ELBASAN – Një 20-vjeçare ka humbur jetën, pasi u mbyt në ujërat e rezervuarit të fshatit Gjyrale. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në Belsh të Elbasanit, kur Refie Kotollaku është futur në rezervuar dhe nuk ka mundur të dalë më.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se forcat RENEA dhe polumbarët po punojnë për nxjerrjen e trupit të pajetë të vajzës.
Pista më e fortë mbi të cilën po heton policia, është ajo e një vetëmbytjeje, për shkak të një konflikti mes vajzës dhe familjarëve të saj, të cilët synonin ta fejonin me një djalë pa pëlqimin e vajzës.
Ndërkohë mesditën e sotme një kufomë e seksit mashkull, rreth 40 vjeç, është gjetur në qytetin bregdetar të Durrësit. Kufoma e dekompozuar, identiteti i të cilit ende nuk dihet, është gjetur në bregdetin e Bisht Pallës nga punonjës privat të pastrimit të cilët kanë lajmëruar policinë.
Nga hetimet e para dyshohet së kufoma është sjellë nga deti, por priten përfundimet e ekspertizës për të verifikuar shkaqet e vdekjes. Ndërkohë policia ka nisur hetimet për identifikimin e kufomës dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
(er.nu/BalkanWeb)