Ateizmin nuk e kanë shpikur komunistët

Bilderberg

Anëtar i ri
Ateizmin nuk e kanë shpikur komunistët

Nga: Arben Kallamata , 24/8/05 / Panorama



Ateizmi është mungesë e besimit te prania e perëndive dhe krijesave hyjnore. Kjo mungesë besimi nuk vjen nga pamundësia për të ushtruar një fe apo nga pamundësia e lidhjeve me të, por nga bindje të qëndrueshme dhe arsyetime të vetëdijshme. Foshnjat e porsalindura nuk kanë fe. Fetë iu injektohen në kokë më vonë, nga familja dhe shoqëria. Kjo shpjegon edhe faktin se përse më së shumti një njeri i lindur në një familje të krishterë përqafon fenë e krishterë, ndërsa dikush tjetër i lindur në një shoqëri myslimane, budiste apo çifute ndjek fetë përkatëse. Mungesa e besimit te perënditë është shumë më e vjetër se të gjitha llojet e besimeve fetare. Qeniet njerëzore fillimisht nuk kanë ditur të besojnë. Më vonë kanë mësuar, kanë krijuar dhe ndërlikuar perënditë.
Ateizmin, si mungesë e ndërgjegjshme e besimit nuk e kanë shpikur as komunistët shqiptarë dhe as çdo lloj komunizmi tjetër, pavarësisht përpjekjeve që bëhen për t’i njësuar ata. Ronald Bruce Meyer thotë se Ateizmi të çon në Komunizëm po aq sa të shtyn bindja se Santa Klausi është përrallë në agresivitet ndaj fëmijëve. Ateizmi nuk ka lidhje me besimin. Ai ka të bëjë me dyshimin, mosbesimin.
Ateistë ka pasur gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Megjithëse dëshmitë e para të shkruara të ateizmit mund të gjenden në shkrimet e Rig-Veda-s në Indi (rreth 1000 vjet p.e.s.), një ndër filozofët e parë të ateizmit mbahet greku i lashtë Epikurus i cili zhvilloi argumentin kundër të keqes:

Citim:
“Nëse Perëndia dëshiron ta ndalojë të keqen, por nuk ka fuqi, ajo nuk është e gjithëpushtetshme.
Nëse ka fuqi, por nuk do që ta ndalojë të keqen, atëherë është keqdashëse.
Nëse edhe ka fuqi ta ndalojë edhe dëshiron ta ndalojë të keqen, si shpjegohet që e keqja vazhdon të ekzistojë?
Dhe, nëse as nuk do që ta ndalojë dhe as është në gjendje ta ndalojë, atëherë përse u dashka quajtur Perëndi?”



