‎21 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit

ida angel

:)
V.I.P
21 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit, ende ne “luftë” për demokracinë !


Sot më 20 Shkurt 2012 mbushen plot 21 vjet nga rrëzimi i shtatores së ish-diktatorit komunist, Enver Hoxha, i cili qeverisi me dorë të hekurt Shqipërinë komuniste, që prej vitit 1945.
422646_380680215276739_141388129205950_1629962_1327303622_n.jpg

... Pamjet e atyre ngjarjeve, shkurtin e vitit 1991 në sheshin “Skënderbej” bënë xhiron e botës dhe e vunë edhe një herë Shqipërinë në fokus të zhvillimeve ndërkombëtare.

Pas 45 vitesh diktaturë proletariati, vendi i fundit komunist i Europës Juglindore po njësohej me parimet demokratike të perëndimit.

Thirrjet “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” u bënë simbol i protestave studentore dhe qytetarëve të Tiranës.

Megjithatë regjimi komunist kishte lëshuar rrënjë të thella në ndërgjegjien e shqiptarëve, ndaj dhe idhtarët e diktatorit dhe Partisë së Punës nuk u pajtuan lehtë me sistemin e ri, që po instalohej në vend.

Tubime pro diktatorit Hoxha u mbajtën në shumë qytete të vendit, në shenjë solidariteti me partinë dhe porositë e shokut Enver, por gjithçka degradoi shpejt për shkak të rrokopujës ekonomike, që vendi kishte marrë që prej viteve ‘80.

Në Shqipëri u instalua sistemi pluripartiak, që shumë shpejt nisi rrugën e vështirë të instalimit të demokracisë sipas modeleve perëndimore.

Megjithatë përvoja e munguar bëri që Shqipëria të kalojë në një fazë tjetër, atë të tranzicionit, që për fatin tonë të keq po vijon ende.

Ngjarjet e ndodhura gjatë këtyre 21 viteve e konsoliduan demokracinë në Shqipëri, por sërish mbetet shumë rrugë për të konkretizuar thënien e 21 viteve më parë “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”.

Polarizimi i tejskajshëm politik ka bërë, që Shqipëria të shënojë hapa mbrapa në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Data 20 shkurt është ditë përkujtese, për një prej ngjarjeve më të shënuara të historisë moderne të Shqipërisë, e cila 21 vite më pas vijon rrugën e vështirë drejt Europës. (Kuriozitete&enigma fb )
 
Titulli: ‎21 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit

Rënia e Enver Hoxhës, Berisha: Etërit e diktaturës uzurpuan PS, do ndëshkohen

TIRANE- Përkujtohet sot 21 vjetori i rrëzimit të bustit të ish diktatorit Komunist të Shqipërisë Enver Hoxha. 20 shkurti i vitit 1991 ka mbetur në kujtesën historike të popullit shqiptar si dita kur u përmbys monumenti i diktatorit Enver Hoxha.
18-20 shkurt 1991 është koha e zhvillimit të grevës së urisë së studentëve që kërkuan heqjen e emrit të diktatorit Hoxha 700 studentë u futën në një grevë urie. Përmes asaj greve, e mbështetur nga mijëra qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, kërkonin që Universitetit të Tiranës t’i hiqnin emrin e diktatorit Enver Hoxha. Thirrjet “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” u bënë simbol i protestave studentore dhe qytetarëve të Tiranës. Më 20 shkurt ’91 qindra qytetarë rrëzuan bustin e diktatorit.

Me rastin e kesaj date historike, sot në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar u përurua Pavijoni i Terrorit Komunist ku mori pjesë edhe kryeministri i vendit Sali Berisha.
Kryeministri Sali Berisha duke përshëndetur ngjarjet më 20 Shkurt theksoi se kjo ishte dita kur u përmbys diktatura dhe u formua opozita e parë shqiptare.
“20 Shkurti ishte data në të cilën studentët në Universitetin e Tiranës u përballën me një trimëri të pashoqe, dhe përmbysën shtatoren e tij, kjo shënoi rënien de fakto themelimin e opozitës shqiptare gjunjëzimin përfundimtar të diktaturës komuniste në Shqipëri”.

Sipas Berishës pinjollët e diktaturës nuk kanë shprehur kurrë pendesë për krimet e bëra kundrejt grave dhe burrave që u flijuan për të patur Shqipërinë si Europa. Sipas Berishës opozita shqiptare përfaqëson frymën e diktaturës dhe se venë interesin e etërve përpara interesit të kombit.

“Ky komb ka historinë e vet por historia e diktaturës është më tragjikja. Sot, pasardhësit direkt të bunkerit që përmbysëm 21 vjet më parë, jo vetëm nuk kanë shprehur për asnjë moment pendesën e tyre, por ata kanë uzurpuar kreun e partisë kryesore opozitare të vendit dhe natyrisht nuk janë rikthyer dot në bllok, por kanë rikthyer bllokun me të gjithë psikologjinë e tij. Këta shokë, ose zotërinj me rrahje gjoksi bllokuan për dy vite procesin e integrimit të vendit duke dëshmuar se interesi i tyre, se doktrina e etërve të tyre është më parësore se interesi i shqiptarëve dhe vendit. këta. Këta do kenë ndëshkimin e merituar si paraardhësit e tyre”.

Kreu i qeverise theksoi se "kjo datë e rëndësishme ndan dekadat e shtypjes ekstreme, poshtërimin më çnjerëzor, kujton datën në të cilën mijëra shqiptarë me një guxim e kurajë të pabesueshme të përmbysin jo bronzet metalike, por të përmbysin në Tiranë bronzet e gjalla, të cilat vite pas vdekjes së tij vazhdonin me krenari kriminale rrugën e tij".

“Evropa ka njohur në historinë e saj diktatorë nga më të ndryshëm, por ajo ka të regjistruar në memorjen e vet dy më mizorët, Hitlerin dhe Enver Hoxhën. Hitleri mbi baza racizmi ndërmori krimet më monstruoze, Hoxha si Hitleri pas luftës, organizoi mbi bazën e luftës së klasave terrorin më të paparë ndaj një kombi në Evropë”, shtoi më tej kryeministri.

"Në stendat e kësaj ekspozite jepet mundesia per te njohur qëndresën sakrificën, burrërinë, heroizmin e qindra mijëra grave dhe burrave që u flijuan vetëm e vetëm se ata njësoj si ne besonin te Zoti, donin të flisnin të lirë, donin që vendi i tyre të ecte drejt Evropës, të bashkohej me kombet e qytetëruara evropiane".

Ai theksoi se në këto stenda mungojnë shumica, mijëra heronj të pakënduar.

Në pavijonin e Terrorit Komunist nëpërmjet fotove, dokumenteve shifrave e objekteve personale të burgosurve, të pushkatuarve e të internuarve të shumtë, do të jepen të dhëna tronditëse të kësaj kategorie njerëzish, që ishin nga njerëzit e thjeshtë deri tek ish deputetë e ministra, një pjesë e të cilëve vdiqën në burgjet e diktaturës komuniste.

Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës në 20 shkurt 1991 është një ndër ngjarjet qe ndikuan ne renien totale te regjimit komunist ne Shqiperi. Rrezimi i bustit te Enver Hoxhes ndodhi ne nje situate te renduar politike ne vend. Kishte vetem dy muaj qe ishte themeluar Partia Demokratike dhe ishte shpallur dita e zgjedhjeve te para pluraliste ne Shqiperi ne 31 mars 1991.

(d.b/el.me/BalkanWeb)
 
Back
Top