(K. Jireçek, Istorija Srba,I, Beograd, 1952, f. 193-265). Në lidhje me ‘’argumente’’ të paqenë, të trilluarë, serbët e kanë pagëzuar Kosovën si Serbi e Vjetër (Stara Serbija). Por ekzistojnë edhe argumente të kundërta, jo të pëlqyeshme për politikën ekspansioniste serbe. Kështu, autorë të ndryshëm dhe burime arkivore venedikase e raguziane, Podgoricën dhe gjithë bregdetin malazias e përfshinë në kuadër të Shqipërisë. Madje, edhe autorët nga oborri mbretëror serb, G.Cambllaku e K. Filozofi, e konsideronin Zetën trevë shqiptare, siç e konsideron po kështu edhe vetë car Dushani në një kartë të vitit 1349. (Jahja Drançolli, Kosova dhe shqiptarët në shekullin XV-XVII, revista ‘’Kosova’’, nr. 8, Prishtinë, 2000 ). Nga ana tjetër, në atë kohë një pjesë e madhe e shqiptarëve kanë qenë të besimit ortodoks, të cilët me dhunë i ka asimiluar e sllavizuar kisha serbe.

Toponimet sllave në Kosovë e më gjerë, Serbia i merr si argument për të ‘’vërtetuar të drejtën e saj pronësore’’ mbi Kosovën. Por shkenca ka vërtetuar se toponimet, madje edhe homonimet, nuk janë gjithmonë argument i qëndrueshëm për të vërtetuar përkatësinë etnike të një regjioni, ose të një individi, nëse është fjala për homonimet. Këto mund të jenë vetëm argument i ndikimit, huazimit, ose pushtimit të huaj të vendit të caktuar. Serbët, por jo vetëm ata, janë të prirur për të serbizuar çdo gjë që është e mundur. Këtë e kanë bërë sa herë që kanë pasur mundësi ta bëjnë. Në Kosovë edhe disa qyteteve ua kanë ndërrua emrin pas Luftës ballkanike më 1912, si p.sh. duke e quajtur Ferizajn – Uroshevac, Hanin e Elezit – Gjeneral Jankoviq, Skënderajn – Serbicë e kështu me radhë, ndërsa shumë fshatra i kanë ‘’pagëzuar’’ me emra të ‘’heronjëve’’ nga miti i betejës së Kosovës: Llazarevo, Milloshevo, Obiliq, Devet Jugoviqa etj. Madje, edhe Rrafshin e Dukagjinit e quajnë Metohi, sa herë që përmendet Kosova, ata thonë ‘’Kosovo i Metohija’’, duke dëshiruar që edhe në këtë mënyrë ‘’të vërtetohet’’ karakteri serb i kësaj pjese të Kosovës. Por ky nuk është kurrfarë argumenti valid, sepse fjala Metohi vjen nga greqishtja ‘’metoh’’, që do të thotë ‘’pronë’’, ‘’vakëf’’ i kishës, ose i xhamisë. Dhe kjo nuk ka kurrfarë rëndësie politike, ose historike, sepse prona, ose ‘’metohi’’ të tilla, kanë pasur në të kaluarën, dhe kanë edhe sot shumë kisha e xhami, siç do t’i kenë edhe në të ardhmen. Kishës ortodokse i janë dhënë prona bujqësore (metohi) në kohën e feudalizmit mesjetar nga sundimtarët e ndryshëm, madje edhe nga okupatori turk, për lëvërdi të tyre politike dhe shpirtërore. Por toponimet sllave në trojet shqiptare, madje edhe në Greqi, mund të jenë më parë bullgare se serbe, sepse në Ballkan ka sunduar gjatë kohë, qysh nga shekulli i nëntë, perandori bullgar Samuili, me seli në Ohër, kështu që edhe në atë kohë është përhapur toponimia sllave në viset e huaja të pushtuara, shumë vjet para se të shtrihej pushteti i Stefan Nemanjës, ose ‘’car’’ Dushanit në këto treva. Madje, shkenca, politika dhe kisha serbe, duke insistuar në argumente të tilla, veprojnë kundër vetës, kundër tezës serbe për ‘’të drejtat historike’’, sepse edhe në Serbi ka shumë toponime turke. Bile edhe Beogradi është shumë i pasur me to, duke filluar që nga qendra e tij Kalemekdani, Terazije e Qubura, deri te Karaburma, Topçideri, Rospi Quprija, etj.

