Titulli: Mos mu afro!!!! ( diskrimini i njerzeve te infektuar me SIDA)
Personat me SIDA: Diskriminohemi nga shoqëria dhe mjekët
Kryetarja e shoqatës së Personave me virusin HIV/AIDS pohoi se ndihen të diskriminuar. Vasili: Mungojnë profesionistët për trajtimin e AIDS-it
Trajtimi i të sëmurëve me HIV-AIDS në vendin tonë ka mjaft problematika. Pacientët ndodh që të mos marrin mjekimin në kohë dhe ndihen të diskriminuar nga shoqëria dhe vet stafi mjekësorë.
Kështu u shpreh kryetarja e shoqatës së Personave të prekur nga SIDA. Në një komunikim me mediat, me rastin e Ditës Botërore kundra virusit HIV/AIDS ka kërkuar më shumë vëmendje nga shteti dhe shoqëria për kurimin në kohë të të infektuarve. Ndërkohë, edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, pohon se mungojnë profesionistët në vendin tonë për të parandaluar dhe kuruar këtë virus.
Apeli
Afro 359 persona të prekur me HIV/AIDS në vendin tonë apelojnë nëpërmjet kryetares së shoqatës së Personave me virusin HIV/AIDS që të rinjtë të jenë të kujdesshëm gjatë jetës seksuale dhe të mbrohen për një jetë më të sigurt dhe të shëndetshme. Ndërkohë, kryetarja e shoqatës ngriti problemin e trajtimit të kësaj kategorie njerëzish.
"Mund të them se nuk po bëhet dhe aq sa duhet në lidhje me personat e infektuar nga virusi HIV/AIDS. Ndihen të diskriminuar, jo vetëm në shoqëri, por edhe mjekët nuk i trajtojnë si duhet këta pacientë.
Madje ka pasur raste kur pacientët me SIDA kanë humbur jetën për shkak të indiferencës së mjekëve për t'i trajtuar ata", pohon kryetarja e shoqatës së Personave me virusin HIV/AIDS, duke shtuar se jo në pak raste këtyre pacientëve u janë ndërprerë kurat nga mungesa e medikamenteve.
Ministri
Vendi ynë ka bërë hapa para në trajtimin e personave të infektuar me virusin HIV/AIDS, por ka ende shumë probleme, sidomos në stafin mjekësor. Kështu u shpreh ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cilit theksoi se duhet të bashkëpunojnë të gjithë faktorët për të evituar sa më shumë përhapjen e infeksionit.
"Për fat të keq mungojnë profesionistët e mirëfilltë për të kuruar dhe kontrolluar këtë virus", theksoi Vasili, duke shtuar se sot më shumë se kurrë, një vëmendje më e madhe ndaj të drejtave të njeriut është thelbësore në përgjigjen ndaj epidemisë së HIV/AIDS, duke përfshirë sigurimin dhe arritjen nga të gjithë të shërbimeve të parandalimit, trajtimit, përkujdesjes dhe mbështetjes.
"Kjo ditë është një mundësi për çdonjërin nga ne, për shoqërinë civile dhe organizmat qeveritare për të treguar mbështetje, për të reflektuar dhe për të promovuar dinjitetin njerëzor, për të respektuar dhe mbrojtur të drejtat e personave që jetojnë me HIV/AIDS dhe të atyre që janë vulnerabël ndaj infeksionit", - pohon Vasili.
Në ditën botërore kundra HIV/AIDS, zyra e OKB-së dha disa rekomandime për vendin tonë në lidhje me trajtimin e sëmundjes
OKB: Kujdesi për personat me HIV është e drejtë njerëzore
Në Ditën Botërore të HIV/AIDS, një raport i OKB-së paralajmëron se Evropa Lindore dhe Azia janë të vetmet rajone në botë ku shkalla e përhapjes së virusit vdekjeprurës ende po vazhdon të rritet. Pikërisht dje, zyra e OKB-së në një deklaratë për mediat bëri apel për dhënien e informacionit, kujdesin dhe mbështetjen për personat që jetojnë me virusin HIV.
Raporti thotë se në të gjithë botën, në vitin 2008-të, janë infektuar me HIV 2,7 milionë njerëz, ndërsa numri i vdekjeve ka qenë 2 milionë. Sipas të dhënave të OBSH-së, rreth 33,4 milionë njerëz jetojnë aktualisht me virusin e AIDS-it.
Gjithashtu, autoritetet kanë publikuar udhëzimet e reja për mjekimin e pacientëve me HIV. Studimet rekomandojnë nisjen më herët të mjekimit, pasi në këtë mënyrë do të shtohen edhe shanset e të infektuarve për të mbijetuar.
"Agjencitë e Kombeve të Bashkuara po mbështesin Qeverinë Shqiptare në përpjekjet e saj që Shqipëria të mbetet një vend me përhapje të ulët të virusit përmes masave që duhen marrë, të cilat fillojnë me mobilizim i burimeve dhe forcimi i kapaciteteve të institucioneve përkatëse, si edhe dhënia e asistencës teknike për institucionet në mënyrë që ato të hartojnë dhe të zbatojnë politikat e duhura lidhur me këtë problem, përfshirë edhe themelimin e shërbimeve të testimit dhe të një sistemi monitorimi dhe vlerësimi. Gjithashtu, OKB bën të ditur se duhen marrë masa edhe për afrimin e mundësive për shërbime të sigurta dhe miqësore për personat me HIV/SIDA.
Marrja e masave për përfshirjen dhe këshillimin me persona që jetojnë me HIV/SIDA lidhur me hartimin e politikave që prekin dhe që do të garantojnë të drejtat e tyre, si edhe zhvillimi i modeleve të komunikimit efikas me personat që paraqesin rrezikshmëri më të lartë për t'u infektuar me HIV.
*********************************
Shiringat, rrezik për rreth 5 mijë përdorues heroine
Përdoruesit e drogës, të cilët marrin heroinën me shiringa janë të rrezikuar nga virusi HIV/AIDS, nëse përdorin të njëjtat shiringa. Rreziku më i madh u kanoset të rinjve, pasi janë ata që po përdorin gjithnjë e më shumë lloje të ndryshme drogash.
Sipas drejtuesit të Aksion Plus, Genci Muçollari, janë rreth 5 mijë përdorues heroine, shumica e të cilëve e marrin drogën heroinë me shiringë.
"Për fat të keq, shumica e tyre përdorin të njëjtat shiringa dhe transmetimi i virusit HIV në këtë mënyrë është 100 për qind i pashmangshëm, nëse njëri nga përdoruesit është i infektuar", - pohon Muçollari.
Pikërisht në lidhje me këtë fenomen u publikua një film, i cili tregonte për infektimin e dy të rinjve me virusin HIV me anë të shiringave dhe lindjen e fëmijës së tyre të infektuar me virusin HIV.
Sipas Muçollarit, nëpërmjet filmit kërkohet të sensibilizohen, sidomos nxënësit e shkollave të mesme, ku me ata do të diskutohet dhe do të hapen forume në lidhje me virusin HIV/AIDS.
Shekulli