اështje të mjeteve kodifikuese të shqipes

Love

βeℓℓe â๓e
albanologji738468491.jpg


Fadil Raka
1. Normëzuesit e parë të shqipes do t`i kenë hetuar mirë tingujt fonema të kësaj gjuhe: zanoret dhe grupet e zanoreve, bashkëtingëlloret dhe grupet e tyre, si dhe fenomenet e ndryshme fonetike: të vjetra si palatalizimin, rotacizmin ose ato aktuale që vepronin në gjuhë: mbaresat e emrave dhe të foljeve etj. Këta normëzues mund të kenë pasur një lehtësi, sepse dallimet dialektore të gjuhës shqipe në shekujt e mesjetës dhe më vonë kanë qenë më të vogla sesa sot.

Madje edhe të folmet e veçanta të një dialekti kanë pasur më pak dallime në mes vete sesa sot. Kjo, megjithëkëtë, nuk do të thotë se në kohën kur u shkruan veprat e para të gjuhës shqipe nuk kanë ekzistuar variante të fonemave si dhe trajta paralele gramatikore e leksikore të fjalëve (dytësorë). Edhe pse shkrimtarët e parë shqiptarë nuk kanë pasur mjete për kodifikimin e gjuhës (gramatika, fjalorë etj.), ata kanë pasur aftësi për ta kodifikuar gjuhën në trajtën e shkruar me të gjitha specifikat që mund t`i kishte struktura e saj në atë kohët.

Meqë latinishtja gjatë Mesjetës ishte gjuha më e përhapur dhe më e përpunuar, ajo do të ketë shërbyer si model edhe për shkrimin dhe normëzimin e gjuhës shqipe, prandaj, është e kuptueshme që zgjidhjet më të drejtpërdrejta do të jenë kërkuar pikërisht tek alfabeti latin. Këtë, më në fund, e argumenton edhe shumica e veprave të shkruara në gjuhën tonë gjer në Kongresin e Manastirit (1908) .

1.1. Në literaturën gjuhësore të shkruar në gjuhën tonë dhe në gjuhë të huaja nuk mungojnë të dhënat për hetimin e përpjekjeve që janë bërë rreth studimit të ndihmesave të dhëna gjatë historisë për hartimin e gramatikave dhe të fjalorëve të gjuhës shqipe. Një përpjekje të parë për shënimin e zhvillimit të gramatologjisë shqiptare e ka bërë albanologu i shquar, Norbert Jokli, i cili në veprën e tij "Populli shqiptar dhe gjuha e tij” jepte të dhënat e para për zhvillimin e gramatologjisë shqiptare. Arbëreshi Gaetano Petrota në mes të dy luftërave botërore e trajtoi mjaft gjerësisht këtë problem në veprën e tij për gjuhën dhe letërsinë shqiptare. Studimet rreth historisë së gramatologjisë kanë qenë intensifikuar pas Luftës II Botërore, kur patën dalë të dhëna për gramatikat e hartuara nga Rilindja Kombëtare e këndej. Një studim monografik për historinë e gramatologjisë shqiptare e ka botuar Jup Kastrati më 1980 në Prishtinë.

1.1.2. Së paku gjer më sot nuk ekzistojnë të dhëna për ndonjë vepër të botuar të gramatologjisë shqiptare përpara shekullit XVIII, kur doli gramatika e parë e botuar në këtë gjuhë që i ka shpëtuar rrebesheve të kohës, si dhe një tjetër që nuk arriti të botohej, por mbeti dorëshkrim (Dorëshkrimi i Grotaferratës 1810) . Për një gramatikë të hartuar diku nga gjysma e dytë e shekullit XVII nga Andrea Bogdani dëshmi të bindshme sjell Pjetër Bogdani në parathënien e veprës së tij "çeta e profetëve" ku thotë: "...tue pasun bamë ende aj nji Grammatikë fort të godiçme Latin e Shqip". Pjetër Bogdani një kohë të gjatë e pati nëpër duar gramatikën e shkruar të ungjit të tij, Andrea Bogdani, të cilën e humbi duke ikur maleve i ndjekur nga pushteti turk i kohës. Pjetër Bogdani nuk la të dhëna më të plota për gramatikën e ungjit të tij. Ai, madje, nuk bëri qoftë edhe një përshkrim të përgjithshëm e sipërfaqësor për përmbajtjen e këtij libri gjuhësor dhe për kapitujt e tij.

1.1.3. Në shekullin XVII, siç u tha, kemi të botuar një vepër të rëndësishme të leksikografi së, Fjalorin latinisht-shqip të Frang Bardhit (1635), e cila, në mungesë të veprave kodifikuese të mirëfillta të gjuhës shqipe, do të ketë shërbyer edhe si mjet kodifikues i gjuhës shqipe. ثshtë thënë që destinimi i këtij Fjalori ishte ndihmesa për ata që do të merreshin me përkthimin e veprave fetare në gjuhën shqipe. Ky Fjalor do t`u shërbente edhe atyre klerikëve të huaj për ta përdorur gjuhën shqipe në predikimet fetare dhe për komunikim me besimtarët shqiptarë, por edhe për t`ua mësuar latinishten klerikëve shqiptarë, të cilët nuk kishin pasur mundësi të kryenin shkolla të larta në Romë. S`ka dyshim se kjo vepër gjuhësore do të ketë luajtur rol të rëndësishëm në studimet e mëvonshme për strukturën gramatikore dhe leksikore të gjuhës shqipe, veçanërisht nga studiuesit e huaj, të cilët shpeshherë nuk e dinin mirë shqipen, por e dinin gjuhën latine dhe kjo u ndihmonte shumë. Nuk është gjë e rastit që shumë studiues të huaj e kanë çmuar vlerën e madhe të këtij Fjalori, sidomos si mjet të rëndësishëm për studimin e strukturës gramatikore dhe leksikore të gjuhës shqipe. Kjo tregon se vlera e këtij Fjalori ka qenë shumëdimensionale dhe si i këtillë ky ka luajtur rol të rëndësishëm, madje edhe për normëzimin e gjuhës shqipe në periudhën e parë të zhvillimit të saj.

