Amerikanët në ’45: Këmbim kufijsh mes Shqipërisë e Jugosllavisë

Love

βeℓℓe â๓e
gazeta_australiane_1945.gif


“Shqipëria të marrë pjesë nga Jugosllavia e Jugut me popullsi shqiptare dhe ta kompensojë atë mundësisht me Shkodrën e rrethinat në Veri. Pretendimet greke duhen trajtuar me vëmendje, megjithëse janë të ekzagjeruara. Italianët t’i japin Sazanin Shqipërisë”. Kështu apo pak a shumë kështu, në mënyrë të përmbledhur ishte ajo çka Departamenti Amerikan i Shtetit, në fillimvitin 1945, e përshkruante si pikëpamjen e vet mbi rregullimin territorial të Pasluftës për Shqipërinë. Pikëpamja në fjalë në fakt gjente një shtrirje më të gjerë, duke skicuar në këtë kontekst edhe të ardhmen e rajonit të Ballkanit e atë të Europës Lindore, e përcaktur kësisoj edhe disa korrektura “të nevojshme” në lidhje me të ardhmen e kufinjve të Bullgarisë, Greqisë, Jugosllavisë, por edhe të Qipros, Turqisë, Rumanisë, Italisë etj. Situata për Aleatët tashmë dukej tejet pozitive dhe fitorja përfundimtare ishte vetëm çështje kohe e formaliteti. Ajo çka duket interesante, është fakti se për herë të parë kjo mund të shihet pas kaq shumë viteve, si një pikëpamje e shfaqur në mënyrë eksplicite – edhe pse jo në kufinjtë e qëndrimit zyrtar – mbi të ardhmen e kufinjve të Shqipërisë e rajonit.

Kufinjtë shqiptarë, vëmendje themelore

Nëse zhvendosemi në kohë, kuptojmë se këto përçapje për rregullim “të drejtë” të kufinjve, vinin pikërisht në kohën kur Lufta akoma nuk kishte mbaruar dhe fuqitë e mëdha po shkonin drejt dy konferencave që vulosën “de facto” për një kohëzgjatje të konsiderueshme, fatin e shumë kombeve e shteteve të kontinentit. Pjesa ku flitet për Shqipërinë, duket se përbën edhe thelbin e mendimeve amerikane për të ardhmen e rajonit të trazuar. Materiali që ne kemi shkëputur, është marrë nga një gazetë australiane (shih: How America Would Correct East Europe Frontiers, “The Mercury”, 2 janar 1945, fq. 4), e cila në fakt i referohej raporteve të një korrespondenti shumë të njohur të kohës së vet, ikonë e gazetarisë botërore – Cyrus Sulzberger, asokohe i angazhuar për prestigjozen amerikane “New York Times” – me raportimet nga fronti aleat, me qendër në Kajro. Nga materiali në fjalë, kuptojmë se tashmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin kristalizuar një program për rregullimin e kufinjve të Europës Lindore, duke përfshirë shkëputje territoresh në favor të Greqisë, ku njëra prej tyre duhej të ishte dhe Qiproja, e cila pas Luftës duhej t’i kalonte kësaj të fundit, duke u shkëputur nga kolonizimi britanik. Përsa i përket pretendimeve greke mbi kufirin shqiptar të jugut, Departamenti i Shtetit, sipas Sulzberger, i shihte ato si “disi të ekzagjeruara”, megjithëse atyre i duhej kushtuar vëmendje dhe se e nevojshme, jo vetëm në marrëdhënie me Shqipërinë, por edhe me Bullgarinë e Jugosllavinë, bëhej kësisoj vetëm një korrekturë e pjesshme e tyre.

