Amazonat shqiptare

Lauri

Anunnak
Viti 1787 : një batalion prej dyqind vajzash të reja shqiptare marshon me hap krenar para princit Charles-Joseph në qytetin Kafa, ish Theodozia e lashtë pranë Detit të Zi. Princi mahnitet. Dhe me të drejtë : ishte koha kur fanatizmi fetar oriental ia ndalonte rreptësisht një vajze të re apo një gruaje të shfaqej publikisht me fytyrën zbuluar. E megjithatë, ja ku po i shfaqeshin para syve bukuroshe të armatosura, amazona të vërteta shqiptare!


Në letrën dërguar nga Kafa Markezës së Coigny-së, princi belg i Linjës Charles-Joseph, figurë e ndritur ushtarake dhe letrare e kohës shkruante : “Gjithandej nuk pashë veçse një grua: ishte një princeshë për nga gjaku, mbesë e sulltanit të fundit Selim-Xheraj. Perandoresha, para së cilës ajo u zbulua, më fshehu prapa një perdeje : princesha ishte yll e bukur, dhe kishte më shumë diamante nga ç’kanë tërë gratë e Vienës të marra së bashku, dhe kaq është pak të thuash. Por nga ana tjetër, pashë, dhe e kam fjalën për fytyrën e zbuluar, vetëm ato të një batalioni shqiptaresh të një kolonie të vogël maqedonase vendosur në Balakllava : dyqind gra apo vajza bukuroshe, me dyfekë, kama e heshta, me gjokse amazonash dhe me flokë të gjata e gërshetuar hijshëm, kishin ardhur me rastin e vizitës sonë për të na nderuar, dhe aspak nga kërshëria.” (Letra VII, 1787).

Që këto amazona janë vasha shqiptare, as që mund të vihet në dyshim, ndonëse historikisht është njohur në Kaukaz edhe një Albania tjetër, e themeluar, siç duan të thonë mjaft autorë, nga Aleksandri i Madh. Por ja që princi belg në këtë pikë është mëse i prerë : ai shprehet qartë për një batalion vajzash shqiptare “të një kolonie të vogël maqedonase (sic) vendosur në Balakllava.” Pra, princi belg, që gjeti aty edhe një shqiptar (“albanois”) tjetër që fliste italisht dhe i shërbeu ndëkohë si “terxhuman”, e ka fjalën pikërisht për një koloni shqiptare të kohës vendosur në brigjet e Detit të Zi, ashtu siç kanë pasë qenë vendosur historikisht familje të tilla shqiptare në Kalabri, Siçili, More, Egjipt, Siri, Tunizi, e ku nuk tjetër ! Përderisa jenicerët shqiptarë e ballkanikë që mbushnin radhët e pararojës së fuqishme të ushtrive të pafunda osmane numëroheshin me dhjetra mijëra dhe degdiseshin familjarisht në të katër anët e Perandorisë - sikurse është rasti i Hasan Jeniçerit shqiptar të vitit 1516 të Leon Kahunit -, s’ka pse vihet në pikëpyetje fakti historik i amazonave shqiptare që na parashtron Princi i Linjës. Po ashtu s’ka pse joshemi a hallakatemi këtu as nga teori të tilla që e shohin prejardhjen e shqiptarëve nga albanët e Kaukazit, nga skythët apo cirkasienët e lashtë, djepi “tradicional” i amazonave, ku janë gjetur varre të grave luftëtare varrosur me armët e tyre që në vitet 600-200 para J.K. Le t’ua lëmë etnologëve, arkeologëve, gjuhëtarëve e historianëve fjalën e fundit në çështjen delikate të popullsive të lashta parahelene e parailire, përfshirë edhe çështjen e origjinës së amazonave, dhe le të shohim më nga afër se ç’përfaqësojnë historikisht amazonat tona shqiptare, si na shfaqen ato në tiparet e tyre themelore dhe ç’rol kanë luajtur në historinë e vendit tonë.

Në radhë të parë, amazonat shqiptare janë të reja bukuroshe, përgjithësisht vajza virginae, apo vajza-burrneshë, që prinin flokët dhe visheshin me rroba burri, madje këmbenin edhe emrin e vajzërisë me emrin e një djali. Por mbi të gjitha, ato mbanin gjatë tërë kohës armë, dhe dinin mjeshtërisht e burrërisht t’i vinin në përdorim. Shkaku i një veprimi dhe qëndrimi të tillë, pa shkuar menjëherë në thellësi të matriarkatit, ishte kryekëput shoqëror, me karakter sa të brendshëm, fisnor apo kanunor, aq edhe të jashtëm. Sepse, në u duhej të shmangnin një martesë të detyruar, apo një fejesë që në djep, u duhej po ashtu të merrnin gjak për një anëtar të vrarë të familjes së tyre, dhe sidomos e për më tepër, u duhej të mbanin qëndrim të prerë ndaj dushmanit që u shkelte vatanin, që kërkonte t’u merrte nderin apo t’i shiste si skllave për të mbushur haremet orientale. Historiografia shqiptare ka një dëshmi konkrete tek figura e Norës së Kelmendit (ne foto te kesaj teme)gjatë shekullit XVII, të njohur ndryshe edhe me emrin Nora e Bukur. Ajo nuk ngurron të vrasë pashain turk me thikë në zemër për të mbrojtur nderin e cucërisë së maleve, si dhe për t’ua lehtësuar barrën banorëve kreshnikë të Kelmendit në përpjekjet e tyre për të qenë gjithmonë të lirë e të pavarur. Ishte pikërisht viti 1638, kur Nora e Kelmendit, në krye të shoqeve të saj burrënesha i futi pushtuesit osmanë në prita të honeve dhe vetë shkoi fill e në çadrën e Vuçe Pashë osmanit për ta vrarë me dorë të ftohtë.

