Aksidentohen dasmorët, dy të vdekur

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
Pa kaluar as 24 orë nga tragjedia e ndodhur në autostradë, ku 5 persona humbën jetën, një tjetër aksident i rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm, ku mbetën të vdekur dy vetë e 6 të tjerë u plagosën. Ngjarja ndodhi në orën 01:20 në afërsi të mbikalimit të Sukthit, kur mjeti me targë angleze S 696 VثB është përplasur me trafikndarësen. Forca e përplasjes për shkak të shpejtësisë ka qenë tepër e madhe, duke e çuar mjetin jashtë rruge. Kadri Brahaj, 70 vjeç dhe Valbona Metaj, 40 vjeçe, banues në Kamëz kanë mbetur të vdekur në vend. Ndërsa gjashtë pasagjerë të tjerë u plagosën rëndë. Ata janë nisur nga policia për në spitalin e Durrësit, por dy prej tyre më pas u dërguan për në Spitalin Ushtarak, pasi gjendja e tyre ishte kritike. Mësohet se njëri prej pasagjerëve ka thyer shtyllën kurrizore dhe mjekët japin pak shpresa për jetën e tij. Policia identifikoi të plagosurit e këtij aksidenti, të cilët janë Din اuni, 54 vjeç, (drejtuesi i mjetit), Mydajet Ringaj, 52 vjeç, Feride Ringaj, 38 vjeçe, Sajmir Meta 15 vjeç, që të katër nga Kamza si dhe Hajrie Dezhani, 53 vjeçe dhe Ermal Brahaj, 20 vjeç, nga fshati Bicaj i Kukësit. Mësohet se viktimat janë të afërm me njëri–tjetrin dhe kishin qenë të gjithë bashkërisht në një dasmë familjare në Xhafzotaj të Sukthit. Pasi kanë mbaruar dasmën, ata janë nisur për në Tiranë. Gjatë hetimeve të kryera pas ngjarjes, rezultoi se drejtuesi i mjetit Din اuni kishte konsumuar alkool mbi normën e lejuar dhe drejtonte makinën në gjendje të dehur. Kur mjeti është ndodhur rreth 200 metra larg mbikalimit të Sukthit, ku më pas do të dilte në autostradë, nga shpejtësia është përplasur me një trafikndarëse. Në vendin e ngjarjes rruga është e amortizuar dhe pa asnjë sinjalistikë. Nga goditja e fuqishme, fuoristrada ka bërë disa salto gjersa ka përfunduar rreth 15 metra larg nga rruga. Aksidenti është pikasur nga mjete të tjera në lëvizje, të cilat sinjalizuan menjëherë policinë. Blutë konstatuan një tjetër tragjedi pas asaj që kishte ndodhur rreth 24 orë më parë në Maminas. Të dyja vendngjarjet janë afër me njëra-tjetrën, ndërsa viktimat e saja janë të gjithë dasmorë. Ngjarja e djeshme ka alarmuar policinë, e cila për dy net më radhe regjistroi aksidentet më të rënda të ndodhura për këtë vit në autostradën Tiranë-Durrës. Mëngjesin e së dielës një makinë “Golf” u përplas me dy mjete të tjera, teksa drejtuesja 27-vjeçare ishte futur në korsinë e gabuar. Për pasojë, 5 personat që ndodheshin në mjetin e saj gjetën vdekjen e menjëhershme, ndërsa tre të tjerë që gjendeshin në makinat e përplasura pësuan fraktura të rënda. Në më pak se 22 orë mes Maminasit dhe Sukthit në dy “agime të zeza”, kanë humbur jetën shtatë persona, ndërsa tetë të tjerë kanë pësuar gjymtime të rënda trupore. Në këtë situatë kreu i policisë, Ilia Nasi, përmes një konference të jashtëzakonshme u shpreh se ngjarjet kanë ndodhur për shkak të mosrespektimit të rregullave të qarkullimit. Gjithashtu edhe për shkak të alkoolit. “Pas analizave dhe hetimeve te kryera, rezulton se shoferi ka ngarë makinën nën efektin e alkoolit”, u shpreh kreu i policisë. “Kemi kërkuar përforcime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe që sot forca të shtuara nga Tirana do të qëndrojnë për patrullime në rrugët e Durrësit. Veç forcave njerëzore do të na sigurohen edhe radarë dhe alkoolmatës të tjerë”, tha Ilia Nasi, duke garantuar shërbimin 24 orë të policisë. “Megjithatë sado përpjekje kolosale që të bëjë Policia e Shtetit, në radhë të parë duhet ndërgjegjja e mirë e atyre që janë në timon. Përfitoj nga mediat për ta publikuar këtë apel, pasi Durrësi është në mesin e sezonin turistik. Policia do të bëjë të pamundurën për të garantuar siguri në rrugë, por këtu lipset edhe ndërgjegjja qytetare, për të cilën kemi shumë nevojë”, u shpreh Nasi.