Nga plani s’preket vetëm Turqia

Po ashtu, sipas Departametit të Shtetit, duheshin siguruar të drejtat e Bullgarisë e të Jugosllavisë për të pasur akses në portin grek të Selanikut. Jugosllavia duhej të merrte nga Italia dhe Austria rajonin e Fiumes e të Zarës, pra ishujt jashtë brigjeve kroate dmth. jugosllave, ndërsa kufinjë e saj të Paraluftës me Hungarinë, Austrinë dhe Rumaninë, thuhej se duhet të mbeteshin ato që kishin qenë. Më tej në raport thuhej se: Rumania duhet t’i japë Besarabinë dmth. Moldavinë Rusisë dhe jugun e rajonit të Dobruxhës, Bullgarisë, duke u kompensuar me rikthimin e të gjithë rajonit verior të Transilvanisë që do i merret Hungarisë, përveç një copëze të vogël që do vijojë t’i mbetet Hungarisë në rajonin rreth Aradit. Dukej qartazi se nga ky plan mbeste pa u prekur pra vetëm Turqia, e cila nga fundi i Luftës shihej tashmë si aleate e frontit antinazist dhe që edhe gjatë Luftës nuk kishte vuajtur nga “shkëputje territoresh”, apo pushtim si pak vende europiane në atë kohë, duke ruajtur “pro forma” neutralitetin.

Shqipëria të japë Shkodrën e të marrë Kosovën

Për Shqipërinë, në mënyrë të veçantë e të nënvizuar thuhet se: duhet të jetë një shtet sovran dhe duhet t’i jepen pjesë nga Jugu i Jugosllavisë, me një kompensim në formën e shkëputjes së një pjese të territoreve veriore të saj, duke përfshirë mundësisht Shkodrën, që duhet t’i shkojnë Jugosllavisë. Ndërkohë, Italia duhet t’i dorëzojë shqiptarëve, ishullin e Sazanit në Gjirin e Vlorës. Në raport fillimisht theksohet se pikëpamjet e zyrtarëve amerikanë kanë si synim vendosjen e parakushteve bazë për arritjen e paqes në një rajon të trazuar. Plani përbante tri objektiva: i pari paraqet një rishikim apo një rirregullim të kufinjve në bazë të negociatave direkte të shteteve të përfshira. Objektivi i dytë synonte sponzorizimin e idesë së bashkëpunmimit rajonal. I treti thuhej se dëshiron të inkurajojë rehabilitimin ekonomik të vendeve të Ballkanit, pasi ata të kenë zgjedhur lirisht qeveri të dala nga vota popullore. Kjo politikë, sipas Sulzberger, duket të jetë shumë më pozitive se sa ajo aktuale.

Planet amerikane, skica “jozyrtare”


Në artikull theksohet se: “megjithëse pikëpamjet e Departamentit të Shtetit janë skicuar në një bazë specifike, në dukje nuk shihet ndonjë këmbëngulje për t’i zbatuar ato domosdoshmërisht në terren”, çka i jepte këtij raporti të drejtën për t’a trajtuar atë thjesht si një pikëpamje jozyrtare, i cili në fakt do të zinte vend pjesërisht në formësimin e Europës së Pasluftës, pas Konferencave të Jaltës ( shkurt 1945) e asaj të Potsdamit (korrik 1945). Më tej, në raport thuhet se: Shetet e Bashkuara mendojnë se grekët duhet të lejohen të zgjedhin në mënyrë demokratike formën e regjimit, duke votuar mes monarkisë e republikës. Departamenti i Shtetit aprovon shkëputjen e ishujve dodekanezë nga Italia në favor të Greqisë, përveç Castellorizzo-s, i cili duhet t’i shkojë Turqisë. Qipro gjithashtu i duhet dhënë Greqisë.

Amerikanët: Pretendimet greke, të ekzagjeruara

Amerika i sheh pretendimet kufitare të zyrtarëve grekë si disi të ekzagjeruara. “Disa zyrtarë të ndryshëm grekë kanë shprehur pretendime për një vijë të gjerë në Shqipërinë e Jugut, si dhe gjithashtu edhe të jugut të Bullgarisë, por edhe pjesë të vogla të Jugosllavisë. Departanmetni i Shtetit mendon se në këtë rast, ka nevojë vetëm për një korrigjim fare të vogël të tyre. ..Porse pretendimet kundrejt Shqipërisë duhen parë me kujdes”.

