15 % e goditjeve ishemike ndodh te moshat e reja

PiNkY

Anëtar i Nderuar
truri1.jpg


Goditja ishemike në tru mund të sulmojë edhe të rinjtë. Në veçanti rreth 10-15 % e të gjithë goditjeve ishemike në tru ndodhin tek personat 18-45 vjeç, me një prevalencë të barabartë me dyfishin e asaj të sklerozës.

Kjo është diçka në rritje dy dekadat e fundit. Këtë shpjegon Alessandro Pezzini, koordinator i projektit Ispys në kongresin e mbajtur në Milano.

Ishemia është një goditje në tru, është mungesa e furnizimit me gjak dhe oksigjen të trurit. Ka dy lloje goditjesh në tru. Ishemike dhe Hemoragjike.

Një goditje ishemike ndodh kur një kokël, një lëmsh, një mpiksje e gjakut bllokon një nga enët ose arteriet në tru.

Pra, arteria që çon gjak në tru bllokohet.

Kjo kokël apo ky lëmsh mund të krijohet në një zonë tjetër të trupit dhe të lëvize në arteriet e gjakut, derisa arrin në një enë të ngushtë të trurit duke bllokuar furnizimin me gjak. /albeu.com/



Iskemia Trunore

Goditja në tru ndodh kur qarkullimi i gjakut të pasur me oksigjen bllokohet në një pjesë të trurit. Pa oksigjen, qelizat trunore fillojnë të vdesin vetëm pas disa minutash. Gjakderdhja aksidentale në tru, po ashtu mund të shkaktojë goditje nëse i dëmton qelizat trunore.

20130122153701520236.jpg


Nëse qelizat e trurit vdesin ose dëmtohen nga goditja në tru, simptomat shfaqen në pjesët e trupit të cilat i kontrollojnë këto qeliza. Shembuj të simptomave të pikës në tru përfshijnë molisje; paralizë ose mpirje të fytyrës, krahëve ose këmbëve (paraliza nënkupton paaftësi për të lëvizur); probleme në të folur; dhe probleme me shikim.

Goditja në tru është një gjendje serioze mjekësore, e cila kërkon kujdes emergjent. Mund të shkaktojë dëmtim të përhershëm të trurit, paaftësi afatgjate, por edhe vdekje. Nëse mendoni se ju ose dikush tjetër përjeton goditje në tru, atëherë thirreni menjëherë ndihmën e shpejtë, në mënyrë që stafi mjekësor të fillojë trajtimin për shpëtimin e jetës! Gjatë pikës në tru, secila minutë ka rëndësi.


LLOJET E GODITJEVE Nث TRU

Dy format kryesore të goditjes në tru janë: iskemike dhe hemorragjike. Forma më e shpeshtë është ajo iskemike.

Goditja iskemike në tru ndodh atëherë kur bllokohet arteria e cila sjell gjak të pasur me oksigjen në tru. Trombët e gjakut më së shpeshti i shkaktojnë bllokadat, të cilat çojnë deri te goditja iskemike në tru.

Goditja hemorragjike në tru ndodh atëherë kur del gjaku jashtë nga një arterie në tru ose nëse ka rupturë (çarje të arteries). Presioni nga gjaku që del jashtë i dëmton qelizat trunore. Shtypja e lartë e gjakut dhe aneurizmat janë shembuj të gjendjeve të cilat mund të shkaktojnë goditjen hemorragjike. (Aneurizmi paraqet fryrje të arteries, e cila mund të pëlcasë).

Një tjetër gjendje e ngjashme me goditjen në tru është sulmi iskemik i rastit, që quhet si TIA ose ‘mini-goditje’. TIA ndodh nëse qarkullimi i gjakut në një pjesë të trurit bllokohet për një kohë të shkurtë. Në këtë rast, dëmtimi i qelizave trunore nuk është i përhershëm.


Goditja iskemike dhe TIA
Gjendje të ndryshme shëndetësore mund të shtojnë rrezikun e shfaqjes së goditjes iskemike apo TIA-s. Gjendje të tilla janë arteroskleroza, sëmundjet e zemrës dhe çrregullimet e gjakut.

Goditja hemorragjike
Presioni i lartë i gjakut, aneurizmat dhe malformacionet arteriovenoze janë ndër shkaktarët kryesorë që mund të çojnë deri te shfaqja e goditjes hemorragjike në tru.