Sipas logjikës serbe për ‘’të drejtat historike’’, sot Turqia duhet ta sundojë Serbinë

Argumentet historike të kohëve moti të kaluara, nuk mund të merren si argument për të zgjidhur problemet aktuale ndëretnike, pra as për të sunduar sot Serbia Kosovën. Madje, argumentet historike në këtë drejtim janë në anën e shqiptarëve e jo të serbëve. Nëse gjykohet sipas logjikës serbe, atëherë sot Turqia duhet ta sundojë Serbinë, e cila e ka sunduar rreth 500 vjet dhe e cila në Ballkan ka ndërtuar shumë xhami monumentale, teqe, ura, rrugë, hamame, kroje etj., të cilat ekzistojnë edhe sot në Kosovë, kurse në Serbi, serbët i kanë rrënuar deri në themel. Sipas kësaj logjike serbe, edhe shqiptarët mund të kërkojnë ringjalljen e Perandorisë Ilire, e cila përfshinte, përveç tjerave, edhe territoret prej Adriatikut deri në Savë e Danub. Prandaj, Serbia duhet t’i kthehet realitetit aktual dhe ardhmërisë e jo mitologjisë mesjetare, të bazuar në ‘’argumente’’ të falsifikuara e të trilluara.

Kosovën e Shkupin dhe qytetet e tjera në Maqedoni, i kanë çliruar shqiptarët më 1912, por Serbia me fuqi të madhe ushtarake e armatim modern të kohës, e ka okupuar Kosovën përkohësisht, sepse ajo e humbi luftën kundër austriakëve më 1915 dhe ushtria e qeveria serbe iku në Shqipëri ku bëri gjenocid ndaj popullsisë civile.( Dimitrije Tucoviq, Srbija i Albanija – Jedan prilog kritici zavojevaçke politike srpske burzhoazije, Beograd, 1914; Zgjedhje punimesh, II, Prishtinë, 1981).

Kah fundi i vitit 1918, Serbia përsëri e okupoi Kosovën, me ndihmën e ushtrisë franceze. Ky okupim zgjati rreth 20 vjet, deri në prill më 1941, kur ushtria gjermane e dëboi ushtrinë jugosllave nga Jugosllavia, madje vetëm brenda 7 ditëve.(Alfredo Jeri, Crollo in sette giorni, Roma – Milano, 1941). Kështu Kosova përsëri iu bashkua Shqipërisë, siç ka qenë edhe gjatë Luftës së parë botërore. Pra, sa herë që ka hyrë Serbia në Kosovë, ajo ka qenë vetëm okupatore e përkohshme e asgjë tjetër, madje edhe kur ajo vetë ka qenë vasale e fqinjëve, sidomos e Turqisë. Kështu, argumentet për shtetësinë dhe kulturën serbe në Kosovë, bien poshtë para të vërtetës objektive shkencore.

