7 Marsi, Rama – mësuesve: Ndjesë! Unë dhe politikanët s’ju ndihmojmë aspak

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
7 Marsi, Rama – mësuesve: Ndjesë! Unë dhe politikanët s’ju ndihmojmë aspak

edi_rama.jpg


Këtë 7 Mars, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të urojë arsimtarët në të gjithë vendin, duke zhvilluar një takim me qindra mësuese nga e gjithë Shqipëria në Kryeministri.

Rama u shpreh se, “jam shumë i nderuar që të jem këtu në këtë moment të rëndësishëm për secilën prej jush dhe për të gjithë mësuesit e Shqipërisë, për t’iu uruar Gëzuar këtë festë dhe për të shprehur të gjithë nderimet e falënderimet për të gjithë mësuesit që çdo ditë kryejnë këtë mision kaq fisnik dhe kaq të vështirë”.

Kreu i qeverisë u ndal tek shembujt e gabuar dhe heronjtë e rremë që përcjell mjedisi dhe shoqëria sot dhe për ta demonstruar këtë fajin e hodhi tek vetja dhe të gjithë aktorët e klasës politike në vend.

“Sot ju kërkoj ndjesë të thellë dhe të vërtetë për faktin që unë dhe rraca ime e politikanëve, sidomos të atyre që çdo të enjte zhvillojnë mësim në Kuvendin e Shqipërisë nuk iu ndihmojmë aspak në misionin tuaj kryesor, që është jo vetëm të përgatisni njerëz të ditur dhe qytetar të mirë”, deklaroi Rama.

Kryeministri shtoi më tej: “Jo vetëm nuk ju ndihmojmë aspak, por ju pengojmë çdo të enjte rregullisht në kryerjen e misionit tuaj. Shfaqja e të enjtes rrëzon të gjitha fjalët që mund të themi gjatë javës në raport me virtytet, në raport me dhuntitë e mira.”

Sipas Ramës, në raport me mësuesit, qeveria ka ende shumë punë për të bërë dhe ka mjaft detyrime. Për të plotësuar këto detyrime, kryeministri tha se qeveria po çon përpara një reformë që “po krijon kushtet për të pasur mësues sipas meritës, tekste sipas ambicies dhe për të pasur mësimëdhënie sipas nevojës e rilindje për arsimin”.

“Jam shumë optimist në këtë sektor, në këtë betejë sepse jemi shumë të qartë, hap pas hapi se çfarë duhet dhe si duhet ta bëjmë dhe fatmirësisht kemi një ministre Arsimi që është një zyshë si ju, mes jush. Nuk mund të bëhesh dot mësues me mesatare 6. Hapi tjetër do të jetë se kush do të bëhet mësues, do të ketë mesatare me të lartë se të tjerët dhe kjo do të shoqërohet me mbështetje për të rritur më tej rrogat e mësuesve”, u shpreh ai.

Kreu i ekzekutivit u dhuroi mësueseve nga një libër, që sipas tij pasqyron reliatetin e nxënësve të pabindur, me të cilët është edhe përballja më e vështirë për mësuesit.

“Kisha shumë dëshirë t’iu bëja një dhurate për këtë 7 Mars dhe iu dhurova një libër, ku flitet për adoleshentët, të rinjtë e pabindur, të rinjtë kokfortë, të rinjtë që dëshirojnë të përmbysin botën dhe që përmbysjen e botës e nisin dhe e mbarojnë duke kundërshtuar prindërit e mësuesit. Në libër ka pasazhe fantastike dhe ajo që e bën prozaike jetën e këtyre çunakëve e bën shoqëria me autoritetin e saj. Dhe ndërkohë, duke reflektuar në kushtet e realiteti të sotëm është shumë e vështirë të marrësh me mend se ç’vështirësi ka puna e mësuseve në përballimin e këtyre çunakëve”, u shpreh Rama.

(gazeta-Shqip.com)
 
Back
Top