nora 2.jpg
ثshtë për të ardhur keq që një Norë e tillë e Bukur, një zanë mali me bëmë kreshnike, nuk ka ende një përmendore që të lartohet mes majave të Kelmendit, në Tamarën e vendlindjes së saj për t’i hijeshuar ato maja edhe më madhërishëm, pse jo përkrah ndonjë busti të papa Klementit XI të njohur ndryshe Shën Albani. Le të japim me këtë rast një gravurë të rrallë të një autori të huaj anonim të shekullit XIX, titulluar “In Albania”, që paraqet shi një amazonë të bukur shqiptare mes kreshpave të maleve. ثshtë duke fshirë e ledhatuar ëmbël një kamë të gjerë, armën e saj besnike, përkrah dyfekut plot barot. Gjithë zbukurime gjerdanesh në gushë e me vathë në veshë, plot feminitet e dinjitet, me leshrat krejt krela shfaqur mbi ballë, që të kujtojnë malësoret tona të derivonshme, ajo ka ngulur vështrimin paksa të ashpër tëposhtë, andej nga ku mund t’i vijë rreziku, teksa vetë ka pushtuar majën e malit dhe po gatitet për sulm. As që ia bën syri tërr. Një forcë e brendshme morale e shpirtërore, një ndjenjë lirie e lavdie, vetë shpirti i lashtë amazonik i jep asaj guxim e siguri të pashoqe. Duket sikur kjo gravurë personifikon vetë legjendën e Norës së Kelmendit.

Rreth viteve 1900, një Norë e dytë bukuroshe shfaqet sërish në historinë shqiptare : Nora e Hotit, po aq sypatrembur dhe e papërkulur përballë pushtuesit osman. Kurse gjatë kryengritjeve të përvijueshme shqiptare që i paraprijnë shpalljes së pavarësisë, lartohet figura e Tringës nga Gruda për të cilën flet etnografia Claudine Roulleau në librin e saj “Tri enigma : shqiptarë, ciganë, baskë”. Për Tringën, na flet po ashtu edhe Anastas Kondo, tek komenton bukur tablonë “Zhan d’Arka shqiptare” të vitit 1911, në të cilën ai sheh si autor të mundshëm të saj piktorin shqiptar Ndoc Martini. Në fund të fundit, te “Zhan d’Arka shqiptare”, te kjo tablo e fuqishme që tërhoqi vëmendjen e publikut francez dhe perëndimor të kohës, duhet të shohim thjesht simbolin historik të luftëtares amazonë shqiptare në krye të çetave patriotike, qoftë kjo “Janica Martiniani”, Tringa e Grudës, Shote Galica apo shoqe të tyre.

Shfaqet në këtë rast një tjetër tipar i fuqishëm i amazonave tona, përtej elementëve zanafillorë mitologjikë : ato nuk kanë vepruar aspak të veçuara apo të mëvetësuara, në zona që t’u përkisnin vetëm për vetëm atyre, sikurse në Lashtësinë e matriarkatit ishujt Lemnos e Lezbos. Përkundrazi, ashtu sikurse në luftën e Trojës, ku amazonat, me në krye Pentesilenë i shkuan në ndihmë trojanëve pas vrasjes së Hektorit, për t’u ndeshur ashpër me Akilin dhe shokët e tij, amazonat shqiptare gjithmonë janë rreshtuar përkrah burrave, prindërve dhe vëllezërve të tyre, duke mbushur radhët e çetave patriotike dhe më pas të batalioneve nacionalçlirimtare. Si në Veri, si në Jug, amazonat shqiptare historikisht kanë qenë përherë të pranishme, gjithëvepruese dhe shembull qëndrese e heroizmi. Po ashtu, gjeografikisht, ato kanë mbuluar krejt vendin e ilirëve të lashtë, të albanëve a arbërve, kudo në ngulimet dhe trevat shqiptare.

Shumë këngë i janë thurur 56 amazonave suliote që, me në krye Moskon e Dhespon, luftuan heroikisht me armikun. Shumë pena e penele të ndritura evropiane e botërore, deri te poeti i mirënjohur kanadez Joseph Lenoir (shek. XIX) dhe tabloja e famshme e Luvrit “Gratë suliote” të Ary Scheffer, lartësuan e stampuan përjetësisht heroizmin e tyre. Le të citojmë me këtë rast disa vargje të akademistit francez Népomucène Lemercier të fillimit të shekullit XIX për Moskon, gruan luaneshë të Xhavellës :
(Fotaq Andrea)
 
Back
Top