E nisur nga thellësitë e errësirës së Mesjetës, Rilindja evropiane njohu zhvillimin e vrullshëm të ateizmit të përfaqësuar nga mendimtarë mosbesues ndaj qenieve hyjnore. Emrat e Leonardo da Vinçit, Erazmusit, Galileos, Keplerit e Giordano Brunos janë të lidhur me ateizmin. Më vonë atyre iu shtuan iluministët Dekart, John Toland, David Hume e Thomas Paine; enciklopedistët francezë Didero, Volter, d’Holbach për të ardhur në shekullin e 19-të te Fojerbah, Holyoke dhe, natyrisht, Charles Darwin. Më vonë, mendje të ndritura si Mark Twain, Thomas Edison, Albert Einstein, e shumë të tjerë kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten ateistë. Asnjë prej tyre nuk ka pasur qoftë edhe lidhjen më të vogël me komunizmin.
Sot, mbi 90 për qind e fizikantëve të botës dhe mbi 65 për qind e matematikanëve janë ateistë.
Përpjekjet për ta lidhur Ateizmin me Komunizmin e kanë burimin te përpëlitjet e krerëve fetarë për të ndaluar dobësimin e shpejtë dhe të pandalshëm të pushtetit të Kishës dhe institucioneve fetare në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Veçanërisht ato morën përkrahje zyrtare në periudhën famëkeqe të histerisë së Senatorit Joseph McCarthy në Shtetet e Bashkuara. Argumenti bazë që sillej për të provuar këtë tezë ishte njësimi i kryekomunistit Stalin me Ateizmin.
E vërteta qëndron se, pavarësisht se u shkollua në një seminar kishtar, Stalini ishte ateist. Megjithatë, ka shumë arsye të besohet se ai nuk ishte ateist për arsye filozofike apo sepse komunizmi ose mendësia e tij totalitare nuk përputhej me fenë. Stalini ishte ateist sepse pushtetit të tij sovjetik nuk i shkonte pas oreksit rivaliteti i pushtetit të madh të Kishës Ortodokse Ruse, ashtu siç nuk i pëlqente rivaliteti për pushtet i kujtdo fuqie tjetër. Në esenë “Ateizmi përballë Komunizmit” Jon Nelson vë në dukje se “Stalini nuk donte ta ndante pushtetin e vet me asnjë tjetër. Ai e sulmoi Kishën vetëm kur e pa se ajo ishte rivali i vetëm me peshë i supremacisë së tij. Por sulmet nuk kishin të bënin fare me mospajtimet ideologjike. Ishte thjesht çështje e zhdukjes së një rreziku të mundshëm”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur e pa se i nevojitej mbështetja e fesë për të siguruar një bashkim më të plotë të rusëve në luftë, vetë Stalini nxiti rimëkëmbjen dhe fuqizimin e Kishës Ortodokse Ruse.
Ateizmi nuk është ideologji. Ai është mungesë besimi në ideologji. Mungesa e besimit në ideologji s’ka se si dhe s’mund të bëhet bazë ideologjie, aq më pak për një ideologji totalitare si komunizmi. Përkundrazi, fe të ndryshme, sidomos format fondamentaliste të tyre, janë bërë jo rrallë baza për ideologji totalitare. Mjafton të përmendim lidhjet e Krishterimin me Fashizmin, luftërat e Kryqëzatave apo Inkuizicionin katolik, Ku-Klus-Klanin, Al Qaedën etj.
Komunistët e panë fenë thjesht si ideologji konkurruese dhe jo si ideologji që binte ndesh me ideologjinë e tyre. Duke u munduar të arrinin mbizotërimin e besimit të tyre, ata u përpoqën të fshinin ndikimin e çdo lloj ideologjie tjetër – ideologjinë fetare, ideologjinë e pronës private, ideologjitë perëndimore, gjithçka. Në Shqipëri kjo përpjekje u çua në ekstrem me shpalljen e vendit shtet ateist. Në fakt, Shqipëria u shpall edhe Republikë Popullore Socialiste, në një kohë kur nuk ishte as republikë (sepse ishte autokraci); as Popullore (sepse ishte kundër popullit), dhe as Socialiste (sepse ishte monopolizëm i skajshëm shtetëror). Ajo paraqitej “Demokraci Popullore” në një kohë që ishte një nga format më të egra të diktaturës. Ajo u quajt vend ateist, kur popullit iu imponua besimi i verbër dhe pa kushte te një ideologji (marksizmi) dhe te një perëndi me pesë koka: Marksi-Engelsi-Lenini-Stalini-Enveri (i ati - i vëllai - i biri - shpirti i shenjtë- dhe satani).
 

