sweetzzinna
Dum spiro, spero くる
T’i japë fund tranzicionit Prej më shumë se 17 vjetësh, një gjeneratë e tërë vazhdon të përballet me një tranzicion të vrazhdë. Të njëjtat probleme, të njëjtët politikanë, fare pak zgjidhje. Ka ardhur koha për ta mbyllur këtë kapitull.
G99 synon të krijojë një frymë që i jep fund epokës së politikës autoritare, konfliktuale, të mbyllur, klanore e të korruptuar.
Të sjellë më të mirët në shërbim të publikes Njerëzit me integritet, profesionistët e zotë, qytetarët më aftësi reale për të kontribuar në shërbim të publikes, janë detyruar të largohen nga arena politike e cila është uzurpuar nga të pamoralshmit e të korruptuarit.
Ne synojmë të krijojmë një hapësirë alternative për pjesëmarrje në politik-bërje të mendjeve më të përgatitura dhe profesionistëve më të aftë, duke promovuar idetë e tyre në debatin publik shqiptar.
Vetëm në këtë mënyrë mund të krijojmë kulturën e shërbimit publik dhe të zëvendësojmë interesat personale me interesat publike.
Të demokratikatizojmë demokracinë
Megjithëse teknikisht jetojmë në një sistem demokratik, debati dhe vendimmarrja mbi jetën tonë është përqendruar gjatë gjithë kësaj kohe në duart e një grupi të vogël politikanësh, interesaxhinj e shpërdorues të besimit të publikut. Jo pa arsye, qytetarët ndihen të shkëputur nga politika, indiferentë e të pashpresë.
G99 synon të demokratizojë demokracinë, duke sjellë qytetarët pranë qeverisjes në çdo nivel të saj. Vetëm duke marrë pjesë aktive në vendimmarrje do të mund të rikthehet besimi i qytetarëve tek politika; vetëm në këtë mënyrë qytetari cinik do të kthehet në një qytetar aktiv.
Vizioni ynë
Ne besojmë tek Shqipëria! Besojmë se është e bekuar, dhe pse e aksidentuar përkohësisht nga politikanë të papërgjegjshëm. Ne besojmë tek historia e kombit tonë dhe kapacitetet e njerëzve tanë. Ne besojmë se ardhmja e vendit i përket të rinjve dhe ata duhet të kenë rolin kryesor në formëzimin e saj. Ne besojmë se një organizim njerëzish të talentuar, të shkolluar e idealistë duhet, mundet dhe do ta ndryshojë historinë e vendit të vet.
Vizioni ynë është i qartë: Një Shqipëri më e mirë është e mundur! Plani ynë është i thjeshtë: Sot! Bashkë! Me kurajo civile! Ne do ta ndryshojmë Shqipërinë e agonisë 17 vjeçare!
Kërkesat tona janë njerëzore: arsim për fëmijët tanë, punë për çdo qytetar që mund të punojë, përkujdesje sociale dinjitoze për personat në nevojë, spitale për prindërit tanë, pensione për gjyshërit tanë, sukses për sipërmarrjet tona, një Shqipëri dinjitoze si për shqiptarët ashtu dhe në arenën ndërkombëtare.
Bashkëpunëtorët tanë janë kudo: Të djathtë e të majtë sot jetojnë nën të njëjtin terr, zhuriten nga e njëjta thatësi, vuajnë nga e njëjta varfëri e papunësi, zhvaten nga i njëjti shtet, injorohen nga të njëjtët pushtetarë. Të rinj që s’ëndërrojnë dot, e të moshuar që kurrë si realizuan dot ëndrrat janë aleatët tanë. Emigrantë e studentë jashtë vendit, që shumë kontribuojnë, por pak të drejtë kanë për të vendosur për fatet e këtij vendi, janë përkrahja jonë. Profesionistët dinjitozë, idealistët që s’dorëzohen kurrë, janë krahët tanë. Shqipëria është muza jonë!
Kundërshtarët tanë janë shumë pak: Një grup i vetmuar pushtetarësh rraqexhinj e të babëzitur, aksidente të politikës së shekullit të kaluar, cinikë të dhimbjes sonë të përbashkët. Ata që për arsimin bërtasin e fëmijët në shkollat tona publike nuk i çojnë, ata që për spitalet çirren, e që vetë kurrë nuk kanë besim të mjekohen aty, ata që për korrupsionin ulërasin e rekorde botërore të korrupsionit thyejnë. Këta njerëz janë shumë pak për të penguar zhvillimin!
Zgjidhjet tona janë të qëndrueshme: Zgjidhje shqiptare për probleme shqiptare. Nuk premtojmë qiellin, por normalen. Ne jemi optimistë se ekonominë do të mund ta ringjallim, se analfabetizmin do të mund ta ulim, se punësimin do të mund ta rrisim, se terrin do të mund ta largojmë, se gjakmarrjen do të mund ta shfarrosim, se spitalet do të mund t’i ringremë, se dinjitetin njerëzor do të dimë ta rigjejmë.
