-
- Anëtarësuar më
- Apr 15, 2011
-
- Mesazhe
- 25,035
-
- Reagimet e mara
- 13,025
-
- Mosha
- 38
-
- Vendndodhja
- Diku Neper Planet
Marrëveshja detare, ka hyrë në fazën e dytë të rinegocimit. Se çfarë frytesh do të dalin nga kjo, vështirë të jesh optimist, pasi ashtu si edhe në rastin e parë, mungon transparenca rreth axhendës, pikave që do diskutohen dhe grupit të punës të ngritur. Ndërkohë, në ambientet e lidhura shpirtërisht me Berishën, në gjithë sistemin berishokrat, ka filluar e qarkullon legjenda, se miratimi i marrëveshjes së parë dhe hedhja më vonë poshtë e saj, ishte një veprim prej mjeshtri diplomacie i Berishës, i cili, me një gur, vrau dy zogj: Ju mori miratimin për hyrjen në NATO grekëve, dhe njëkohësisht nuk iu dha gjë, pasi Gjykata Kushtetuese, e hodhi poshtë marrëveshjen për detin.
ثshtë kjo një histori, e cila përpiqet të ushqejë embrionin e eposit të ri për Berishën, si nacionalisti më i madh i kësaj toke, dhe njëkohësisht të justifikojë veprimin e tij, i cili në të vërtetë, ishte një aksion aventuresk, që ka vënë në rrezik interesat e shtetit shqiptar, rrezik nga i cili ende nuk kemi dalë, dhe është një minë me sahat edhe në të ardhmen. Për sa i përket autorit të kësaj çorbe, kryeministri i vendit Sali Berisha, momentalisht nuk flet, por tërthorazi, ka filluar e ngre himne për Ahmet Zogun dhe veprën e tij, duke e cilësuar një shtetar të madh, dhe themeluesit të shtetit modern shqiptar. Duket si një përpjekje për të justifikuar precedentin, pasi Zogu, ishte një shtetar modern vetëm në letra, ndërsa cili ishte shteti i tij, mjafton të lexohet “Re dhe gurë” e Petro Markos. Në praktikë, Zogu rezultoi një udhëheqës i flashkët, i cili në çastin e fundit, rrëmbeu thesarin e shtetit shqiptar, të cilin nuk e ktheu kurrë. Ndërsa, dhurimi i Shën Naumit jugosllavëve, është njolla e turpit se si për hatër të karriges së tij, nuk nguroi të paguante mercenarët me tokë shqiptare. Por rasti i Zogut, të cilin e ka aq për zemër Berisha, është edhe shembulli ekzemplar i sjelljes së një autokrati oriental, i cili për interesat e tij nuk nguron të shesë, apo në rastin më të mirë të verë në rrezik interesat e vendit. Dhe sa më sipër, ja vlen të argumentohet, se vendi u çua në prag të dhurimit të territorit, për shkak të interesave të ngushta pushtetmbajtëse të Berishës; se veprimi i mësipërm, nuk ishte gjë tjetër veçse një xhambazllëk i tipit të pazarit të Kabulit, dhe jo diplomaci e stilit modern; dhe ende rreziku i humbjes së sipërfaqes detare, qëndron si shpata e Demokleut, mbi trojet e jugut të Shqipërisë.
Duke ju kthyer kontekstit historik, vërehet se në kohën që negociohej hyrja e Shqipërisë në NATO, ishte mbyllur ndërkohë marrëveshja për varrezat e ushtarëve grekë të rënë në luftën imperialiste italo-greke, me të cilën ju jepeshin tre varreza fqinjëve tanë, vendndodhja e të cilave kondiciononte me kufirin imagjinar të pretendimeve Vorio-epirote. Ndërkohë, Gjermania, kundërshtonte fuqimisht zgjerimin e NATO-s me vende jashtë standarteve dhe të pavlefshëm ushtarakisht si Shqipëria, me kredenciale të dyshimta demokratike si Gjeorgjia, apo të pa stabilizuar në orientimet e tyre gjeopolitike si Ukraina, ku dy të fundit, për shkak edhe të kufirit të përbashkët me Rusinë dhe paqëndrueshmërisë mendore të udhëheqësve të tyre, mund ta fusnin aleancën në konflikte të pa kontrolluara. Por presidenti amerikan George W. Bush, ishte në fundin e mandatit të tij të dytë, dhe e donte me doemos një diamant në kurorën e presidencës së tij. Me qënëse për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, qëndrimi i evropianëve dhe kryesisht kancelares Merkel, ishte infleksibël, u ra dakord që të pranohej Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia. Në këtë kohë, ndërhyn Greqia, e cila me shkakun e vjetër të emrit, kërkoi që hyrja e Maqedonisë të kushtëzohej me ndërrimin e emrit. Por, ndërkohë Greqia, kishte filluar të shikohej si macja e zezë e BE-së, jo vetëm për shkak të këtij kundërshtimi, por edhe për lobingun që kishte bërë për anëtarësimin e një shteti me probleme si Qiproja, problemet që i hapte Brukselit me konfliktualitetin e saj arkaik me Turqinë, dhe mbi të gjitha me retë e krizës, e cila kishte filluar të