Attachments

  • ateist5.gif
    ateist5.gif
    3.2 KB · Shikime: 45
Ky shkrim nuk pretendon aspak që t’i paraqesë shqiptarët si popull ateist apo të pa fe. Një përpjekje e tillë do të ishte në kundërshtim të plotë me bindjen time se karakterizimi dhe etiketimi i popujve apo i individëve në bazë të (mos)përkatësive fetare është i papranueshëm në një shoqëri të përparuar. Njerëzit janë njerëz, ndërsa bindjet e tyre fetare janë thjesht çështje vetjake.
Megjithatë, unë do të përpiqem të mbroj idenë se shqiptarët janë një popull që ka dëshmuar historikisht lidhje të dobëta me fenë. Për lidhjet e dobëta të shqiptarëve me fenë përmenden shumë argumente faktikë dhe episodikë, të dokumentuara dhe të padokumentuara. Që në lashtësi ilirët kanë qenë ndoshta po aq pranë besimeve perse, Zoroastrianizmit sa edhe perëndive greke të Olimpit. Më vonë thuhet se ata ishin ndër të parët që e lanë këtë besim dhe iu kthyen krishtërimit.
Ja si e përshkruan Peshkopi Fan Noli “përkushtimin” e Gjon Kastriotit, atit të heroit tonë kombëtar ndaj fesë: “Për sa i përket fesë Gjon Kastrioti ishte shqiptar tipik. Nuk ishte pasues fanatik i asnjë feje dhe i ndërronte besimet sipas drejtimit që i jepte lëvizjeve të veta politike. Si aleat i Venecias në 1407, ai ishte Katolik; pastaj si aleat i Stefan Lazareviçit të Serbisë, nga 1419 – 1426 u kthye në ortodoks; dhe më pas u kthye në mysliman kur lidhi aleancë me Muratin e II, nga 1430 – 1438; e përsëri në katolik në 1438 kur e gjeti veten aleat dhe qytetar nderi i Venecias dhe i Raguzës. Në fund vdiq i krishterë i mirë në 1443.” 1
Të ndarë në dy degët mbizotëruese të krishtërimit mesjetar, shqiptarët i hapën rrugën pa ndonjë keqardhje të madhe myslimanizmit. Duke shëtitur cep më cep Shqipërinë e fundit të shekullit 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të, Edith Durham vëren se “Shqiptari është i paditur e i pamësuar, por nuk është budalla…Myslimanizmin dhe krishterimin ai i përcakton në një mënyrë të veçantë dhe shqiptare. Në zemrën e tij ai është i ndikuar kryesisht nga besimet e paragjykimet tradicionale, të cilat janë shumë më të vjetra se sa të dy feve të reja.” 2
Ndikimi dytësor i fesë në qenien e shqiptarëve u ka rënë në sy të gjithë studiuesve të historisë së Ballkanit dhe të Shqipërisë. Ai është element tipik shqiptar dhe përcaktohet nga rrethana historike, gjeografike, demografike dhe ekonomike krejtësisht shqiptare. “اelësi i unitetit të shqiptarëve ishte gjuha. Feja, gjeografia dhe klasat për ta kishin qenë faktorë ndarjeje, prandaj në periudhën e reformave të mëdha Otomane Njerëzit e Tanzimatit ngulën këmbë që shqiptarët të vazhdonin me lidhjet e tyre të ‘miletit”, thotë Misha Glenny. 3
Lidhja e dobët e shqiptarëve me fenë (përkatësisht me krishtërimin) u shfaq më hapur në periudhën e përqafimit të myslimanizmit. Ky hap ende i pashpjeguar plotësisht u krye me vullnet të plotë dhe pa kurrfarë detyrimi. “…Nuk ka asnjë arsye për të menduar se ishte frika e persekutimit ajo që i detyroi shqiptarët të ndërronin besimin në myslimanizëm dhe të përqafonin besim të dyfishtë. Përkundrazi, ata u shtynë nga dëshira për të shmangur taksat për kokë dhe për të përfituar nga ndërrimi i fesë, kryesisht duke marrë ndonjë post në hierarkinë ushtarake të shtetit Otoman ... Në qoftë se taksat e vëna për të krishterët në komunitetet shqiptare në shekullin e 16-të shkonin deri në 45 akçi, në mes të shekullit të 17-të ato ishin ngritur deri në 780 akçi në vit. Për t’i shpëtuar fiset e tyre nga uria dhe rrënimi, pleqëria e komuniteteve shqiptare e këshilloi popullin e fshatrave që të përqafonte Islamin”. 4
Sikur hapi i përqafimit të fesë Islame të ishte mbështetur në motive shpirtërore, atëherë do të kishte vend për të menduar se ky popull la një fe për t’u kapur pas një tjetre që iu duk më tërheqëse. Por ajo që ndodhi në Shqipëri në shekujt 17 – 19 dhe në vazhdim ishte e rrallë. Një pjesë e mirë e shqiptarëve, për arsye utilitare parapëlqyen të ruajnë dy fe.
