ا'do të thoshte sot Brus Xhorxh?

Зngjεll

___________
اfarë do të thoshte sot Brus Xhorxh?
Më 29 qershor, vetëm disa orë pasi ishin mbyllur qendrat e votimit dhe sapo kishte filluar numërimi i vullnetit të shqiptarëve, Xhorxhi, kryetar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në krah të përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë të mbledhur në Tiranë, deklaroi se Shqipëria ka shënuar arritje, po ka ende shumë punë për të bërë.

"Keni shumë punë për të bërë për të arritur standardet e BE-së, qeverisjen demokratike, reformat në gjyqësor, profesionalizmin e mediave, vendosjen e shtetit të së drejtës, të qeverive vendore dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit", - shprehej ai.

Fjala e tij ishte shuplaka për një vend që në prill 2009 u bë anëtare e NATO-s, e cila para se të jetë një aleancë ushtarake, ku Shqipëria u afrua për "nizamët" në frontet e luftës botërore antiterror, është një aleancë politike dhe ekonomike me standarde demokratike.

Sot i kemi dhënë të drejtën Brus Xhorxhit dhe të gjithë botës mbarë të na hyjë në dru, ku na dhemb dhe ku na djeg, sepse tri ditë pas mbylljes së qendrave të votimit, në një fshat të madh siç është Shqipëria e parë nga bota, ende nuk kemi një rezultat të saktë, ende nuk është numëruar deri në një vullneti i shtetasve shqiptarë me të drejtë vote dhe në fund dhe më e rëndësishmja, treguam se me këtë klasë politike do të jemi edhe për shumë kohë shembull i keq për majmunërinë tonë elektorale, e cila na dhuron qeveritë që tallen më pas me ne.

E diela e 28 qershorit 2009, në analet botërore ishte ditë elektorale për Shqipërinë, Argjentinën dhe Guinea-Bissau.

Argjentina rinovoi një pjesë të dy dhomave të Kongresit dhe votuesit argjentinas i dhanë një shuplakës të rëndë Presidentes, Kristina Kirshner dhe bashkëshortit të saj, ish-Presidentit paraardhës, për atë politikë familjare që ka varfëruar argjentinasit dhe po kthen frikën për kolapsin financiar të vitit 2001.

Pra, votuesit në këtë vend, ku në vitet '70-të ligjin e bënte diktatura ushtarake, e dhanë verdiktin e tyre, duke i hequr shumicën familjes Kirshner dhe vota e tyre u numërua shpejt dhe qartësisht.

Guinea-Bissau është ish-koloni portugeze në Afrikën Perëndimore, ku zgjedhjet e para presidenciale janë bërë në 2005-ën, ku ndodhin grushte shteti sa herë duan ushtarakët, ku udhëheqësit politikë vriten në shtëpitë e tyre, siç ndodhi me Presidentin në marsin e shkuar. Dje, në këtë vend kaq problematik, apo siç quhet, me standarde afrikane, me popullsi vetëm 1.6 milionë banorë, vijonin negociatat për formimin e qeverisë së re.

Këto dy shembuj mjaftojnë për të treguar se në çfarë derexheje janë zhytur zgjedhjet shqiptare, se ato nuk ishin zgjedhje dhe, aq më pak, ato nuk ishin zgjidhje.

Ndërsa dje në mesditë, partia ende në pushtet deklaronte fitoren e dyfishtë, pra të standardeve dhe të partisë, dhe Kryeministri ende në detyrë premtonte shpërblime (?!) për komisionerët dhe numëruesit e qendrave të numërimit, Shqipëria ishte deri në grykë e zhytur në baltën e shpifur zgjedhore, ku standardet nuk ishin shumë larg së qeni afrikane, e jo më europiane.

Duart e zgjatura të politikës së 26 majit 1996, nga po të njëjtët liderë politikë si atëherë, prodhuan kuti votimi me rezultate 300 me 0, kuti votimi ku kishin votuar 300 dhe dilnin 600 fletë votimi, ku "humbte" procesverbali nga përfaqësuesi i PD-së, kuti votimi që duheshin sjellë në Tiranë për t'u numëruar, sepse atje ku ishin, partia në pushtet nuk donte t'i numëronte, kuti ku dilnin me mijëra vota të pavlefshme, sepse kështu opozita nuk mund të merrte edhe një mandat tjetër që do ta zhbënte rezultatin që i mban frymën partisë qeverisëse.

Këto ditë shpalosën para shqiptarëve humbjen e madhe të popullit opozitar. Ashtu si më 3 korrik 2005, u vërtetua se ai ishte shumicë. Ai e përqafoi dhe e votoi ndryshimin e shumëpritur në vend.

Por vota e tij u deformua dhe u masakrua në mandate, sipas një formule që nuk sjell në pushtet atë që ka shumicën e mbështetjes popullore, por atë që blen gjithçka, nga komisionerët barktharë te të sapozgjedhurit deputetë barknginjur.

Kur të ketë mbaruar saga perverse e numërimit të votave, në selinë e PS-së duhet të nisë analiza mbi këtë formulë "çudibërëse", që zhbëri në asgjë mijëra e mijëra vota populli opozitar.

Duhet të ketë edhe një analizë të hollë dhe të saktë se pse formula nuk iu përgjigj votës popullore për të prodhuar atë shumicë të qartë, të cilën dora e zgjatur e 26 majit 1996, nuk do të mund ta zhbënte më.

Vota e opozitës së majtë ishte e mjaftueshme për të mos lejuar një pakicë, së cilës i duhet që si atëherë të shkrehë kallashët në ajër për të kremtuar një shumicë që nuk ekziston./Shekulli/
 
Back
Top