Platforma Elektorale e Levizjes G 99

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
1243954997-g99.jpg
Platforma Elektorale e Levizjes G 99

T’i japë fund tranzicionit Prej më shumë se 17 vjetësh, një gjeneratë e tërë vazhdon të përballet me një tranzicion të vrazhdë. Të njëjtat probleme, të njëjtët politikanë, fare pak zgjidhje. Ka ardhur koha për ta mbyllur këtë kapitull.

G99 synon të krijojë një frymë që i jep fund epokës së politikës autoritare, konfliktuale, të mbyllur, klanore e të korruptuar.

Të sjellë më të mirët në shërbim të publikes Njerëzit me integritet, profesionistët e zotë, qytetarët më aftësi reale për të kontribuar në shërbim të publikes, janë detyruar të largohen nga arena politike e cila është uzurpuar nga të pamoralshmit e të korruptuarit.

Ne synojmë të krijojmë një hapësirë alternative për pjesëmarrje në politik-bërje të mendjeve më të përgatitura dhe profesionistëve më të aftë, duke promovuar idetë e tyre në debatin publik shqiptar.

Vetëm në këtë mënyrë mund të krijojmë kulturën e shërbimit publik dhe të zëvendësojmë interesat personale me interesat publike.

Të demokratikatizojmë demokracinë
Megjithëse teknikisht jetojmë në një sistem demokratik, debati dhe vendimmarrja mbi jetën tonë është përqendruar gjatë gjithë kësaj kohe në duart e një grupi të vogël politikanësh, interesaxhinj e shpërdorues të besimit të publikut. Jo pa arsye, qytetarët ndihen të shkëputur nga politika, indiferentë e të pashpresë.

G99 synon të demokratizojë demokracinë, duke sjellë qytetarët pranë qeverisjes në çdo nivel të saj. Vetëm duke marrë pjesë aktive në vendimmarrje do të mund të rikthehet besimi i qytetarëve tek politika; vetëm në këtë mënyrë qytetari cinik do të kthehet në një qytetar aktiv.

Vizioni ynë

Ne besojmë tek Shqipëria! Besojmë se është e bekuar, dhe pse e aksidentuar përkohësisht nga politikanë të papërgjegjshëm. Ne besojmë tek historia e kombit tonë dhe kapacitetet e njerëzve tanë. Ne besojmë se ardhmja e vendit i përket të rinjve dhe ata duhet të kenë rolin kryesor në formëzimin e saj. Ne besojmë se një organizim njerëzish të talentuar, të shkolluar e idealistë duhet, mundet dhe do ta ndryshojë historinë e vendit të vet.

Vizioni ynë është i qartë: Një Shqipëri më e mirë është e mundur! Plani ynë është i thjeshtë: Sot! Bashkë! Me kurajo civile! Ne do ta ndryshojmë Shqipërinë e agonisë 17 vjeçare!

Kërkesat tona janë njerëzore: arsim për fëmijët tanë, punë për çdo qytetar që mund të punojë, përkujdesje sociale dinjitoze për personat në nevojë, spitale për prindërit tanë, pensione për gjyshërit tanë, sukses për sipërmarrjet tona, një Shqipëri dinjitoze si për shqiptarët ashtu dhe në arenën ndërkombëtare.

Bashkëpunëtorët tanë janë kudo: Të djathtë e të majtë sot jetojnë nën të njëjtin terr, zhuriten nga e njëjta thatësi, vuajnë nga e njëjta varfëri e papunësi, zhvaten nga i njëjti shtet, injorohen nga të njëjtët pushtetarë. Të rinj që s’ëndërrojnë dot, e të moshuar që kurrë si realizuan dot ëndrrat janë aleatët tanë. Emigrantë e studentë jashtë vendit, që shumë kontribuojnë, por pak të drejtë kanë për të vendosur për fatet e këtij vendi, janë përkrahja jonë. Profesionistët dinjitozë, idealistët që s’dorëzohen kurrë, janë krahët tanë. Shqipëria është muza jonë!

Kundërshtarët tanë janë shumë pak: Një grup i vetmuar pushtetarësh rraqexhinj e të babëzitur, aksidente të politikës së shekullit të kaluar, cinikë të dhimbjes sonë të përbashkët. Ata që për arsimin bërtasin e fëmijët në shkollat tona publike nuk i çojnë, ata që për spitalet çirren, e që vetë kurrë nuk kanë besim të mjekohen aty, ata që për korrupsionin ulërasin e rekorde botërore të korrupsionit thyejnë. Këta njerëz janë shumë pak për të penguar zhvillimin!