Kot përpiqet Serbia që ta kualifikojë Kosovën si Jerusalem dhe si zemër të saj. Madje, siç shkruan historiani i njohur anglez, Noel Malkolm, ‘‘Kjo zemër është vendosur në trupin e huaj, sepse në Kosovë jetojnë shqiptarët, të cilët e përbëjnë shumicën dërmuese të popullsisë së saj’’. (Noel Malkolm, Kosova – një histori e shkurtër, Prishtinë, 2005). Populli thotë: ‘’Të kujt janë delet në livadh, edhe livadhi asht i tij’’. Kosova është e tillë vetëm për shqiptarët. Koha e kolonializmit moti ka kaluar në Azi e në Afrikë. Kanë mbetur koloni të sllavëve e grekëve vetëm trojet etnike shqiptare në kontinentin e Evropës, në shekullin 21, në saje të vendimit të padrejtë të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913 dhe Konferencës së paqes në Paris më 1920, kur u copëtuan trevat etnike shqiptare, duke iu dhuruar fqinjëve tanë grekë e sllavë më se 2/3 e tyre, pra rreth 60 mijë kilometër katrorë. Problemi i sotëm i Kosovës, dhe i të gjithë shqiptarëve në Ballkan, i ka rrënjët në Londër e në Paris. Tash është koha të shkulën këto rrënjë dhe mos të përkrahen apetitet kolonialiste greko-sllave ortodokse në truallin e Evropës demokratike bashkëkohore.

Argumenti se një popull nuk mund t’i ketë dy shtete,(Kosova dhe Shqipëria) gjithashtu nuk pi ujë, sepse ka shumë shembuj të tillë, që nga Tajvani, Koreja, Qiproja, Moldavia e deri te Austria. Madje, edhe serbët i kanë dy shtete – Serbinë dhe Republikën Serbe në Bosnje. Ata pretendojnë ta kenë të tillë edhe Kosovën, ose të paktën disa republika të vogla serbe në Kosovë në formën e komunave serbe etnikisht të pastra. Por nëse serbët insistojnë që shqiptarët nuk mund t’i kenë dy shtete, atëherë problemi mund të zgjidhet ashtu si është drejt, përkatësisht t’i bashkohet Kosova Shqipërisë. Madje, zgjidhja më e drejt e problemit të Kosovës do t’ishte vetëm kjo. Por, ne jemi realistë dhe e respektojmë qëndrimin ndërkombëtar që t’iu përmbahemi standardeve, ndër të cilët është edhe ai për mosndryshimin e kufijve. Politika euroatlantike e proceseve të integrimit mund të jetë rasti kur të vëhet në rend të ditës edhe ky problem i madh i krijuar më 1913 në Londër dhe 1920 në Paris.

Argumenti serb se faktori ndërkombëtar e ka njohur Jugosllavinë si shtet sovran më 1918, ku përfshihej edhe Kosova, e cila për këtë arsye duhet të jetë pronë e Serbisë, gjithashtu bie poshtë, sepse Jugosllavia nuk ekziston më dhe se nga ajo janë ndarë të gjithë popujt sllavë që ishin në kuadër të saj, megjithëse janë bashkuar vullnetarisht me të më 1918. Pse të mbetet nën Serbi sot Kosova me popullsi 90% shqiptare, e cila nuk ka hyrë në kuadër të Jugosllavisë me vullnetin e saj, por ka qenë e okupuar. Përveç kësaj, shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me serbët sllavë ortodoksë, përveç armiqësisë shekullore, të shkaktuar nga politika ekspansioniste serbe ndaj trojeve shqiptare.

Prandaj, Kosova në bazë të drejtës për vetëvendosje, duhet të jetë shtet i lirë i pavarur dhe sovran, me të gjitha të drejtat siç i kanë ish-republikat e ish-Jugosllavisë dhe shtetet e tjerë të Evropës, me të drejta të plota për të gjitha minoritetet, pa dallim feje e kombësie.