1.2. Ndër shkrimet e para të shek. XVIII do të jetë dorëshkrimi me pjesë nga Ungjilli i hartuar nga Dhaskal Thodri. Ky dorëshkrim, që ruhet edhe sot në Arkivin Qendror të Shqipërisë, nuk ka datë të saktë të hartimit, prandaj disa e konsiderojnë si të fundit të shek. XVII. Dorëshkrimi ka alfabetin origjinal të mbështetur mbi alfabetin glagolik me 50 shenja të veçanta grafike. ثshtë punë e vështirë të përcaktohet përhapja që mund të ketë pasur ai dhe mënyra e përdorimit të tij në shkrime të tjera në këtë qendër kulturore ose edhe më gjerë në Shqipërinë e Mesme e Jugore.

Më 1702 Françesko Maria da Leçe kishte lënë dorëshkrim një fjalor latinisht-shqip, sipas të dhënave që sjellin disa studiues. Ky fjalor qe në duar të arbëreshëve të Italisë: Kamardës e Skiroit, të cilët e patën botuar parathënien e tij dhe qe përdorur në qendrat fetare për mësimin e shqipes në mjediset arbëreshe.

Në vitin 1706, tre vjet pas mbajtjes së "Kuvendit të Arbënit" në afërsi të Lezhës, u botuan materialet e këtij Kuvendi në gjuhën latine dhe shqipe, të cilat për një kohë të gjatë qenë në duar të klerikëve shqiptarë e të huaj, madje edhe të besimtarëve që mund t`i lexonin. Botimi i këtyre materialeve pati një rëndësi të madhe për shtrirjen e funksioneve të shqipes së shkruar edhe në lëmin e administratës kishtare e të politikës së kohës. Janë këto nismat e para të zhvillimit të një stili të veçantë në shkrimin e shqipes. Veç kësaj, botimi i materialeve të "Kuvendit të Arbënit" në gjuhën shqipe tregon qartë se gjuha shqipe ishte një gjuhë e zhdërvjelltë, e cila i kishte të gjitha mundësitë për t`u zhvilluar më tej dhe për t`u përdorur si gjuhë e shkruar letrare edhe jashtë sferës fetare. "Kuvendi i Arbënit" si vepër e shkruar në fillim të shek. XVIII ka zgjuar interesimin e shumë studiuesve të historisë së shqipes. Eqrem اabej në studimet e tij të njohura për historinë e gjuhës shqipe ka trajtuar shumë çështje duke u mbështetur edhe në këtë vepër të botuar. Vinçenc Malaj dhe Rexhep Ismajli kanë hartuar vepra monografike të plota për këtë vepër të rëndësishme.

1.2.1. Në shek. XVIll, përpara botimit të gramatikës së parë të gjuhës shqipe, qe hartuar një vepër e shkurtër gramatikore për shqipen, që ka hyrë në histori me emrin "Dorëshkrimi i Grotaferratës", sepse nuk kishte emër autori dhe u gjet në bibliotekën e Grotaferratës pranë Romës. Dorëshkrimi është në variantin e gegërishtes dhe ka edhe një fjalor të shkurtër 18 faqesh. Teksti integral i gramatikës përfshinte faqet 18-35 dhe më pas delte edhe një fjalorth italisht-turqisht.

Në Gramatikën e Grotaferratës del alfabeti i gjuhës shqipe, më pas jepen njohuri për emrin, nyjën, sistemin foljor etj. Edhe pse ka material të paktë, madje me shumë shpjegime të gabuara, kjo vepër ka rëndësi historike, por për normëzimin e shqipes letrare nuk mund të ketë luajtur ndonjë rol për t`u vënë re, sepse as nuk ishte e mjaftueshme nga vëllimi dhe as që kishte qenë në qarkullim të gjerë (ishte vepër e pabotuar). Këtë dorëshkrim do ta ketë qitur në harresë të plotë Gramatika e Da Leçes.

1.2.2. Gramatika e gjuhës shqipe e Françesko Maria da Leçes ka një rëndësi të madhe historike për kulturën shqiptare, sepse është vepër e parë e botuar për strukturën gramatikore të gjuhës shqipe, e cila funksionoi shumë kohë si mjet për përhapjen e njohurive në këtë fushë gjuhësore. Titulli i kësaj vepre "Vërejtje gramatikore mbi gjuhën shqipe dhe drejtshkrimin e saj" tregon se këtu mund të gjejmë të dhëna të vlefshme (të parat në historinë e shqipes) edhe për drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Kjo del me rëndësi të veçantë, sepse jep të dhëna të para edhe për drejtshkrimin dhe, madje, kryen njëfarë funksioni edhe për normëzimin dhe kodifikimin e gjuhës letrare shqipe të shekullit XVIII e më vonë gjer në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Gramatika e Da Leçes ndahet në dy pjesë: në morfologji dhe në ortografi. Pjesa e morfologjisë ka elemente të rëndësishme nga fonetika e gjuhës shqipe, sepse fillon me përshkrimin e tingujve të shqipes dhe të shenjave grafike për shkrimin e tyre. Pjesët e ligjëratës kategoritë leksiko-gramatikore trajtohen mjaft gjerësisht: emri, mbiemri, përemri, folja, ndajfolja etj. Në mënyrë mjaft të plotë jepen edhe kategoritë gramatikore të emrit dhe të foljes. Pjesët e pandryshueshme të ligjëratës trajtohen shumë më shkurtimisht.