Sfidat e reja në Ballkan dhe pikëpamjet “reale” amerikane

Megjithëse raporti i mësipërm paraqet një pikëpamje teknike parazyrtare të qeverisë amerikane mbi të ardhmen e Europës Lindore të Pasluftës, duket se shumëcka ndryshoi me kalimin e kohës, duke bërë që disa linja të këtij orientimi të korrigjoheshin apo të mos gjenin terren. Kjo edhe si pasojë e vendimeve të dy konferencave që do të pasonin, si dhe e atyre që ishin zhvilluar më parë në mënyrë formale apo informale mes liderëve kryesorë aleatë, e nga ana tjetër, sigurisht edhe e zhvillimeve që do të sillte praktikisht Lufta e Ftohtë. Në kohën për të cilën po flasim, në Shqipëri kishte filluar punën ajo që njihej si “qeveria demokratike e Tiranës”, megjithëse akoma nuk ishte njohur zyrtarisht as nga SHBA, as nga Britania e Madhe e as nga BRSS. Nga ajo çka tregojnë raportet e mëvonshme, rezulton se paradoksalisht, pikërisht SHBA ishin një hap para BRSS dhe Britanisë së Madhe në njohjen e qeverisë komuniste të Tiranës, duke rekomanduar njohjen kundrejt refuzimit që vinte akoma nga Moska dhe Londra, të cilat do ta bënin këtë përgjatë harkut të dy viteve në vijim. Madje janë vërtetuar edhe fërkime mes Londrës e Uashingtonit në këtë aspekt, të cilat sigurisht se do të shuheshin më vonë bashkë me mbështetjen e tyre për regjimin e Hoxhës dhe largimin apo mospraninë e misioneve të tyre diplomatike, deri në rënien e komunizmit në Shqipëri.

Amerikanët: Mosndryshim kufinjsh për Ballkanin

Pikëpamjet amerikane në lidhje me rajonin e Ballkanit, vazhdimisht kanë qenë për mosndryshim të kufinjve, linjë e cila vijon të mbetet aktuale edhe në konstelacionet e reja politike rajonale pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sidoqoftë, herë pas here, ashtusikurse edhe në rastin e draftit të DAP në 1945, ka ngritur krye edhe ndonjë pikëpamje nga rrethe jozyrtare apo gjysëmzyrtare në SHBA, për rishikim apo këmbim territoresh për të paqësuar përfundimisht rajonin e Ballkanit, e sidomos atë të pjesës së tij jugperëndimore, i cili vijon të mbetet një kockë e fortë për t’u përtypur nga Uashingtoni dhe Brukseli për shkak të sfidave dhe të papriturave që vazhdimisht ka rezervuar.

اurçilli dhe Stalini: Europa të ndahet, Amerikën nuk e pyesim!

