Titulli: Aksident në Vlorë, plagosen 4 të rinj
Festa e maturës, aksidentohen 18-vjeçarët (FOTO)
VLORث – Kanë festuar mbylljen e maturës në rrugët e qytetit duke zhvendosur më pas adrenalinën në bregdet, por festa është mbyllur traumatizuese për një grup të rinjsh maturantë të shkollës “Qemal Ataturk”.
Të rinjtë ishin në një fuoristradë “Mitsubishi” me karroceri, një pjesë e tyre edhe tek kjo e fundit. Dëshmitarë okularë pohojnë se ata vinin nga Radhima për në Vlorë.
Mjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi dhe në një nga kthesat e rrugës nacionale është përplasur me bordurën e hekurt, që kufizon rrugën me detin. Mjeti është rrokullisur disa herë. Ambulanca dhe mjete policie kanë shkuar në zonë, duke dhënë ndihmën e parë për të rinjtë e plagosur, për të cilët ende nuk ka një numër të saktë.
Tre prej tyre, dy djem dhe një vajzë, po marrin ndihmë të specializuar në spitalin rajonal të Vlorës. Mjekët thonë se janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa kanë dëmtime në kokë, fytyrë e trup.
Sot në qytetin e Vlorës, të rinjtë maturantë kanë kryer ceremonitë e mbylljes së maturës dhe më pas, të grupuar në automjete private i janë drejtuar pjesë së bregdetit. Festa të tilla shihen me preokupim nga efektivët e policisë së qarkullimit, të cilët pohojnë se ka prej tyre që janë kapur pa patenta, apo edhe tejkalim të shpejtësive.
/Anila Peçi/
Shekulli