Kjo vepër e Da Leçes, me gjithë të metat që e përcillnin, pati rëndësi të madhe, sepse jepte njohuri të vlefshme për strukturën e gjuhës shqipe të shek. XVIII. Ajo qe e vetmja që u përdor dendur për dy shekuj me radhë, sidomos nga studiuesit e huaj.

1.2.3. Pak kohë më vonë dolën në Shqipërinë Jugore dy fjalorë shumëgjuhësh, njëri i Theodor Kavaliotit14 greqisht-arumunisht-shqip dhe tjetri i Dhanil Haxhiut greqisht-arumunisht-bullgarisht-shqip. Siç tregon vendi që zë shqipja në këta fjalorë, nuk ishte qëllimi kryesor i këtyre autorëve të përhapnin gjuhën shqipe, por të mësohej greqish¬tja, e cila konsiderohej si "mëmë e diturisë", siç thoshte, madje, Dhanil Haxhiu në parathënien e fjalorit të tij. Edhe pse patën qëllim të këtillë, madje një përhapje mjaft të ngushtë, këta fjalorë nuk qenë të parëndësishëm për përhapjen e gjuhës shqipe.

1.2.4. Veprat e bejtexhinjve, që u shkruan në shek. XVIII dhe në gjysmën e parë të shek. XIX, dolën me alfabetin arabo-turk dhe sollën motive të reja në letërsinë shqiptare, por këto nuk arritën të botoheshin dhe qarkulluan në një mjedis të kufizuar lexuesish nëpër teqe e tarikate. Për këto arsye, si dhe për shkak se nuk dolën me një gjuhë të lëvruar e të përpunuar, por dolën të mbushura me orientalizma, veprat e letërsisë së bejtexhinjve nuk arritën të luanin ndonjë rol për t`u vënë re për normëzimin dhe kodifikimin e mëtejmë të shqipes letrare. Veç kësaj, këta autorë sollën motive letrare nga thellësia e Perandorisë Osmane dhe nuk bënë kurrfarë përpjekjesh për studimin e strukturës gramatikore e leksikore të gjuhës shqipe.

1.3. Po të kapen tani me një vështrim përmbledhës të gjitha pikat e veçanta që u trajtuan më lart, do të mund të nxirrnim disa përfundime për peri odën kohore para Rilindjes, të cilat nuk mbetën pa ushtruar ndikim të rëndësishëm edhe te vetë rilindësit më të shquar shqiptarë. Megjithëqë numri i veprave që trajtojnë probleme të strukturës së gjuhës shqipe (gramatika e fjalorë) është i kufizuar në dy-tre shekujt e parë të shkrimit të shqipes, ka mundësi që me ndihmën e veprave të botuara të shqipes në shekujt XVI-XIX të nxirren përfundime të rëndësishme për zhvillimin e strukturës fonetike, gramatikore, leksikore e fjalëformuese të shqipes letrare të kësaj periode kohore. Ortografia e gjuhës shqipe për një kohë të gjatë u trajtua individualisht. Një gjë tjetër, e cila duhet të vihet në pah, është edhe kjo se në shekujt XVI-XVIII, me disa përjashtime, ende nuk kishte filluar studimi i mirëfilltë i strukturës gramatikore dhe leksikore i gjuhës shqipe nga studiuesit e huaj, i cili edhe pse nuk do të kishte rëndësi të drejtpërdrejtë për normëzimin dhe kodifikimin e gjuhës shqipe, së paku do të informonte botën shkencore evropiane për problemet e historisë së gjuhës shqipe.
Kodifikimi i shqipes në kohën e Rilindjes Kombëtare

2. Me këto arritje shqiptarët do të hynin në një fazë të zhvillimit intensiv në gjysmën e dytë të shekullit XIX kur do të ndryshonin rrjedhat e historisë së zhvillimit të etnisë së tyre, madje edhe të vetë zhvillimit historik të gjuhës shqipe. Pjesa e parë e shekullit XIX nuk ka ndonjë ndryshim të rëndësishëm për zhvillimin e gjuhës shqipe. Ajo (gjuha shqipe) në pjesën e parë të këtij shekulli vijoi të zhvillohej si në shekujt e mëparshëm me përkthime dhe shkrime, kryesisht, fetare të konfesioneve të ndryshme, madje edhe me zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë së bejtexhinjve.

Këtë mungesë të studimeve për strukturën gramatikore dhe leksikore të gjuhës shqipe do ta plotësojnë, sado pak, një varg studiuesish të huaj si Martin Lik me nje "Skicë gramatikore të gjuhës shqipe" dhe një "Fjalor të shkurtër anglisht- greqisht-shqip" (1814), Fransua Pukvil me disa "Shënime gramatikore dhe leksikore" që do t`i botonte më 1820, Ksilander me një "Gramatikë të shkurtër të shqipes" dhe me një "Fjalor shqip- gjermanisht" (1835) dhe, sidomos, Georg von Han me veprën "Kontribut për një gramatikë të toskërishtes" (1854), të cilat do të kenë një rëndësi të madhe për studimin e strukturës së gjuhës shqipe në planin historik në studimet shkencore evropiane.

2.1. Nga dhjetëvjetëshi i pestë i këtij shekulli (XIX) del në skenë Naum Veqilharxhi, i cili do të përcaktojë një drejtim të ri nga do të orientohej kultura shqiptare e në kuadër të kësaj do të zhvillohej edhe gjuha letrare shqipe. Me koncepcionet që paraqiste N. Veqilharxhi në parathënien e "Evetarit" të ribotuar të tij më 1845 dhe në lerëtqarkoren e quajtur enciklikë, do të mund të thuhej se po fillonte një periodë e re e zhvillimit kulturor të shqiptarëve, e cila është e njohur si Rilindje Kombëtare Shqiptare.

