A po i kthehet lexuesi letërsisë shqiptare?

*deliza*

VIP
V.I.P
A po i kthehet lexuesi letërsisë shqiptare?​

Nga Skaemer Ninternet
Marrë nga Gazeta Shqip

Menjëherë pas ‘90, të nxitur nga privimi, lexuesi shqiptar u "turr" i uritur pas letërsisë së huaj. Asaj që u ishte mohuar, që qarkullonte fshehtas nën dorë, që dikur përbënte rrezikun e madh. Libraritë u mbushën me tituj të huaj, me bestsellerë, me libra që në botën e jashtme bënin bujë. Pak rëndësi kishin vlerat e vërteta. Në këtë situatë, u duk se letërsia shqipe ra në një hulli të pashpresë. Rreth 20 vjet më pas, situata duket e ndryshuar. Këtë të bën ta besosh katalogu i këtij panairi, që më së shumti lajmëronte promovime autorësh shqiptarë, të bëjnë ta besosh botuesit që po i kthejnë vëmendjen kësaj letërsie dhe autorëve të saj. Në theks vihen promovimet e shumta të këtij viti të emrave të njohur shqiptarë dhe mirëpritja që u kanë bërë lexuesit. Për momentin, prishja e raporteve me letërsinë e huaj nuk mund të pretendohet, aq më tepër që në vetvete botimi, promovimi dhe shpërndarja e letërsisë shqiptare vazhdon të vuajë nga problemet e shumta. Botues dhe shkrimtarë japin mendimin e tyre lidhur me fenomenin.

Mira Meksi - Shkrimtare

Mungesë orientimi për vlerat e reja letrare


Për mua, një nga problemet e letërsisë shqipe, mbetet promovimi. Nuk e di se si mund të zgjidhet, por them që libri duhet të shkojë te lexuesi. Ai duhet ta dijë që ka dalë në librari një libër i ri. Ndodh që nuk ka një stendë të veçantë, e cila të flasë veçanërisht për librin e ri. Ne nuk kemi librarë të përgatitur që të dijë të flasë për këta libra, ndaj edhe kur lexuesi shkon është i çorientuar në morinë e botimeve dhe nuk ka një entitet që ta drejtojë, të paktën t‘i japë një lloj informacioni për librat që kanë dalë. Në Shqipëri, ne e kemi shumë të paqëndrueshëm dhe të brishtë sistemin e vlerave dhe kjo për shkak të kritikës letrare që gati nuk ekziston. Ndodh që këtë e bëjnë revistat letrare të tilla si "Mer Licht", që pothuajse nuk ekzistojnë, të cilat do të ndihmonin që të promovojnë dhe të vendosin nga një gur në ngrehinën e sistemit të vlerave. Mbetet në dorë të botuesve shqiptarë që të bëjnë atë lloj publiciteti që libri të shkojë te lexuesi. Ndërkaq, një tjetër problem i rëndësishëm është edhe shpërndarja. Bëhet fjalë për një problem që haset në thuajse çdo shtëpi botuese këtu te ne. Kjo për shkak se nuk ekziston një sistem i mirëfilltë siç ekziston në botë, apo qoftë edhe në vendet fqinje. Politikat botuese duket se mungojnë, nuk ka këshilla ose borde që të shërbejnë për botimin, duket sikur ka një lloj kaotizmi në këtë kuadër.

Fatmir Toçi- botues, "Toena"

Letërsisë shqipe i mungon promocioni


Për fatin e mirë vë re një tendencë të përmbysjes së raportit letërsi e huaj-letërsi shqipe, në favor të letërsisë shqipe. Nëse në fillim të viteve ‘90 dominonte letërsia e përkthyer dhe u harrua letërsia kombëtare, në këto dy-tre vitet e fundit kemi shkuar ndoshta në një ekuilibër. Unë mendoj që ky panair ndoshta është i pari ku vihet re një ndryshim i këtij ekuilibri në favor të letërsisë kombëtare. Po të shprehem më qartë vetëm për shtëpinë time botuese, 80 për qind e botimeve (ne botojmë mbi 150 tituj të rinj në vit) kanë qenë letërsi kombëtare. Asaj i është bërë promocion mjaftueshëm, si një pjesë e rëndësishme që i mungon kësaj letërsie, së cilës në fakt nuk i bëhet promocioni i duhur. Unë kam ndjekur me interes edhe një debat që është zhvilluar para disa kohësh, ku sulmohet letërsia kombëtare. Personalisht jam i mendimit se nuk është se neve na mungon letërsia kombëtare, por ne nuk dimë ta promovojmë sa duhet për t‘ia bërë të qartë botuesve të huaj që kjo letërsi përkthehet. Duhet të ketë mekanizma institucionale shtetërore, që edhe letërsia shqiptare të duket interesante, sepse vlerat janë. Por ne deri më sot, nuk kemi ditur dhe nuk po dimë ende si t‘i bëjmë të ditura dhe të njohura te botuesit e huaj vlerat e letërsisë shqipe.