Metodat e hershme të politikës serbe për zhdukjen e popullit shqiptar

Janë të shumta metodat e politikës ekspansioniste serbe për uzurpimin e trojeve shqiptare, dhe të gjitha kanë për qëllim pastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët dhe kolonizimin e saj me serbë e malazezë. Para së gjithash, qysh në Kodin e ‘’car Dushanit’’ të shekullit 14, shqiptarët trajtohen shpesh edhe si barinj, bashkë me vllahët, madje, iu mohohet edhe përkatësia fetare si të krishterë të atëhershëm, por quhen si “heretikë”, ose ‘’gjysëmfetarë’’ (‘’polluverci’’). Këtë politikë ndaj shqiptarëve e ka ndjekur edhe Bizanti gjatë sundimit të tij në këto hapësira shqiptare gjeografike, duke u përpjekur për denacionalizimin dhe dëbimin e tyre. Po kështu edhe më vonë, bëhen përpjekje të ndryshme për të injoruar përkatësinë kombëtare të shqiptarëve, duke i kamufluar me pagëzime të ndryshëm, si p.sh. turq, muhamedanë, arnautashë (‘’serbë të shqiptarizuar’’!), jugosllavë etj. Nga ana tjetër, statistika zyrtare serbe kurrë nuk e ka dhënë numrin e saktë të shqiptarëve, as në Serbi, as në vise të tjera në kohën e Jugosllavisë. Njëkohësisht numri i serbëve tregohej shumë më i madh se ç’ishte në realitet, sidomos në viset me popullsi etnikisht të përzier.

Politika dhe kisha serbe kanë krijuar me shekuj mitin e Kosovës, duke falsifikuar ngjarjet historike. Madje, betejën e Kosovës serbët e kanë humbur brenda ditës në mënyrë katastrofike, kështu që ajo përfundoi me fitoren e ushtrisë turke. Mirëpo, serbët edhe sot e kësaj dite e festojnë këtë humbje më 28 qershor si ‘’fitore të tyre shpirtërore’’, bile edhe si njëfarë argumenti për ‘’të drejtën e tyre’’ që ta kenë Kosovën sot koloni të vetën, madje, si Jerusalem, si tokë të shenjtë të tyre, si zemër serbe, sepse aty është derdhur gjaku i trimave serbë para më se 600 vjet. Por historia tregon se në betejën e Kosovës ka marrë pjesë edhe koalicioni krishterë, pra edhe shqiptarët, e jo vetëm serbët, të cilët çdo gjë duan t’ia lënë vetes. Nga ana tjetër, askush në botë nuk e feston humbjen, përveç serbëve.

Serbët kanë sajuar edhe ‘’mitin e Kosovës’’ në ciklin e posaçëm në poezinë popullore, duke madhëruar ‘’heroizmin e trimave legjendarë serbë’’, të cilëve u vinë ndihmë edhe zanat e malit, luanët e shpellave dhe engjujt e qiellit. Me këto marri mitologjike edhe sot edukohet rinia shkollore serbe. Historiani rus, Aleksandër Gilferding, i cili ka qenë konsull në Bosnje e Hercegovinë në shekullin 19, shkruan: ‘’Serbët e vjetër nuk kanë pasur mjaft talent dhe kanë pasur pak aftësi për ta kuptuar e shkruar historinë… Beteja e Kosovës (1389) për njerëzit e arsimuar ka shërbyer si temë pallavrash gjoja shkencore të divoçme.’’ (A.F. Gilferding, Putovanje po Hercegovini, Bosni i Staroj Srbiji, Sarajevo, 1972, 241-245) Por, siç shkruan Dragolub Todoroviq në vepren e tij ‘’Libri mbi Qosiqin’’ – ‘’Në mitin e Kosovës asgjë nuk është e vërtetë… Pas disfatës në Kosovë (më 1389) serbët nuk bien në robërinë turke, sepse u bënë vasalë më besnikë të turqve’’…. ‘’Serbët bashkëkohorë nuk e njohin historinë e vërtetë, ata janë vetëm nën ndikimin e historisë mitologjike, e cila ndër serbët është jashtëzakonisht e zhvilluar… Serbët, më në fund, pas 20 shekujve duhet t’i pranojnë bile parimet themelore të krishtërimit… Ata që kanë proklamuar se Kosova është tokë e shenjtë serbe, kanë harruar se kështu ua kanë dërguar një porosi direkte të kobshme atyre që jetojnë në atë tokë, të cilët atje janë ‘’pakicë e parëndësishme’’- dy milionë shqiptarë’’! Megjithatë, Dobrica Qosiqi, shkrimtar dhe ish-president i Jugosllavisë, shkruan se Kosova është tokë e shenjtë e Serbisë dhe ‘’atë do ta mbrojnë nga shqiptarët me pushkë, në qoftë se ka nevojë’’. Qosiqi ka qenë miku më intim i krerëve kryesorë të policisë sekrete (UDB-së) Aleksandër Rankoviqit , Slobodan Peneziq – Kërcunit etj., armiq të përbetuar të shqiptarëve në përgjithësi, bashkë me Qosiqin, i cili i ka nxitur kolonistët serbë të Kosovës në demonstrata masive dhe akcione të tjera armiqësore e kriminale kundër shqiptarëve.( Dragoljub Todoroviq, Knjiga o Qosiqu, Beograd, 2005).
 