2.2. Në anën tjetër të Adriatikut Jeronim de Rada, krahas arritjeve të shënuara në letërsinë shqiptare, në mbledhjen e folklorit, në punën pedagogjiko-arsimore ndër arbëreshë dhe veprimit të dendur politik, dha një ndihmesë edhe për hartimin e gramatikave të gjuhës shqipe me anë të të cilave synonte standardizimin e gjuhës shqipe ose formimin e një gjuhë letrare për të gjithë shqiptarët. Ai do të hartojë tri gramatika të arbërishtes letrare: të parën më 1870, të botuar në emër të të birit Zefit, të dytën të botuar në emër të vëllait Kamil de Rada dhe të tretën të botuar në emër të vet më 1894.

Që nga parathënia e gramatikës së parë të botuar del i qartë synimi i De Radës për formimin e një gjuhe të përbashkët letrare për të gjithë shqiptarët. Këtë De Rada e kishte ngritur në nivel të teori së dhe e kishte mbrojtur gjer në fund të jetës së tij. Madje, mbi bazën e kësaj teorie kishte vepruar edhe praktikisht për formimin e gjuhës së përbashkët letrare shqipe. Gramatika e parë dhe e dytë e De Radës kishin një varg të metash metodologjike dhe shkencore; ndërkaq, gramatika e tretë e tij, e botuar në moshë të shtyrë, del në një nivel më të lartë shkencor. Gramatikat e De Radës ishin që të gjitha mbi bazën e arbërishtes së Italisë dhe ishin shkruar në gjuhën italiane, sepse kjo ishte gjuhë me të cilën komunikonin më shumë arbëreshë. Kjo nuk do të thotë se komunikimi bëhej vetëm në këtë gjuhë. Arbëreshët, siç dihet, përdorën edhe greqishten dhe arbërishten si gjuhë shkrimi, por numri i atyre që i dinin këto gjuhë ishte mjaft i kufizuar. Si të këtilla këto gramatika të De Radës kishin mbetur mjaft të kufizuara dhe nuk mund të bënin ndikim të nevojshëm te shqiptarët që jetonin në Shqipëri, shumica e të cilëve nuk e dinin italishten e madje nuk mund t`i kishin pranë këto gramatika të De Radës.

2.3. Në radhën e rilindësve të shquar shqiptarë ai që bëri reforma rrënjësore për kombëtarizimin e gjuhës letrare shqipe ishte Konstandin Kristofidhi, i cili do ta fillonte veprimtarinë e tij afërsisht njëzet vjet pas Veqilharxhit e Jeronim de Radës. Kristoforidhi bëri ndryshime rrënjësore në gjuhën letrare shqipe, duke kombinuar përmrekulli zhvillimin aktual të gjuhës shqipe që flitej asokohe në Shqipëri me zhvillimin e rëndësishëm të traditës, sidomos të shekujve XVII-XVIII. Kriteret për formimin e një gjuhe të mirëfilltë letrare kombëtare Kristoforidhi i kishte formuluar vetë dhe për këtë, jo pa arsye, ishte quajtur "baba i gjuhës shqipe".

2.3.1. Ajo që është më e rëndësishme në veprimtarinë shkencore të Kristoforidhit ka të bëjë me hartimin e mjeteve kodifikuese të kësaj gjuhe letrare kombëtare që po normëzohej. Në vitin 1882 Kristoforidhi botoi një gramatikë mbi bazën e toskërishtes, e cila mund të ishte si mjet kodifikimi i rëndësishëm për variantin letrar të toskërishtes që po zhvillohej me sukses, me qëllim që të bëhej edhe gjuhë e standardizuar shqipe, d.m.th. gjuhë e njësuar letrare për të gjithë shqiptarët. Gramatika e Kristoforidhit ka rëndësi, jo vetëm pse ka një mbështetje solide shkencore dhe mund të thuhet se është gramatikë e parë e vërtetë shkencore e gjuhës shqipe, por edhe pse vinte themelet e forta të një gjuhe, e cila pretendonte të standardizohej. Nuk ka dyshim se e metë e madhe e kësaj gramatike është se ishte e shkruar në gjuhën greke.

2.3.2. Sa i përket standardizimit të gjuhës shqipe dhe ndihmesës që kishte dhënë Kristoforidhi për studimin e strukturës gramatikore të saj, mendojmë se hartimi i Gramatikës së Kristoforidhit në variantin e toskërishtes ka rëndësi të veçantë që duhet të vështrohet më hollësisht. Një gjë e këtillë mund të ndikonte që të shtroheshin një varg pyetjesh, ndër të cilat mund të ishin edhe këto: Si ndodhi që Kristoforidhi, si gegë i mirëfilltë që ishte, të hartonte gramatikën e tij në variantin letrar të toskërishtes? A mund të ketë ekzistuar ndonjë presion ose së paku ndonjë nxitje nga jashtë që e shtyri këtë rilindës të hartonte gramatikën e tij në këtë variant? Pyetjet si këto, për mendimin tonë, mund të gjejnë një shpjegim në faktin se Kristoforidhi si njohës shumë i mirë i të gjitha të folmeve të të dy dialekteve të gjuhës shqipe e kishte hetuar shumë qartë se standardizimi i gjuhës shqipe do të duhej të orientohej pikërisht nga toskërishtja, për shkak të unitetit të madh të të folmeve të saj në të gjitha nëndialektet. Të folmet e dialektit të gegërishtes kishin ndryshime shumë të mëdha midis tyre dhe kjo shkaktonte vështirësi të pakapërcyeshme për hartimin e një gramatike mbi bazën e gegërishtes.