Zgjidhjet tona janë të qëndrueshme: Zgjidhje shqiptare për probleme shqiptare. Nuk premtojmë qiellin, por normalen. Ne jemi optimistë se ekonominë do të mund ta ringjallim, se analfabetizmin do të mund ta ulim, se punësimin do të mund ta rrisim, se terrin do të mund ta largojmë, se gjakmarrjen do të mund ta shfarrosim, se spitalet do të mund t’i ringremë, se dinjitetin njerëzor do të dimë ta rigjejmë.

Kemi mbledhur bashkë disa nga mendjet më të hapura e më të përgatitura të vendit për të siguruar këto zgjidhje. Ne nuk do të premtojmë kurrë atë që nuk arrihet, por do të përmbushim çdo premtim të bërë. Kjo është Besëlidhja Jonë e Re me Shqipërinë! Shqipëria si është...

Shqipëria gjendet në një situatë të vështirë, situatë e cila po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Një në çdo tre shqiptarë jeton nën kufirin e varfërisë, ndërkohë që afërsisht gjysma e pjesës së mbetur jeton shumë pranë këtij kufiri. Pjesa më e madhe e tyre janë gra e të moshuar.

Papunësia godet çdo ditë një në katër shqiptarë, ndërkohë që rreth një milionëve prej nesh u është dashur të largohen nga vendi dhe familja e tyre për të gjetur punë jashtë kufijve të Shqipërisë. Ekonomia jonë prodhon shumë pak dhe eksporton edhe më pak. Ajo vazhdon te mbështetet në të ardhurat nga puna e emigrantëve, të ardhura të cilat fatkeqësisht vazhdojnë të jenë më të mëdha se investimet e huaja direkte. Një ndër tre shqiptarë, njësoj si në mesjetë, arrin të sigurojë nga toka vetëm prodhime për konsumin e familjes.

Sistemi arsimor publik, po i edukon fëmijët pak e keq. Në zonat rurale fëmijëve u duhet të bëjnë çdo ditë kilometra të tërë për të mbërritur në shkollë, ndërkohë që në qytete klasat janë të mbipopulluara. Ne kemi mesatarisht 9 vite shkollim për çdo shtetas, disa vite më pak se fqinjët e shumë vite më pak se vendet europiane. Qeveritë tona kanë shpenzuar shumë pak për arsimin, vetëm gjysmën e asaj që shpenzojnë mesatarisht shtetet që na rrethojnë. Në një ekonomi që po bëhet gjithmonë e me globale, shqiptarët vazhdojnë të mbeten të pakualifikuar, e për rrjedhojë jo konkurrues. Të rinjtë e talentuar zgjedhin të arsimohen jashtë vendit, e në më të shumtën e rasteve nuk arrijnë të gjejnë arsye për t’u rikthyer në atdhe.

Spitalet janë kthyer në makthin e shqiptarëve. Në vend që të kurohen e shërohen, shumë prej pacientëve dalin prej spitaleve tona me më shumë sëmundje. Të sëmurët dhe familjarët e tyre, përveç barrës së sëmundjes, duhet të kujdesen për të siguruar vetë shtrojat e mbulesat, duhet të blejnë vetë ilaçet e gjithçka tjetër që nevojitet në spital. Të zhveshur nga dinjiteti, ata detyrohen të dergjen në kushte çnjerëzore, në dhoma të pista e të lagështa, që ngjasojnë më shumë me qeli burgu se shtëpi kurimi. Sistemi ynë shëndetësor ka humbur fatkeqësisht dhe një nga vlerat më të rëndësishme, humanizmin. Kjo vlerë është zëvendësuar nga antivlera, korrupsioni, që detyron gjithkënd të paguajë nën dorë për gjithçka. Të moshuarit, të varfërit e të pamundurit janë viktimat kryesore të këtij sistemi.

Barazia gjinore përmendet vetëm gjatë fushatave elektorale. Përfaqësimi i gruas në politikë është qesharak dhe zë përqindjen më të ulët në rajon, afërsisht 5%. Në zonat rurale, numri i vajzave të reja që detyrohen të ndërpresin studimet po rritet gjithnjë e më shumë. Diskriminimi në vendet e punës po merr përmasa të mëdha. Dhuna ndaj gruas po rritet me ritme marramendëse, duke shënuar një numër të madh viktimash, që shpeshherë përfshin edhe të mitur.