Pra, edhe me përralla mitologjike, dhe me muret e kishave ortodokse të kohës bizantine, serbët përpiqen ta bindin botën se Kosova është e tyre dhe se shqiptarët autoktonë duhet të jenë robër të Serbisë. Çdo formë e bashkësisë politike me Serbinë, për shqiptarët ka qenë burg i llojit të vet, deri diku edhe për të tjerët. Me asnjë kusht shqiptarët nuk do të pranojnë që problemi i Kosovës të zgjidhet nën ombrellë të Serbisë çfarëdo ngjyre të ketë ajo.

Përveç argumenteve historike, të cilat dëshmojnë për autoktoninë e shqiptarëve, shumë shekuj para ardhjes së serbëve në këto anë, edhe vetë fakti që turqit kanë caktuar Kosovën për fushë mejdani më 28 qershor 1389, tregon se Kosova atëherë ka qenë e banuar me popullsi shqiptare, me një popullsi asnjënse, indiferente në këtë konflikt serbo-turk. Nuk është e logjikshme nga aspekti strategjik i luftës, që Turqia të kërkojë mejdan në një fushë të banuar me popullsi armiqësore serbe. Sidoqoftë, mitologjia serbe nuk mund të jetë kurrfarë argumenti në favor të politikës ekspansioniste serbe ndaj Kosovës. Madje, edhe historia nacionale serbe është e ngjyrosur me këtë mitologji dhe psikologji të rrënjosur edhe në popullin serb gjatë shekujve në saje të edukatës së gabuar shkollore, fetare e politike.

Metodat e dhunshme për pastrimin etnik të Kosovës

Gjatë sundimit të Jugosllavisë së Versajit (1918-1941), Serbia mori masa të ndryshme drastike për t’i shpërngulur shqiptarët nga trojet e tyre etnike dhe për t’i kolonizuar në to kolonët serbë e malazezë. Akademiku monstrum, Vasa Çubrilloviq, ia ka paraqitur qeverisë mbretërore një referat gjenocidial më 1937, për zhdukjen e shqiptarëve nga Jugosllavia. Këtë referat qeveria jugosllave, përkatësisht serbe, e ka zbatuar me dhunë të përhershme ndaj tyre, me taksa të rënda, burgim të njerëzve të pafajshëm, tortura e vrasje, kështu që më se 250 mijë shqiptarë janë detyruar t’i braktisin trojet e tyre e të vendosen në shkretëtirat e Anadollit në Turqi dhe pjesërisht në Shqipëri. Në atë kohë, vetëm në fillim, janë vendosur në Kosovë, në pronat e uzurpuara shqiptare, më se 60 mijë kolonë serbë e malazezë. Për ta kamufluar këtë terror ndaj popullsisë së qetë shqiptare, qeveria e Beogradit deklaronte se kjo është vetëm ‘’reformë agrare’’, ‘’akcion i mbledhjes së armëve’’, ‘’akcion kundër komitëve dhe armiqve të shtetit’’ etj. ( Dr. Millovan Obradoviq, Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu (1918-1941, Prishtina, 1981).