E dyta, të folmet e toskërishtes kishin ruajtur shumë mirë strukturën e tyre në të gjitha nënsistemet dhe nuk kishin pësuar ndryshime largvajtëse si të folmet e gegërishtes, të cilat në shumë raste rrezikonin të prishnin edhe vetë strukturën fonematike, gramatikore dhe leksikore të njësive gjuhësore. Të merret parasysh vetëm fakti se afërsisht një e treta e fjalëve që dalin sot në fjalorët aktualë të gjuhës shqipe janë fjalë dyrrokëshe, të cilat në të folmet e dialektit të gegërishtes dalin si fjalë njërrokëshe, pas humbjes së zanores ë fundore. Kjo do të ndikonte që në gjuhën standarde të kishim numrin më të madh të fjalëve njërrokëshe, veçori kjo që kurrnjëherë nuk ka qenë karakteristike për gjuhën shqipe.

Dhe, e treta, normëzimi i gjuhës së përbashkët letrare kombëtare mbi gegërishten do ta eliminonte tërësisht vazhdimësinë e natyrshme që duhej të kishte gjuha letrare kombëtare aktuale me zhvillimin e saj gjatë shekujve. Kjo për Kristoforidhin nuk mund të ishte një gjë e parëndësishme. Ai, si njohës i shumë gjuhëve, të cilat kishin një kulturë të madhe (greqishtes, latinishtes, hebraishtes, frëngjishtes, anglishtes, italishtes etj.), do ta ketë vërejtur se në shumicën e tyre respektohej me konsekuencë tradita e zhvillimit kulturor gjatë shekujve dhe kjo shprehej edhe në standardizimin aktual të tyre. Kështu mund të shpjegohet vënia e parimit historik-tradicional në bazën standardizuese të frëngjishtes, të anglishtes, të hebraishtes, të arabishtes etj. Kristoforidhi, si njohës shumë i mirë i traditës së zhvillimit të gjuhës letrare shqipe gjatë shekujve, do ta këtë vërejtur se kjo traditë ruhej shumë më mirë në të folmet e dialektit të toskërishtes, të cilat dilnin shumë më konservative dhe një nga shkaqet e hartimit të gramatikës së tij në variantin e toskërishtes mund të ketë qenë edhe ky: ruajtja e traditës së zhvillimit historik edhe në standardizimin aktual të gjuhës shqipe.

2.3.3. Kur bëhet fjalë për studimin e strukturës leksikore të gjuhës shqipe, duhet të thuhet se Fjalori i gjuhës shqipe i Konstandin Kristoforidhit, i cili qe i gatshëm që të botohej në vitet e 80-ta të shek. XIX, por nuk e pa dritën e botimit para vitit 1904, ka një vlerë shumë të madhe. Ky fjalor, që përfshinte në vete rreth 12.000 fjalë, pa huazime orientale, greke, sllave dhe terma të gjuhëve neolatine, ishte fjalor jo dialektor, por i mbarë shqipes. Ai i kapërcente shumëfish fjalorët e botuar dy-gjuhësh italisht-shqip e shqip-italisht nga dijetarët e huaj, sidomos italianë, të cilët, për sa i përket nivelit shkencor të trajtimit të begatisë leksikore të shqipes nuk mund t`i afroheshin Fjalorit të Kristoforidhit. Këtë Fjalor, të cilin grekët e kishin paraqitur si fjalor shqip-greqisht, edhe pse ky ishte fjalor shpjegues i gjuhës shqipe, Kristoforidhi e hartoi në gjuhën greke dhe kjo, pa dyshim, ia zvogëlonte vlerën normativizuese.

Fjalori i Kristoforidhit është çmuar me të drejtë si vepër më kapitale e leksikografi së shqiptare, e botuar para Luftës II Botërore.

2.4.
Vetëm katër vjet pas botimit të gramatikës së Konstandin Kristoforidhit në gjuhën greke, në Bukuresht të Rumanisë gjuhëtari më i shquar shqiptar i shek. XIX, Sami Frashëri, botoi gramatikën e vet me titull "Shkronjëtore e gjuhës shqip"në gjuhën shqipe. Gramatika e Sami Frashërit ka një varg vlerash të mëdha: ajo është gramatikë e parë e botuar shqip dhe shkencërisht qëndron mbi të gjitha gramatikat e tjera të botuara gjer atëherë për gjuhën shqipe (afër tridhjetë sosh). Botimi i kësaj gramatike faktikisht krijoi terminologjinë shkencore shqiptare, e cila do të zhvillohej më tej gjatë dhjetëvjetëshave të ardhshëm, por ama bërthamën nuk do ta ndryshonte. Shumica e gramatikave të botuara më pas, madje edhe ato që u botuan pas luftës së fundit botërore (1944) do ta kenë model të pakapërcyeshëm këtë gramatikë dhe do ta citojnë vazhdimisht. Pjesa dërmuese e gramatikave të gjuhës shqipe, që u botuan më vonë, nuk kanë ndonjë ndryshim thelbësor në raport me gramatikën e Samiut.

Studimi i strukturës gramatikore të shqipes, që ishte bërë nga Samiu, kishte për qëllim standardizimin e gjuhës shqipe. Këtë objektiv Samiu e kishte përcaktuar mjaft qartë edhe në veprën e mirënjohur të tij "Shqipëria ç`ka qenë, ç`është dhe ç`do të bëhet?" ku shtjellonte konkretisht mendimin e tij për standardizimin e gjuhës shqipe si gjuhë letrare gjithëkombëtare për shqiptarët. Këtë ai e materializoi me botimin e gramatikës mbi bazën e toskërishtes dhe të një fjalori, të cilin e kishte hartuar, por nuk kishte arritur që ta botonte. Edhe puna e madhe e bërë për njësimin e alfabetit të shqipes pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) ishte në funksion të plotë të standardizimit të gjuhës shqipe, të cilën ky rilindës i shquar kishte filluar ta bënte, krahas punës së madhe që kishte bërë për standardizimin e gjuhës letrare turke. Alfabeti i gjuhës shqipe, i njohur me emrin alfabeti i Stambollit, është rezultat i punës krijuese të Sami Frashërit. Ky gjatë gjithë kohës para Kongresit të Manastirit ishte alfabeti më i përhapur ndër shqiptarë që përdorej dendur edhe në kolonitë shqiptare, të cilat shtriheshin në gjithë Evropën e më gjerë. Të gjitha këto veprimtari të zhvilluara të Sami Frashërit e bëjnë atë studiues të shquar të strukturës së gjuhës shqipe dhe të standardizimit të saj.