Errësira ka mbuluar vendin, duke cënuar jo vetëm ekonominë tonë të brishtë, por edhe duke i dhënë jetës tonë të përditshme një karakter gjithnjë e më çnjerëzor. Furnizimi me energji në vend është plotësisht i padrejtë dhe shpeshherë me ngjyrim politik. Edhe pse numri i individëve që nuk e paguajnë energjinë ka mbetur në nivele alar7 mante, dënimi mbetet kolektiv si për ata që nuk paguajnë ashtu edhe për ata që janë të rregullt. Shqiptarët janë ende të zhuritur megjithëse jetojnë në një ndër vendet më të pasura në botë me burime ujore. Vetëm 56% e familjeve shqiptare kanë mundësi të lidhen me rrjetin e shpërndarjes së ujit të pijshëm, ndërkohë që edhe kjo pjesë, në dukje më fatlume, nuk arrin të përfitojë më shumë se 4 orë furnizim me ujë në ditë. Sistemet higjeno-sanitare janë në një gjendje akoma më të mjerueshme, nëse kemi parasysh se gjysma e banesave në vend nuk kanë kanalizime të ujrave të zeza.
 
Në 17 vitet e fundit kemi abuzuar me mjedisin rreth nesh, duke u treguar tërësisht të papërgjegjshëm, e duke mos ditur të respektojmë bukurinë, burimet dhe begatinë që na ka falur natyra. Mijëra hektarë pyje të shfarosur, fshatra e qytete bregdetare e turistike të betonuara pa kriter. Kemi ndotur detin, lumenjtë e liqenet, rrafshuar kodrat, e hedhur plehra gjithkund.

Shqiptarët nuk kanë ku të gjejnë drejtësi. Të fortët e të pushtetshmit fitojnë gjithmonë mbi ne, në një sistem ku barazia përpara ligjit ka humbur çdo kuptim. Edhe në rastet kur gjykatat marrin vendime, ato mbeten të pazbatuara. Korrupsioni, megjithëse një kryeslogan fushatash elektorale, përkeqësohet me çdo ndërrim qeverish, duke çuar dëm financat e nevojshme për infrastrukturën, shëndetësinë e arsimin.
Institucionet e demokracisë tonë të brishtë, janë dhunuar nga një qeverisjeje autoritare, konfliktuale, e mbyllur, klanore, e korruptuar, shterpë në ide, e pa politika publike. Politika ka ndërhyrë në çdo pushtet dhe sot liritë dhe të drejtat tona themelore janë në rrezik.

Shkaqet. . .

Një nga fatkeqësitë më të mëdha të Shqipërisë është klasa politike që na ka udhëhequr deri më sot.

“E duam Shqipërinë si e gjithë Europa” ka qenë slogani nën të cilin u rrëzua diktatura komuniste, por pas 17 vjetësh tranzicion kjo ëndërr mbetet ende po aq e largët.

Qytetarët nuk besojnë më tek politika, duke u bërë cinik, pasivë e mospjesëmarrës. Politika ka nëpërkëmbur besimin e tyre me qindra herë gjatë këtyre viteve të fundit. Në fillim vitet 90’, klasa politike komuniste u zëvendësua nga një klasë politike ishkomuniste, që sot rezulton të ketë zhgënjyer shqiptarët në këto 17 vjet tranzicion thuajse njësoj si klasa politike e paraardhësve të tyre gjatë pesëdhjetë viteve komunizëm. Politikanët shqiptarë kanë arritur të vendosin me sukses një standard të dyfishtë mbi çdo vlerë, përfshi këtu edhe moralin. Ndryshe premtohet dhe ndryshe veprohet. Flasin për parime, por më pas thuajse çdo vendim e marrin në bazë të përllogaritjeve të vogla e përfitimeve politike apo personale.

Klasa politike shqiptare është treguar egoiste përtej çdo kufiri, duke menduar vetëm për vete. Korrupsioni mbetet në shifra alarmante dhe klasa politike e institucionet kryesore të shtetit shihen nga shqiptarët si elementët më të korruptuar në vend. Përveç se të korruptuar,mbiemrat që u vihen më shpesh politikanëve shqiptarë janë autoritarë, despotë e të paaftë.