Akademiku Çubrilloviq shkruante në referatin e tij se qeveria duhet të organizojë djegëjën e fshatrave dhe vrasjen e shqiptarëve natën, kurse ditën duhet të simulojë gjoja ndjekjen e aktorëve të krimeve të natës. Madje, ai propozonte se për aksione të tilla terroriste është më i përshtatshëm fisi malazias Vasojeviq, i cili duhet të angazhohet në këtë akcion.(Dr. Vasa Çubriloviq, L’ expulsion albanais – Memoire presente le 7 mars 1937 a Belgrade). Një referat tjetër të ngjashëm më këtë, Çubriloviqi e ka shkruar në tetor më 1944 për Qeverinë jugosllave-komuniste, e cila erdhi në pushtet me ndihmën e armatës kuqe sovjetike. Edhe gjatë sundimit të Jugosllavisë social-komuniste, ndaj shqiptarëve u morën masa drastike dhe gjenocidiale, kështu që u detyruan të shpërngulen për në Turqi e Shqipëri më se 250 mijë vetë.

Janë bërë vrasje masive të shqiptarëve, pa kurrfarë përgjegjësie, të njerëzve të pafajshëm, deportime në kampin famëkeq Goli Otok, për arsye politike antikomuniste, janë detyruar familjet shqiptare që të deklarohen se janë të kombësisë turke, shqiptarët janë pushuar nga puna në përmasa të mëdha, janë mbyllur shkollat shqipe etj. Por do të mbetet në histori i paharrueshëm gjenocidi i Tivarit në dimrin e vitit 1945, kur u pushkatuan në këtë qytet më se 4.200 djem shqiptarë, të cilët qeveria komuniste serbe i kishte mobilizuar gjoja për të luftuar kundër ushtrisë gjermane në bregdet, në Istër e në Slloveni. Në realitet, përveç këtyre të pushkatuarve në Tivar, janë vrarë edhe shumë të tjerë në Dubrovnik, Trogir, në ishuj, në Goricë etj., por dhe gjatë rrugës, të cilën e kanë kaluar në këmbë prej Prizrenit deri në Tivar, të veshur e të mbathur shumë keq dhe pa ushqim. Këta të mobilizuar nuk kanë qenë të pajisur me asgjë ushtarake, madje as një armë nuk e kanë pasur me veti, sepse kanë qenë të caktuar për likuidim masiv, siç është programi i përhershëm sekret i çdo qeverie serbe gjatë gjithë shekujve, për pastrimin etnik të trojeve shqiptare.

Ky program antishqiptar serb ka ardhur në shprehje sidomos gjatë viteve 1998-99, kur u okupua Kosova nga ushtria serbe, e cila bëri gjenocid të tmerrshëm, duke vrarë dhe masakruar rreth 15 mijë civilë shqiptarë, shumë gra e fëmijë, duke dëbuar me dhunë rreth 1 milion civilë, të cilët u strehuan në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Evropën Perëndimore dhe në Amerikë. Në saje të rezistencës shqiptare, por para së gjithash në saje të intervenimit të aviacionit luftarak të NATO-së, me angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në qershor më 1999 u dëbua okupatori i egër serb nga Kosova.

Është krejtësisht e kotë dhe kundër logjikës të bisedohet me Serbinë për pavarësinë e Kosovës, e cila në politikën e saj ekspansioniste shekullore ka për qëllimi zhdukjen e popullit shqiptar nga trojet e tij etnike dhe pushtimin e bregdetit Adriatik shqiptar. Me këtë qëllim ajo deri tash, gjatë historisë ka uzurpuar më se gjysmën e trojeve etnike shqiptare, duke bërë gjenocid të vazhdueshëm në popullsinë civile shqiptare, siç dëshmojnë shumë autorë objektivë të huaj e vendorë, madje edhe politikani i njohur serb Dimitrije Tucoviqi, por edhe shumë autoritete ndërkombëtare kanë qenë dëshmitarë okularë çka ka bërë Serbia në popullin shqiptar më 1998-99 në Kosovë.

