67 vjet më pas...

ReNdEx

Interist Forever
Staf në FV.AL
Mod
54219.jpg


Nga: DRITAN HILA

Kur 29-vjeçari Abdulhakim Ismailov i lindur në fshatin Chagar-Otar të Republikës Sovjetike të Dagestanit, i plagosur pesë herë gjatë luftës, në datën 2 maj 1945 ngrinte flamurin sovjetik mbi Reichstag, Luftës së Dytë Botërore po i vinte fundi. Në datën 8, feldmareshalli gjerman i Wermachtit, Wilhelm Keitel, firmoste para komandantëve të Ushtrisë së Kuqe dorëzimin pa kushte, që për efekt të brezit orar, në Moskë ishte data 9. Në 12 maj garnizoni i Pragës, thesi i fundit i rezistencës gjermane i komanduar nga feldmareshalli Schorner, u dorëzohet armatave tankiste të mareshallëve Koniev, Malinovski dhe Jeremenko duke i dhënë fund betejës më të përgjakshme të historisë së njerëzimit që e kishte kthyer globin në gërmadhë. اdo betejë e mëparshme në të shkuarën e botës ishte fëminore për sa i takon masave njerëzore që u hodhën në fushat e betejës, dëmeve të shkaktuara në civilë, rikonfigurimit që i bëri planetit e shoqërive. Dy nga kombet më të qytetëruara të Europës, Italia dhe Gjermania, i kishin dhënë fill ideologjisë fashiste që i ktheu në makina vrasëse. Askurrë më parë, nuk kishte njohur historia ndarje të njerëzimit në raca, ku ajo më e fuqishmja e asgjësonte tjetrën në mënyrë industriale. Hebrenjtë dhe ciganët, ishin viktimat e pafuqishme të kësaj lufte. Një popull tjetër, ai sovjetik, do njihte hekatomba njerëzore që mendja ende e ka vështirë t’i rrokë: 23 milionë të vrarë në fushëbeteja, kampe përqendrimi, nga uria apo të ftohtët. Vetë agresorët humbën mbi 10 milionë jetë deri në 2 shtator kur do nënshkruhej edhe kapitullimi i Japonisë. Në 3 shtator 1945 bota u zgjua nga ky makth me 71 milionë njerëz më pak.
Kontributi i popujve të ish-Bashkimit Sovjetik ishte themeltar në disfatën e Gjermanisë naziste. Pa betejat epike të Moskës, Leningradit, Stalingradit, Kurskut, Berlinit, ku Ushtria e Kuqe korri fitoret decizive duke lënë në fushat e tyre lulen e rinisë, fundi i luftës do ishte i largët. Armata e Kuqe, mbajti në shpatulla 75% të volumit të Luftës së Dytë Botërore, duke qenë faktor përcaktues në fitoren përfundimtare.
Krahas heroizmit sovjetik, shpirti i pamposhtur britanik ishte pishtar për Europën nën thundrën naziste. BBC me programet e saj mbante gjallë thëngjijtë e lirisë në kontinentin e pushtuar. Beteja ajrore e Londrës tregoi se makina deri atëherë “E pathyeshme” e “Luftwafe”-s gjermane, nuk ishte e tillë. Në qiejt e Londrës, akujt e poleve, malet dhe fushat e Europës, shkretëtirat e Afrikës, xhunglat e Azisë, stoicizmi i ushtarit britanik, ishte shpresë për popujt e pushtuar. “Beteja e Atllantikut” ku marinarët e “Madhërisë së Tij” në furtunë e tramundanë, çanin oqeanet nën sulmin e pamëshirshëm të nëndetëseve gjermane “U Boat” për t’i sjellë ushqime dhe armatim vetes dhe aleatëve rusë, ishte e pashoqe në historinë e betejave detare. “Anglezët sakrifikuan perandorinë, për të mos lejuar që gjermanët, italianët dhe japonezët të ruanin të tyret”,- shkruan historiani Niall Ferguson në librin e tij “Perandoria”. Bota e qytetëruar, iu është mirënjohëse për këtë kontribut.