2.5. Në periodën kohore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare u botua edhe Gramatika e Pashko Vasës në Londër në kuadër të një edicioni botimesh të gramatikave të popujve evropianë dhe më gjerë, në vitin 1887 28. Kjo gramatikë ishte shkruar frëngjisht dhe kishte për qëllim kryesor njohjen e publikut evropian me strukturën e gjuhës shqipe. Ajo mund të shërbente edhe për mësimin e gjuhës shqipe nga të huajt pa një mësues të përhershëm. Gramatika është shkruar në variantin e gegërishtes me dominimin e gegërishtes veriperëndimore, ku mund të vërehen edhe tendenca për afrimin me variantin e toskërishtes. Kjo gramatikë, natyrisht, nuk ka as nivelin shkencor si gramatika e Samiut, as nuk është shkruar me qëllime të standardizimit të gjuhës shqipe, por për përhapjen e shqipes ndër të huaj.

2.6. Përveç gramatikave të përmendura më lart, në fillim të shekullit XX dolën edhe disa gramatika të tjera të autorëve që janë më pak të njohur, të cilat ishin shkruar kryesisht për nevojat e shkollës shqipe. Të këtilla qenë "Gramatika ja folmarja shqiptare"(1901) e Dedë Kolecit, e cila është e njohur edhe me emrin "Gramatika e Bashkimit" të Shkodrës; Gramatika e Shahin Kolonjës e botuar në vazhdime në revistën e tij, e cila delte në Sofje me titull "Shkronjëtore a gramatikë shqip" (1903); "Gramatika shqype" (1909) e A. Xanonit, "Gramatika e gjuhës shqipe" e Thanas Floqit, e botuar në Korçë më 1910 dhe "Gramatika fillestare e gjuhës shqipe" e F. Tiranasit ( 1911).

Të gjitha këto gramatika lidheshin me mësimin e gjuhës në shkollë, në ato shkolla të cilat nuk mund të pengoheshin nga qarqet zyrtare turke, siç ishin shkollat fetare katolike e ortodokse të lejuara të punonin me intervenimin e Austrisë e të ndonjë vendi tjetër perëndimor, por mund të përdoreshin nga të tjerët që dëshironin të mësonin të dhënat për strukturën gramatikore të gjuhës shqipe.
2.6.1. Për standardizimin e gjuhës shqipe do të duhet të përmendej edhe një ngjarje e rëndësishme që kishte ndodhur në kulturën shqiptare në fillim të shek. XX dhe kjo ishte organizimi dhe mbajtja e Kongresit të Manastirit më 1908, kur u njësua definitivisht alfabeti i gjuhës shqipe. ا`është e vërtetë në Kongresin e Manastirit u lanë në funksion me të drejta të barabarta dy alfabete: alfabeti i Stambollit dhe alfabeti i sotëm, por për së shpejti u bë e njohur ajo që edhe mund të dihej më parë, se alfabeti i sotëm ishte zgjidhje e fundit e drejtë që i bëhej njësimit të alfabetit tonë.

2.6.2. Po në vitin kur u mbajt Kongresi i Manastirit në gjuhësinë shqiptare doli edhe "Fjalori i Bashkimit" të Shkodrës, i cili ishte botuar me nxitjen e qarqeve italiane dhe të Vatikanit për t`iu përballur Fjalorit të Kristoforidhit. Vlera shkencore e këtij Fjalori vërtet është e madhe, por e metë kryesore e tij është se shpjegimet i jep italisht dhe ky më tepër i ngjante një fjalori dygjuhësh sesa fjalorit shpjegues të gjuhës shqipe.

2.7. Të gjitha këto gramatika dhe fjalorë të shkruar nga rilindësit shqiptarë në këtë periodë kohore( gjatë shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX) qesin në pah disa përfundime të rëndësishme. Këto gramatika, sikurse edhe fjalorët e gjuhës shqipe, me përjashtim të Gramatikës së Samiut, ishin shkruar në gjuhët e huaja: italisht, greqisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Po të vështrohen këto gramatika dhe këta fjalorë në raport me tendencat për standardizimin e gjuhës shqipe nuk mund të mos përmendim se me përjashtim të gramatikës së Samiut, të gjitha të tjerat do të kenë pasur një rol më të kufizuar, sepse nuk ishin të shkruara shqip dhe nuk ishin të kapshme për të gjithë shqiptarët. Hartimi i gramatikave në gjuhën shqipe, të cilat do të luanin rol të rëndësishëm edhe për standardizimin e gjuhës shqipe, u bë në dhjetëvjetëshin e parë të shek. XX nga një varg pedagogësh shqiptarë. Kjo ishte një ndihmesë e madhe për shkollën shqipe si dhe për të tjerët, të cilët dëshironin ta mësonin shkrimin e shqipes.

