Titulli: Hymni kombëtar
O Flamur, yll i lirisë,
Valëvit me plot shkëlqim;
E prej qiellit t`Shqipërisë
Të dëgjohet në amëshim
Fakt është se ky konkurs për poezinë e himnit nuk u pasua edhe nga një tjetër konkurs i cili do t`i kushtohej muzikës së tij. Për këtë arsye, duke mbetur vetëm një tekst, kjo poezi nuk pati popullaritet dhe si e tillë u fshi nga qarkullimi, megjithëse pjesëmarrësit dhe krijimet e këtij konkursi u botuan në shtypin e kohës. Për variacion të temës së njohur të flamurit, edhe konkursi në fjalë u quajt “Tekstet për konkursin e Hymnit të Flamurit”. Më pas kemi edhe një konkurs për melodinë e himnit kombëtar. Në konkurs u shpall fitues një kompozitor italian mjaft i njohur, por edhe për këtë nuk pati një vendim zyrtar të metëjshëm për ta zyrtarizuar si himnin tonë kombëtar. Krijime artistike mbi këtë temë, të konsideruara në vetvete të pavaruara (por me titullin “Hymni Mbretnor”), kemi të realizuar me vargje të Loni Logorecit dhe “muzikuar si e këndon Spiridon T. Ilo” në tonalitetin Fa +. Ky variant është botuar edhe me nota (facsimile e partiturës) dhe hapet me strofën:
Ardhi koha e bekuar
Për Shqipëri të lëftojmë
Mbretin tonë ta nderojmë
Dhe të vdesim të gëzuar
Në kopertinë të këtij botimi krahas titullit “Hymni Mbretnor”, gjejmë edhe foton e tenorit të shquar arbëresh Giuseppe Mauro dhe shënimin “… kënduar prej të dëgjuarit tenorit shqipëtar Zotit Giuseppe Mauro”.
Në këtë kohë, një përpjekje tjetër për të ndryshuar himnin ekzistues të flaumurit, u bë edhe nga ana e kompozitorit Thoma Nasi dhe poetit Kristo Floqi. Në ndryshim nga sa më sipër, këta dy autorë e ruajtën të paprekur linjën melodike të “Himnit të Flamurit”, por synuan ndryshimin e vargjeve të tij. Me këtë rast, kompozitori Thoma Nasi realizoi të parin klavir të himnit tonë kombëtar së bashku me harmonizimin përkatës
Pas pushtimit , në vitet 1942-43, në malet e Shqipërisë partizanja Dhora Leka krijoi himnin e ushtrisë çlirimtare, himn i cili njihet edhe sot zyrtarisht si himni i ushtrisë sonë, kjo krahas shumë himneve të brigadave partizane apo formacioneve të tjera luftarake etj. Pas çlirimit të vendit më 29 Nëndor 1944, rreth fundit të vitit 1945-fillimit të 1946, u organizua konkursi i parë shtetëror për himn kombëtar. Krahas shumë krijimeve të paraqitura, si krijimi më i mirë u shpall “Himni i Shqipërisë së re”, me poezi të Skënder Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos, rezultat që u bë i ditur me shpalljen e Shqipërisë republikë më 11 Janar 1946. Koha tregoi se edhe ky krijim artistik nuk u ligjerua që të zëvendësonte himnin ekzistues për arsye nga më të ndryshmet, megjithëse “Himni i Shqipërisë së re” (në ndonjë rast edhe me fjelë të tjera), pati interpretime të ndryshme, kryesisht nga kori i ushtrisë. Pas kësaj, përpjekjen tjetër serioze për të shkruar një himn, e kemi në fillim të viteve ’70. Nga Këshilli i ministrave të asaj kohe, në bashkëpunim me ministrinë e arsimit dhe kulturës si dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë u shpall një konkurs për “Himnin e Republikës”. Në këtë konkurs morën pjesë ajka e krijuesve tanë, ndër ta اesk Zadeja, Ismail Kadare, Tish Daija, Fatos Arapi, Nikolla Zoraqi, Xhevahir Spahiu, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Tasim Hoshafi etj. Sipas ish sekretar të lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, studiueses dhe kritikes së muzikës zj. Hamide Stringa konkursi pati një organizim shumë serioz si nga ana e krijuesve ashtu edhe nga organizatorët. Më kujtohet se kemi bërë shumë takime për të parë materialet dhe për t’i seleksionuar. Pas seleksionimit u arrit në dy variante. Në himnin e krijuar nga اesk Zadeja dhe në atë të Nikolla Zoraqit me poezi të Fatos Arapit të titulluar “E lirë u ngrit toka jonë”. Pati mendime që të njihej si himn edhe kënga e Pjetër Gacit “Për ty atdhe”.
Historia e himneve vazhdon edhe më tej, por gjithësesi pa sjellë ndonjë rezultat i cili të ndikonte në ndryshimin e himnit tonë kombëtar. Në të gjithë këtë histori të himneve të tjera, ajo ç’ka duhet thënë është e lidhur me faktin se asnjë vendim nga cilido forum artistik apo shtetëror, nuk ka ndikuar në zëvendësimin apo ndryshimin e himnit ekzistues të flamurit, për arsyen e thjeshtë, se himni është ngulitur thellë me rëndësinë, peshën dhe domethënien e tij në memorien kolektive të shqiptarëve. Ndoshta gjithë ç’ka thamë më sipër mund të jenë një argument i mjaftë për të kuptuar, se pse kanë “dështuar” përpjekjet për të ribërë në himn të ri të Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se s’do të ketë përpjekje të tjera, por mendoj se mbrapa tyre, edhe sikur himni “Rreth flamurit të përbashkuar” të mos njihet më si himn zyrtar, shqiptarët kudo që të jenë do të vazhdojnë përsëri të këndojnë thjesht këngën “Rreth flamurit të përbashkuar”.
Së fundi
Ajo që duhet ritheksuar është fakti se ndryshe dhe si në asnjë himn tjetër të botës, himni ynë ekzistues është një me flamurin tonë kombëtar. Ky binom shprehet që në titullin e poezisë së himnit “Betimi mi flamur”, që siç e përsëritëm është një akt e fakt etnikërisht shqiptar. Nisur nga ky vështrim, himni është edhe kënga e flamurit dhe njëkohësisht edhe kënga jonë zyrtare. Për veçoritë e popullit tonë, popull i ndarë në katër shtete, faktor i bashkimit kombëtar, faktor i “prishjes” së kufijve artificialë, faktor i unifikimit etj, ka qënë edhe flamuri dhe himni ynë i njëjtë. Për sa më sipër, e udhës do të ishte që të presim kohë më të qeta, kohë gjakftohta të cilat do të na ndihmojnë që të rishikojmë të gjithë së bashku, me qetësinë dhe maturinë e duhur gjërat të cilat mund të ishin bërë ndryshe, ku një ndër gjërat mbase do të ishte edhe himni.
Deri atëhere, himni i vërtetë i shqiptarëve apo “Avazi ynë kombëtar”, siç shprehet Konica do të jetë ai që do të njihet, do të këndohet dhe do të respektohet nga të gjithë shqiptarët, ashtu siç është shkruar në nenin 14, pika 4 të Kushtetutës: Himni Kombëtar është “Rreth flamurit të përbashkuar”.
Shqiperia.com