A shtremberohet realiteti nga lajmet?

Nga Blendi Salaj

Në mendimin tim po, por mendoj se është një çështje që hap një debat, ku ka argumente të vlefshme nga disa pozicione. Gjithsesi, shpesh vë re në komente të ndryshme tepeshkupauje.com, se në qëndrimet e bashkatdhetarëve tanë nëpër botë ka një fije shqetësimi dhe keqardhjeje për ne që jetojmë në Shqipëri. Kjo e bazuar në perceptimin se në Shqipëri, njerëzit vriten e priten çdo ditë, se Shqipëria është një vend i përgjakur, me tritol poshtë makinave, aksidente të tmerrshme, vrasje, therje, djegie, përdhunime, vetëvrasje, grabitje dhe tonelata mbi tonelata hashash të presuar.

Më shumë shpërthime se në Afganistan, nënvizuan disa gazeta. Perceptimi se jetojmë në një vend kafshëror gjendet edhe brenda Shqipërisë, pasi edhe ne, perceptimin tonë e bazojmë kryesisht në mediat dhe më specifikisht, në edicionet e lajmeve.

Në Shqipëri kemi mbi dhjetë kanale që transmetojnë vetëm lajme. Në këto ekrane mund të shohësh gjak njeriu të derdhur në asfalt, a mbi pllaka dyshemeje çdo orë të ditës dhe çdo ditë të javës. Të gjitha ngjarjet që pasqyrohen në media kanë ndodhur vërtet, por në edicionet e lajmeve na serviret sikur kjo është gjithçka që ka ndodhur sot në Shqipëri, medemek, asgjë tjetër me rëndësi nuk ka ndodhur.

Lajmet na pasqyrojnë vetëm ndodhi anormale, brutalitete e mizori të tmerrshme. Sa më e përgjakur ngjarja, aq më e rëndësishme, aq më e mbuluar mediatikisht. Me këtë rregull, ndodhitë e natyrshme, njerëzore e normale nuk shfaqen në ekran. Thjesht nuk janë lajm. Kështu është kudo në botë, por tek ne, ky sistem “gjak = lajm” është penetrues. Kjo edhe për shkak të mangësive si hone të thellë në përvojë dhe etikë. Në ketë mënyrë, perceptimi që kemi për Shqipërinë është i ndërtuar mbi ngjarjet anormale dhe jo mbi ngjarjet normale të këtij vendi. Ndaj më duket se shtrembërimi i realitetit ndodh.

Në redaksitë duket se mungon një filozofi mbi lajmin dhe detyrën e gazetarisë. Serviren fakte dhe deklarata pa kontekst, pa vizion. Përveç shërbimeve të vogla në favor të të tretëve, që mund të jetë shtysë për lajm rëndom, nuk duket se ka ndonjë mision në lajmet. Qëllimi i vetëm është shokimi i publikut me detajet më të kobshme. Mendoj se ky deformim i perceptimit të jetës në këtë vend është shumë i dëmshëm dhe me pasoja të atypëratyshme. Depresion i përditshëm në dhjetëra kanale televizivë e dhjetëra gazeta.

Mënyra sesi portretizohet në lajmet, është në mendimin tim një përçudnim, ndoshta i pavetëdijshëm, i karakterit të njeriut shqiptar. Kjo duhet patjetër të ketë pasoja shoqërore. Pasi lajmet na shtyjnë ta përfytyrojmë tjetrin si një përbindësh. Atëherë, pyes veten, dhe një përgjigje të plotë nuk e kam, pse na duhen “Lajmet”? Ne shohim llumin e llumit në lajme, në një prirje për të amplifikuar çfarë është më e keqja. Mungon filozofia e lajmit, mungon arsyeja, ndaj nëse lajmet janë kaq kafshërore, shtyhem të mendoj se në redaksitë mendohet kafshërisht. Faktet na hidhen në tavolinë si copa mishi të përgjakura, pa na dhënë mundësinë të kuptojmë arsyet e një krimi, apo mendjen e një krimineli.

A po them se Shqipëria është një vend normal? Nuk do të shkoja aq larg, pasi ka plot gjëra që të lemerisin çdo ditë, por nuk janë domosdoshmërisht ato ngjarjet që ndodhin në “Edicionin informativ”, të cilat janë fare pak ndër gjërat që ndodhin këtu çdo ditë.

Gazeta Shqip
 
Back
Top