Arian Leka - botues, "Ideart"

Botuesit po i qasen vlerave të letërsisë shqipe


Le të heqim iluzionet që letërsia shqipe mund të përmbysë raportin me letërsisë e huaj, sepse edhe për përmasat gjeografike dhe për numrin e popullsisë do të jetë gjithnjë e përfaqësuar më pak. Përkthime do të ketë gjithnjë e më shumë, por shoh një prirje që edhe disa botues të tjerë po i qasen disa prej vlerave të letërsisë shqipe. Nisur nga përvoja personale, këtë vit "Ideart" mes 24 titujve të botuar enkas për panairin, 11 janë autorë shqiptarë. Disa prej tyre e kanë librin e parë dhe kemi dashur t‘i përkrahim, ndonjë tjetër si Ledia Dushi i është rikthyer vlerave të dikurshme dhe po boton librin e tretë me poezi. Sollëm poezitë dhe esetë e Petro Papakostës që botohen për herë të parë, tregimet dhe esetë e Elian Taninit, librin studimor politologjik të Luljeta Prognit dhe mes tyre dua të veçoj romanin e Zija اelës "Sos; zemra një buzëqeshje" dhe romanin e Mira Meksit "E kuqja e demave", i cili brenda pak kohe njohu botimin e tretë. Kjo do të thotë që këto janë kontribute të letërsisë shqiptare.

Flutura Açka - botuese e "Skanderbeg books"

Vështirë të konkurrohet letërsia e huaj


Duket sikur botohet pak letërsi shqipe, por ajo që botohet më së shumti është cilësore, përjashtuar ata që humbasin në tërë këtë mori titujsh. ثshtë e vështirë që letërsia shqipe ta konkurrojë atë të huaj për shkak të titujve e për më tepër që ne nuk arrijmë të sjellim më të mirën e mundshme në Shqipëri. Por ka një lëvizje pozitive, janë konfiguruar autorët dhe ka shtëpi botuese që merren ekskluzivisht, botojnë dhe promovojnë autorë shqiptarë. Mendoj se kjo është një sipërmarrje për t‘u lavdëruar, sepse jo të gjithë e bëjnë këtë. Ka botues që në fillimet e tyre kanë nisur të merren me letërsinë shqipe dhe më pas e kanë braktisur atë, por duket se gjërat kanë filluar të ndryshojnë për mirë.

Ben Blushi- shkrimtar

Lexuesit po i rikthehen letërsisë së tyre


Besoj se urinë që ne kemi pasur për letërsinë e huaj pothuajse kemi arritur ta shuajmë në këto 20 vjet, e kemi konsumuar atë letërsi që na u ndalua për 50 vjet. Tani njerëzit po i rikthehen shijeve të letërsisë së tyre. Kjo është e vërtetë për çdo lloj arti, përfshi edhe muzikën, letërsinë, dramën apo qoftë edhe pikturën. Nevoja që ka shoqëria shqiptare për të bërë artin e vet besoj se po rigjallërohet edhe fakti që gjithmonë e më tepër autorë shqiptarë dominojnë tregun e librit më shumë se autorë të huaj, përveç rasteve spektakolare kur ka autorë që kthehen në bestseller botërorë. Për sa i përket vlerave, aq kohë sa unë vetë jam një autor shqiptar nuk mund të paragjykoj letërsinë shqipe, e cila sigurisht që ka një rrugë të gjatë për të bërë, por unë jam i bindur që po e rimerr veten sepse nuk është më një letërsi e izoluar. Letërsia shqiptare e para viteve ‘90 ka qenë e izoluar nga bota, letërsia shqiptare sot nuk është e izoluar, autorët jetojnë njësoj si të jetojnë diku tjetër dhe nuk janë të privuar nga informacioni apo nga letërsia bashkëkohore e huaj. Në këtë pikëpamje kanë avantazhe që letërsia shqipe po i shfrytëzon gradualisht.

Stefan اapaliku - shkrimtar

Lexuesit shqiptarë kanë seleksionuar vlerat

Besoj se ekziston një nivel më i lartë i letërsisë shqipe krahasuar me atë çka ndodhi pas viteve ‘90 për arsyen e vetme se edhe letërsia si çdo fenomen tjetër iu nënshtrua një seleksionimi natyral të saj. Në përgjithësi kemi një reduktim të numrit të njerëzve që shkruajnë. Më së fundi u kuptua se letërsia është një maratonë e jo një garë shpejtësie, kështu që në këtë garë të gjatë jetuan ata që u treguan më rezistentë. Në këtë kuptim mendoj se letërsia shqipe ka më pak shkrimtarë, por më të mirë. Por sigurisht që promovimi i saj nuk zgjidhet vetëm përmes organizimit të panairit, i cili vazhdon të jetë në hullitë e panaireve të para ku kemi një inventar vjetor të të gjitha botimeve dhe në një farë mënyre një magazinë të madhe të shitjes së librit. Kjo zgjidhet përmes hapjes së tregut të librit shqiptar, që nuk po ndodh aq shpejt sa ne e kishim menduar në fillim.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top