Sëmundje të ndryshme, gjendje të ndryshme shëndetësore, si edhe shprehi të caktuara mund të shtojnë rrezikun për të pasur goditje në tru – këto quhen faktorë të rrezikut:

- Shtypja e lartë e gjakut
- Pirja e duhanit
- Diabeti
- Sëmundjet e zemrës (sëmundja koronare e zemrës, kardiomiopatia, pamjaftueshmëria e zemrës dhe fibrilacioni atrial)
- Aneurizmat në tru ose malformacionet arteriovenoze
- Mosha dhe gjinia (mosha e shtyrë, gjinia mashkullore)
- Raca dhe enticiteti (afro-amerikanët, banorët e Alaskës dhe indianët e Amerikës janë më të rrezikuarit)
- Histori personale ose familjare të goditjes në tru
- Konsumimi i alkoolit dhe abuzimi me droga (kokainë, amfetaminë)
- Nivelet e pashëndetshme të kolesterolit
- Mungesa e aktivitetit fizik
- Ushqimi i pashëndetshëm
- Mbipesha
- Stresi dhe depresioni
- Gjendjet mjekësore, si anemia, vaskuliti dhe çrregullimet e gjakderdhjes


SHENJAT DHE SIMPTOMAT

Shenjat dhe simptomat e goditjes në tru zakonisht zhvillohen shpejtë, por ndodh që të zhvillohen brenda orëve apo ditëve. Lloji i simptomave varet nga lloji i goditjes në tru dhe nga pjesa e trurit që është prekur.

Nga shenjat dhe simptomat e një goditjeje në tru, përmendim:
• Dobësi e papritur
• Paralizë ose mpirje e fytyrës, krahëve ose këmbëve, sidomos në njërën anë të trupit
• Konfuzion (huti)
• Probleme në të folur dhe në të kuptuar
• Probleme me shikim në njërin ose të dy sytë
• Probleme me frymëmarrje
• Marramendje, probleme në të ecur, humbje e baraspeshës ose koordinimit dhe rrëzime të pashpjegueshme
• Humbje e vetëdijes
• Kokëdhimbje e menjëhershme dhe e rëndë
(Edhe TIA ka shenjat dhe simptomat e ngjashme, por ato zgjasin më pak se një apo dy orë).


Mjeku juaj do ta përcaktojë sëmundjen duke u bazuar në shenjat dhe simptomat, historinë tuaj mjekësore, ekzaminimet fizike dhe rezultatet nga testet mjekësore. Më tej, ai do të përpiqet ta zbulojë tipin e goditjes, shkaktarin, pjesën e prekur të trurit dhe nëse keni gjakderdhje në tru.

Tomografia e kompjuterizuar (CT), Rezonanca Magnetike (MRI), arteriogrami me CT dhe MRI, ultrazëri i arterieve karotide, angiografia e karotideve, testet e zemrës (EKG, ehokardiografia), analizat e gjakut – janë disa nga testet që bëhen te diagnostikimi i goditjes në tru.



MJEKIM I GODITJES Nث TRU

Trajtimi varet nga tipi – nëse është goditje iskemike ose hemorragjike. Fillimisht është shumë me rëndësi që në rast të dyshimit, të thirret ndihma e shpejtë. Personeli mjekësor rrugës për në spital bën trajtimin për të shpëtuar jetën, ndërsa pasi të arrini në spital mjeku do të përpiqet që të trajtojë sëmundjen, faktorët e rrezikut dhe të parandalojë komplikimet.

Mjekimi i goditjes iskemike (dhe TIA-s) përfshin barnat dhe procedurat mjekësore.

Barnat: Aktivatori i plazminogjenit indor (tPA) shpërbën trombët e gjakut në arterit trunore. Pastaj jepen barna antikoaguluese, të cilat pengojnë formimin dhe zmadhimin e trombëve te gjakut.

Procedurat mjekësore përfshijnë zhbllokimin e qarkullimit të gjakut. (P.sh. nëse keni sëmundje të arteries karotide, mjeku mund të rekomandojë endarterektomi karotide ose angioplasti – të dyja procedurat hapin arteriet e bllokuara).

Për dallim nga goditja iskemike, mjekimi i goditjes hemorragjike nuk mund të bëhet me barna antikoaguluese, sepse ato e përkeqësojnë edhe më shumë gjakderdhjen.

Nëse shkaktari i gjakderdhjes në tru është shtypja e lartë e gjakut, atëherë mjeku jep barna për uljen e presionit të gjakut, gjë që mund të ndihmojë në parandalimin e gjakderdhjes së mëtutjeshme.

Edhe ndërhyrja kirurgjike mund të nevojitet për trajtimin e goditjes hemorragjike.

Trajtimi i faktorëve të rrezikut
Ndryshimet në mënyrën jetësore janë të nevojshme për largimin e faktorëve të rrezikut për këtë sëmundje. Këto ndryshime, përfshijnë ndaljen e duhanpirjes, ndjekjen e një diete të shëndetshme, ruajtjen e peshës normale trupore dhe angazhimin fizik. Nëse këto ndryshime nuk mjaftojnë, atëherë mund t’ju jepen barna për kontrollimin e faktorëve të rrezikut.

Rehabilitimi
Pasi të keni pësuar goditje në tru mund t’ju nevojitet rehabilitim për t’u riaftësuar. Bashkëpunimi me terapistët nga fushat e caktuara do të ndihmojë në të folur, në ecje, në problemet e ushqyerjes dhe tretjes, si edhe në çështjet emotive.

/mjeku.net/
 
Redaktimi i fundit:
Back
Top