Aftësia është zëvendësuar nga paaftësia, profesionalizmi nga militantizmi. Konkurrenca e ndershme nga nepotizmi. اdo ndërrim pushteti ka prodhuar mijëra të papunë, ka nxjerrë në rrugë profesionistë të ndershëm, për t’i zëvendësuar me militantë të partisë në pushtet, të cilët kualifikim të vetëm kanë pjesëmarrjen në mitingje dhe vjedhjen e votës. Politikanët shqiptarë të 17 viteve të fundit, të majtë e të djathtë, nuk kanë patur kurrë një vizion të qartë për Shqipërinë. Përvoja e këtyre viteve të fundit ku programet e qeverisë hartohen vetëm disa orë përpara votëbesimit në parlament duhet të marrë fund. Shembulli i platformave politike me fjalë të bukura, kopjuar dhe përkthyer nga programet e partive të huja, por që pak lidhje kanë me realitetin shqiptar, nuk është shembulli që i nevojitet Shqipërisë. Filozofia e politikanëve të shekullit të vjetër, mishëruar tek Berisha e Nano, nuk mund të pranohetmë. Filozofia se vetëm e thjesht duke mbyllur sytë e duke qëndruar duarkryq problemet do të zgjidhen vetvetiu është një filozofi e dështuar që në zanafillën e saj. Politikanët e shekullit që lamë pas karakterizohen nga mungesa e dëshirës, vullnetit dhe paaftësia për të zgjidhur problemet me të cilat përballen çdo ditë shqiptarët në fshat e qytet, nga Vermoshi në Konispol, 365 ditë në vit, përgjatë 17 viteve të fundit. Klasa politike shqiptare është e famshme për premtimet e pambajtura. Vetëm gjatë fushatave elektorale kanë mundësi votuesit të takohen me përfaqësuesit e ardhshëm të tyre. Vetëm gjatë fushatave elektorale politikanët shqiptarë dëgjojnë shqetësimet e njerëzve të thjeshtë. Dhe pasi zgjidhen në pozicione të rëndësishme, ku kanë mundësi reale të lehtësojnë jetën e atyre që i kanë zgjedhur dhe atyre për të cilët punojnë e tek të cilët duhet të japin llogari, harrojnë çdo premtim dhe ndërpresin çdo komunikim deri sa trokasin zgjedhjet e radhës.

Shqiptarët janë sfilitur nga e njëjta ligjëratë politike, e vjetër dhe e lodhur. Pyetja që shtrohet sot është: a e kemi ne guximin dhe mundësinë për të ëndërruar një Shqipëri të Re, që vrapon drejt Europës, që përparon me shpejtësi, që sheh përpara e bashkuar, që promovon talentin, virtytin, punën dhe ndershmërinë?

Shqipëria që duam
Për të gjitha këto shqetësime nuk ka një kurë magjike. Ndaj nuk do të premtojmë kurrë atë që nuk arrihet, por gjithmonë do të bëjmë atë që premtojmë. Premtimet tona mund të jenë të kufizuara, por synojnë normalitetin dhe janë të arritshme. Ne e kuptojmë se 17 vitet e fundit jemi sunduar nga një klasë e vjetër politike, e ndarë artificialisht në të djathtë e të majtë. E ndjejmë që pas kësaj agonie të gjatë, njerëzit duan një ndryshim që të mund të na rikthejë dinjitetin ne dhe Shqipërisë. Një ndryshim që mbyll njëherë e mirë tranzicionin e që bashkon Shqipërinë e dy realiteteve, në mënyrë që asnjë shqiptar të mos mbetet pas në garën për zhvillim. Këto ndryshime kërkojnë një administrim më të mirë të burimeve që ne kemi. Nuk kërkojnë njerëz të mbinatyrshëm, por angazhim më të madh të profesionistëve të aftë e mëndjeve të ndritura njerëzore! Mbi të gjitha ato kërkojnë njerëz me kurajë, të gatshëm për t’u venë në shërbim të publikes, njerëz që besojnë tek Shqipëria. Ne besojmë se mund të bëhemi katalizatorë të këtij ndryshimi. Jemi një lëvizje me njerëz që ndajnë të njëjtat ide dhe vizion për tregun, për shtetin, për mirëqenien sociale, për marrëdhëniet shoqërore, për mjedisin, arsimin, shëndetësinë. Shoqëria shqiptare ka një nevojë urgjente për një revolucionarizim të konceptit të pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën publike. Të gjithë shqiptarët duhet të gëzojnë mirëqënie dhe pjesmarrja e tyre në vendimmarrje duhet të jetë e garantuar.