Kisha ortodokse serbe – përkrahëse e politikës ekspansioniste serbe

Kisha ortodokse serbe është kishë nacionale, dhe kjo nuk ka asgjë të keqe nëse e kryen misionin e ideologjisë, përkatësisht të doktrinës së krishterë, për të mirën e kombit serb, duke respektuar të drejtat humane e kombëtare të tjerëve, pra, duke u angazhuar për paqe, tolerancë, barazi e dashuri mes individëve dhe kombeve të ndryshëm, me përkatësi të ndryshme fetare e kombëtare. Mirëpo, mjerisht, Kisha ortodokse serbe gjithmonë ka qenë në shërbim të politikës së ditës të qeverisë serbe. Madje, edhe kur Serbia nuk ekzistonte si shtet i pavarur, e kjo ka ngjarë shekuj me radhë, Kisha ortodokse serbe e kryente misionin e shtetit, duke u paraqitur botërisht para autoriteteve sunduese si institucion fetar me shërbime përkatëse krishtëre, por në realitet ajo kryente punë politike, nacionale, madje nacionaliste ekstremiste. Ajo luante rolin e shtetit nën plafin fetar. As kjo nuk do të ishte gjë e keqe, sikur të ishte politika e shtetit demokratike, paqësore, e drejtë, konstruktive etj. Mirëpo, historia tregon se shteti serb kurrë nuk ka pasur qeveri e cila do ta ndiqte një politikë të tillë. Përkundrazi, Serbia kurrë nuk ka pasur një sistem demokratik të vërtetë. Ajo ka ndjekur gjithmonë politikën ekspansioniste, sidomos për të pushtuar territoret etnike e historike shqiptare.

Përgjegjësia e Kishës ortodokse serbe, si përkrahse e politikës së tillë, nuk është e vogël. Këtë e ilustron shumë qartë autori serb Mirko Gjorgjeviqi, i cili më 1998, përveç tjerash, shkruante: ‘’Është traditë bizantine që kisha ortodokse të mishërohet me shtetin dhe të jetë në njëfarë mënyre institucion shtetëror. Për të qenë edhe më keq, kjo traditë në botën ortodokse ende është gjallë, ndërsa ndër ne është gjithnjë më e gjallë, sidomos gjatë dekadës së fundit… Kisha është shkrirë me shtetin…dhe me strukturat totalitare të disa partive politike…kështu që në periudhën e kaluar dhjetëvjeçare të diktaturës së Milosheviqit, Kisha nuk ka qenë vetëm dëshmitar, por edhe pjesëmarrëse në të gjitha punët. Kjo nuk guxon të harrohet. Në disa momente të krizës, kur shihej se Millosheviqi po dështon politikisht, Kisha i dha përkrahje vendimtare, bile edhe patriku (Pavle) më 1995 ia ka dhënë Milosheviqit nënshkrimin e tij blanko që t’i përfaqësojë të gjithë serbët. Në histori këto janë shembuj të rrallë në marrëdhëniet ndërmjet kishës e shtetit… Por nëse kisha është e krishterë, ajo nuk guxon të kufizohet vetëm në fisin e vet, në popullin e vet, ose në bashkësinë e vet. Ajo nuk guxon ta harrojë porosinë universale. Këtu ka shkretuar Kisha ortodokse (serbe), është bërë nacionale e ngushtë, me çka ka tradhtuar përmbajtjen (qëllimin) e vet.’’, thotë në fund Mirko Gjorgjeviq. (Crkva – svedok i sauçesnik,’’Nasha Borba’’, 13 janar 1998, faqe 11).

