Vish këmishën e lumturisë

Vish këmishën e lumturisë
Lumturinë nuk e gjeni dot tek një këmishë që vishni, por tek ajo që ia vishni dikujt tjetër.
Në kohët e lashta, një mbret indian jetonte në luks të madh, megjithatë nuk ndihej i lumtur. Ai mblodhi të urtët e mbretërisë së tij dhe u kërkoi mendim si mund të bëhej i lumtur. Pas një heshtje të gjatë dhe procesi meditimi, një nga oborrtarët e urtë guxoi ta thyejë heshtjen dhe tha:”Lartmadhëria juaj! Mbi faqen e tokës nuk ka lumturi. Megjithatë, nëse insiston, unë të këshilloj që të kërkosh një njeri të lumtur dhe të veshësh këmishën e tij. Sipas meje, vetëm kështu mund të ndjesh lumturi.”
Pa e zgjatur, mbreti i hipi kalit dhe i shoqëruar nga suita mbretërore u nis për rrugë në kërkim të lumturisë. Rrugës, ai takohem me njerëz të ndryshëm të cilët i pyeste nëse ishin të lumtur. Përgjigjet ishin të tilla:”Po, jam i lumtur por kam një konflikt me gruan, jam i varfër, kam fëmijët e vegjël, jam i sëmurë, nuk kam punë etj...
Teksa vazhdonte rrugën dhe mërzia i shtohej më shumë, mbreti dëgjon një zë të bukur duke kënduar. Sa më shumë i afrohej, aq më shumë bindej se personi që këndonte ishte i lumtur, gjë të cilën e shprehte mahnitshëm nëpërmjet këngës dhe atij zëri të mrekullueshëm. Pasi mbërriti, para syve iu shfaq një burrë i thjeshtë, të cilit menjëherë i drejtoi pyetjen:”A jeni i lumtur zotëri?”
Burri iu përgjigj me buzën në gaz:”Sigurisht! Madje do të thoja që jam shumë i lumtur.”
Mbreti i tha:”Atëherë, më jep këmishën tënde ta vesh, që edhe unë të ndihem i lumtur!”
Pas një heshtjeje të gjatë, burri ngriti shikimin e tij të kulluar, buzëqeshi dhe i tha mbretit:”Këmishën time?! Do ta jepja me kënaqësi, por... ia kam dhënë dikujt që i duhej më shumë se mua. Që nga ajo ditë, përjetoj një lumturi që nuk ta përshkruaj dot.”
Lumturinë nuk e gjeni dot tek një këmishë që vishni, por tek ajo që ia vishni dikujt tjetër. /ardhmeriaonline/
 
Back
Top