polisi_tajrush
Struga zemra Ilirides
Familjarët dhe strukturat tjera të BL nga Ladorishti, ripërsëritën se edhe më tutje do të vazhdojnë angazhimin për zbardhjen e rastit të Sulltan Memetit.
Në 9-të vjetorin e rrëmbimit, të Sulltan Memetit, kryetar i BL të Ladorishtit, më 6 maj të vitit 2001, familjarët, përfaqësuesit e bashkësisë lokale shpalosën edhe një herë kronologjinë e zhdukjes misterioze të Sulltan Memetit, gjatë vitit 2001.
“Ai është rrëmbyer nga policia maqedonase e për këtë kemi edhe dëshmi të noterizuara nga dëshmitarët okular”, ka potencuar disa herë edhe më parë Vedat Kolonja, sekretar i Bashkësisë Lokale të Ladorishtit.
Rasti i Sulltan Memetit, nga ana e policisë, vazhdimisht trajtohet si rast i përgjithshëm nga ngjarjet e vitit 2001, ndërsa reagimi i familjarëve dhe BV ka të bëjë me ate se Sulltan Memeti është rrëmbyer jashtë rajoneve të përfshira me luftime të konfliktit të luftës së 2001, aty ku nuk ka pas trazira dhe konflikte, ku institucionet e shtetit kanë funksionuar normalisht.
Ai është rrëmbyer nga policia në Strugë e askush tjetër, prandaj edhe kërkohet që rasti të trajtohet veçmas dhe ndaras nga rastet tjera.
“Si deri më tani, edhe sot e kësaj dite, nuk kemi kërkuar gjë tjetër dhe nuk kërkojnë asgjë më tepër pos të informohemi për shkallën deri ku është arritur të zbardhet rasti, duke aluduar në mosefikasitetin e organeve të SPB-së dhe Prokurorisë”, ka theksuar Kolonja, duke shprehur indinjatë ndaj organeve që injorojnë kërkesat e tyre për zbardhjen e rastit.
Filizon Memeti, vëllai i Sulltanit të zhdukur thekson se ka realizuar takime me shumë zyrtarë, së fundi edhe me evroambasadorin Fuere, duke i ofruar dosjen e zhdukjes dhe duke kërkuar ndihmë për zbardhjen e rastit.
Sulltan Memeti ishte rrëmbyer nga policia në postbllokun e vendosur nga njësitet policore më 6 maj të 2001, ndërmjet orës 21.00-21.45, në afërsi të varrezave krishtere në aksin rrugor Strugë-Ladorishtë- Qafë e Thanës.
Kjo është vërtetuar më pas nga dëshmitarë okularë, të cilët kanë deponuar deklaratat e tyre në organet e hetuesisë. Familjarët kërkesën dhe fajësinë e drejtojnë tek Sekretariati i Punëve të Brendshme në Strugë, duke përmendur emra konkret por edhe e gjithë MPB-ja. Mehmet Latifi/INA