Vllaznia bie në “kala”, Laçi gjen fitoren e parë me Skënderbeun, Tirana në krye

Smirnoff

Anëtar i Nderuar
Tirana ka fituar pastër, 2-0 ndaj Flamurtarit, duke marrë kreun e superligës. Të paktën për 24 orë, derisa të luajë edhe Teuta me Bylisin, dy skuadra që, nëse fitojnë (njëra), mund t’i arrijnë me pikë bardheblutë. Madje ballshiotët, në rast të suksesit në Durrës, edhe mund t’i parakalojnë me një pikë më shumë kryeqytetasit. Sidoqoftë, skuadra bardheblu, e drejtuar nga trajneri spanjoll Hulian Rubio, ka dëshmuar sërish se është në top-formë dhe po profilizohet si pretendentja numër një për titullin. Pavarësisht se është mjaft herët për ta thënë këtë, askush nuk ka bindur më shumë se bardheblutë, të cilët kanë mundur në javën e katërt një rival potencial, si Flamurtari. Kuqezinjtë e Vlorës janë shfaqur pa shpirt, pa grintë dhe të mpirë në “Qemal Stafa”, çka është bërë edhe më evidente nga loja e mirë dhe mjaft e organizuar e vendësve. Presioni i 24 herë kampionëve të vendit e ka detyruar mbrojtësin Veliu të mos merret vesh si duhet me portierin e vet, Moçka, kështu që kontigjenti i kombëtares kuqezi ka shënuar autogol në portën e vet. Kronometri shënonte minutën e 11-të, ndaj skuadrat kishin mjaft kohë në dispozicion për të treguar veten. Mirëpo, kur pritej që vlonjatët të reagonin pas pësimit të golit, ka ndodhur e kundërta. Ka qenë Tirana, e cila ka vijuar të mbetet në sulm dhe të mos lëshojë aspak terren. Kjo e ka vështirësuar së tepërmi misionin e kuqezinjve, të cilët nuk kanë dalë dot në lojën e tyre. Me rezultatin 1-0 mbyllen 45 minutat e para, ndërsa fraksioni i dytë i lojës ka pasur sërish në evidencë Tiranën. E cila e ka dyfishuar epërsinë në minutën e 65-të me anë të sulmuesit të ri Morina, ndërsa miqtë vlonjatë s’kanë pasur asnjë mundësi të volitshme për të shënuar qoftë edhe golin e nderit. Kësisoji, bardheblutë triumfojnë në një ndeshje delikate për ta, duke u katapultuar në kreun e klasfikimit, në kuotën e 9 pikëve.

Kastrioti i Krujës është rikthyer te fitorja në shtëpinë e vet, duke mundur kuqeblutë e Vllaznisë, me rezultatin 2-1. Kësisoji, trajneri Ramadan Ndreu ka mbajtur postin e vet në krye të skuadrës së mirëfinancuar dhe të përforcuar me lojtarë cilësorë këtë edicion, sepse para sfidës me kuqeblutë ishte në fije të perit. Krutanët kanë kaluar të parët në epërsi, me anë të Jetmir Sefës, në minutën e 29-të, ndërsa 3 minuta para mbarimit të fraksionit të parë të lojës ka qenë Inkango, ai që ka dyfishuar shifrat. Me këtë rezultat është mbyllur pjesa e parë, por vendësit i ka penalizuar me daljen nga loja, me karton të kuq, Turdiu. Pikërisht kjo gjë ka ndodhur në minutën e 43-të, çka do të thotë se Kastrioti e ka luajtur pjesën e dytë me një lojtar më pak se kundërshtari. Mirëpo, kjo s’është shfrytëzuar sa duhet nga Vllaznia, e cila ka gjetur golin e saj të vetëm në këtë transfertë, me anë të Vajushit, në minutën e 60-të, por nuk ka arritur dot t’i barazojë shifrat. Rezultati 2-1 për krutanët ka qenë përfundimtari i kësaj sfide, çka i dërgon 3 pikët në llogarinë e skuadrës së Ndreut, ndërsa kuqeblutë e Josës janë kthyer duarbosh në shtëpi. Pas javës së katërt, të dyja skuadrat në fjalë kanë nga 6 pikë në klasifikim.

