Agjenti i infiltruar kap 2 kg kokainë, do shitej në kazinotë dhe baret e Tiranës

BoOoMBaStiCk

Il Silenzio
V.I.P
policia-droga-kokaina-tirane-300x200.jpg

Leonard Bakillari

Tiranë Dy kilogramë kokainë e pastër është sekuestruar dje në Tiranë, edhe pse policia nuk ka mundur të arrestojë të gjithë të dyshuarit si pjesë e rrjetit të narkotrafikut. Në pranga kanë përfunduar dy persona, të cilët, sipas policisë, janë posedues dhe shpërndarës të kokainës, e cila është e cilësisë së mirë edhe pse nuk ka të dhëna për mënyrën si ka hyrë në Shqipëri. Mesditën e djeshme policia arrestoi Selaudin Bajramin, 58 vjeç, lindur në Vlorë e banues në Tiranë dhe Aleksandër Budon, 55 vjeç, nga Tirana. Mësohet se prej dy muajsh të arrestuarit dhe dy bashkëpunëtorët e tyre, të shpallur tashmë në kërkim, ishin nën mbikëqyrjen e policisë, e cila ka arritur të kryejë edhe një blerje të stimuluar. Rreth mesditës së djeshme, Selaudin Bajrami kishte lënë takim me agjentin e infiltruar, të cilit do t’i dorëzonte sasinë prej 700 gramë kokainë. Operacioni i koduar “Royal” është zhvilluar pranë sheshit “Avni Rustemi” në Tiranë, ku është arrestuar në flagrancë 58-vjeçari Bajrami, ndërsa një tjetër skuadër e antidrogës ka ushtruar kontroll në banesën e të dyshuarit tjetër Aleksandër Budo. Nga kontrolli është bërë i mundur sekuestrimi i sasisë prej 1.3 kilogram kokainë, ndërsa policia vuri në pranga edhe poseduesin e saj. Nga hetimet 2-mujore, skuadra e antidrogës ka mundur të identifikojë edhe të paktën dy persona të tjerë që dyshohen si të përfshirë në rrjetin e shpërndarjes së kokainës, por ende nuk është kryer arrestimi i tyre. Sipas policisë, kokaina është e cilësisë së parë dhe vlera e saj e kalon shumën prej 100 mijë euro. “Lënda narkotike kokainë dyshohet të jetë e cilësisë së parë dhe arrin vlerën prej 100 mijë euro, ndërkohë që kjo lëndë shpërndahej dhe shitej në kazino, lojëra fati dhe bare të ndryshme në kryeqytet”- tha dje zyrtarisht policia e Tiranës. Sipas hetimeve, rezulton se dy të arrestuarit dhe dy bashkëpunëtorët e tyre, tashmë të shpallur në kërkim, dyshohet se kryenin trafik ndërkombëtar narkotikësh, por një pistë e tillë është ende në verifikim nga policia. Edhe pse zyrtarisht thuhet se ky rrjet shpërndarësish dhe trafikantësh ndiqej prej dy muajsh, skuadra e antidrogës nuk ka mundur të zbulojë cila është linja që furnizonte me kokainë të pastër të arrestuarit. Ndaj katër të dyshuarve policia ka ngritur akuzën të prodhim, mbajtje, shitje dhe trafikimit të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim, por në proces verifikimi do të kalojnë edhe pasuritë e tyre. Në momentin e ndërhyrjes, përveç sasisë prej 2 kg kokainë e cilësisë së parë, policia sekuestroi edhe shumën prej 45 mijë euro, e cila dyshohet se është përfituar nga veprimtaria e paligjshme e tregtimit të kokainës. Për këtë arsye, policia në bashkëpunim me prokurorinë kanë nisur hetimet edhe mbi asetet apo pronat që kanë katër të dyshuarit, me qëllim verifikimin nëse këto pasuri janë vënë nga shpërndarja e narkotikëve ose jo. Policia tha se po heton edhe persona të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në rrjetin e shpërndarjes dhe trafikimit të kokainës, por emrat e tyre nuk janë bërë të ditur në këtë fazë të hetimit.

Të arrestuarit

Selaudin Bajrami, 58 vjeç, lindur në Vlorë e banues në Tiranë

Aleksandër Budo, 55 vjeç, banues në Tiranë

Sekuestrime

2 kilogramë kokainë e pastër

45 mijë euro, të ardhura nga trafiku


MAPO
 
Back
Top