Kemi mbledhur bashkë disa nga mendjet më të hapura e më të përgatitura të vendit për të siguruar këto zgjidhje. Ne nuk do të premtojmë kurrë atë që nuk arrihet, por do të përmbushim çdo premtim të bërë. Kjo është Besëlidhja Jonë e Re me Shqipërinë! Shqipëria si është...
Shqipëria gjendet në një situatë të vështirë, situatë e cila po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Një në çdo tre shqiptarë jeton nën kufirin e varfërisë, ndërkohë që afërsisht gjysma e pjesës së mbetur jeton shumë pranë këtij kufiri. Pjesa më e madhe e tyre janë gra e të moshuar.
Papunësia godet çdo ditë një në katër shqiptarë, ndërkohë që rreth një milionëve prej nesh u është dashur të largohen nga vendi dhe familja e tyre për të gjetur punë jashtë kufijve të Shqipërisë. Ekonomia jonë prodhon shumë pak dhe eksporton edhe më pak. Ajo vazhdon te mbështetet në të ardhurat nga puna e emigrantëve, të ardhura të cilat fatkeqësisht vazhdojnë të jenë më të mëdha se investimet e huaja direkte. Një ndër tre shqiptarë, njësoj si në mesjetë, arrin të sigurojë nga toka vetëm prodhime për konsumin e familjes.
Sistemi arsimor publik, po i edukon fëmijët pak e keq. Në zonat rurale fëmijëve u duhet të bëjnë çdo ditë kilometra të tërë për të mbërritur në shkollë, ndërkohë që në qytete klasat janë të mbipopulluara. Ne kemi mesatarisht 9 vite shkollim për çdo shtetas, disa vite më pak se fqinjët e shumë vite më pak se vendet europiane. Qeveritë tona kanë shpenzuar shumë pak për arsimin, vetëm gjysmën e asaj që shpenzojnë mesatarisht shtetet që na rrethojnë. Në një ekonomi që po bëhet gjithmonë e me globale, shqiptarët vazhdojnë të mbeten të pakualifikuar, e për rrjedhojë jo konkurrues. Të rinjtë e talentuar zgjedhin të arsimohen jashtë vendit, e në më të shumtën e rasteve nuk arrijnë të gjejnë arsye për t’u rikthyer në atdhe.
Spitalet janë kthyer në makthin e shqiptarëve. Në vend që të kurohen e shërohen, shumë prej pacientëve dalin prej spitaleve tona me më shumë sëmundje. Të sëmurët dhe familjarët e tyre, përveç barrës së sëmundjes, duhet të kujdesen për të siguruar vetë shtrojat e mbulesat, duhet të blejnë vetë ilaçet e gjithçka tjetër që nevojitet në spital. Të zhveshur nga dinjiteti, ata detyrohen të dergjen në kushte çnjerëzore, në dhoma të pista e të lagështa, që ngjasojnë më shumë me qeli burgu se shtëpi kurimi. Sistemi ynë shëndetësor ka humbur fatkeqësisht dhe një nga vlerat më të rëndësishme, humanizmin. Kjo vlerë është zëvendësuar nga antivlera, korrupsioni, që detyron gjithkënd të paguajë nën dorë për gjithçka. Të moshuarit, të varfërit e të pamundurit janë viktimat kryesore të këtij sistemi.
Barazia gjinore përmendet vetëm gjatë fushatave elektorale. Përfaqësimi i gruas në politikë është qesharak dhe zë përqindjen më të ulët në rajon, afërsisht 5%. Në zonat rurale, numri i vajzave të reja që detyrohen të ndërpresin studimet po rritet gjithnjë e më shumë. Diskriminimi në vendet e punës po merr përmasa të mëdha. Dhuna ndaj gruas po rritet me ritme marramendëse, duke shënuar një numër të madh viktimash, që shpeshherë përfshin edhe të mitur.
Errësira ka mbuluar vendin, duke cënuar jo vetëm ekonominë tonë të brishtë, por edhe duke i dhënë jetës tonë të përditshme një karakter gjithnjë e më çnjerëzor. Furnizimi me energji në vend është plotësisht i padrejtë dhe shpeshherë me ngjyrim politik. Edhe pse numri i individëve që nuk e paguajnë energjinë ka mbetur në nivele alar7 mante, dënimi mbetet kolektiv si për ata që nuk paguajnë ashtu edhe për ata që janë të rregullt. Shqiptarët janë ende të zhuritur megjithëse jetojnë në një ndër vendet më të pasura në botë me burime ujore. Vetëm 56% e familjeve shqiptare kanë mundësi të lidhen me rrjetin e shpërndarjes së ujit të pijshëm, ndërkohë që edhe kjo pjesë, në dukje më fatlume, nuk arrin të përfitojë më shumë se 4 orë furnizim me ujë në ditë. Sistemet higjeno-sanitare janë në një gjendje akoma më të mjerueshme, nëse kemi parasysh se gjysma e banesave në vend nuk kanë kanalizime të ujrave të zeza.