dukej në horizontin grek, dhe ku aftësitë e saj për ta përballuar e vetme, ishin të pabesueshme. Kuptohet që kushtëzimi i Maqedonisë ishin gramët e fundit të durimit euroatlantik që Greqia konsumonte, dhe një kushtëzim edhe i Shqipërisë, për shkak të varrezave apo marrëveshjes detare, ishte një sebep që mund të ndizte zemërimin e fuqive të mëdha, kundër aleatit zevzek, ndaj kishte pak gjasa një veto greke kundër Shqipërisë. Në këto kushte, një diplomaci profesionale shqiptare, do ti kishte llogaritur gjithë faktorët që ishin në lojë, si dhe forcat e palës greke, e cila nuk kishte rezerva për të hedhur në betejën e një fronti tjetër me Shqipërinë, e cila kishte mbështetjen e palëkundur të SHBA për këtë anëtarësim. Ndaj nuk kishte pse ti bëhej lëshim, jo vetëm në ujërat detare, por as në çështjen e varrezave greke. Por e vetmja gjë e pa llogaritur, dhe në disfavor të shqiptarëve, ishte fiksimi i Berishës, i cili që prej vitit 1997, ka një frikë patologjike ndaj fqinjit jugor, dhe paranojë mistike për fuqitë e mbinatyrshme të tija në mbajtjen ose zbimin e tij nga pushteti. Dhe në këtë moment, me siguri Berisha, si të vetmen rrugë kompatibël, që siguronte sundimin e tij, dhe njëkohësisht qetësonte frikën nga komploti grek, ka pasur idenë e plotësimit të kërkesave të interlokutorëve. Në heshtje të plotë, u negociua marrëveshja detare, dhe nëse nuk do ishte ndërhyrja e Gazetës Shqiptare dhe një koloneli të dalë në pension, dhe më vonë kërkesa për pavlefshmëri në Gjykatën Kushtetuese, e paraqitur nga Partia Socialiste, sot vendi ynë do ishte me kufij të cunguar. Nuk dihet nëse Berisha bëri presion mbi Gjykatën Kushtetuese për ta miratuar marrëveshjen, apo e kundërta, por një gjë është e sigurt, që deri pa u zbuluar marrëveshja nga Gazeta Shqiptare, Berisha kishte bërë tradhti kombëtare dhe dhurim të territoreve të vendit. Kur u zbulua afera, në stilin e tij, filloi të quante sharlatanë njerëz si kolonel Myslim Pashaj dhe anëtarët e kushtetueses. Spërdredhjet e mëvonshme, si dhe legjendat urbane për “diplomacinë e madhe” të Berishës, janë përpjekje e tij dhe ushtarëve që i venë pas, për të larë faqen e nxirë nga një tradhti kombëtare.
Parë në pikëpamjen profesionale, sido që ta vërtisësh historinë, kjo është një ndodhi satrapësh orientalë, të cilët bëjnë pazare me gjithçka, qofshin edhe territoret e vendit që sundojnë. Pastaj nëse këto i lënë peng, apo i humbasin në kumarin e politikës, është çështje fati. Një shtet normal, në raste të tilla, lë organet e specializuara të negociojnë. Mjafton shembulli i Maqedonisë, që aq shpesh e përmendim si një shtet të ri dhe të pa stabilizuar, i cili nuk bën lëshime me emrin dhe historinë, megjithëse, kjo mund ti shkaktojë probleme në integrim. Asnjë politikan maqedonas nuk barazon karrigen e tij me principet e shtetformimit. Po kështu, në fund mijëvjeçar, kur Sllovenia, negocionte anëtarësimin e saj në BE, ju vu si kusht nga Italia, që të njiheshin pronat e italianëve të zbuar nga Gorica, pas Luftës së Parë Botërore, vepër e cila ishte një genoncid i partizanëve të Titos. Por Davidi slloven, luftoi kundër Goliatit italian, dhe fitoi anëtarësimin, pa bërë lëshime. E njëjta gjë duhet të ndodhte edhe në Shqipëri, nëse diplomacia do ishte profesionale dhe jo viktimë e emërimeve politike dhe militante; nëse matësi i punës do ishte besnikëria ndaj kombit dhe interesave të tij, dhe jo sa veprimtaria politike i shkon për hosh interesave të kryeministrit që sundon vendin. Berisha do ishte një nëpunës besnik i shtetit, dhe shqipëridashës, nëse negociatat do ja linte në dorë profesionistëve, dhe mos bënte balerinën në tehun e thikës, midis zgjedhjesh të kontestuara, premtimesh për dhurim territoresh, dhe korrupsion galopant të qeverisjes. Një politikan i përgjegjshëm, nëse e kërkojnë interesat e vendit, i dorëzon të gjitha, por jo territoret të cilat as ja ka lënë babai, e as nuk ka të drejtë ti japë. Përpjekjet e piramidës berishokrate, për ti dhënë veshje patriotike një tradhtie kombëtare, vështirë se ja dalin të ndryshojnë historinë, pasi mund të manipulosh pushtetin dhe shtypin, por nuk mund të blesh historinë, pasi për fat të mirë, atë e shkruan gjithmonë e ardhmja.//balkanweb.com
NGA: DRITAN HILA