Konferenca e Jaltës, mbajtur në gadishullin e Krimesë në ish-Bashkimin Sovjetik, në datat 4 deri më 11 shkurt 1945, ishte një takim diplomatik i tre krerëve aleatë gjatë Luftës së Dytë Botërore, i dyti në radhën e atyre që njihen si tri konferencat e mëdha aleate, duke pasuar atë të Teheranit ( 28 nëntor-1 dhjetor 1943) e paraprirë atë të Potsdamit (17 korrik-2 gusht 1945). Në të morën pjesë tri liderët kryesorë të frontit aleat; Franklin D. Roosevelt (SHBA), Winston Churchill (Mbretëria e Bashkuar) dhe Josif V. Stalin (ish-Bashkimi Sovjetik). Tema të konferencës ishin para së gjithash ndarja e Gjermanisë, ndarja e pushteteve dhe e zonave të influencës në Europën e Pasluftës dhe vulosja e fatit të Perandorisë japoneze. Nga kjo pikëpamje, duke pasur parasysh se Konferenca e Potsdamit u mor më shumë me ndarjen e Gjermanisë dhe çështje të tjera me interes për aleatët (duke shënuar njëkohësisht edhe ngritjen e Perdes së Hekurt në kontinent), ajo mbetet si më e rëndësishmja për fatet e rajonit tonë e ato të Shqipërisë së Pasluftës. Në vendimet e saj gjetën vend pretendimet sovjetike për shtrirjen e influncës së saj në Kinë e Azi, duke zëvendësuar në këtë mënyrë interesat e deriatëhershme japoneze. Gjermania vetë u nda fillimisht në tri e pastaj në katër zona pushtimi – duke trajtuar përfundimisht edhe Francën si fuqi aelate me të drejta apo pretendime të barabarta me aleatët e tjerë. Stalini këmbënguli pikërisht në këtë konferencë, që ndër të të tjera, i gjithë rajoni i Ballkanit, ashtu sikurse vendet Balltike e ato të Europës Lindore (përfshirë këtu fillimisht madje edhe Italinë) duhej të përbënin një unazë sigurie për interesat e Bashkmit Sovjetik, duke formuar një rreth vendesh satelite që do të mbronin kufinjtë e tij. Dëshirave të tij, dy liderët perëndimorë, i shkuan prapa vetëm pjesërisht. Italia për shembull, iu la përfundimisht sferës së ndikimit perëndimor, ndërkohë që اekosllovakia e vendet Balltike iu lanë Stalinit. Mbi qeverisjen në Poloni nuk u gjet asnjë akord, dhe gjithashtu çështja e kufinjve të saj u la për zgjidhje. Interesant është fakti se sferat e influencës në Europën Lindore ishin vulosur mes Stalinit dhe اurçillit “de facto” qysh në Konferencën e Moskës, në tetor 1944, në mënyrë informale, duke anashkaluar pikëpamjet e Francës e sidomos ato të SHBA. Në një copëz letër që اurçilli ia dorëzoi Stalinit, ishin përcaktuar me përqindje të sakta ndarjet që ata mendonin. Stalini ia ktheu mbrapsht homologut të tij atë me shenjat përkatëse miratuese për çdo propozim, duke bërë kësisoj që fati i shumë popujve tashmë të ishte i paracaktuar, pavarësisht asaj çka propagandonin aleatët në sipërfaqe, ku rëndom flitej për “vetvendosje e zgjedhje demokratike”. Për Shqipërinë aty nuk flitej thuajse fare dhe ajo konsiderohej si pjesë e fatit të Jugosllavisë, e cila në atë letër ishte përcaktuar si e ndarë 50% me 50%, sipas interesave të “të mëdhenjve”. Ndërsa për Greqinë, në letër ishte përcaktuar një ndarje prej 90% për interesat britanike e 10% për ato sovjetike, çka në fakt gjeti më vonë edhe zbatim në terren, ku u pa se pas disa viteve përpjekje të dhunshme, Stalini hoqi dorë prej saj duke lënë pas hirin e një lufte të përgjakshme civile në atë vend, me pasoja jo të vogla edhe në marrëdhëniet e Greqisë me vendet e saj fqinje. Fakti i mësipërm për një lloj anashkalimi të interesave amerikane në hartimin e të ardhmes së Europës së Pasluftës, është bërë shpesh edhe objekt kritikash për administratën amerikane të asaj kohe, megjithëse në një pjesë shumë të konsiderueshme, sigurisht se interesat amerikane përputheshin plotësisht me ato britanike. Pas përfundimit të Luftës, tashmë skeptrin e liderit përfundimisht e morën SHBA, të cilat ravijëzuan plotësisht linjat e politikës aleate në përballje me ish-BRSS e Bllokun Lindor, duke e zbehur relativisht shpejt rolin e Britanisë së Madhe.

Pretendimet greke dhe qëndrimet amerikane

Pretendimet territoriale greke ndaj Shqipërisë u shfaqën me forcë sidomos gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Paqes në Paris (29 korrik – 15 tetor 1946). Përveç argumentave të vjetra rreth Vorio Epirit, Greqia e cilësonte Shqipërinë si pjesë të agresionit ndaj vendit të saj në vitin 1940, kur nisi konflikti italo-grek. Ato u kundërshtuan forcërisht nga kreu i delegacionit shqiptar, ish-Kryeministri Enver Hoxha. Kundrejt tyre, Shqipëria do të mundohej të vinte në pah kontributet e Shqipërisë përkrah koalicionit antifashist dhe krimet e bandave të Napoleon Zervasit kundër popullsisë çame, gjë e cila do të tolerohej nga fuqitë aleate, megjithëse për këtë çështje konferenca autorizoi ngritjen e një komisioni ndërkombëtar, i cili nuk do ta zgjidhte dot këtë çështje, pikësëpari, për shkak të orientimit prolindor të qeverisë së Tiranës, por edhe këmbënguljes britanike në krah të qeverisë greke në kontekstin e luftës civile që po zhvillohej asokohe në Greqi. Pala amerikane preferonte vazhdimisht një pozicion më të reformuar përballë pretendimeve greke ndaj Shqipërisë së Jugut dhe nuk rezulton të jetë shprehur kurrë zyrtarisht pro tyre gjatë dhe pas Luftës.
Gazeta Dita
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top