As Lufta e Parë Botërore as e Dyta, nuk do ishin fituar pa kontributin ekonomik, ushtarak dhe njerëzor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të përfshirë në beteja që nuk i kishin shkaktuar vetë, amerikanët riafirmuan se shpirti i lirisë i pionierëve, lundërthyerve dhe të përndjekurve që kishin themeluar kombin, nuk kishte vdekur. “Mendoni, se si do kishim avancuar nga Stalingradi në Berlin, pa mjetet amerikane të transportit”,- do deklaronte në një moment sinqeriteti Hrushovi. Sipas statistikave të britanikut John Keegan, një nga studiuesit më të mirë botërorë të historisë së luftës, nga të dhënat në librin e tij “Lufta e Dytë Botërore”, nga 665 mijë automjete që pati Ushtria e Kuqe gjatë konfliktit, 427 mijë ishin furnizuar nga amerikanët. Kamionët “Dodge” mbartnin trupa, topa e ushqimet e Ushtrisë së Kuqe në betejat e saj. Industria amerikane furnizoi me 13 milionë çizme gëzofi ushtarët sovjetikë; 5 milionë ton ushqime ishin ekuivalenti i 250 gramëve racion ditor që merrte çdo ushtar i kuq për gjithë periudhën e konfliktit. Dy mijë lokomotiva; 11 mijë vagonë; 540 mijë ton shina e traversa, ishin disa nga ndihmat që Amerika i dha aleatit të saj që po përgjakej në beteja jonjerëzore. Nga viti 1941 e deri në fund të konfliktit, Shtetet e Bashkuara mbuluan 29.1% të nevojës së Britanisë së Madhe për furnizime me lëndë të para dhe ushqime, - shkruan Keegan në librin e tij. Përveç kësaj, në fushëbetejat e Europës, Afrikës, Azisë dhe oqeanet e botës, kombi amerikan dha jetët e 413 mijë qytetarëve të tij. E pashembullt edhe sakrifica e kombeve të robëruara dhe rezistenca e tyre. Domethënës ishte rreshtimi i shqiptarëve me aleatët, duke mos u joshur nga favoret territoriale që ofruan fuqitë fashiste të “Boshtit”. Kontributi i lartë i të vrarëve për frymë, është faqe e ndritur në historinë tonë. Kurrë më përpara tempulli i lirisë nuk kishte kërkuar kaq shumë gjak. Si asnjëherë kombet treguan se blatonin gjithçka në altarin e saj.
اdo përvjetor i fitores së popujve mbi fashizmin, është moment refleksioni edhe në Shqipëri. Fitimtarët kanë për se krenohen. Ndërkohë duke shfrytëzuar kohët e vështira, indiferencën dhe harresën humane, pasardhësit ideologjikë të kolaboracionistëve, përpiqen të bëjnë apologjinë e së shkuarës. Kërkojnë të fitojnë atë që humbën në fushat e betejës: moralin. Por asgjë nuk mund ta ndryshojë historinë. Për shkak të paditurisë se si lëvizte politika botërore e kohës; interpretimit të gabuar të historisë; defektit karakterial që influencën në popull ta shisnin kundrejt bashkëpunimit me okupatorin; dhe shumë shkaqe të tjera, një pjesë e elitës shqiptare u bashkua me pushtuesit. Asnjë justifikim “patriotik” nuk ka për ta. Ishin me humbësit. Ishin aleatë të fuqive më të errëta që ka njohur bota. Ishin në anën për të cilën historia nuk do bëjë kurrë apel. Ndaj 9 maji, është dita që mund të përpiqemi të kuptojmë, por jo t’i justifikojmë e aq më pak t’i pastrojmë. Këtë nuk mund ta bëjë askush, sado pushtet që ka. E djathta shqiptare, pavarësisht se i mungojnë në të shkuarën e saj aktet patriotike, personazhet e spikatura dhe ideologjia, nuk mund ta ndërtojë të ardhmen duke u bazuar tek bashkëpunëtorët e fashizmit dhe shtrembërimi i historisë. E majta shqiptare, pavarësisht ekstremizimit të mëvonshëm, ka me se të krenohet. Dhe bashkë me të, gjithë shqiptarët.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top