Kjo përkrahje ka qenë e gjithanshme, por sidomos në planin e përpjekjeve për asimilimin fetar e kombëtar të shqiptarëve, për uzurpimin e kishave katolike të tyre dhe për përvetësimin e pronave të tyre. Me ndarjen e kishës krishterë më 1054 në Kishën ortodokse të lindjes dhe në Kishën katolike të perëndimit, një pjesë e shqiptarëve të Kosovës lindore, që nga Kaçaniku deri në Mitrovicë, kanë qenë kryesisht ortodoksë, nën ndikimin e shtetit Bizantin ortodoks, kurse pjesa tjetër e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë kryesisht katolikë, nën ndikimin e Romës e të Venedikut.

Gjatë sundimit të Bizantit në këto vise, por edhe gjatë sundimit osman, Kisha ortodokse serbe ka bërë presion të madh në shqiptarët ortodoksë e katolikë në Kosovë, të cilët gjatë kohës janë sllavizuar. Edhe gjatë sundimit turk, ky proces i sllavizmit të shqiptarëve ka pasur mjaft sukses. Madje, patriku ortodoks i Pejës ka pasur autorizim të posaçëm nga sulltani për të ‘’sunduar’’ të krishterët e këtyre viseve. Kisha ortodokse serbe ‘’ka qenë juridikisht e legalizuar si institucion i Perandorisë otomane’’. Turqia i ka dhënë kësaj kishe status feudal dhe i ka dhuruar edhe fshatra (vakëfe -‘‘metohe’’) bashkë me banorët e tyre. Pushteti turk përmes kishës serbe i ka zbatuar kërkesat dhe ligjet e veta. Por edhe kisha, me ndihmën e pushtetit turk, ka mbledhur taksat dhe detyrimet e tjera nga popullsia krishtere, duke e eksploatuar kështu nga të dy anët..(Miodrag Popoviq, Vidovdan i çasni krst, Beograd, 1976, f.42).

Nga dokumentet e Vatikanit shihet qartë veprimi i klerit ortodoksë serb në sllavizmin e shqiptarëve dhe në uzurpimin e kishave katolike, sidomos në Prizren, në Mitrovicë, Novobërd, në Mal të Zi etj., për çka edhe papa ka intervenuar pranë autoriteteve serbe. Sipas të dhënave të traditës, e cila mbahet mend në popull, dhe në bazë të fakteve historike që ekzistojnë, edhe kisha e Deçanit është ndërtuar në themelet e kishës së vjetër katolike shqiptare. Popullsia vendore edhe tash mban mend se aty ka qenë ‘’Kisha e Gashit’’ (fis i Deçanit). Por ajo që e vërteton këtë, është fakti, dokumenti historik, nga i cili shihet se ‘’Kur car Dushani filloi rindërtimin e kishës së Deçanit, ai u detyrua të mbante një njësi ushtarake për vendasit (shqiptarë katolikë), sepse ata nuk lejonin që mjeshtrit të punonin në faltoren e tyre’’. Raste të tilla ka shumë, madje edhe kisha e sotme e Shna Prendës në Prizren, (Levishka), është ndërtuar mbi themelet e bazilikës së vjetër. (Sherif Delvina, Kishat në Kosovë, ‘’Pasqyra’’, Prishtinë, 9 qershor 2000). Historianët serbë, dhe Kisha ortodokse serbe kurrë nuk e përmendin këtë të vërtetë të uzurpimit të kishave shqiptare katolike. Deri vonë shqiptarët në Kosovë nuk kanë pasur intelektualë të mjaftueshëm për të zbuluar dokumentet historike që dëshmojnë qartas të vërtetën për këtë problem. Tash koha ka ndryshuar, madje edhe shkencëtarët e huaj kanë dhënë kontribut të çmueshëm në këtë drejtim. Por faktori ndërkombëtar nuk është i informuar për këtë sa duhet e si duhet. Shqiptarët nuk kërkojnën asgjë të huajën, kërkojnë vetëm trojet e veta.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top