Kodifikimi i shqipes midis dy luftërave botërore

3.
Pas çlirimit të Shqipërisë nga sundimi osman (1912), lindën nevoja të reja për komunikim te shqiptarët. Tani gjuha shqipe si gjuhë letrare do të kishte një përdorim shumëfish më të gjerë. Ajo do të përdorej si gjuhë zyrtare në administratën shtetërore, në ushtri, në gazetat dhe revistat që botoheshin, në tekstet shkollore për shkollat fillore e të mesme etj. اështja e studimit të strukturës së gjuhës shqipe dhe e standardizimit të saj tani do të marrë një hov të ri të paparë gjatë sundimit osman. Madje, një gjë e re ishte edhe kjo, se botimet për gjuhën shqipe nuk do të bëheshin më fshehurazi si në kohën e sundimit osman nëpër vende të ndryshme të Evropës e më gjerë, ku ishin botuar të gjitha veprat e shkruara në gjuhën shqipe, por qendër e botimeve shqiptare do të bëhej vetë Shqipëria. Për t`i përballuar kërkesat e mëdha të përdorimit të gjuhës letrare delte nevoja edhe për studime,të reja të strukturës së saj, d.m.th. përpilimi i gramatikave të reja dhe fjalorëve të rinj. Prandaj ajo që nuk u arrit në Kongresin e Manastirit kur u njësua alfabeti i shqipes, por jo edhe gjuha letrare shqipe, mbeti që të kryhej në këtë kohë. Rrethanat historike sollën fatin që ky problem të trajtohej në kohën e Luftës së Parë Botërore, atëherë kur Austria e kishte pushtuar Shqipërinë Veriore dhe për të pasur një sundim më të qetë mori edhe ndonjë hap në dobi të kulturës shqiptare. Kështu me nismën e Akademisë së Shkencave të Vjenës në Shkodër u organizua Komisia Letrare Shqipe e Shkodrës (1916), në të cilën u vendos që gjuhë standarde shqipe të jetë gjuha letrare e normëzuar mbi të folmen e Elbasanit. Ky vendim u sanksionua edhe me "Fletoren zyrtare" të Shqipërisë më 1923, pasi që kishte marrë edhe miratim në Kongresin Arsimor të Lushnjës më 1920. Në këtë Kongres qe njësuar edhe terminologjia që do të përdorej në tekstet shkollore.

3.1. Menjëherë pas çlirimit të Shqipërisë vazhduan të botoheshin gramatika të gjuhës shqipe me vlera të ndryshme shkencore. Më 1912 u botua "Viti Premtor i Gramatikës" i Sotir Pecit, "Gra¬matika elementare" e Sevasti Qiriazit, e botuar më 1912 në Manastir, dy gramatikat e shoqërisë "Dija" të Vjenës, të cilat u botuan në Sofje më 1912-13, "Gramatika e gjuhës shqipe" e Aleksandër Xhuvanit e botuar dhe e ribotuar disa herë nga viti 1913 gjer më 1919, "Gramatika e gjuhës shqipe" e Gaspër Mikelit, e botuar në Shkodër më 1916, "Gramatika e gjuhës shqipe" e Koço Konomit, e botuar më 1921, "Gramatika e gjuhës shqipe" e Koço Tasit, e botuar më 1923, "Gramatika e gjuhës shqipe" e Jang Mingës, e botuar më 1925, "Gramatika dhe sintaksa e gjuhës shqipe" e Ilia Dilo Sheperit, e botuar në Vlorë më 1927 dhe e fundit "Gramatika e re e gjuhës shqipe" e Osman Myderrizit, e botuar në Tiranë më 194432.

Pasi që më 1916-17 ishte hedhur edhe një hap i rëndësishëm për standardizimin e gjuhës shqipe në Komisinë Letrare Shqipe të Shkodrës, tani edhe studimi i strukturës gramatikore të gjuhës shqipe bëhej, kryesisht, mbi këtë bazë. Mund të thuhet se shumica e gramatikave që u botuan në periodën e Pavarësisë ishin në mbështetje të plotë të vendimeve të Komisisë Letrare Shqipe të Shkodrës. Mbi këto baza qenë edhe të gjitha gramatikat e Aleksandër Xhuvani, të hartuara për shkollat fillore dhe të mesme. Megjithëkëtë, nuk mungonin as gramatikat që botoheshin mbi bazën e së folmes së Shkodrës ose mbi variantin letrar të toskërishtes.

Kodifikimi i shqipes pas luftës së fundit botërore

4.
Pas Luftës II Botërore tradita e studimit të strukturës gramatikore të gjuhës shqipe do të vazhdojë me "Gramatikën e gjuhës shqipe"(1949) dhe "Sintaksën e gjuhës shqipe" të Kostaq Cipos, të botuara toskërisht më 1952. Më pas botohen gramatikat e Shaban Demirajt për shkollat e mesme dhe për shkollat e larta (1963), si dhe sintaksa për shkollat e mesme dhe të larta, të hartuara nga Mahir Domi. Një sintaksë të gjuhës shqipe për shkollat e larta e kishte botuar edhe Stefan Prifti në Tiranë.

Studimet për gramatikën e gjuhës shqipe do të kurorëzohen me hartimin e Gramatikës së gjuhës shqipe I, II të botuar më 1976 dhe të ribotuar disa herë nga një grup autorësh të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kjo e fundit konsiderohet si gramatikë normative dhe shkencore e nivelit më të lartë të gjertanishëm, Studimet e ardhme për strukturën gramatikore të gjuhës shqipe, sigurisht do të vazhdojnë edhe më tej dhe me të drejtë shqiptarët presin botimin e një gramatike të re, e cila do të kishte mbështetje të plotë në të gjitha të arriturat në fushë të gjuhësisë të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke respektuar rezultatet e të gjitha shkollave linguistike të Lindjes e të Perëndimit. Një gramatikë praktike të gjuhës shqipe e ka botuar Mehmet اeliku, ndërsa Bahri Beci ka botuar një gramatikë të gjuhës shqipe për të gjithë, në të cilën ka të dhëna për fonetikën dhe fonologjinë, për morfologjinë, për sintaksën, për leksikun dhe për fjalëformimin e gjuhës shqipe.

