Aksidentet, protagonistët i "zgjidhin" në mënyrë private

Cyber_Spartacus

Homo Homini Lupus
Gjatë muajit të shkuar, vetëm 7 dosje mbërritën në gjykatë

Sokol اobo

Drejtësia dorëzohet për dokumentimin e aksidenteve rrugore, të cilat i marrin jetën rreth 20 personave në muaj. Megjithëse me shifra "lufte", zbulimi apo dokumentimi i këtyre ngjarjeve vazhdon të çalojë nga policia dhe prokuroria, të cilat nuk mund të vënë para përgjegjësisë penale autorët. Nga të dhënat e marra nga Prokuroria e Tiranës rezulton se në muajin korrik kanë shkuar në gjykatë vetëm shtatë dosje, megjithëse policia e kryeqytetit ka dërguar për ndjekje penale dhjetëra persona. Zbulimi lë për të dëshiruar, çka ka shtuar edhe numrin e madh të aksidenteve. Rregullat e qarkullimit rrugor shkelen me të dyja këmbët, ndërsa drejtësia qëndron në vendnumëro. Justifikimi i vetëm i njerëzve që "zbatojnë" ligjin është se palët (autorët dhe viktimat) gjejnë zgjidhje private. Kundrejt një ryshfeti aksidentuesi i shpëton ndjekjes penale. Në këtë rast organi i prokurorisë mbyll njërin sy, pasi ligji thotë se nëse ndodh një vepër penale, megjithëse viktima nuk pranon të bëjë denoncim, prokuroria është e detyruar të vazhdojë hetimet, deri në ndjekjen penale.


Dështimi i dokumentimit

Nëse i referohemi Prokurorisë së Tiranës, më të madhen në Shqipëri, çdo muaj regjistrohen rreth 150 aksidente rrugore dhe ndjekje penale për drejtues të automjeteve në gjendje të dehur apo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Për veprat penale të dehjes në timon dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit prokuroria pothuajse ka dështuar totalisht, pasi shoferët "falen" me këto vepra penale, megjithëse ligji parashikon masë ndëshkuese, nga gjobë deri në një vit burg. Bilanci i punës së akuzës së kryeqytetit, sa i përket dokumentimit të rasteve, llogaritet në një përqindje të vogël. Nga 150 procedime që mund të nisen, vetëm 7-10 për qind përfundojnë në gjykatë. Po ku përfundojnë procedimet e tjera? Prokuroria deklaron se autori dhe viktima gjejnë zgjidhje private. Një gjë e tillë nuk lejohet në Shqipëri, pasi nëse vërtetohet një rast i vetëm, atëherë aksidentuesi mund të akuzohet për mitëdhënie dhe viktima për mitëmarrje në sektorin privat dhe nga kjo vepër penale mund të dënohen disa herë më shumë se nga do të "përfitonin" nga aksidentet. Aksidentet e rënda që ndodhin në kryeqytet mund të zbardhen fare thjeshtë, pasi në të shumtën e rasteve, në materialet e referuara nga policia në prokurori, shumë dëshmitarë tregojnë për ngjarjen e ndodhur. Sektori i krimit dhe shëndetit në Prokurorinë e Tiranës duket se gjatë muajit korrik ka menduar për pushime, ndërsa dokumentimet e rasteve të tilla janë me pikatore.


Veprat penale

Nëse drejtësia nuk funksionon në terren, ligjvënësi shqiptar ka menduar se aksidentet rrugore apo shkeljet e qarkullimit rrugor të dënohen me masë të rreptë, deri me burg. Por "teoria" nuk zbatohet, së pari nga oficerët e policisë gjyqësore dhe së dyti nga prokuroria, ku dhjetëra aksidentues apo "vrasës në rrugë" i shpëtojnë me anën e një ryshfeti masave penale. Nëse i referohemi Gjykatës së Tiranës, atëherë do të shikojmë se pesë nga shtatë dosjet e prokurorisë janë për "shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor", ku nga përmbajtja e këtij neni thuhet se "shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar vdekjen, plagosjen e rëndë të një personi ose plagosjen e lehtë të disa personave, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dhjetë vjet". Pra masa e dënimit është shumë e rëndë, por shumë pak, për të mos thënë aspak, zbatohet nga drejtësia shqiptare, qoftë nga kërkesat e prokurorisë dhe nga dënimet e gjykatës. Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjykatë edhe dy dosje nën akuzën e "drejtimit të automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi, që përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj".

KODI PENAL



Neni: 290/1

Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor p.1

Përmbajtja: Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar vdekjen, plagosjen e rëndë të një personi ose plagosjen e lehtë të disa personave, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.


Neni: 291

Titulli: Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi

Përmbajtja: Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara në gjendje të dehur apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Gazeta Shqip​
 
Nuk shikojne qe kemi vrases ne per rruge po shikojne si tu japin leje GAY te ...... me lejen e shtetit.....
 
Back
Top