Ja si i është shpjeguar ky dyzim nga Edith Durham në fillim të shekullit të 20-të: “Pjesëtari i një fisi në Shqipërinë e Veriut në radhë të parë është shqiptar. Ai kurrë s’i ka përvetësuar mësimet e kristianizmit, as ato të islamizmit (flas vetëm për masat). Krishti dhe Muhameti janë dy “gomarë magjikë“ mbinjerëzorë, çdonjëri nga të cilët, po ta zbutësh, mund të bëjë çudira. 5
Edith Durham nuk mungon të verë në dukje se përpara kthimit të tyre në Islamizëm, ose përpara aventurës interesante të pranimit njëkohësisht të dy feve, shqiptarët janë ndjerë të braktisur, madje edhe të shfrytëzuar nga emisarët e feve të krishtera. Pra shkaqet e ftohtësisë së shqiptarëve ndaj fesë nuk duhen parë vetëm te karakteri i tyre, por edhe te sjellja e përfaqësuesve të feve kundrejt tyre. “Nuk ka pasur fare shkolla për priftërinjtë e vendit. Priftërinjtë e huaj shpesh nuk dinin as gjuhën dhe as zakonet e vendit. Peshkopët, shumica të huaj, përpiqeshin kush e kush të fuqizohej më shumë për vete.” 6
Për shqiptarët feja ishte fe dhe asgjë më tepër. Ndonëse ajo ndikonte në marrëdhëniet me shtetin, ajo nuk mund përcaktonte marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha, ajo nuk përcaktonte identitetin e njerëzve. Pra ajo ishte ashtu siç edhe duhet të ishte – një element vetjak besimi apo mungese besimi. Prandaj edhe vargu i Vaso Pashës “Feja e shqyptarit është shqyptaria”, ngjiti aq mirë te shqiptarët dhe u kthye në moto përfaqësuese të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ky varg nuk ishte thirrje patetike për të arritur diçka të paqenë, siç përpiqen ta paraqesin sot disa pena që i janë vënë me zell dëmtimit të çdo simboli të Rilindjes Kombëtare; nuk ishte kushtrim lufte apo bori sulmi. Ishte thjesht ritheksimi i një të vërtete të vyer, të cilën ia vlente ta mbaje si udhërrëfyese për të mbijetuar si komb. Vetëm si i tillë, ai gjeti mbështetje të gjerë dhe u pranua nga breza të tërë shqiptarësh.
Ata që luftuan për Rilindjen Kombëtare e pranuan Vaso Pashën. Ata që pasuan më vonë e ngritën edhe më lart. Megjithëse zyrtarisht mysliman, duke e parë se një mbret i krishterë do të ishte më i qëndrueshëm në një vend me prirje evropiane, Ahmet Zogu ngulmoi të martohej me një katolike. Përpara kësaj martese, nën shembullin e Ataturkut, ai kishte ndaluar me ligj mbulimin e grave me ferexhe, një hap që Franca po e gjen shumë të vështirë ta realizojë 70 vjet më vonë. Këto veprime nuk ia ulën aspak popullaritetin Zogut midis shqiptarëve. Edhe kundërshtarët e tij politikë të atëhershëm e të sotëm e sulmojnë për gjithçka tjetër, por jo për qëndrimin ndaj feve. Në këtë pikë ai gjeti mirëkuptim dhe miratim te bashkëkombësit.
Ky ishte pikërisht terreni që gjetën dhe shfrytëzuan komunistët e Enver Hoxhës për ta shpallur ateist shtetin e tyre komunist. Goditja që ata i dhanë fesë frymëzohej nga mësimet e Stalinit, të cilat çoheshin në ekstrem duke marrë parasysh vendin ku po zbatoheshin, kushtet e një populli që nuk mund t’i përqasej verbërisë fetare dhe adhurimit të rusëve për Kishën e tyre. Goditja ishte pjesë e luftës për pushtet absolut dhe llogariste mirë lidhjet e dobëta të shqiptarëve me fenë. Ajo nuk u krye thjesht ngaqë Enver Hoxha ishte ateist. (Njerëz që e kanë njohur nga afër tregojnë se djalli i Hoxhave falej përpara se të hante bukë. Nuk është aspak çudi që thellë-thellë ai të besonte, ose të paktën të ishte supersticioz.) Goditja u bë sepse ai, Hoxha, nuk donte ta ndante me kërkënd pushtetin, njëlloj si mësuesi dhe ati i tij shpirtëror, Stalini. Në fund të fundit, ideologjia është vegël për të ushtruar pushtetin politik.
Të mos harrojmë se edhe krerët e feve në Shqipërinë e pasluftës së dytë botërore ishin në pozicion jo fort të favorshëm në lëmin e marrëdhënieve publike. Më pak se gjysmë shekulli nga shpallja e Pavarësisë kushdo, por sidomos komunistët që ishin mjeshtër të propagandës, nuk e kishin fare të vështirë ta përqasnin myslimanizmin me pushtuesin turk, që e kishte mbajtur vendin për 500 vjet në errësirë. Po ashtu komunistët nuk hasën vështirësi për të bërë një lidhje midis Italisë fashiste, shkaktaren e një pushtimi të turpshëm dhe një lufte ende të freskët, me krerët e kishës katolike. Nuk kishin qenë të pakët priftërinjtë që kishin mbështetur pushtuesin. Ndërsa fqinji ortodoks jugor, Greqia, kishte kohë që vinte peshkopë e priftërinj në ballë të taborreve shoviniste që jo vetëm ulërinin për copëtimin e Shqipërisë dhe Vorio Epirin, por edhe i shoqëronin pëllitjet e tyre me veprime të drejtpërdrejta agresioni.
