Një djalë 6-vjeçar i cili ka frikë nga zhurmat e larta “vdiq” për më tepër se gjysmë ore pasi një bubullimë e fuqishme i shkaktoi atak në zemër.
Kalum Brajan, nga Birminghemi (Angli) po kthehej nga shkolla kur zemra i ndaloi befas teksa ndodhej në makinën e së ëmës, duke mbetur “i vdekur” për 33 minuta.
Buzët dhe fytyra e tij nisën të marrin ngjyrë të purpurt ndërkohë që trupi nuk furnizohej më me oksigjen.
Mjekët besojnë se ataku u shkaktua nga një vërshim i beftë i adrenalinës, i shkaktuar nga frika prej zhurmës së një bubullime.
Pasi i bëri menjëherë masazh kardiak, e ëma, me profesion kujdestare plazhi, e çoi menjëherë në spital. 6-vjeçari u vu në koma të detyruar dhe për një çast mjekët patën frikë se djali mund të kishte pësuar dëmtime të përhershme në tru.
Pasi e mori veten pas 17 ditësh në spital, Kalumi është rikthyer në shtëpi, por ka nevojë për vëzhgim nga afër në rast se i ndodh diçka e ngjashme.
Familja Brajan tani po tenton të mbledhë fonde për të vendosur një defibrilator në shkollën e Kalumit dhe në Spitalin e Fëmijëve të Birminghemit.
Mjekët e krahasuan “vdekjen” e tij me atë të mesfushorit të Boltonit Fabris Muamba, i cili u rrëzua pa ndjenja në fushë gjatë çerekfinales së FA Cup ndaj Totenhemit në mars. 24-vjeçari pësoi një arrest kardiak dhe zemra e tij ndali së rrahuri për 78 minuta.
/Start/E.B/