Ne drejtohemi nga vlerat që përfaqësojmë: integriteti, transparenca, profesionalizmi dhe ndjenja e solidaritetit. Ne besojmë tek drejtësia dhe shanset e barabarta. Ne duam një Shqipëri plot energji, të ripërtërirë, të gatshme për t’u përballur me sfida të reja të një ekonomie gjithmonë e më globale. Ne kërkojmë zhvillim dhe drejtësi. Vizioni ynë udhëhiqet nga tre qëllimet bazë, që ne si G99 i kemi vënë vetes: T’i japim fund tranzicionit të stërmundimshëm e të tejzgjatur që e ka lënë Shqipërinë në vend numëro për 17 vjet! Të nxisë njerëz të talentuar, profesionistë me integritet, për të dhënë kontributin e tyre për të mirën publike! Të demokratizojmë demokracinë shqiptare, duke përfshirë qytetarët në çdo hallkë të vendimmarrjes, si mënyra e vetme për t’u kthyer atyre besimin tek politika!

Edukimi Edukimi do të jetë prioriteti numër 1 për ne. Për shumë kohë e kemi trajtuar edukimin si një luks. Shqipëria ka nevojë për një revolucion në fushën e edukimit. Vizioni ynë është një sistem arsimor cilësor dhe modern, që drejtohet nga nevojat e tregut të punës, por që në të njëjtën kohë siguron shanse të barabarta për të gjithë qytetarët. Krijimi i një sistemi edukues që ofron arsim cilësor është investimi më i mirë për taë ardhmen dhe garanton zgjidhjen e shumë prej problemeve të vendit tonë.

Rinia Përgjatë gjithë tranzicionit, të rinjtë e këtij vendi nuk kanë mundur të ëndërrojnë e planifikojnë një të ardhme në vendin e tyre. Të rinjtë shqiptarë kanë nevojë për punë, për mundësi konkrete të edukimit jashtëshkollor, për hapësira dhe ambiente ku të mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre social-kulturore, sportive, edukuese dhe argëtuese. Ata kanë nevojë të ndjehen të dobishëm dhe qytetarë të përgjegjshëm, të respektuar dhe të përfshirë. Vizioni ynë për të rinjtë përmban edukim, mundësi sipërmarrjeje, punësim e përfshirje sa më të gjerë të tyre në fusha të rëndësishme për të ardhmen. Qeverisja e mirë Hendeku mes qytetarit dhe të zgjedhurve mund të mbyllet vetëm duke e përfshirë këtë të fundit në çdo hallkë të qeverisjes. Ne synojmë promovimin e një qeverisjeje moderne, ku qytetarëve u garantohet një pjesëmarrje e përditshme në çdo hallkë të vendimarrjes. Qytetari duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes mbi të gjitha në nivel lokal, në çdo vendim që prek atë dhe grupet e interesit që ai përfaqëson, e jo të thërritet vetëm përgjatë fushatave elektorale sa herë që politikanëve u nevojiten votat e tyre.
 
Europianizimi E ardhmja jonë Europiane është e sigurt. Europianizimi duhet të vendoset tashmë në 12 zemër të çdo reforme. Në vend të integrimit të drejtuar nga proceset kushtëzuese të Bashkimit Europian, Shqipërisë i nevojitet Europianizimi dhe modernizimi i çdo fushe të qeverisjes, i çdo fushe të jetës sonë, si shtytje e brendshme dhe të ndërgjegjshëm që reformat na nevojiten ne, jo Brukselit. Vetëm atëherë do mund të shohim partnerët tanë Europianë në sy, duke kërkuar me krenari të bëhemi pjesë e familjes Europiane.

Shëndetësia Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë një sistem shëndetësor afër qytetarit që ofron një shërbim cilësor me efikasitet të lartë. Duhet të ndërtojmë një shërbim të aftë për të mbuluar nevojat në të gjithë vendin, me një nivel të lartë profesional të mjekëve dhe personelit tjetër shëndetësor, të pajisur me aparatura moderne, një sistem që maksimizon burimet e kufizuara që kemi në dispozicion. Por mbi të gjitha, nevojitet një sistem i pastruar nga korrupsioni i paturp, pre e të cilit ka qënë gjatë 17 vjetëve të fundit.