Ndeshja tjetër e javës së katërt të superligës, e inkuadruar për t’u luajtur ditën e diel, është luajtur në Laç. Skuadra vendëse ka dalë te goli shumë shpejt, që në minutën e 5-të, me anë të kapitenit të vet, Burhan Emurllai. Ka qenë një goditje dënimi, e ekzekutuar nga shqiptaro-maqedonasi i kurbinasve, e devijuar edhe nga muri mbrojtës i korçarëve, e cila është kthyer në gol për vendësit. Kanë reaguar fuqishëm miqtë, që shtyjnë përpara drejt portës së Vashakut. Mbrojtja vendëse gjendet e presuar, por arrin ta mbajë portën e vet të paprekur. Derisa vjen minuta e 40-të, kur një kundërsulm i bardhezinjve e gjen të papërgatitur prapavijën e kampionëve. Aty ku Dragicevic i shpëton mbulimit të Vrapit, ndërsa ky i fundit ka vetëm një alternativë, ta pengojë atë në mënyrë të parregullt. Gjyqtari Jemini akordon pa hezitim penallti dhe karton të verdhë për Vrapin. Penalltia ekzekutohet saktë nga Selimi, i cili e dyfishon epërsinë e vendëse për pjesën e parë. Pjesa e dytë e lojës ka nisur në sulm për korçarët, që kanë marrë udhëzime të qarta nga trajneri Duro për të sulmuar e për ta kërkuar golin me ngulm. Dhe e gjejnë atë shpejt, pikërisht në minutën e 51-të, me anë të kapitenit Shkëmbi. Ky i fundit përfiton nga një top i kthyer nga mbrojtja vendëse dhe në pozicion ballor, mbi vijën e 16-metërshit, lëshon një predhë tokazi. Topi përfundon në këndin e poshtëm të Vashakut. Kohë për zhvillime të tjera ka edhe më, në dispozicion të të dy skuadrave, por nuk ka ndodhur ndonjë gjë tjetër me rëndësi. Sepse ka munguar goli, kështu që rezultati 2-1 ka përmbyllur edhe këtë sfidë të luftuar fort, por që u ka buzëqeshur vendasve. Që arrijnë fitoren e parë në këtë kampionat, ndërsa kampionët vazhdojnë të mos bindin sërish.

Të shtunën

Startoi të shtunën java e katërt e superligës dhe e kategorisë së parë në disa prej stadiumeve të vendit. Nëse kategoria e parë ishte planifikuar të zhvillohej e plotë këtë ditë, superliga ka zhvilluar tri ndeshjet e para. Më konkretisht, në orën 14:00, Pogradeci dhe Dinamo kanë nisur sfidën mes tyre në qytetin liqenor, aty ku vendësit kanë vuajtur shumë për të gjetur fitoren. Kjo, sepse blutë e drejtuar nga Faruk Sejdini janë mbrojtur me fanatizëm deri në minutën e parafundit të lojës, kur janë dorëzuar dhe e kanë parë veten në “ferr”. Ka qenë korçari Cipi, ai që ka konkluduar “in extremis” në portën e Osmanit të Dinamos, duke u dhënë të tijve 3 pikë tepër të çmuara. Kësisoji, Pogradeci gjen fitoren e dytë në këtë kampionat, sërish në fushën e vet, duke e parë veten në kuotën e 6 pikëve, ndërsa blutë kryeqytetas mbyllin klasifikimin, me vetëm një pikë, të marrë ndaj kampionëve në fuqi, në “Qemal Stafa”, falë atij barazimi 0-0.