Nga pikëpamja propagandistike, në vitet ’60 komunistët e kishin shumë të volitshme ta godisnin gogolin Fe. Nga ana shpirtërore, shqiptarët s’e kishin pasur shumë për merak atë. Nga vështrimi ekonomik, kjo ishte koha kur komunistët po përqendronin gjithë pasuritë e vendit në duart e tyre dhe atij fshatarit që po i shtetëzohej apo kooperativizohej toka dhe bagëtia, as i bëhej vonë se bashkë me to shkonte edhe pasuria e kishës dhe e xhamisë. Ndonëse nuk mund të thuhet se ndalimi me ligj i fesë në Shqipëri u bë me miratimin e plotë të popullsisë, ai u prit pa ndonjë ndjenjë të theksuar keqardhjeje apo dëshpërimi dhe, praktikisht, me përjashtim të disa enklavave (Shkodrës, Malësisë së Madhe e deri diku, Korçës) zuri rrënjë shpejt.
Ndalimi i fesë u pasua me njësimin dhe zëvendësimin e vlerave shpirtërore. Vendin e Zotit e zunë krijuesit e Marksizëm-Leninizmit, Perëndia me katër koka e “klasikëve” fotografitë e të cilëve i gjeje kudo që hidhje sytë. Ata u bënë po aq të paprekshëm dhe të padiskutueshëm sa çdo krijesë hyjnore. Vendin e Mesias, Krishtit apo Muhametit e zuri Enver Hoxha. Njerëzit nuk betoheshin më “Për Perëndi!” por “Për ideal të Partisë”. Kishat u shembën dhe u zëvendësuan me vatra kulture. Vendin e priftit e zuri Sekretari i Partisë. Vendin e meshave e zunë format e edukimit. Vendin e Ferrit e zuri Spaçi. Vendin e Parajsës e zuri përralla e bukur e “komunizmit ideal” ku të gjithë do të punonin sipas aftësive (domethënë s’punonin fare) dhe do të paguheshin sipas nevojave (sa të donin). Mungonin vetëm harpat dhe pendët krahëve. Vitrina e Parajsës në tokë, kopshti i Idenit ishte Blloku i Udhëheqësve në Tiranë. Prej tij mund të përjashtoheshe sa herë që haje ndonjë mollë të ndaluar ose sa herë i donte qejfi Mesias, Zeusit, Zotit.
Po të mëkatoje, duhej t’i hapje zemrën partisë, sekretarit të saj. Po të mëkatoje rëndë, përfundoje në Ferr – Spaç. Mëkatet e lehta faleshin. Edhe vjedhjet ishin kalimtare. Herezitë kundër Fesë Komuniste ishin të pafalshme. Ato dënoheshin me Ferr. Mallkimi ndiqte edhe të afërmit.
Frika nga ndëshkimi i Zotit u zëvendësua me frikën nga ndëshkimi i Partisë-Shtet, ose Perëndisë-Enver. Jo rastësisht, Enver Hoxha krahasohej me Zeusin – Kryeperëndinë.
Komunizmi shqiptar shpalli diçka që e quajti “ateizëm”, por në të vërtetë shkatërrimi i pushtetit të feve të deriatëhershme nuk kishte të bënte fare me Ateizmin, domethënë me mosbesimin në ekzistencën e një qenieje hyjnore të gjithëpushtetshme. Ai ishte vetëm zëvendësimi i një apo disa feve me një të re, me fenë Komuniste.
Në Shqipëri pati shumë njerëz që hoqën dorë nga besimet tradicionale – Myslimanizmi, Ortodoksia, Katolicizmi. Pati gjithashtu shumë që, për shkak se u lindën dhe u rritën në atë klimë, por edhe për shkak se u detyruan dhe u bindën, përqafuan fenë e re, Komunizmin. Por gjithmonë pati nga ata (dhe numri i tyre erdhi në rritje) që nuk besonin as te njëra dhe as te tjetra. Madje edhe shumë nga ata që kishin besuar te Komunizmi, hoqën dorë prej tij kur e kuptuan se në ç’humnerë po e çonte vendin.
Këta njerëz që s’besonin dhe s’besojnë as te fetë tradicionale dhe as te komunizmi nuk ishin dhe nuk janë as të pamoralshëm, as të droguar, as të çmendur, as të dhënë pas pijeve. Ata janë njerëz si gjithë njerëzit e tjerë, me vlerat dhe mangësitë e tyre.

Shënime:
1. Peshkopi Fan Noli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
2. Edith Durham, Brenga e Ballkanit - Në vendin e Shqiponjës, faqe 543
3. Ballkani, 1804-1999, f. 153.
4. Antonina Zhelyazkova, Identitete Shqiptare.
5. Brenga e Ballkanit, faqe 203.
6. po aty, f. 105.
 

Attachments

  • ateist3.gif
    ateist3.gif
    2.6 KB · Shikime: 35

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top