Mbrojtja sociale Duke besuar në ekonominë e tregut, ne vlerësojmë se kjo ekonomi nuk siguron mbrojtje shoqërore të mjaftueshme për të gjithë. Ne njohim dhe vlerësojmë rolin e shtetit si garantues të minimumit jetik dhe mbështetemi tek koncepti i të drejtave ekonomike dhe shoqërore si pjesë e të drejtave të njeriut. Thelbi i qasjes sonë në fushën e mbrojtjes shoqërore është krijimi i kushteve për fuqizimin e individëve në nevojë, në mënyrë që ata të bëhen të përgjegjshëm dhe protagonistë të përmirësimit të situatës së tyre dhe të integrimit të tyre të barabartë në shoqëri. Solidariteti, krijimi i mundësive të barabarta, kohezioni shoqëror dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë shtyllat që udhëheqin përpjekjet tona për të mundësuar politika dhe praktika efektive dhe përparimtare të mbrojtjes shoqërore në Shqipëri, sipas modeleve më të mira evropiane në këtë fushë.

Ekonomia Ne besojmë tek ekonomia e tregut. Ne jemi të mendimit se ambicia njerëzore dhe përkujdesja publike munden të bashkëjetojnë fare mirë dhe se dora e fshehtë e tregut dhe dora e dukshme e shtetit mund të plotësojnë dhe jo pengojnë njëra tjetrën. Do të punojmë për t’i dhënë ekonomisë shqiptare një vizion strategjik të qartë të zhvillimit të potencialeve produktive vendase, që promovon jo vetëm konsumin e brendshëm, por edhe eksportet. Ne synojmë një sërë ndërhyrjesh strukturore dhe fiskale për të rritur avantazhet krahasuese të produkteve vendase ndaj atyre të eksportit. Gjallërimi i këtyre kapaciteteve prodhuese dhe eksportuese do të mundësojë edhe lehtësimin e bilancit tregtar deficitar si dhe thithjen e investimeve të huaja.

Drejtësia Qëllimi ynë është të japim një kontribut thelbësor në ndërtimin dhe funksionimin e një sistemi ligjor të drejtë, duke i dhënë mundësinë për të funksionuar si një pushtet i pavarur, ashtu siç e përcakton edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Një sistem me vlera, i pastruar nga elementët korruptivë, që i kthen dinjitetin organeve gjyqësore dhe elementëve të tjerë të sistemit e që synon rritjen e besimit të shtetasve dhe të enteve të tjera sipërmarrëse tek drejtësia dhe shteti ligjor. Do të japim kontributin tonë në ndërtimin e një sistemi të paanashëm dhe të pashfrytëzuar nga politika për interesa të ngushta. Një sistem që në themel ka pavarësinë në vendimarrje dhe që bazohet në parimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore te individëve dhe të subjekteve të tjera juridike. Duke besuar që reforma në drejtësi nuk është thjesht një rokadë emrash dhe funksionesh, por një përqasje proaktive ndaj nevojave dhe fenomeneve që janë zhvilluar me ritme të shpejta në këto 17 vjet, ne do të japim kontributin tonë me sugjerime konkrete dhe zgjidhje të qenësishme, për ta bërë sistemin e drejtësisë garantues të zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së ekuilibrave ligjore dhe socialë në vend, aq të domosdoshëm për mirëqënie dhe stabilitet të qëndrueshëm.

Politika e jashtme Duke ruajtur si prioritet parësor të politikës së jashtme integrimin në strukturat Euro-Atlantike ne besojmë se përmirësimi i imazhit të Shqipërisë në botë duhet të përbëjë një prioritet kryesor të politikës së jashtme dhe të brendshme të vendit tonë. Ne besojmë se shërbimi diplomatik shqiptar ka nevojë për një reformë që do ta shpëtojë atë nga emërimet politike e nepotike duke afruar në radhët e tij profesionistët më të mirë në fushën e diplomacisë.