Pas Luftës II Botërore në Kosovë kanë funksionuar gramatikat e botuara dhe të ribotuara të Hasan Vokshit për shkollat fillore dhe të mesme. Fill pas luftës së fundit botërore ka qenë botuar edhe Sintaksa e gjuhës shqipe e Salih Kolgecit. Për nevojat e shkollave të mesme është botuar një gramatikë e L. Mulakut dhe A. Kelmendit dhe një libër i sintaksës së gjuhës shqipe i M. Hasimes dhe A. Kelmendit. Për nevojat e mësimit të sintaksës në shkollën fillore ka qenë botuar edhe libri i Sintaksës së gjuhës shqipe i Isa Bajçincës.

Në vitet 90-ta botohen të gjitha librat e gjuhës shqipe për shkollat fillore nga një ekip pedagogësh nga Shqipëria në krye me prof. Bahri Becin. Këto tekste mësimore janë edhe tani në përdorim për të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe të Kosovës.

4.1. Edhe struktura leksikore e gjuhës shqipe nuk mbetet fort prapa studimeve të fushës së gramatologjisë. Fillimisht ishin bërë përgatitjet për hartimin e një fjalori të mirëfilltë shpjegues të gjuhës shqipe nga punonjësit e Institutit të Gjuhësisë të Tiranës. Kjo punë u kurorëzua me hartimin e Fjalorit të gjuhës shqipe (1954), i cili ishte fjalori me baza të shëndosha shkencore, më i gjeri dhe më i ploti i botuar gjer atëherë për gjuhën shqipe. Fjalori kishte edhe një bazë të qartë normative dhe synonte që variantit të toskërishtes t`i jepte përparësi të theksuar në raport me bashkëvariantet e gegërishtes. U mur vesh që njësitë leksikore dhe pasuria frazeologjike e varianteve të gegërishtes letrare nuk u lanë plotësisht pas dore.

Ky fjalor i gjuhës shqipe, i cili synonte të trasonte rrugën edhe për standardizimin e ardhshëm të gjuhës shqipe, përmbante në vete një varg zgjidhjesh të drejta, të cilat do të shfrytëzohen më vonë maksimalisht për hartimin përfundimtar të Fjalorit normativ të gjuhës shqipe, më 1980. Këtu për herë të parë bëhen përpjekje serioze për paraqitjen e begati së leksikore dhe frazeologjike të gjuhës shqipe, e cila do të ravijëzohet gjithnjë e më qartë në fjalorin e ardhshëm të gjuhës shqipe. Më 1984 Instituti i Gjuhësisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë botoi Fjalorin e shqipes së sotme me 35 mijë fjalë, i cili do të ketë edhe një ribotim më 2002 si fjalor normativ i shqipes standarde.

Krahas fjalorit normativ të shqipes në gjuhësinë shqiptare ka zënë një vend të veçantë edhe studimi historik i fjalorit të gjuhës shqipe. Në këtë fushë një punë të madhe ka bërë Kolë Ashta, i cili ka studiuar leksikun e veprave të të gjithë autorëve të shekujve XVI-XIX dhe ia ka vënë bazat kësaj disipline shkencore albanistike. Krahas kësaj do të vazhdojnë edhe studimet etimologjike për fjalorin e shqipes, të cilat i kishte filluar Majeri, i kishte vazhduar me pas Jokli dhe po i vazhdonte me sukses të plotë prof. Eqrem اabej. Studimet e këtij të fundit mund të thuhet se janë kurorëzim i të arriturave shkencore albanistike. Fatkeqësisht ai nuk arriti ta finalizonte veprimtarinë gjysmëshekullore me studimin e plotë të fjalorit etimologjik, sepse vdekja nuk e la ta përfundonte këtë punë. Megjithëkëtë, puna e bërë nga vitet e 50-ta të sh. XX gjer në fund të jetës së tij ishte një punë kolosale që e ngrite etimologjinë shqiptare në nivelin e zhvillimit evropian.

4.2. Rëndësi të veçantë për njohjen e strukturës së gjuhës shqipe ka edhe studimi i gramatikës historike të gjuhës shqipe, i cili filloi së pari në Shqipëri nga Mahir Domi, Selman Riza, Eqrem اabej e Shaban Demiraj, ndërsa në Kosovë nga Idriz Ajeti e Besim Bokshi. Studimet për historinë e gramatikës së shqipes kanë një mbështetje solide shkencore dhe nuk qëndrojnë prapa studimeve të pranuara shkencore të albanologëve të huaj të shekullit të kaluar dhe të shekullit tonë në këtë fushë. Kurorizim i këtyre studimeve mund të çmohet vepra voluminoze e prof. Shaban Demirajt: "Gramatika historike e gjuhës shqipe(1988).

Në mjetet e rëndësishme kodifikuese do të duhej të përmendeshin edhe rregullat e drejtshkrimit të shqipes, të botuara në Tiranë më 1948, 1951, 1956 si dhe ato të botuara në Kosovë më 1957 e 1963. Për standardizimin final të gjuhës shqipe Projekt drejtshkrimi i gjuhës shqipe (1967) dhe Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1973), të botuara në Tiranë, kanë rëndësi vendimtare. Bashkë me këto duhet të përmendet edhe Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe(1976).

5. Këto, në vija më të përgjithshme, do të ishin përpjekjet që janë bërë gjatë shekujve për studimin e strukturës së gjuhës shqipe dhe për standardizimin e saj. Një gjë mund të vërehet dukshëm se studimet për strukturën e gjuhës shqipe ishin intensifikuar në shekullin XIX fal interesimit të madh të studiuesve gjermanë në rend të parë. Më vonë në këtë aktivitet do të inkuadrohen edhe studiuesit shqiptarë dhe do t`i çojnë këto studime përpara me sukses të plotë. Pikërisht këto studime do të bënin boshtin e standardizimit të gjuhës shqipe me të cilin do të merreshin ekskluzivisht shqiptarët nga Rilindja Kombëtare e këndej gjer në kohën tonë.
gjuhashqipe
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top