Goleadë e Shkumbinit në shtëpi, teksa ka mundur thellë 6-2 Tomorin debutues në superligë. Kristaq Mile, trajneri beratas në krye të peqinasve, nuk ka pasur asnjë mëshirë për Tomorin. Që në minutën e dytë, vendësit kanë shënuar në portën beratase, pas një penalltie të fituar nga sulmuesi Roland Dervishi. Ky i fundit është penguar në mënyrë të parregullt nga mbrojtësi i Tomorit, Krasniqi, që është nxjerrë me të kuqe nga gjyqtyari Pashaj, për shkak se ishte lojtari i fundit në mbrojtjen mike. Ka ekzekutuar vetë Dervishi, që realizon golin e parë, për të vijuar “me breshëri” më tej, sepse ka rrumbullakosur plot pesë gola në këtë ndeshje, duke u ngjitur kësisoji në krye të shënuesve më të mirë të superligës deri më tani. Për peqinasit ka realizuar një gol edhe gjirokastriti Shenaj, ndërkohë që Dervishi ka fituar edhe një penallti të dytë, si në të parën, duke nxjerrë me të kuqe tashmë portierin e Tomorit, Llani. Në këtë mënyrë, miqtë e kanë mbyllur këtë ndeshje me 10 lojtarë në fushë, të mundur thellë 6-2, çka tregon situatën problematike te Tomori.

Në Kamëz kanë triumfuar miqtë nga Fieri. Në një përplasje debutuesish në superligë këtë sezon, Kamza dhe Apolonia kanë zhvilluar një lojë të fortë dhe kërkuese. Vendësit kanë qenë më dominues në fushën e blertë, por kanë shpërdoruar raste të pafundme për konkludim. Miqtë, përmes kundërsulmit, kanë arritur të shënojnë një gol, me anë të Ramës, i cili i ka dhënë fitoren e çmuar Apolonisë në një transfertë delikate.



Superliga, java e katërt

02.10.2011

Pogradeci-Dinamo 1-0

Shënues: Cipi 89’



Shkumbini-Tomori 5-2

Shënues: R.Dervishi 2’ (pen), 6’, 37’, 64’ (pen), 95’, Shenaj 57’ / Bakiu 27’, Cela 50’



Kamza-Apolonia 0-1

Shënues: Rama 65’



03.10.2011

Kastrioti-Vllaznia 2-1

Shënues: Sefa 29’, Inkango 42’ / Vajushi 60’

Laci-Skënderbu 2-1

Shënues: Emurllai 5’, Selimi 40 (pen) / Shkëmbi 51’



Tirana-Flamurtari 2 – 0

Shënues: Veliu 11 (aut), Morina 65′



04.10.2011

Teuta-Bylis





Sa i takon kategorisë së parë, vlen të theksohet fakti se kryesuesit e Luftëtarit kanë pësuar humbjen e parë në këtë kampionat në Lezhë, aty ku i ka mundur Besëlidhja me rezultatin 1-0. Besa e Kavajës, me traditë në futbollin shqiptar, fituese trofesh, kupë dhe superkupë, këtë sezon luan në kategorinë e parë. Ajo ka dështuar të marrë qoftë edhe një pikë në fushën e Mamurrasit, sepse vendësit kanë triumfuar 2-1. Kësisoji, verdhezinjtë e drejtuar nga trajneri Gugash Magani dëshmojnë luhatje të shumta dhe mungesë potenciali në kampionat, çka e bën krejt të paparashikueshme ecurinë e mëtejshme të saj dhe rikthimin në superligë.

Elbasani ka mundur në “Ruzhdi Bizhuta” me rezultatin 2-0 Gramozin, duke marrë 3 pikë të tjera në kampionat, kësaj here pa shumë mund, sepse kolonjarët janë paraqitur të mefshtë dhe fare kërkues. Fitore në shtëpi ka shënuar edhe Himara, ndaj sarandiotëve të Butrintit, dhe Kukësi ndaj Ilirisë. Barazim 1-1 në Velipojë, mes Adës dhe Gramshit. Bardhësi shifrash edhe në Corovodë, mes Skraparit dhe Lushnjës.



Kategoria e parë, java e katërt

02.10.2011

Skrapari – Lushnja 0-0



Besëlidhja – Luftëtari 1-0



Ada - Gramshi 1-1



Kukësi – Iliria 1-0



Mamurrasi – Besa 2-1



Vlora – Burreli 2-1



Himara – Butrinti 2-0



Elbasani – Gramozi 2-0
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 22.2%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 11.1%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 5.6%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 22.2%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 11.1%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 1 5.6%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 22.2%
Back
Top