Shqiptarët në botë Ne besojmë se shteti shqiptar duhet të bëjë shumë më tepër për sa i takon bashkësisë mjaft të madhe e të rëndësishme të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në vende të ndryshme të botës duke u kushtuar shumë më tepër vëmendje problemeve që ata kanë dhe duke lehtësuar arsimimin për fëmijët e tyre. Ne e shohim Diasporën e gjerë shqiptare si në një faktor të rëndësishëm në zhvillimin e vendit, dhe e konsiderojmë prioritet rikthimin në Shqipëri të talentit shqiptar nëpër botë. Ne besojmë po ashtu fuqimisht se bashkatdhetarët tanë kanë të drejtë të vendosin për fatet e këtij vendi përmes ushtrimit të së drejtës së votës.

Bujqësia dhe zhvillimi rural Ne synojmë një zhvillim rural multisektorial, të integruar e të qëndrueshëm. Ne synojmë zhvillimin e fshatit duke i dhënë prioritet bujqësisë, por duke u kujdesur në të njëjtën kohë për mbrojtjen e mjedisit, krijimin e vendeve të punës dhe nevojave të tjera të komuniteteve rurale. Ne besojmë se zhvillimi kapilar i hapësirave rurale të Shqipërisë, ku ndodhet pjesa më e madhe e burimeve nerëzore dhe natyrore të vendit duhet te jetë në qënder të vëmëndjes së qeverisjes. Bujqësia shqiptare ka potencialin dhe duhet të konkurrojë jo vetëm importet por dhe të ketë një vend më dinjotoz në tregun e produkteve ndërkombëtare.

Infrastruktura Të zhvillojmë një sistem infrastrukturor të integruar, në përputhje me objektivat dhe politikat e zhvillimit ekonomik dhe planifikimit urban. Duke synuar lehtësimin e qarkullimit të mallrave, shërbimeve dhe aktiviteteve, sistemi infrastrukturor duhet të jetë i aftë për të përmbushur kërkesat në rritje të popullsisë, në një mënyrë të rregullt, të sigurt, efikase dhe ekonomike.

Kultura dhe arti Ne mendojmë se duke njohur dhe vlerësuar pasurinë e trashëgimisë sonë kulturore, mund të ndërtojmë komunitete të forta dhe kohezive, duke nxitur rritjen ekonomike e duke zhvilluar industrinë kulturore, turizmin dhe talentet kreative. Ne do të punojmë për të mbrojtur vlerat dhe pasuritë ekzistuese, për t’i dokumentuar dhe promovuar me metoda moderne, si dhe për të edukuar publikun mbi rëndësinë e vlerave të trashëgimisë kulturore. Nxitja e pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në aktivitet artistike si një formë e rigjallërimit të identitetit tonë kombëtar dhe jetës qytetare në vend, do të jetë shtylla tjetër e aksionit tonë për rigjenerimin e jetës artistike. I gjithë vizioni për zhvillimin e artit, kulturës dhe turizmit kulturor në vend do të orientohet drejt Europianizimit të vendit duke promovuar vlerat e Shqipërisë Europiane.

Planifikimi Urban Ne drejtim te planifikimit urban, synojmë një model që promovon dhe mbështet një zhvillim të qëndrueshëm të territorit, në koherence të plote me dinamikat e zhvillimit dhe integrimit Europian të vendit. Planifikimi hapësinor do të jetë instrumenti bazë i zhvillimit të qëndrueshëm, ndërkohë që elementët thelbësorë të këtij modeli janë koherenca dhe integrimi. Do të synojmë ruajtjen dhe menaxhimin e ekuilibruar të burimeve natyrore, të përdorimit të tokës, transportit dhe forcimin e kohezionit socio-ekonomik të të gjithë vendit.

Rendi dhe siguria Ne besojmë se rruga më efektive për arritjen e stabilitetit dhe sigurisë së brendshme është ndërtimi dhe funksionimi normal i institucioneve demokratike dhe i shtetit ligjor. Do të jemi të ashpër ndaj krimit, por edhe më të ashpër ndaj shkaqeve të krimit; varfërisë, papunësisë, mungesës së edukimit dhe shkeljes së dinjitetit njerëzor. Refuzojmë të pranojmë se gjakmarrja nuk mund të luftohet, refuzojmë të pajtohemi me mitin se krimi në familje dhe dhuna ndaj grave është një traditë shqiptare që nuk mund të çrrënjoset. Do të aktivizojmë punonjësit më të mirë të rendit dhe do të forcojmë rolin e komunitetit në hartimin dhe implementimin e strategjive të sigurisë e rendit publik. Shqiperia
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top