Aksidenti

Të vdekur
Kadri Brahaj 70 vjeç
Valbona Metaj 40 vjeçe
Të plagosur
Din اuni 54 vjeç
Mydajet Ringaj 52 vjeç
Feride Ringaj 38 vjeçe
S. Meta 15 vjeç
Hajrie Dezhani 53 vjeçe
Ermal Brahaj 20 vjeç


Aksidentet, LSI: Qytetarët të zbatojnë rregullat e qarkullimit

Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu dje shqetësimin e saj për numrin e madh të aksidenteve rrugore dhe viktimave të ditëve të fundit. Zëdhënësi i kësaj force, Ralf Gjoni kërkoi zbatimin e rregullave të qarkullimit. “Duke ngritur shqetësimin tonë për aksidentet rrugore të ditëve të fundit, dëshirojmë të theksojmë se siguria e jetës së qytetarëve në rrugët e Shqipërisë është e kërcënuar prej mungesës së zbatimit të rregullave të qarkullimit dhe trafikut të dendur”, tha Gjoni. LSI inkurajoi dje institucionet shtetërore për të rritur gadishmërinë e tyre në këto ditë pushimesh.
“Inkurajojmë gjithashtu forcat e policisë rrugore dhe ato të ndihmës së shpejtë të tregojnë gadishmëri më të lartë dhe efikasitet në ushtrimin e detyrës duke u siguruar për zbatimin e rregullave të qarkullimit prej motorristëve, për marrjen e masave ndëshkimore ndaj shkelësve të ligjit pa toleruar asnjë rast, si dhe për dhënien në kohë të ndihmës së shpejtë në mënyrë që probabiliteti i humbjes së jetës për të aksidentuarit të reduktohet në maksimumin e mundshëm”, u shpreh zëdhënësi i LSI-së. Lëvizja Socialiste për Integrim ka si prioritet të saj dhe programor, sigurinë e jetës. “Për LSI-në, siguria e jetës së qytetarëve shqiptarë është një çështje themelore e programit tonë elektoral dhe një çështje e rëndësishme për të cilën do të kontribuojmë seriozisht në qeverinë e ardhshme, në mënyrë që të sigurojmë një reduktim të qëndrueshëm të numrit të vdekjeve në rrugët e Shqipërisë”, u shpreh Gjoni.



Përplaset për vdekje 21-vjeçarja

LUSHNJE - Një 21-vjeçare ka mbetur viktimë e një aksidenti të rëndë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në superstradën Lushnjë-Rrogozhinë. Ngjarja ndodhi pranë fshatit Dushk, kur banorja e këtij fshati, Z.Mita u aksidentua, ndërsa po kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Në momentin që ajo është hedhur nga trafikndarësja, automjeti me targa të Tiranës që drejtohej nga H.Zaçe e ka përplasur atë. Goditja ka qenë e fortë dhe për pasojë viktima ka marrë plagë të rënda në të gjithë trupin. Drejtuesi i mjetit është ndaluar dhe e ka marrë me shpejtësi 21–vjeçaren që ende ishte në jetë,duke e çuar menjëherë në spitalin e Lushnjës. Por ndërhyrja e mjekëve ka rezultuar e kotë,pasi vajza sipas tyre kishte ndërruar jetë gjatë rrugës. Drejtuesi i mjetit u shoqërua në polici për të dhënë edhe ai versionin e ngjarjes.
*panorama*
 
Back
Top